E enjte, 01.05.2025, 03:30 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ramadani: UEJL- Projekti i madh kombëtar i shqiptarëve në Maqedoni, rezultat i politikës së mençur të Arbër Xhaferit dhe të ndjerit Max van der Stoel

E marte, 03.05.2011, 07:59 PM


UEJL- Projekti i madh kombëtar i shqiptarëve në Maqedoni, rezultat i politikës së mençur të Arbër Xhaferit dhe të ndjerit Max van der Stoel

 

Nga Mr. ARDIAN RAMADANI

 

I nderuar auditor. Përderisa po i shkruaj këto rreshta, më sillen nëpër mend sfidat me të cilat u ballafaquan shqiptarët e këtij vendi të quajtur Maqedoni, për të finalizuar një projekt të tyrin mbarëkombëtar, që do të përfshinte aspektin e arsimit sipëror, projekt ky i cili falë kokave të mençura të asaj kohe me në krye z. Arbër Xhaferin dhe tanimë të ndjerin Max van der Stoel, do të bëhej realitet dhe do të rritej dalëngadalë sikur foshnja e bukur e porsalindur, e do të arrinte deri në ditët e sotshme, që të bëhej shëmbëlltyrë e arsimit të lartë shqip në Maqedoni. Ky projekt që në dukje dukej ndërkombëtar, ishte kryekëput kombëtar ngase u hap si një rreze shprese për shqiptarët e Maqedonisë, për të ndjekur dhe vijuar mësimet nëpër fakultetet e tyre përkatëse, për të dëshmuar para botës se jemi popull perëndimor me vlera ta mëdha që dimë të veprojmë si duhet nëse na jepet mundësia. Në fillim të realizimit të këtij projekti gjigant, nuk pushuan gojët e liga me përpjekjet e tyre për t`a përbaltur dhe njollosur këtë Universitet- tempull të diturisë, për të çapitur më pas të njëjtit, të marrin orë dhe të bëhen pjesë e stafit akademik apo administrativ të këtij Universiteti. Kishte edhe akuza e shpifje të pakripura, që gjoja ky Universitet na qenka i kësaj apo i asaj partie (mëtohej në PDSH-në e A. Xhaferit) e në fakt nuk ishte aspak ashtu, ngase shumica e profesorëve universitarë që punonin dhe punojnë aty, i takojnë proveniencave të ndryshme politike, e nuk kishin të bënin asgjë me partinë e A. Xhaferit. Ata ishin punësuar aty duke u bazuar vetëm në vlerat e tyre intelektuale që i posedonin, e jo në përkatësinë politike apo partiake. Këtë që e them nuk mund të e demantoj askush, ngase faktet flasin dhe konfirmojnë këtë që e them. Pa mos dashur të futem në kurthet e përmendjes së emrave, do të kursehem për shkak të etikës, UEJL hapi dyert për të gjithë studentët shqiptarë anembanë trojeve shqiptare, si një institucion shëmbëlltyrë, si një institucion me një performancë të shkëlqyer evropiane dhe amerikane, si një institucion me nam e nishan që do të fuste studentin dhe mësimdhënësin shqiptar në shoqërinë e dijes (knowledge society), si një institucion ku do të respektohej mendimi ndryshe, ku do të mundeshin të studionin edhe studentë të komuniteteve tjera, si një institucion ku shqiptari i ditur do të bëhej udhëheqës, si një institucion ku vlerat janë në konkurrencë permanente dhe ku fiton si çdoherë më i miri....

            Gojëligët që po paraqiten kohën e fundit, në vazhdën e gojëligëve që shpifnin dhe etiketonin pa nevojë dhe pa fije turpi edhe atëherë kur edhe u hap ky tempull i diturisë, nuk mëtojnë asgjë tjetër përpos që të shprehin mllefin e tyre provincial dhe mendësinë bizantine ndaj kësaj sajese evropiane dhe amerikane (lexo: UEJL-së). Tentativat për të etiketuar këtë Universitet si institucion që gjoja po na promovojka projekte antishqiptare, e proserbe, i takojnë së kaluarës së “I po Tito, Tito”, kohë kur hafijet merreshin me kësi lloj patriotizmi folklorik të dhomave, për të zbuluar atdhetarët e devotshëm dhe të vërtetë dhe për t`i lajmëruar në UDB. Tani na paraqitet një njeri që për shkaqe të mia etike dhe morale, nuk i përmend as emrin, e del dhe thotë që ky institucion qenka proserb. Turp i paparë. Edhe del dhe e thotë këtë, mu para afatit të regjistrimit të studentëve të rinj brucoshë, sepse ashtu i është ngarkuar misioni, nga kush e di se cila qendër e vendosjes antishqiptare dhe antiperëndimore. Të etiketosh UEJL, sot si proserb, donë të thotë të ofendosh edhe miqtë tanë amerikanë dhe evropianë, të cilët na ndihmuan dhe po na ndihmojnë pa reshtur për të konsoliduar vetveten dhe këtë institucion. Pranoj, se gjithçka nuk është perfekt, e kësisoj mund të ketë edhe mangësi, po këto janë sfida që duhet tejkaluar së bashku, e jo duke etiketuar dhe duke u shpalosur si bajraktarë të nacionalizmit shqiptarë dhe si shpëtimtarë të shqiptarizmës. Shqiptarizma nuk mbrohet me etiketime e shpifje, po me punë e me veprime të matura, ajo nuk mbrohet me libra fallco, po me libra që dëshmojnë autenticitet dhe origjinalitet vlerash.

Pa mos dashur të shpallem avokat i Universitetit të Evropës Juglindore, e ndiej obligim dhe krenari, të shkruaj pa dyshim, për këtë Universitet duke tentuar t`a mbroj nga akuzat dashakeqe dhe gojëliga të disa individëve, që gjersa ishin të punësuar në këtë Universitet, për ta ky institucion ishte vend ku rridhte mjaltë, e tani pasise nuk e merituan të jenë edhe më tutje mësimdhënës në këtë Universitet (ngase rikujtojmë konkurrencën e vlerave ku mbijeton ai që është më i miri, e që është karakteristike për këtë Universitet) shajnë dhe shpifin këtë institucion duke e shpallur si zymti.

Andaj i nderuar lexues, ti që ke qenë pjesë e këtij tempulli, e din se çfarë Universiteti kanë fatin të kenë shqiptarët në mes të Tetovës së bukur që ndërtohet çdo ditë, e din se është privilegj, kënaqësi dhe nder të jesh pjesë e këtij Universiteti, i cili në shikim të parë të bën për vete dhe të bën të dashurohesh në të në shikim të parë, po që dashuria të shtohet edhe më tutje kur të vish e të fillosh studimet në këtë kampus, që fati e deshi që ta kemi në Tetovën tonë shqiptare, ngase sikur mos t`i kishim kokat e mençura të A. Xhaferit, Max van der Stoel-it, dhe të tjerëve, duke e përfshirë Rektorin e deritanishëm, akademikun e shkëlqyer z. Alajdin Abazin, Rektorin e ri z. Zamir Dika, si dhe shumë e shumë njerëz dhe fytyra eminente që punojnë në këtë tempull të diturisë (lexo: ka edhe të tillë që nuk punojnë në këtë Universitet, po megjithatë kane kontribut të çmuar), ky Institucion me siguri do të ndodhej ndokund kah Rumania, ose ndonjë vend tjetër, po ja që edhe ne nuk u ndiem të braktisur nga fati, e na ra hise ta kemi këtë Universitet pjesë e jona e të kënaqemi duke e soditur, qëndruar, studiuar dhe punuar aty.

Prandaj, ju që tentoni të “jepni fakte” që gjoja ky Universitet promovon projekte antishqiptare, mos harroni se - disa fakte “... janë përherë lakuriqe, madje edhe atëherë “kur vishen sipas modës së fundit...”, andaj besoj se me këtë do të vetëdijesoheni para se të merrni guximin të (keq)shkruani apo të shkarravitni, si dhe të jepni deklarata të tilla.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx