E premte, 02.05.2025, 07:44 PM (GMT+1)

Mendime

Selim Hasanaj: Mbresa nga leximi i librit të Bajram Kabashit: ''Me Hasan Mekulin''

E hene, 09.05.2011, 07:58 PM


MBRESA NGA LEXIMI I LIBRIT TE BAJRAM KABASHIT*: "ME HASAN MEKULIN "

 

Nga Selim M. Hasanaj

Redaktor, Revista Drini

 

Isha në dilemë si ta titulloja këtë shkrim. Ma në fund vendosa t’i ve po atë titull, që gazetari i dikurshëm i " RILINDJES " e  " BUJKUT ", bashkëpunëtori i shumë revistave e gazetave të tjera, ia kishte vu librit të bashkëbisedimeve me profesorin e vet të letërsisë në Fakultetin Filosofik të Prishtinës, libër që autori në parathanje e quen "të papërfunduem", pse bashkëbisedimi u ndërpre mizorisht nga vdekja e profesor Mekulit, me titull: "Me Hasan Mekulin".

 

Bajram Kabashi, kjo pendë e mprehtë e gazetarisë shqiptare, nxanës e student i zellshëm, nuk asht për t’u çuditë që ka tërheqë vëmendjen e simpatinë e mësuesëve dhe profesorëve të tij gjatë studimeve. Ai ka le në një familje të vobektë, por përparimtare e atdhetare,  në fshatin Tomoc, në vitin 1957. Ishte fëmijë kur ndërroi jetë i ati dhe nana e tij, me sakrifica e përkushtim deri në vetmohim, bani gjithçka që fëmijët e saj të ndiqnin shkollat. Bajrami mbaroi Fakultetin Filozofik, Dega Letërsi Shqipe, ku pat fatin të kishte mësimdhanës e ligjerues shumë emna të njohun të albanologjisë në Dardaninë e asaj kohe, mes të cilëve edhe Prof. Hasan Mekulin, këtë erudit dhe njohës brilant të letërsisë botënore.

 

Mbas mbarimit të studimeve Bajrami punësohet si gazetar në "RILINDJE". Gazetari i ri kishte shpresa se, falë përkushtimit të tij për profesionin e zgjedhun, do të fitonte edhe përvojën, e kështu do të kalitej përkrah emnave ma të njohun të gazetarisë në Dardani, po nuk i doli ashtu.

 

Nuk i doli ashtu, sepse UDB-ja jugosllave kishte rekrutue me kohë njerëzit e vet edhe në mes  gazetarëve dhe ata, si pararojë besnike e pushtuesëve serbosllavë, raportonin për secilin koleg kur shihnin se ai kishte guxim, njihte profesionin, e se me pasion i përkushtohej atij. Njerëz të tillë shiheshin me skepticizëm dhe pengoheshin, luftoheshin e nuk respektoheshin. Një katrahurë të tillë përjeton edhe  Bajram Kabashi, gazetari i ri, por i talentuem e profesionist korrekt, që kishte vullnetin dhe guximin për ta gjetë dhe zbulue burimin e dukunive dhe te ngjarjeve, e për t’i ba ato publike. Në fillim të karrierës klani i vjetër i shërbëtorëve të sistemit, në vend që ta përkrahnin kolegun e ri, iu kundëvunë, dhe me metoda të liga e poshtnuese, filluen ta pengonin.

 

Të gjitha këto nuk e thyen dhe nuk e trembën Bajram Kabashin. Ai punonte natë e ditë, punonte me përkushtim si gazetar hulumtues, dhe i kërcënuem si nga kolegët, ashtu edhe nga pushteti pushtues, ai, në kohët ma të vështira të fundshekullit të kaluem, përveç angazhimeve të panumërta në fushën e gazetarisë, ku kishte pasë si sektor pune arsimin fillor e të mesëm, ishte marrë gjithashtu edhe me shumë tema të ndjeshme, që i takojnë fushës së gazetarisë hulumtuese e zbuluese; kishte intervistue shumë personalitete të njohuna për veprimtarinë e tyne atdhetare e kulturore, në mes të cilëve, kishte bashkëbisedue kohe mbas kohe, për rreth dy vjet rresht, me profesorin e tij Hasan Mekuli, pedagogun e tij të dashtun, që e kishte ba edhe mik, sepse me talentin e përkushtimin në punë Bajram Kabashi kishte arrijtë të lidhte miqësi me shumëkend;  e një miqësi e respekt të ndërsjelltë kishte edhe me Hasan Mekulin.

 

Intervista me profesorin u ngjan krejt pak atyne të zakonshmeve. Ajo asht e ngrohtë, intime, çka e shtyn Prof. Hasan Mekuli të flasë jo vetëm për vete, për rranjët e biografinë e tij, por e çon atë drejt labirintheve të një jete të vështirë, por të frytëshme.

 

Prof. Hasan Mekuli lindi në Nokshiç  vendbanim  i cili deri jo fortë moti ishte i popullzuem me shqiptarë etnik, ndersa sot ai asht nji vendbanim malazez ku nuk ka asnji frymë shqiptare, pos kujtimeve dhe lotve të mallit të atyne që kanë lind atje , por që janë detyrue ta lëshojnë tue u largue njiherë e pergjithmonë nga ai vend i bukur i Malësisë sonë Ilire.

 

Në rrëfimet e tij për etnografinë, për etnogjenezën, për historinë, për letersinë, për zhvillimin shoqnor të shqiptarëve, për përplasjet me pushtuesit, aty rrefen edhe për perplasjet me "intelektualë" serbosllav të kohës, per perlplasjet e intelektualve të shumtë shqiptarë me pushtetin dhe kundershtaret dhe nga krejtë kjo del se  themel i krejt çka gëzojnë sot brezat e rijë asht fryti i punës dhe angazhimeve të paraardhësve, Prof. Hasan Mekuli shpaloset faqe mbas faqeje me gjithë madhështinë e poetit erudit, studjuesit dhe filozofit, por edhe veprimtarit të paepun per qashtje kombëtare shqiptare.

 

Në librin e Bajram Kabashit, "ME HASAN MEKULIN" mësojmë për të atin e Prof. Hasanit dhe qëndresën e tij për troje e komb. Mësojmë për shkollimin në gjuhën e pushtuesit dhe për dhunimin që i bante mesuesi serb Hasanit të ri me detyrimin e përsëritjes së refrenit " UNË JAMË SERB I BESIMIT MUSLIMAN"  çdo ditë të shkollës.

 

Në vijim tregohet për studimet e tij, si si shkon për të studjue në Beograd për veterinari, por ndrron mendimin dhe fillon studimet për letërsi.

 

Në librin e Bajram Kabashit " ME HASAN MEKULIN " mësojmë historinë e tmerrshme të zhdukjes me dhunë të faktorit  ethnik shqiptar në trojet e tyne në krahinat e Plavës, Gucisë, Rrozhajës, Tutinit, Dragës, Sjenicës, Tregut të Ri, Ribariqit, Bellopojës, etj, etj. Të rrallë janë ata që kanë folë e që kanë shkrue ma me saktësi për këto tragjedi, si flet në librin e Bajram Kabashit i madhi Prof. Hasan Mekuli. Në këtë intervistë-libër Ai flet edhe për kolegët e vet; flet me modesti për  Esat Mekulin, por flet si intelektual i mirfilltë  për Mark Krasniqin, Hivzi Sylejmanin dhe fatin tragjik të vëllaut të Ti Azizit, flet per Ali Hadrin, për politikanin Asllan Fazliu etj., personalitete  të gjeneratës së parë të intelektualëve në Dardani. Ai flet me respekt dhe vlerësim të veçantë edhe për brezin e ri, ku secilit, me ndjenjë dashamirësie e sinqeritet, i njeh meritat.

 

Në libër mësojmë për përplasjet e Prof. Hasan Mekulit me komitetlijët e kohës për të marrë në mbrojtje institucionet shkencore e kulturore të krijueme me mund në Dardani, për mbrojten kolegëve si Ali Hadrin e shumë të tjerë.

 

Një temë e randësishme asht ajo e luftës së SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE TË KOSOVËS, që  në vitet ‘80 u ballafaque me sulme të përditëshme nga kryetari i Shoqatës së shkrimtarëve të Serbisë, çetniku Miodrag Bullatoviq.

 

Mësojmë gjithashtu për ballafaqimet e Hasan Mekulit, që ishte Kryetar i SHSHK të Kosovës, me shkrimtarin serb nga Mali i Zi, Miodrag Bullatoviq, për referatet meritore e historike të shkrimtarëve të tjerë kosovarë në ato ballafaqime, ku dalloheshin së bashku me Hasanin edhe Esat Mekuli, Ibrahim Rugova, Azem Shkreli dhe Rexhep Qosja.

 

Libri " ME HASAN MEKULIN " i Bajram Kabashit, asht padyshim një nga librat ma të mirë dhe ma me vlerë për të gjithë lexuesit, i çdo moshe qoftë, sepse ky gazetar i përkushtuem kë arrijtë ta "detyrojë" të flasë një njeri, që asht një epokë, një histori themel e zhvillimit të kulturës filozofike në lamin e letersisë dhe zhvillimit etnik e kulturor të pjesës së shqiptarëve, që mjerisht pat mbetë e pushtueme nga serbosllavët për gjashtë dekada në shek. e kaluem. Me pyetjet e tij të squeta, direkte e të sinqerta, Bajrami nxjerr nga Prof. Hasan Mekuli edhe ate që as ai vet nuk do kishte besue se do t’ia kishte thanë kujt. E them këtë tue marrë parasyshë kohën kur asht ba intervista (vitet 1995-1996), kohë e pushtimit ma mizor nga falangat brutale serbe të drejtuem nga një mizor, siç ishte Sllobodan Millosheviç. Në atë kohë jo gjithkush do kishte kurajon e guximin t’i drejtonte ato pyetje, e jo ma t’a shtron një personaliteti në një intervistë me të. Këte guxim e pat Bajram Kabashi. PO ashtu, jo gjithkush do të pranonte në shtëpi një gazetar, që do t’i vinte me pyetje të tilla. Këte trimni, këtë guxim intelektual e kishte Prof. Hasan Mekuli.

 

Po këte trimni intelektuale e kishte Bajram Kabashi dhe po atë trimni dijti ta çmone ish Profesori i tij Hasan Mekuli, i cili iu pergjegj pyetjeve të Bajram Kabashit sikur për flakë pushke, pa ngurrim dhe me kënaqësi, sado që, veç të tjerash, lëngonte dhe përpëlitej me dhimbjet që kishte nga sëmundja e tij e kobshme, që i mori jetën me 26 korrik 1996, në moshën ma të mirë prodhuese e krijuese, e sidomos në periudhën ma të randë për ta jetue, sepse Dardania ishte e shkelun nga çizmja fashiste serbomadhe, deri sa, në verën e vitit 1999, e shpëton Aleanca Verioatlantike NATO dhe trimat e rinia shqiptare me përpjekjet e pashoqe, të organizuem në njësi luftarake, ushtria e jonë e lavdishme, UÇK.

 

I kërkoj falje lexuesit sepse unë nuk jam kritik letrar për të ba një analizë libri, aq ma tepër të një libri të të tilla përmaseve, siç asht ky për të cilin u përpoqa ta përshkruej. Mora guximi të shkruej prej përshtypjes së thellë që më la leximi i këtij libri, si dhe pse më dha mundësinë të mësoja shumçka që nuk e dija ma parë; mësova nga pyetjet e godituna e me vend të një gazetari të mirfilltë, si dhe nga përgjigjet e një Profesori meritor, i cili, me veprën e vet si pedagog, studjues dhe veprimtar për kombin, ishte dhe asht legjendë, i Pavdekshëm sa të jetë jeta. Ai asht përkrah të vëllajt të Madhit, Esat Mekulit, përkrah Mark Krasniqit, Ibrahim Rugovës dhe shumë e shumë burrave të kombit, që kanë hy në pavdeksi.

 

Lavdi jetës dhe veprës së tyne, ashtu si edhe përgëzimet ma të ndjeme Bajram Kabashit për këtë libër kaq të vlerëshëm, që fatkeqësisht nuk u perfundue, mbasi i intervistuemi, Prof. Hasan Mekuli, ndëroi  jetë pa e përfundue intervisten me studentin e tij të dashtun, gazetarin e zellshem Bajram Kabashi.

 

*Gjergj Kabashi

 



(Vota: 10 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx