E shtune, 27.04.2024, 10:31 PM (GMT+1)

Mendime

Agim Hamiti: Letër e Hapur drejtuar: Klasës politike të Tiranës e të Prishtinës dhe Ambasadorit amerikan

E merkure, 04.05.2011, 09:58 PM


Letër e Hapur drejtuar:

 

- Klasës politike të Tiranës e të Prishtinës.

- Ambasadorit amerikan në Tiranë.

- Gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen.

 

Jam azilant politik në Bruksel, për shkak të një libri me personazhe realë e

ngjarje të jetuara: Odiseja e një Detektivi (dy vëllime). Krerët e dy klaneve politike,

blu e rozë, e njohin mirë këtë libër, mbasi policia civile e Tiranës ka paguar 100 $

për çdo kopje që u dorëzohej, kur ai u shpërnda në disa fakultete të UT.

Nga ana tjetër, eksperti belg, që shqyrtoi imtësisht dosjen time për një kohë të

gjatë, ka shkuar dy herë në Tiranë për të verifikuar identitetet e personazheve realë

të librit dhe saktësinë e disa ngjarjeve të veçanta, të jetuara. Meqenëse unë

këmbëngulja gjatë seancave të intervistës, që të egzaminoheshin patjetër skeletet e

dy heronjve që prehen në varrezat e Tiranës – Fatmir Merdari e Afrim Pahia

(personazhe të librit) –, eksperti belg u detyrua të pohonte: «Nuk është nevoja për

asnjë lloj ekspertize. Për vdekjen e atyre të dyve ekzistojnë dosjet përkatëse në

Tiranë, ku unë kam parë edhe fotografitë e tyre kur ishin të plagosur rëndë dhe në

çastin e vdekjes. Gjithashtu kam verifikuar edhe identitetet e protagonistëve të tjerë

të ngjarjeve që trajton libri juaj.»

Natyrisht, pa autorizimin e qeverisë shqiptare nuk kryhen dot veprime të tilla.

Ndërsa në mars të vitit 2009 gazeta SOT botoi në tre pjesë artikullin tim të gjatë

me titull: Një zë nga shkretëtira shqiptare, ku trajtohen peripecitë e mia të azilit, të

cilat përbëjnë një odisé më vete. Artikulli në fjalë gjendet endé në sajtin e gazetës

SOT ; kushdo mund ta lexojë në internet.

Me kërkesën e shumë bashkatdhetarëve, të cilët me kohë kishin rënë në gjurmët

e vëllimit të parë të librit dhe të artikullit në fjalë, prej një muaji kam publikuar

nëpërmjet internetit të dy vëllimet e librit Odiseja e një Detektivi. Vëllimi i dytë i

ka bërë edhe më tepër përshtypje opinionit publik me ngjarjet dhe provat që sjell.

Në mesazhet elektronike që po marr, shumë bashkatdhetarë më bëjnë një vërejtje

që më ka preokupuar:

«Një sekret i rëndësishëm, që lidhet me fatet e kombit e të popullit shqiptar, nuk

duhet lënë që ta mbulojë pluhuri i kohës në asnjë rrethanë e për asnjë arsye.

Përndryshe edhe ju, si autor i librit, bëheni bashkëfajtor me keqbërësit, në një kohë

që edhe Afrika po rilind, ndërsa ne po rrëzohemi gjithmonë e më poshtë.»

Në fakt të gjithë jemi dëshmitarë se Hosni Mubarak, lideri i një populli 80

milionësh në Afrikë, u detyrua të braktiste postin prej qëndrimit unanim kundër tij

të diplomacisë amerikano-evropiane, për shkak të vrasjes së 300 demonstruesve.

Gjithashtu të gjithë e dimë se në një vend të injoruar evropian me emrin Shqipëri,

në vitet 1997-1998 politika vrau mbi 3500 shqiptarë (12-fishin e vrasjeve që kreu

regjimi i Mubarakut në një popullsi njëzet herë më të madhe!), plagosi mbi 11 mijë

të tjerë, shkatërroi institucionet e brishta shtetërore, hapi depot e municionit për të

nxitur tërthorazi një luftë të verbër civile, dogji vendin, dhe po e njëjta diplomaci

amerikano-evropiane i la të njëjtët politikanë ish-komunistë në pushtet. Rastësi?

Politika e të mëdhenjve e përjashton kryekëput rastësinë; madjé, ajo vepron me

plane afatgjata e të kalkuluara mirë.

Politikanët mëkatarë të Tiranës u lanë qëllimisht në pushtet, për tu përdorur prej

diplomacisë amerikano-evropiane për punë të mbrapshta antikombëtare, të cilat po

i jetojmë përditë. Është utopi e naivitet i skajshëm politik t’iu kërkosh autorëve të

tragjedisë së vitit 1997-1998 të gjykojnë me drejtësi dramën e Gërdecit, apo vrasjet

e 21 janarit 2011. Edhe sikur krerët e politikës së sotme shqiptare (pozitë-opozitë)

të tentonin të gjykonin me drejtësi tragjedinë e Gërdecit, ustallarët e prapaskenave

të politikës – ambasadori amerikan në Tiranë dhe të dërguarit e Brukselit atje – do

t’iu thoshnin me buzëqeshje diplomatike:

«Dakord, por më parë duhen gjykuar vrasjet e vitit ’97-’98, mbasi krimet nuk

parashkruhen. Pastaj u vjen radha tragjedisë së Gërdecit dhe vrasjeve të 21 janarit

2011.»

E ç’mund të bëjnë ata atëherë, ndërkohë që dihet mirë se për megakrimin ‘97–

‘98 përgjigjen njësoj të dy klanet blu e rozë?

Mëkati i vërtetë i politikanëve të Tiranës (pozitë-opozitë) është pranimi i misionit

antikombëtar për hir të karrierës së pameritur; më tej krimi automatizohet. Pasojat

merren lehtë me mend dhe janë prezente çdo ditë në faqet e shtypit, i cili gjithashtu

është dyngjyrësh në shërbim të dy klaneve politike.

Në këto kushte unë i bëj thirrje kryeministrit shqiptar, i cili aktualisht nuk është

veçse një skllav rrethanash, të kontribuojë për denoncimin mbi baza dokumentare

të aktit antishqiptar e prodiktatorial të CIAs që sabotoi në maj të vitit 1984

komplotin kundër diktaturës, të organizuar prej 22 trimave shqiptarë të Sigurimit të

Jashtëm të asaj kohe. Nëpërmjet një veprimi të tillë, kryeministri shqiptar do të

shpëtonte në radhë të parë vetveten dhe bashkëfajtorët e tij prej situatës pa

rrugëdalje ku gjenden, pastaj gjithë kombin e popullin shqiptar, që janë në zgrip për

shkak të politikës së tij regresive. E vërteta e kësaj çështjeje është thjeshtësisht e

verifikueshme, mbasi në arkivat e shërbimit sekret gjenden dosjet përkatëse të atyre

22 trimave, disa prej emrave të të cilëve i kam cituar shpesh. Ndërkohë po ju jap

edhe adresën dhe numrin e telefonit të njërit prej tyre në Amerikë:

DARI MELI

3609 BROADWAY, Apt. 4L,

NEW YORK, N.Y. 10031

U. S. A.

Tel. 00 12 12 – 491 – 12 12

Numri i cituar i përket një linje telefonike speciale, e cila i filtron telefonatat.

Mënyrën sesi komunikohet nëpërmjet një linje të tillë ua shpjegon ish-Drejtori i

Drejtorisë së Sigurimit të Jashtëm (DSJ) në atë kohë, Ilir E. Hoxha, të cilin mund ta

gjeni në selinë e Partisë së Punës të Riorganizuar në adresën:

Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar,

Rr. «Hafiz I. Dalliu», Pallati 17/2, kati i parë,

Tiranë.

Mgjithëse kryeministri shqiptar për njëzet vjet me radhë ka harruar t’ia heqë

titujt Hero i Popullit dhe Hero i Punës Socialiste diktatorit Hoxha, besoj se ai nuk

do të ngurrojë t’i kërkojë sqarimet e duhura Ilir Hoxhës lidhur me problemin

madhor në fjalë. Ato ngjarje janë një fragment lavdie i historisë së popullit shqiptar,

realizuar nga 22 burra guximtarë të prejardhur prej 22 familjeve të nderuara

ish-komuniste nga më të afirmuarat e kohës, siç zgjidheshin detektivët prej

diktaturës.

Prejardhja ime është nacionaliste e antikomuniste, por kjo nuk më pengoi të

lidhja miqësi në burg me ish-detektivin më të shquar të DSJsë, Hamit Meli, idetë

dhe vlera njerëzore e të cilit qëndronin ndjeshëm mbi ideologjitë. Asnjë i burgosur

nuk e njihte të kaluarën e tij, mbasi ajo ishte fshehur qëllimisht prej përpiluesve të

dosjes penale të ish-detektivit. Ky u hap në mirëbesim tek unë. Miqësia me Hamit

Melin u bë shkak që unë të lidhesha më vonë tërthorazi me grupin komplotist të

Guri Stretos.

Ilir Hoxha i njeh në detaje këto të vërteta të dokumentuara. Ai duhet të tregojë

sot se ku gjendet ish-zëvendësi i tij në detyrë, Guri Streto, i cili ishte përkohësisht

edhe baxhanak i tij (i martuar ditën e enjte më 26 janar 1984). Ilir Hoxha duhet të

tregojë gjithashtu ku gjenden aktualisht dy vëllezërit Hamit e Dari Meli, si edhe të

pohojë rrethanat e vërteta të vdekjes së dy heronjve të rënë në prill-maj 1984, të

cilët prehen në varrezat e Tiranës. Ata u varrosën me madhështi e të dekoruar si të

rënë në krye të detyrës, por e vërteta është krejt tjetër. Përndryshe unë, i burgosur

politik në vitin 1984 (qysh prej vitit 1978), nuk kisha nga ta dija se Fatmir Merdari

është goditur natën me dy plumba pas shpine prej një distance të afërt, ndërsa

Afrim Pahia ka kryer tentativë vetëvrasjeje, duke përplasur fort kokën pas murit në

çastin e arrestimit me urdhër të Ilir Hoxhës. Ka vdekur në spital. Nëse u bëhet

ekspertiza skeleteve të këtyre dy heronjve (mbasi t’iu jetë bërë më parë analiza e

ADNsë), gjithçka bëhet e qartë edhe për më naivin e shqiptarëve.

Por, normalisht, nuk lind nevoja të ndjekësh gjurmët, kur ujkun e ke përpara

syve. Ilir E. Hoxha di gjithçka dhe e di shumë mirë ku i ka arkivuar dosjet e kësaj

ngjarjeje, një substrakt i së cilës i është treguar edhe ekspertit belg që shqyrtoi

dosjen time. Është në të mirën e krerëve të korruptuar të politikës shqiptare dhe të

vetë Ilir Hoxhës që gjithçka t’i bëhet e ditur sot popullit shqiptar, para se ky t’i

detyrojë ata të shprehen kundër dëshirës së tyre për një gjë të tillë.

Tekefundit shqiptarët në këtë rast nuk do të kërkojnë asgjë më tepër se hapjen e

dosjeve të një ngjarjeje të para 27 vjetësh. Të tjerat vijnë vetë pastaj… Institucionet,

dokumentet, historia janë pronë e popullit shqiptar, jo e qiraxhinjve politikanë.

Ashtu siç janë edhe heronjtë e atyre ngjarjeve bij të popullit e jo të politikanëve.

Ndërkohë normat e demokracisë amerikane, opinioni i shëndetshëm publik

amerikan, media e fuqishme amerikane si një pushtet i katërt real, ia bëjnë të

pamundur diplomacisë amerikane dhe CIAs fshehjen e mëtutjeshme të një skandali

që ndriçohet sadopak.

Populli shqiptar është proamerikan nga natyra dhe ky është një virtyt, ndërkohë

që po jetojmë epokën e qytetërimit amerikan. Por miqësitë në politikë nuk mbahen

symbyllas: ky është një ves fatal, i cili jo vetëm që kushton tepër shtrenjtë, por

bëhet shkak të fitosh edhe përbuzjen e mikut të pasinqertë, duke të quajtur të

padenjë për miqësinë e tij. Një ndër presidentët më të respektuar amerikanë, Ronald

Regan, pas pushtimit të Grenadës së vogël më 1983, deklaroi:

«Nuk mund të jemi të pafajshëm në një botë që nuk është e tillë.»

Ne duhet t’ua bëjmë të qartë sot me argumente miqve tanë amerikanë fajin që ka

bërë CIA dhe dipolmacia e fshehtë amerikane ndaj Shqipërisë në maj 1984, ashtu si

dyzetë vjet para kësaj date. Ne dëshirojmë me gjithë zemër të jemi miq të

amerikanëve, por nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë që trojet tona në jug të

Shqipërisë dhe në veri të Kosovës e ndofta më gjerë, t’iu shërbejnë atyre për ujdi

politike me Rusinë në Afganistan, Iran, apo në hartën e re gjeopolitike të Afrikës.

Ne nuk mund dhe nuk duhet të pranojmë që, për hir të një miqësie fiktive, kombi

ynë, tejet i dobësuar e aktualisht në një proces shpërbërjeje të dukshëm, të tretet me

kalimin e kohës si kripa në ujë në Unionin Ballkanik – ide kjo e hedhur rishtas prej

diplomacisë amerikane në marrëveshje me BE. Të gjitha shenjat janë të qarta se

kush do ta dominojë Unionin Ballkanik, ndërkohë që, siç shprehej dikur patrioti i

shquar Sali Nivica, Serbia është Rusia prapa kodrës dhe Greqia, Rusia prapa

malit. Ende pa u formuar ky Union, Greqia po avancon lirshëm në Shqipërinë e

Jugut dhe Serbia është ulur këmbëkryq në veri të Kosovës dhe në enklavat e saj

brenda territorit të Kosovës. Ndërkohë Serbia, me ndihmën e Ilir Metës e të

kryeministrit, pretendon për minoritet edhe në Shqipëri.

Politikanët e Tiranës, të cilët janë të gjithë me origjinë komuniste, kanë sot një

shanc historik, për të shpëtuar veten e tyre dhe kombin nga baltovina e pështirë ku

po fundosen çdo ditë. Njëzet ish-kudrot e rëndësishëm të DSJsë, për të cilët bëhet

fjalë, rrjedhin nga familje të mirëfillta komuniste; kjo imagjinohet lehtë, gjersa

dihet se biografia politike ishte busulla e diktaturës. Më të moshuarit e atyre

burrave sypatrembur janë sot 62 vjeç dhe gëzojnë shëndet të shkëlqyer. Shumë prej

politikanëve të sotëm të Tiranës ka të ngjarë të kenë miqësi apo njohje të afërta me

ata të njëzetë ose me familjarët e tyre, mbasi të dy palët i përkisnin pjesës më të

privilegjuar të shoqërisë shqiptare nën diktaturë.

Në këto rrethana tejet të favorshme për ta, politikanët e sotëm shqiptarë nuk

duhet të ngurrojnë për t’iu mundësuar atyre trimave rikthimin zyrtarisht në atdhe.

Ata të njëzetë do të shërbenin si një kontigjent i shkëlqyer për zgjidhjen e situatës

kritike shqiptare, mbasi gëzojnë mirëbesimin e plotë të autoriteteve amerikane dhe

janë të mbrujtur tashmë me kulturën politike e qytetare të Amerikës demokratike.

Si rrjedhojë, ata janë shumë të besueshëm prej autoriteteve të SHBA, mbasi kanë

dhënë prova aftësie e guximi në kuota të tilla, ku politikanëve të rëndomtë

shqiptarë nuk u shkon dot as fantazia. Ata trima atdhetarë do të mundësonin një

fazë të re e të shëndetshme të miqësisë shqiptaro-amerikane dhe një klimë të

favorshme mbarëshqiptare për një Lidhje të Tretë.

Në kasafortat e diplomacive të mëdha ekziston gjithmonë edhe një plan B për

çështjet në proces.

Politikanë të Prishtinës,

Gjithë duke e vlerësuar kontributin amerikan për bombardimin e Serbisë nga

NATO, ne nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se politika nuk udhëhiqet kurrë prej

bamirësisë, por nga kalkulimet e interesit perspektiv. Dhe kjo është e natyrshme; e

kundërta do të ishte utopi. Po nuk kuptuam kaq gjë, Ndërkombëtarët kanë të drejtë

të na trajtojnë si një popull naiv, i sapozbritur prej pemëve.

Dymbëdhjetë vjet pas bombardimeve të NATOs, realiteti po tregon se SHBA nuk

e çliruan Kosovën me qëllim që ta bënin një shtet të fortë e të qëndrueshëm (kur u

intereson, ata dinë më mirë se kushdo tjetër në botë ta realizojnë diçka), por për ta

pasur si resto hesapesh politike në sirtarët e diplomacisë së tyre të fshehtë. Ndonëse

Millosheviçi vdiq në burg, Serbia sot jo vetëm nuk trajtohet si shtet agresor, por

dalëngadalë asaj po i krijohen koniuktura të tilla politike që e bëjnë optimiste për

rifitimin gradual të Kosovës. Ndërkohë që Veriu i Kosovës është realisht nën

zotërimin serb dhe enklavat e manastireve shënojnë plasdarmet e ardhshme të

Serbisë ndaj Kosovës së rraskapitur, Greqia po anekson në mes të ditës Jugun e

Shqipërisë. 354,3 km² të detit Jon iu falën Athinës nga kryeministri shqiptar.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e pezulloi atë, por kryeministri filogrek, i cili është

shqiptar vetëm nga pasaporta, ka autorizuar sërish bisedime të kundërligjshme në

heshtje, për ta rivlerësuar paktin antikombëtar të detit. Nuk duhet harruar për asnjë

çast se ai det nuk u përket vetëm shqiptarëve të Shqipërisë, por edhe atyre të

Kosovës e më gjerë. Mirëpo sipas të gjitha gjasave, kryeministri shqiptar ka

ndërmend t’ia bëjë këtë dhuratë Athinës në vjeshtë, me rastin e festës së tyre. Së

bashku me regjistrimin e popullsisë sipas besimit fetar.

Natyrisht, gjersa grekët po u ndërrojnë kombësinë eshtrave të të vdekurve

shqiptarë, për t’i përdorur pastaj si sinorë të Vorioepirit në Korçë e gjetkë, pse të

mos bëjnë të njëjtën gjë edhe me të gjallët e një populli të braktisur prej kreut të tij?

Ndërsa para autoriteteve të Athinës kryeministri ynë qëndron kokulur si ndonjë

vajzë e ndrojtur, qytetarët paqësorë shqiptarë ai i vret pa gjë të keq në mes të

bulevardit, pastaj hedh valle me eunukët e partisë së tij, disa metra matanë pllakave

të përgjakura. Dhe për të gjitha këto akte antishqiptare e antinjerëzore, pa llogaritur

korrupsionin më të madh në Evropë dhe ngujimet e gjakmarrjes mesjetare të mijëra

familjeve, ambasadori amerikan në Tiranë i akordoi titullin burrë shteti. Dihet se

për të kryer punë të pisëta në vendet pa zot, nevojiten instrumente të pisët, me

etiketë të ndryshuar. Ky është një mësim i lashtë i historisë.

Natyrshëm lind pyetja: Nëse SHBA do të ishin miq të sinqertë të shqiptarëve (në

Kosovë e Shqipëri), a do t’i stimulonin vallë këto veprime kaq të dëmshme në

vendet tona respektive? A do të akuzohej aq rëndë kryeministri i Kosovës në prag

të dialogut me Serbinë dhe mandej gojët akuzuese të heshtnin si me magji, mbasi të

merrte rrugë ky dialog me leverdi të njëanshme?

Nuk është e nevojshme të jesh politikan, për të kuptuar se gjashtë milionë

izraelitë bëjnë ligjin në mes të qindra milionë arabëve, duke mos zbatuar as

rezolutat e OKBsë, vetëm pse janë aleatë strategjikë, pra, miq të amerikanëve.

Atëherë, si mund të mendojmë ne se amerikanët na vlerësojnë vërtet si miq,

ndërkohë që kombi ynë po shkon qartazi në shpërbërje graduale, populli shqiptar

në Kosovë e Shqipëri po vuan të zitë e ullirit i nëpërkëmbur prej serbëve e grekëve,

dhe amerikanët u thonë kryeministrave tanë “kështu vazhdoni, se e keni mirë” ?

«Miqësi» të tilla kanë kosto më të lartë se armiqësitë e shpallura.

Jo, angloamerikanët kanë qenë miq të Enver Hoxhës dhe të bëmave të tij

antishqiptare qysh prej Luftës së Dytë Botërore, për hir të objektivave të politikës

së tyre në rajonin e Ballkanit. Këtë mbështetje të hapur ndaj diktaturës së Enver

Hoxhës ata e përsëritën edhe në maj të vitit 1984. CIA vazhdon t’i mbajë edhe sot

në Amerikë njëzet komplotistët që rrezikuan jetën në luftë kundër diktaturës (dy

prej atyre ranë në atë luftë), ndërsa i biri i diktatorit, Ilir Hoxha, është beniamin i

tyre edhe sot. Populli shqiptar duhet ta bëjë të flasë ish-Drejtorin e DSJsë, i cili di

shumë për veprimtarinë agjenturore të babait dhe të tijën.

Dalja në dritë e të vërtetës së ngjarjeve të majit 1984 është domosdoshmëri jetike

për popullin e për kombin shqiptar, nëse duam të kemi vërtet të ardhme të denjë.

Ne duhet të bëjmë çmos që autoritetet amerikane ta njohin zyrtarisht padrejtësinë

që i kanë bërë popullit e kombit tonë, t’i kompensojnë dëmet e shkaktuara konform

ligjeve përkatëse dhe ta korrigjojnë në të ardhmen shënjestrën e diplomacisë së tyre

ndaj kombit shqiptar.

Në arkivin e shërbimit sekret shqiptar ekzistojnë të gjitha dosjet përkatëse, që

mundësojnë zbardhjen e kësaj çështjeje jetike brenda një gjysmë ore. Nuk ka forcë

që ta mposhtë të vërtetën.

Politikanët e opozitës kosovare janë në pozicion të përshtatshëm për të dhënë

një kontribut të çmuar në këtë drejtim, pa u ndikuar as prej pushtetit të Tiranës e as

prej atij të Prishtinës. Popullarizimi i këtij problemi madhor do të vinte në lëvizje

median e fuqishme amerikane, zëri i së cilës dëgjohet me vëmendje prej

institucioneve autoritare të Washingtonit, si Kongresi apo qeveria federale. Është e

sigurtë se zbardhja e kësaj çështjeje jetike do të shënonte një erë të re si në

marrëdhëniet amerikano-shqiptare edhe për të ardhmen e popullit dhe të kombit

shqiptar.

Zoti Ambasador Arvizu,

Dosja ime si azilant politik në Bruksel ka trajtën e një aktakuze ndaj CIAs.

Vetëkuptohet që bëhet fjalë për një aktakuzë të mbështetur në prova të

pakundërshtueshme, përndryshe ajo nuk do të pranohej kurrë prej aleatëve tuaj të

Brukselit. Depozitimi, pas shumë përpjekjesh, i asaj aktakuze më ka kushtuar

shtrenjtë. Jo vetëm që autoritetet belge më lanë shtatë vjet e gjysmë pa dokumentet

përkatëse, por gjatë gjithë kohës, edhe tani, jam i privuar nga e drejta e

komunikimit me median belge, si edhe nga e drejta për të pasur një avokat. Kam

shkuar edhe në Luksemburg, Francë e gjetkë, për të siguruar një avokat. Nuk ka

vonuar shumë dhe ata janë tërhequr, të sinjalizuar prej dikujt.

Kjo këmbëngulje për të fshehur një të vërtetë dramatike, që po çon drejt një

perspektive të zymtë kombin dhe popullin shqiptar, më bënte më të vendosur për të

hedhur me çdo kusht dritë mbi të, megjithëse kisha dy fëmijë të vegjël dhe po

ballafaqohesha me disa vështirësi të paparashikuara, të organizuara prej atyre që

teorikisht i ngrejnë në qiell të drejtat e njeriut. Ju jeni diplomat karriere i një

superfuqie dhe i kuptoni më lehtë se kushdo tjetër edhe ato që unë nuk i them dot

në këtë shkrim.

«Diplomacia është një polici me kostum madhështor», ka thënë Napoleoni. Këto

fjalë të gjeniut korsikan m’u kujtuan atë ditë kur ju i akorduat titullin burrë shteti

vrasësit gjakftohtë të katër bashkatdhetarëve të mi paqësorë. Ju mund të thoni me të

drejtë:

«Para se të vriste ata të katër, ai dhe bashkëfajtorët e tij kanë vrarë disa mijëra

shqiptarë më 1997–’98, vranë fukarenjtë e Gërdecit e po tallen prej vitesh me

dosjen e tyre gjyqësore, po lënë të vriten përditë familjet e ngujuara nga

gjakmarrja, pastaj vranë ata të katër më 21 janar 2011. Natyrisht, ekspertët

amerikanë, pas një sorollatjeje të gjatë, do të shpallin fajtorë dy-tri koka turku. Ra

shi, e piu dheu. Tekefundit gjaku shqiptar dëm ka shkuar përherë.»

Po, kjo nuk do të jetë një risi, z. Ambasador. Kështu veprohet në kolonitë e

pashpallura, ku ambasadorët amerikanë luajnë rolin e diplomatëve–guvernatorë.

Shpresoj se kjo gjendje nuk do të vazhdojë më në trojet shqiptare, mbasi të

ndriçohet e vërteta që po mbahet e kyçur në arkivat e shërbimit sekret shqiptar, si

edhe në Langley. Do të ishte në të mirë të prestigjit të superfuqisë që përfaqësoni

ndërhyrja juaj për ta bindur burrin e shtetit, që të urdhërojë zbardhjen e asaj të

vërtete të madhe me hapjen e dosjeve përkatëse. Gjithashtu ju mund t’i sugjeroni

edhe mikut të preferuar të CIAs, Ilir Hoxhës, të japë kontributin e tij për zgjidhjen e

shpejtë të një çështjeje të qartë si drita e diellit. Ndihmesë mund të japin edhe katër

kriminelët e afirmuar të Sigurimit të Shtetit të diktaturës komuniste, të cilët

punojnë në ambasadën tuaj prej dy dekadash, së bashku me shumë kolegë të tjerë të

sojit të tyre.

Në një libër të botuar para një viti në Tiranë me titull Heronjtë e Kotësisë, unë

kam publikuar një listë me emrat e 26 Sigurimsave shqiptarë të inkriminuar, të cilët

punojnë në ambasadën tuaj kundër rregullave të parashikuara në pikën 35 të

formularit të aplikimit për punësim të miratuar nga DASH, i cili ndalon punësimin

në atë ambasadë të ish-komunistëve, ish-fashistëve dhe ish-dëshmitarëve në hetuesi

ose gjyq të të burgosurve politikë në kohën e diktaturës. Shumica dërrmuese e të

punësuarve shqiptarë në ambasadën tuaj i përkasin pikërisht kategorisë të tre «ishave

» të lartpërmendur, ndërsa ata të 26 kanë të kaluar kriminale.

Për ilustrim po ju citoj vetëm emrin e njërit prej atyre 26 keqbërësve të popullit

shqiptar, që ju vazhdoni t’i strehoni e t’i ushqeni në ambasadë. E quajnë Rrapo

Hazizi, nga Skrapari. Ka qenë shef i kufirit të Jugut në Shqipëri deri më 1991. Prej

datës 3 shkurt 1990 deri në 23 gusht 1990 (pak më shumë se 6 muaj) me urdhër të

mysafirit tuaj të nderuar, Rrapo Hazizi, janë vrarë në pika të ndryshme të kufirit të

Jugut 23 djem shqiptarë me moshën mesatare 27 vjeç, në një kohë që me ligj

arratisja në këtë periudhë nuk cilësohej më “tradhti ndaj atdheut” dhe neni përkatës

i Kodit Penal parashikonte si dënim maksimal pesë vjet burg. Në faqen 269 të librit

“Heronjtë e Kotësisë” është botuar lista e plotë e 23 viktimave të pafajshme të

kryemikut tuaj, Rrapo Hazizi, me emër, mbiemër, rrethi ku ka lindur secili prej

tyre, mosha, posta kufitare ku është vrarë dhe data e saktë e vrasjes.

Biznesmeni i sukseshëm amerikano-shqiptar, Geri Kokalari, i ka shkruar dy herë

DASH-it për 26 kriminelët e Sigurimit të Shtetit diktatorial, që ambasada

amerikane në Tiranë po strehon prej dy dekadash, duke abuzuar me nenin 35 të

formularit të aplikimit për tu punësuar atje. Mirëpo gjithçka bie në vesh të

shurdhër…

I citova këto detaje për të treguar se, kur ua kërkojnë interesat e kamufluara,

amerikanët i shkelin pa teklif rregullat dhe ligjet e tyre. Ashtu siç kanë shkelur edhe

parimet bazë të demokracisë, duke mbështur për gjysmë shekulli një diktator mizor

si Enver Hoxha, për hir të synimeve të fshehta në rajonin problematik të Ballkanit.

Natyrisht, ju zbatoni udhëzimet që ju jepen dhe kjo është normale. Mirëpo do të

jetë diçka krejt anormale, sikur ju të porositni nën zë burrin e shtetit, që të mos

lejojë zbardhjen e çështjes për të cilën po ju shqetësoj, ndërkohë që ajo është e

vetëzbardhur, veçse duhet pranuar zyrtarisht nga Tirana dhe nga Washingtoni.

Motra e Vëllezër shqiptarë, kudo që gjendeni,

Në historinë e dhimbshme të popujve të nëpërkëmbur, por mjaft rezistentë ndaj

së keqes, ka një çast të papërsëritshëm kur Zoti i shpërblen ata, duke u ofruar

mundësinë e shpëtimit të përhershëm me një çmim modest. Ky është sahati i

bekuar i historisë së tyre, që vjen si kompensim i gjakut të derdhur pa hesap, i

djersës së shkuar lumë në dobi të keqbërësve, i vuajtjeve shekullore të një populli

që ka mbijetuar gjithmonë me shpirt ndër dhëmbë, por që nuk ka mundur kurrë të

jetojë në mënyrë të denjë. Ky shanc historik nuk u paraqitet të gjithë popujve të

vuajtur, por vetëm atyre që kanë vuajtur më shumë se të tjerët dhe kanë rezistuar

më shumë se të tjerët. Cili popull i Evropës ka vuajtur më shumë se shqiptarët dhe

cili komb evropian është masakruar sa kombi ynë?

Sot shqiptarët kanë në duart e tyre mundësinë e zgjidhjes rrënjësore të problemit

shoqëror e kombëtar në mënyrë të qytetëruar. Ne jemi në gjendje t’i argumentojmë

në mënyrë bindëse shtetit më të fuqishëm të botës – superfuqisë amerikane – se na

ka borxh lirinë e sabotuar në favor të diktatorit Hoxha dhe, si rrjedhojë e

paevitueshme e këtij veprimi, shkrehjen e kombit, që po shkon gradualisht drejt

shpërbërjes përfundimtare. Provat për këtë janë të shumta e të shumëllojshme.

Të njëzet e dy komplotistët kanë dosjet e tyre në arkivin e shërbimit sekret

shqiptar, si edhe nga një album fotografish, që ilustron misionet e tyre më të

rëndësishme të kryera jashtë atdheut. Dosja ime në Bruksel është një akuzë e

mirëfilltë ndaj CIAs për ngjarjet e atij komploti të sabotuar. Gjithë përmbajtja e

dosjes është verifikuar një për një prej ekspertit belg, që ka shkuar posaçërisht në

Tiranë. Si përfundim, asnjë detaj i saj nuk është hedhur dot poshtë. Ajo është

vulosur e kyçosur në kasafortë.

Përballë provave dokumentare, me protagonistë ngjarjesh të gjallë e të vdekur,

me dosje e me albume në arkivat sekrete të Tiranës e në Langley, ato ngjarje nuk

mund të mohohen dot më prej kurrkujt. Veçse duhen hedhur hapat e nevojshëm që

Tirana vasale dhe Washingtoni padron t’i pranojnë ato zyrtarisht. Nuk është në

stilin qeverisës dhe në natyrën e shtetarëve amerikanë që të heshtin e të fshihen si

struci, kur një popull u kërkon me zë të lartë që të prononcohen rreth një akuze që

bie mbi ta. Veçse vendosmëria në veprim është gjithmonë e domosdoshme për

zgjidhjen e problemeve madhore.

Ne jemi dëshmitarë të luftës heroike që po bëjnë popujt e Afrikës për lirinë e

tyre. Ndërsa shqiptarëve nuk u kërkohet sot një sakrificë e tillë për të fituar lirine

dhe dinjitetin kombëtar të nëpërkëmbur.

Në këto kushte, le të tregohemi të paktën një herë popull i ndërgjegjësuar e jo

turma të çoroditura, të cilave nuk iu bën më përshtypje përçarja e sundimi. Ata të

njëzetë duhet t’i çlirojmë ne prej CIAs, mandej është radha e atyre të na çlirojnë

prej skllavërisë së dyfishtë. Për të arritur këtë objektiv madhor, duhet të luftojmë të

gjithë së bashku, shqiptarë të Kosovës e të Shqipërisë, pa dallim bindjeje politike e

ngjyrash partiake – thjesht si SHQIPTARË. Ne duhet t’i detyrojmë patjetër politikanët

tanë t’i japin rrugë pa vonesë zgjidhjes së kësaj çështjeje vendimtare, për të cilën

disponohet një dokumentacion i pasur, që hedh dritë të plotë mbi të gjitha detajet.

Po hoqëm dorë nga zgjidhja e këtij problemi lehtësisht të zgjidhshëm, ne duhet të

jemi të ndërgjegjshëm se kemi hequr dorë përfundimisht nga liria dhe dinjiteti ynë

si popull e si komb. Në këtë mënyrë ne do t’i nënshtrohemi vullnetarisht një

skllavërie pa fund në shekullin XXI, duke mbajtur përgjegjësi për të ardhmen e

zymtë të fëmijve tanë, të brezave që vijnë, si edhe për kombin e kërcënuar nga

shpërbërja graduale.

AGIM HAMITI

P.-S. Kush është i interesuar për të lexuar dy vëllimet e librit “Odiseja e një

Detektivi”, për të cilin bëhet fjalë në artikullin e mësipërm, mjafton të dërgojë një

kërkesë të thjeshtë në e-mailin tim: hamiti_agim@yahoo.fr dhe unë do t’i a nis atë

falas në pdf.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora