Mendime
Dibran Demaku: Fjala në vesh
E hene, 02.05.2011, 07:59 PM
FJALA NË VESH
Nga Dibran Demaku
Përralla thotë;Pashai i një vilajeti të Perandorisë së madhe kishte vendosur të vizitonte vilajetin e vet Të vizitonte edhe të përulurit e tij dhe të mësonte për së afërmi për hallet dhe dëshirat e tyre.Pak para se të nisej bashkë me suitën e tij,njëri nga sejmenët kishte hyrë në rrezidencën e tij dhe pasi ishte përulur para pashait të ndritur,ia kishte dorëzuar një letër, e cila se nga i vinte.Pashai e kishte marrë letrën nga i përuluri i tij dhe e kishte hapur.Atë letër e kishte shkruar një fshatar i një fshati të të Vilajetit.Pashai as që e dinte se në cilën anë të vilajetit ndodhej ai fshat nga i vinte letra,dhe as që e kishte idenë se cili ishte ai që i kishte dërguar atë letër.Megjithate me një kureshtje të shtuar ai kishte filluar ta lexonte letrën e pazakonshme.Në atë letër i përuluri i tij,pasi i kërkonte të falur për mundin që i shkaktonte pashait të tij të ndritur me atë letër jo të zakonshme,në mes të tjerash i shkruante:-Kam dëgjuar,pashai im i ndritur,se madhëria juaj do të vizitojë tërë Vilajetin dhe me këtë rast edhe fshatin tim.Vizita juaj,lartmadhëri,në fshatin tonë për ne fshatarët është një ngjarje e jashtëzakonshme!Unë,i përuluri yt,që mori giximin të të drejtohet me këtë letër e kam vetëm një dëshirë:Kur të kaloni nëpër fshatin tim,pashai im i ndritur,nëse nuk e keni bezdi të m`i thoni ca fjalë në vesh!Nuk ka rëndësi se çfarë do të më thoni!E rëndësishme për mua është që bashkëfshatarët e mij të shohin se ju më keni thënë diçka në vesh!Kur të kaloni nëpër fshatin tim, unë do të jem i ulur në një cep të urës së fshatit!Nëse ma bëni këtë nderë,pashai im i ndritur,unë i përuluri juaj,do t`u jem mirënjohës për tërë jetën!Dhe letra përfundonte me një kërkim faljeje nga ana e fshatarit,nëse sado pak ata rreshta do ta bezdisnin qoftë edhe një grimë pashain e ndritur!
Pas përfundimit të leximit të letrës,pashait të ndritur i kishte shkuar buza në gaz.Kishte thirrur njërin nga sejmenët e tij dhe i kishte dorëzuar atë letër me porosinë që kur të kalonin nëpër vilajet t`i tregonin për fshatin e letërshkruesit.
Dhe pashai i ndritur së bashku me suitën e tij ishte nisur nëpër vilajet.Pasi kishin vizituar gati çdo pëllëmbë të vilajetit,një pasdite kishin arritur edhe në fshatin e letërshkruesit.Mileti i vilajetit të tij e kshte pritur kudi pashain e ndritur me gëzim dhe duartrokitje!Një pritje të tillë i kishte bërë edhe fshati i letërshkruesit.Se po kalonin nëpër fshatin e letërshkruesit,pashait të ndritur i kishte treguar njëri nga sejmenët.Në atë moment pashait të ndrirur i ishin kujtuar fjalët e letërshkruesit dhe i ishte drejtuar urës së fshatit.Përrreth urës dhe mbi urë ishin tubuar të gjithë banorët e fshatit.Në një cep të urës po rrinte ulur një fshatar i rreckosur.-„Ai duhet të jetë letërshkruesi!“-kishte murmuritur në vetën e tij,pashai.Kur ishte afruar pranë fshatarit të reckosur,pashai i ndritur ishte përkulur dhe i kiishte pëshpëritur diçka në vesh! Se çfarë i kishte thënë fshatarit në vesh nuk kishte dëgjuar askush!Vetëm nga të pranishmit kishin pëlcitur duartrokitje dhe ovacione që kishin dridhur edhe urën e fshatit!Pastaj pashai i ndritur bashkë me suitën e tij kishin vazhduar në rrugën e tyre!
Fjala e pashait të ndritur në vesh të fshatarit të reckosur,atij i kishte sjellur shumë fat.Që nga ai moment për fshatarët e tij ai ishte shndërruar në hero!Për te kishte filluar të flitej me nderim dhe respekt të madh në çdo skutë të fshatit!-„Kur pashai i ndritur denjoi të fliste me të do të thotë se ai është edhe i adhuruari i vet zotit të madhërishëm!“-do të shpreheshin me entuziazëm bashkëfshatarët e tij.-„Dhe kur pashai ynë i ndritur,siç është pashai i vilajetit tonë,e zgjodhi atë për të parin e fshati,atëherë as ne të përulurit e tij,nuk kemi arsye të mos e nderojmë dhe respektojmë atë deri në adhurim!“-do të shpreheshin ata.Dhe siç thotë përralla që nga ai moment,që nga momenti i fjalës së thënë në vesh,nga ana e pashait të ndritur,fshatarit të leckosur dhe deri atëherë të panjohur,i kishte shndëritur ylli i jetës!...
Siç duket fjala e thënë në vesh,jo vetëm në përrallë,por edhe në realitet në çdo kohë sikur është e mbështjellur me nuanca magjike!Ajo përveq që është sekrete dhe e pazbuluar nga të tjerët,atij që i thuhet në vesh i sjell shumë fat në jetë!Sepse ai që e ka dëgjuar atë fjalë të thënë në veshin e tij mund ta interpretojë si të dojë dhe për interesa të tij.
Edhe politikanë të ndryshëm shqiptar,qofshin të Shqipërisë apo të Kosovës,kur për arsye nga më të ndryshmet,fillon t`u bie rejtingu politik,bëjnë ndonjë vizitë të shkurtër(mbase edhe private)në qendra të ndryshme të vendosjes politike( në Vashington apo në Bruksel) në mënyrë që atje të ju thuhet ndonjë „Fjalë në vesh!“ Pastaj ajo fjalë e thënë në vesh( që nuk dihet në u është thënë vërtet,apo e kanë sajuar vet)fillon të komentohet në mënyra e forma të ndryshme.Pas „fjalës së thënë „në veshin politikanit shqiptar,nga ndonjë zyrtar i lartë i politikbërjes në Vashington apo Bruksel,mobilizohet makineria e propagandës së mediave vizive apo të atyre të shkruara.Pastaj ditë e javë( e ndonjëherë edhe muaj të tërë) i mëshohet vetëm një teli,në mënyrë që mileti të bindet se filan politikani shqiptar është i vetmi dhe më i madhi në politikë bërje?!.Sepse atij gjatë vizitës në Vashington ap Bruksel i është thënë në vesh kështu e ashtu?!Komentimet e mediave të ndryshme do të jenë aq të shpeshta dhe bombastike saqë opinioni i gjërë do t`i kapërdijë si të vërteta opinionet e mediave.
Dhe jo vetëm kaq.Kur politikanët shqiptar,qofshin ata të Shqipërisë apo të Kosovës, nuk mund të udhëtojnë jasht,për arsye nga më të ndryshmet,sepse rrallë shumë rrallë i fton ndonjë shtet për vizita zyrtare,atëherë po ata politikanë gjejnë forma dhe mënyra të ndryshme që t`i rrëfehen opinionit vendas për politikën e tyre të suksesshme.E ftojnë në selitë e tyre ndonjë ambasador të ndonjë shteti të rëndësishëm ndërkombëtar,të akredituar në Tiranë apo në Prishtinë,dhe bisedojnë pa praninë e mediave.Pastaj nëpërmes të zëdhënësve të tyre,e iformojnë opinionin e gjërë se filan ambasadori në takim me politikanin e shquar( që mund të jetë president,kryeministër apo kryeparlamentar,zëvendës ministër,ministër etj) i tha atij në vesh kështu e ashtu!Dhe opinioni i gjërë pastaj me ditë e javë të tëra( e ndonjëherë edhe me muaj) do të flasë me admirim për politikanin e shquar! Edhe këtu pa e ditur fare se çfarë i është thënë në vesh politikanit në fjalë nga ambasadori i huaj?!-„E ç`na duhet ne se çfarë i ka thënë ai në vesh,politikanit tonë?!“-thonë ata.-„Me rëndësi është ajo se ai i ka thënë atij diçka në vesh!“… „Dhe derisa ai i huaji i ka thënë këtij tonit diçka në vesh,ne nuk kemi arsye që këtë tonin mos ta nderojmë dhe respektojmë deri në adhurim!“…Dhe e tëra kjo ngjanë si në përrallë…Sepse fjala e thënë në vesh në të gjitha kohët sikur qenka e veshur me nuanca magjike!..