E premte, 08.11.2024, 08:06 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Njeriu i etun për ujë... pin edhe...!

E premte, 06.05.2011, 06:58 PM


A  JU  KUJTOHEN  KËTO  ÇIZME ?...

KËTO  JANË    STALINIT !..

AI  IA  LA  ENVERIT !

ENVERI  IA  LA  RAMIZIT…

PRA…ÇIZMET  E  TIJA  JANË    SHQIPNI !

Me 8 Maji 2011, në Shqipni…

KUSH VOTON PËR KOMUNISTA, SOCIALISTA, APO  NEOKOMUNISTA  KAPITALISTË..

ME  MASKË  “DEMOKRATIKE”…

VOTON  PËR  KËTO  ÇIZME !

 

NJERIU  I  ETUN  PËR  UJË... PIN  EDHE..!

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Shekulli që shkoi ka provue se thanjet e vjetra bazohen mbi të vërtetën.

            Shpesh përdoret një shprehje: “I shkreti…kishte vdekë nga urija!”. Po koha që shkoi ka provue se njeriu vdes ma parë nga etja se urija…Një ndër torturat që kanë pasë rrezik me provue njerëzit në sigurimin e shtetit në Shkodër, dhe një nga qytetarët që ka mbyllë jeten tue e pranue plumbin me andje për me shpëtue nga thojtë e kriminelave, asht kenë ish oficeri i policisë shqiptare Gjush Deda, i fisit të Dedëjakupëve, që ka provue një nga tmerret e paimagjinueshme për dy javë pa gjum, tue qendrue në një karrigë i lidhun  me duer mbrapa dhe sa herë që fillonte me e kotollue gjumi, hetuesit që ndrronin turrnet, e lagnin me ujë…derisa, mbas dy javësh ka firmue procesin si donte hetuesia, mbasi asnjë fjalë nuk arrinte me kuptue tue pasë kalue në një gjendje krize nervore nga lodhja e madhe prej urisë, etjes dhe pagjumsisë… Në vitin 1962, kam pasë fatin me njohë afër një nga kolosët e Françeskanëve Shqiptar, At Frano Kirin. Një ditë po më tregonte për torturën e etjes, të cilën e kishte provue në hetuesinë e bame në sigurimin e shtetit në Shkodër në vitin 1946. Kishte tri ditë që nuk i jepnin ujë. Ditën e tretë çohej me vështirsi në kambë. Tregonte se nuk i binte ndër mend për me u përtypë, mbasi i ishte ba goja shkrum. Gjuha i ngjitej për qiellzë...Kishte fillue njëfarë marrakotje. Një polic e merr dhe e çon për me krye nevojat personale. Porsa hyn në nevojtore, sheh se mbi dy-tri rrasa ku vendoseshin kambët kishte mbetë pak ujë. Shikon mbrapa dhe sheh policin, i cili ishte tue bisedue me një shokun e vet, dhe nuk po shikonte nga At Franoja. Ky menjëherë ulet në gjunjë, dhe mbasi piu ujin e mbetun ndër rrasa filloi edhë lëpiu edhe rrasat tjera me shue etjen...po, aq ishte i etun sa nuk dallonte ma asnjë shije të langjeve që po lëpinte në grykën e nevojtores. Porsa ishte ngritë, kishte vrejtë se polici kontrolloi anash nëse e ka pa kush, dhe kur ishte sigurue se nuk e kishte pa kush, e kishte thirrë e çue në birucë. Nga të gjithë policët e sa viteve vuejtje, Ai e veçonte “policin e mirë”, që e kishte lejue me lëpi rrasat e  laguna të nevojtores së pistë të hetuesisë...që me siguri nuk ishte la kurrë!

Prof. Adem Bazhdari, një bashkvuejtës i klerit aso kohe në Kuvendin e Fretënve të kthyem në hetuesi, tregonte: “Nuk e harroj kurrë Imzot Frano Gjinin të varun në një pemë. Po e torturonin. Erdhi Zoi Themeli dhe Pjerin Kçira. Monsinjori u lypi pak ujë. Pjerini mori një tas dhe ia mbushi me urinën e vet aty mbas një blini që ishte deri vonë në atë oborr, dhe ia dha me pi Monsinjorit, që kishte ma shumë se dy ditë pa pi ujë. I shkreti Monsinjor piu shka i dhanë ata mizorë. E zgjidhën, ai ra për tokë, nuk ecte, e sollën me dy policë në dhomë dhe mbas pak minutash erdhën e na morën të dyve, sa mërrijtëm në krye të shkallës së gurit ndër fretën, Pjerini diçka i tha At Mati Prennushit dhe e hodhi poshtë... mendueme se e mbytën, por, jo, ishte gjallë i gjakosun fëtyrët. - E shihni? -Na pyeti Zoi, - kështu do ta pësoni dhe juve, mos flisni po deshët!..” Tregonte për shumë vuejtje, tortura, morra e pleshta që nuk i lenin një minut të qetë, plagë të qelbzueme dhe masakra që u banin mbi trupat e tyne, por kur donte me veçue gjendjen ekstreme të vuejtjes së njeriut në duert e terroristëve të sigurimit, thonte: “Mos e provoftë kush torturen e etjes, ajo nuk mund të merret me mend pa u provue, ujët e pistë, shurra e llomi i xhirizit të duken si t’ ishe në ndonjë banket ku nuk mungon asgja e shijshme me u pi...!”

Çka asht e vërteta, Populli Shqiptar, tue kenë ma i vuejtuni i të gjitha shteteve që kanë provue diktaturen komuniste, e ndoshta i pakrahasueshem me vendet tjera të këtij sistemi shkatrrues e skllavnues i të gjitha virtuteve njerzore, ashtu si ishte vetë dhuna e terrori i asaj bishe që e masakroi për 46 vjet ketë popull të mjerë tirani Enver Hoxha, bashkë me pasuesin e vet Ramiz Alinë, sot duhet thanë realiteti!

Etja për Liri dhe Demokraci asht e pakrahasueshme me asnjë vend të Europës!

Nëse Shqiptarët për 46 vjet komunizem vuejten urinë, etjen dhe u mësuen mos me fjetë rahat as natën, tue pritë “kur po i troket dera” nga sigurimi i atij rregjimi mizor, ata edhe sot vazhdojnë me kenë të marrakotun para kutijave të votmit, aqsa me vete rrinë e mendojnë: “Kur je i etun për ujë...pin edhe shurrë!”...e kjo, i ban me “votue” ashtu siç na tregonin pleqtë për fshatarin, që kur e mori etja...e filloi me hanger “qerrshijat”, thonte “kjo ma pak...kjo tjetra edhe ma pak...e kjo ndoshta ma shumë, por era nuk po i vjen..!”... Në fund të koshit nuk mbeti gati asnjë kokerr e palame...

Nga etja për Demokraci...as Shqiptarët nuk po i dallojnë ma “qerrshijat” e koshit!

Në një lulishtë në Budapest janë të ruejtuna veprat e artit të epokës komuniste.

Edhe çizmet e Stalinit...janë të ruejtuna aty! (Ato çizme që shihen nalt).

Që me 2 Dhetor 1945, Shqiptarët kanë votue për ato çizme!

Me 8 Maji 2011, tue votue për komunista, socialista, neokomunista kapitalistë me maskë “demokratike”,.. Shqiptarët votojnë prap për ato çizme!

 

Melbourne, 6 Maji 2011.



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora