Mendime
Pirro Prifti: Kush fiton Tiranën kërkon zgjedhje të parakohshme ose largon nga drejtimi politik kundërshtarin
E diele, 01.05.2011, 06:44 PM
Kush fiton Tiranën kërkon zgjedhje të parakohshme ose largon nga drejtimi politik kundërshtarin
Nga Pirro Prifti
priftipirro@hotmail.com
Tensioni i zgjedhjeve lokale të 8 majit i fshehur ose i hapur ka filluar të ndikojë jo vetëm tek shtabet politike të dy partive të mëdha por edhe në elektoratet përkatëse duke krijuar një farë ngarkese të ngjashme me elektricitetin statik në shoqërinë shqiptare.
U bënë 20 vjet që ngarkesat emocionale fillojnë e ngrihen me afrimin e datës së zgjedhjeve këtu në Shqipëri të cilat nëse tek elektorati reflektohen me shenja nevrikllëku, zënkash, sharjesh, të cilat nxiten sigurisht indirekt nga shtabet politike elektorale të cilat punojnë gjithmonë dy planësh: njëra zyrtare për të respektuar ligjin dhe tjetra jo zyrtare për të dominuar frontin e zgjedhjeve poshtë në bazë për të treguar se ‘sa të fortë’ janë njëra apo tjetra palë.
Dihet se problemet e shumta që bart 4 vjeçari i dytë i mandatit të maxhorancës qeverisëse janë rënduar nga akuzat e opozitës së majtë e cila vazhdon të ndjekë një linjë politike të rritjes së agresivitetit duke mos pyetur më as për problemet kombëtare që kërkojnë zgjidhje, e as për programet dinjitoze që duhet të ishin të projektuara përsa i përket qeverisjes lokale, dhe aq më pak për të zbutur klimën e ashpër politike në vend, klimë e cila është denoncuar dhe kritikuar sigurisht edhe nga BE dhe SHBA.
Kam shpjeguar edhe në shkrimet e mëparshme se përse ky tension vazhdon të qëndrojë i rritur i cili duket njëlloj si një temperaturë e lartë tek një fëmijë i pa mjekuar mirë , për të cilin janë të shqetësuar prindërit si dhe fqinjët të cilët si zakonisht japin opinionet për diagnozën, por dhe për mjekimin e mirë të tij.
Në asnjë rast nuk po dilet nga kriza apo i ashtu quajturi ‘ngërç politik’, i cili për nga opozita u realizua artificialisht dhe u ashpërsua duke përdorur ‘revolucionarin’ Ngjela për ta shpërthyer e në mos për ta shpërthyer- për ta shkaktuar sa më shumë zhurmë.
Ky skenar politik opozitar ndodhi dhe po ndodh në një kohë kur një pjesë e mirë e shteteve të BE janë në krizë ekonomiko-financiare përfshi dhe SHBA, gjë që ka ndikuar negativisht dhe në ekonominë e financat shqiptare.
Nga ana tjetër maxhoranca qeverisëse me gjithë përpjekjet pozitive brenda vendit (duke zbatuar projektet për ndërtimin dhe rregullimin e rrugëve, rregullimin e dritave dhe të ujit, rritjen e pagave) dhe jashtë vendit (futjen në NATO, heqjen e vizave, ndihmën ndaj njohjes së Kosovës, etj), gjithashtu ka gabuar në disa raste duke i dhënë mundësi korit të koalicionit të majtë të ashpërsojnë akuzat ndaj kësaj maxhorance, akuza që të përmbledhura janë: korrupsion, varfëri, papunësi.
Gabimet e maxorancës në dukje të vogla, mund të rëndohen në rast se maxhoranca humb në Tiranë dhe në Durrës në dy qytetet e një metropoli shqiptar në të cilin jeton 1/3 e popullatës së Shqipërisë.
Kandidatët më të përshtatshëm të maxhorancës Basha dhe Xhaferri kanë përballë Kryetarin e PS dhe të Bashkisë së Tiranës Rama, dhe Kryetarin e Bashkisë së Durrësit Dako.
Përballjet pavarësisht se bëhet fjalë për zgjedhje lokale jaë tërësisht politike sepse në një farë mënyre rezultati i këtyre zgjedhjev do të ndikojë direkt në ardhmërinë e qeverisjes së maxhorancës apo dhe ën të kundërt në ardhmërinë e Kryetarit aktual të Opozitës.
Nëse opozita ka një faktor negativ të madh në Tiranë- qëndrimin mëse 10 vjeçar të Kryetarit të bashkisë në këtë post, maxhoranca qeverisëse ka faktorin negativ se i ka dalë jashtë loje LSI-praktikisht partia e majtë që është në koalicion me PD.
Arësyet e daljes jashtë loje të kësaj force politike dikur shpresëdhënëse porsa i përket reformimit të së majtës nëpërmjet kundërshtimit të disa veprimeve jo normale të PS, janë të njohura- korrupsioni.
Nga ana tjetër, të dy personat e zgjedhur nga maxhoranca qeverisëse nuk janë profesionistë në qeverisjen lokale por janë vetëm politikanë, kurse të dy kandidatët e opozitës aktualisht Kryetarë bashkie janë bërë profesionistë në qeverisjen lokale , kanë disa arritje (sidomos Rama në dy tre-vjeçarët e parë), por që janë dhe politikanë për shkak të detyrës së tyre.
Problemi qëndron së qeverisja lokale ka dhe një aspekt tjetër që ndikon dukshëm në ecurinë e një qeverisjeje lokale: fondet e marra nga buxheti i shtetit. Në këtë rast ndikon shumë prania e një drejtimi qeverisjeje qendrore e të njëjtit krah politik me qeverisjen lokale.
Në rastin tonë i kemi të dy bashkitë kryesore të kundërta përsa i përket krahut politik, gjë që do të ndikojë në ashpërsimin e ecurisë së zgjedhjeve lokale.
Aspekti i fundit që ngjyros përfundimisht me ngjyrë ‘gri’ këto zgjedhje, janë ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët europianë pa dashur janë marginalizuar në përpjekjet e tyre për të qetësuar ‘gjakrat’ e për të zgjidhur ngërçin politik. Këtu mund të përmëndim përkrahjen totale të eurodeputetëve të majtë për Opozitën, përkrahjen totale të eurodeputetëve të djathtë për maxhorancën qeverisëse.
Interesant është qëndrimi i SHBA, qëndrim i cili nuk është i lidhur direkt me zgjedhjet sesa me stabilitetin në Ballkan. SHBA nuk do një vatër të nxehtë siç është praktikisht Shqipëria që prej 20 vitesh (e qënuk shuhet dot), sepse gjeopolitika e saj kërkon të jetë e pranishmen Afganistan, dhe në vendet arabe.
Shqipëria, për SHBA duhet të jetë një shtet i stabilizuar sipas pikëpamjes amerikane pavarësisht problemeve të mprehta të brëndëshme-dhe ky opinion i qeverisë së SHBA nuk i ka shkuar për shtat opozitës. Për SHBA, Shqipëria (por edhe Kosova) më mirë të jetë e qetë, qoftë dhe me shkelje ligji në këtë periudhë, sesa të përpiqet të vejë pikat mbi porsa i përket pushtetit të tretë –ligjit.
E them ‘në këtë periudhë’ sepse periudha 2009-deri më 2013, kur trupat amerikane mund të tërhiqen nga Afganistani dhe Iraku, dhe kur vendet arabe mund të stabilizohen, është një periudhë kur prioriteti i SHBA është jashtë Ballkanit.
Këtu është dhe kontradikta me BE përsa i përket Ballkanit dhe problemeve të pazgjidhura politike dhe gjeo-politike në Ballkan.
BE në dukje kërkon zgjedhje të rregullta sipas standardeve, por në asnjë rast në Shqipëri nuk mund të bëhen dot zgjedhje të rregullta, kur për disa faktorë kardinalë ajo nuk mund të plotësoje standardet dhe kriteret e BE ashtu si është jashtë saj dhe e pa –integruar në BE.
Zgjedhje të rregullta në Shqipëri do të bëhen vetëm kur Shqipëria të integrohet në BE, dhe BE e di fare mirë këtë aspekt.
Nëse BE e do Shqipërinë ajo duhet ta integrojë në BE Shqipërinë dhe pastaj ti kërkojë standarde, sepse jashtë BE, Shqipëria nuk mund ti plotësojë ato. A mund t’i plotësojë një kalë azat jashtë stallës standardet? Sigurisht që jo. Kali duhet të futet në stallë, t’i vihen frerët të ushtrohet e pastaj do ti plotësojë ato. Kështu dhe Shqipëria.
Atëhere, përse Shqipëria nuk integrohet edhe pa i plotësuar standardet ashtu si BE integroi edhe Bullgarinë dhe Rumaninë, ashtu dhe Greqinë vite më parë?
Arësyet janë të vjetra dhe të reja.
Arësyet e vjetra janë: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina dhe Turqia, janë me popullatë të madhe myslimane e si të tilla nuk kanë patur asnjëherë përkrahjen e fqinjëve të krishterë dhe të Europës plakë së bashku me Rusinë.
Arësyet e reja në kuadrin e Shteteve të Bashkuara të Europës ( një ide e vjetër e socialistëve të atëhershëm si Marksi), apo siç quhet sot BE- janë: një model i ri kostumi anti-shqiptar sidomos i të majtëve europianë, kostum të cilin bëjnë sikur nuk e shohin politikanët e sotëm shqiptarë, dhe dëshira për ta patur Shqipërinë një vënd që të vazhdojë të japë koncesione dhe të bëhet vatër përfitimi i individëve që vijnë nga BE me ‘tufa propozimesh’ të parealizueshme për politikën aktuale shqiptare, propozime që edhe vetë BE nëpërmjet këtyre individëve e di fare mirë se propozimet janë të parealizueshme në Shqipëri për shkak të mungesës së pavarësisë së pushtetit të tretë- Ligjit.
Në arsyet e brëndëshme , po ta fillojmë nga pushteti i tretë mund të vërejmë me keqardhje se individët që përfaqësojnë drejtimin e ligjit në Shqipëri (Gjykata e Lartë, Gjykata kushtetuese), janë me dosja nga e kaluara, janë të përzgjedhur në drejtim të drejtimit të ligjit pikërisht për shkak të këtij ’ceni’ e jo se janë më të mirët. Në këtë mënyrë këta individë drejtohen nga politikanët të cilët i kanë përzgjedhur vetë këta njerëz.
Së dyti si e kam thënë dhe më parë, klasa drejtuese politike shqiptare (ish nomenklatura e kuqe dhe servilët e tyre) është e emëruar nga ish drejtuesit e PPSH dhe vazhdon duke patur sigurisht të njëjtin mentalitet dhe mënyrë vendim-marrjeje (pa stafe të kualifikuara e profesioniste) si dhe drejtuesit e atëhershëm të PPSH.
Pra Shqipëria është për nga drejtimi politik dhe vendor, njëlloj sikur të jetë nën drejtimin e PPSH. E vetëdijshme për këtë të metë të dy krahët politikë nuk e kanë seriozisht hyrjen në BE (BE e di fare mirë këtë), sepse po të hyjë Shqipëria në BE-pra të integrohet, gjëja e parë që do të ndodhë do të jetë humbja e fitimeve që kjo klasë politike ka aktualisht, së bashku me humbjen e kontrollit të të tre pushteteve.
E parë në këtë aspekt unë vetë jam i jo-optimist që zgjedhjet do të jenë ‘ të rregullta dhe të ndershme’. Këto zgjedhje , ashtu si dhe të tjerat do të jenë gjithashtu të kontestueshme. Asnjëri nuk do të hapë rrugë dhe ashtu si dy cjepër-it e fabulës, përballë njëri tjetrit në urën e ngushtë; të dy palët do të bien në ujrat e rrëmbyeshëm të lumit të së ardhmes.
Shpresojmë që të mos bjerë dhe populli apo si quhet sot elektorati së bashku me stafet drejtuese elektorale.
Ka vetëm një zgjidhje: do Zoti që BE të na integrojë , dhe do Zoti që SHBA ta shtyje BE të na fusë në stanin ku janë futur dhe vendet e tjera të Europës, sepse Shqipëria jonë e bukur do të shitet copa copa nga këta politikanë deri më sot të respektuar.