E enjte, 01.05.2025, 10:47 PM (GMT+1)

Mendime

Avni Halimi: Vijat e kuqe të testit

E merkure, 27.04.2011, 07:58 PM


Vijat e kuqe të testit

 

Sa herë që gazetarët e pyesin z. Ali Ahmetin të tregojë se cilat janë sukseset dhe të arriturat për këto tre vite në pushtet, ai nis e numëron me gishta të një dore. I bie që dorën tjetër ta mbajë në xhep të pantallonave

 

Nga Avni Halimi

 

Një nga një, bashkëpunëtorët e ngushtë të konstruktivit (oponenti i tij politik është “destruktivi”!), kanë filluar të rrëfehen para opinionit si mëkatarja para priftit. Po thonë: “si BDI nuk arritëm të bëjmë asgjë sepse u morëm me zgjidhjen e problemeve të trashëguara nga PDSH-ja”! Në fakt, çdo gjë që trashëgoi BDI-ja nga PDSH-ja ishin probleme të cilat si hijerëndë pezullonin mbi nacionalizmin e VMRO-DPMNE-së! Gjatë viteve 2006-2008, derisa PDSH-ja ishte në pushtet, për herë të parë në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë, u vunë bazat e shëndosha të arsimit sipëror, për herë të parë u themeluan dhe nisën me punë institucione nacionale kulturore, arsimore, shkencore, ekonomike, sociale, u themeluan festivale shqiptare, nisi punësimi masovik i shqiptarëve në administratën shtetërore dhe në atë publike...

 

Problemet e trashëguara

 

Të gjitha këto suksese kombëtare të PDSH-së do ta tmerrojnë konstruktivin i cili, me Gruevskin do ta lidhë një kontratë: degradimin dhe shkatërrimin e çdo suksesi shqiptar për rikthim në pushtet! Meqë asnjë nga ato institucione nacionale shqiptare, asnjë nga ato të arritura kombëtare nuk ishin të paraparë në projektin e përvetësuar paturpësisht, në Marrëveshjen e Ohrit, konstruktivi e pati fare të lehtë t’ua kthejë shpinën dhe të merret me realizimin e fjalës që ia kishte dhënë Nikolla Gruevskit. Ai e mban fjalën! Madje aq mirë ia mbajti sa prej një konstruktivi të denjë kaloi në superluajal me të gjitha karakteristikat e një vasali të lumtur. Dhe, problemet e trashëguara prej PDSH-së, të cilat realisht ishin probleme të Gruevskit, ai “i zgjidhi” një nga një. Brenda dy-tre muajve selinë e Institutit shqiptar për trashëgimi kulturore ia fali Qendrës kulturore turke. E degradoi këtë institut deri në atë masë sa, drejtori i tij, i emëruar prej vetë BDI-së, dha dorëheqje duke nënvizuar sërë akuzash kundër kësaj partie që e synon shkatërrimin total të institutit në fjalë i cili i kishte të gjitha nishanet e një Akademie të ardhshme shqiptare. Universitetit të Tetovës iu lëshua si një kaçubet dhe prej një vatre të fuqishme arsimore, me një fizionomi të qartë profesionale, arsimore e shkencore, krijoi një gropë gjigante kolektive të cilin gjithnjë e më shumë po e thellojnë të ndëshkuarit partiakë apo edhe teprica teknologjike partiake që po përfundojnë te ky Universitet i shenjtë, pavarësisht kualifikimeve dhe përgatitjeve përkatëse arsimore. Teatrin e Tetovës BDI-ja e trashëgoi si vlerë kombëtare të krijuar nga PDSH-ja, ndërsa brenda më pak se dy vite, ky Teatër u degradua aq keq sa drejtori i tij, kuadër i emëruar nga vetë BDI-ja, po ashtu dha dorëheqje me arsyetimin se nuk mund ta përballojë këtë degradim fatal që i bëhet teatrit shqiptar në Maqedoni. Jeta kulturore shqiptare për këto tri vite vasaliteti është futur në shabllonet maqedonase për akulturim të shqiptarëve. Mbi të gjitha, krenarinë kombëtare që e riktheu PDSH-ja, jetën e dinjitetshme shqiptare, terrenin që po e krijonte për shqiptarët që të pranohen si shtetformues, BDI-ja brenda një muaji këtë të arritur e shtriu përdhe. Nëpunësit shqiptarë të sistemuar nëpër vende të mira, i degradoi deri në përfshirjen e tyre në Drejtorinë për avansimin kulturor të pakicave kombëtare, drejtori kjo e themeluar vetëm për pakicat: rome, serbe, boshnjake, turke, vllehe, egjiptase etj.

 

Problemet e shkaktuara

 

Janë edhe një sërë problemesh të cilat BDI-ja thotë se i trashëgoi prej dy vjet qeverisje të PDSH-së e që në fakt ishin probleme ekskluzivisht për Nikolla Gruevskin. Në kohën e PDSH-së Gruevski nuk arriti që ta përjetojë kënaqësinë e miratimit të qindra ligjeve për tri-katër ditë në Parlamentin e Maqedonisë, prej të cilave në shumicë ishin antishqiptare! Në kohën e PDSH-së Gruevski nuk arriti ta përjetojë kënaqësinë e degradimit të gjuhës shqipe; nuk arriti botimin e Enciklopedisë raciste antishqiptare, nuk arriti të favorizojë natalitetin vetëm te maqedonasit; nuk arriti që maqedonishten t’ua imponojë me ligj nxënësve shqiptarë të klasës së parë; nuk arriti që të ngulë asnjë shtyllë gjigante për flamujt gjigant maqedonas, të cilat sot i ke në çdo hap; në kohën e PDSH-së Gruevski nuk arriti të ngulë qoftë edhe një gozhdë në “Shkupin 2014”, as që guxonte të ëndërrojë për projektin tjetër po kaq të shtrenjtë “Ohri 2014” në Plaoshnik; në kohën e PDSH-së Gruevski as që guxonte të burgosë e të vrasë komandantë nga konflikti i 2001-shit, as që guxonte të shantazhojë dikë me “Dosjet e Hagës”; Gruevski as që guxonte të mendojë të investojë në ndryshim të përbërjes entike të Kërçovës me qëllim që të mbetet komunë maqedonase!

Pa dyshim, me një besnikëri të plotë BDI-ja u angazhua që t’i zgjidhë dhe eliminojë të gjitha këto problemeve të trashëguara nga koha e PDSH-së, probleme këto që tashmë nënvizuam se ishin kryekëput të kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski.

 

Mbarsja me zgjidhje të gabuara

 

Dhe, pavarësisht prej këtyre problemeve të trashëguara, BDI-ja paska arritur shumë suksese gjatë këtyre tre viteve vasalitet në kuadër të qeverisë së VMRO-DPMNE-së! Sa herë që e pyesin z. Ali Ahmetin gazetarët që të tregojë se cilat janë këta suksese, ai nis e numëron me gishta të një dore! Mos harroni, thotë, e kemi sjellë Bustin e Skënderbeut, duke ngatërruar përmendoren me bust! Pastaj thotë se kemi themeluar “Muzeun e Lirisë”, muze i cili nuk figuron në asnjë isntitucion shtetëror e as komunal porse vetëm në ndonjë fjalim partiak. Thotë themeluam Muzeun e alfabetit, ndërsa, pa buxhet, duke e varrosur që në start dhe duke e nderuar si për të vdekur me kurorë lulesh! Thotë se i kthyem kazermat e ushtrisë antishqiptare në fakultete e në shkolla shqiptare, ndërkohë që ato objekte vetëm për shkolla nuk mund të pranohen. Natyrisht, maqedonasit i largojnë nga arsimi i tyre gërmadhat ndërsa çdo ditë ngrisin shkolla të reja dhe moderne për nxënës maqedonas. Nuk harron të thotë se do të nisin edhe “sheshin e Skënderbeut”, shesh ky që nuk zgjedh kurrfarë problemi as social, as kulturor, as ekonomik, as arsimor për shqiptarët e Shkupit. Thotë se kemi bërë dispersimin e fakulteteve në Kumanovë, Kërçovë, Dibër, ndërsa i vie për turp të thotë se kemi realizuar atë ligj, vendim e marrëveshje të arritur në mes të PDSH-së dhe VMRO-së për dispersimin e këtyre fakulteteve (qysh në vitin 2007). Dhe, sa herë që i numëron “sukseset” e BDI-së nuk i dalin më shumë se gishtat e një dore, ndërsa, i bie që dorën tjetër ta mbajë në xhep të pantallonave. Fatkeqësisht, i vetmi sukses që mund të llogaritet është mbarsja e BDI-së me zgjidhje tërësisht të gabuara. Këtë tashmë e dëshmojnë dy vijat paralele të kuqe të testit të shtatëzanisë politike. Me shëndet!



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx