Mendime
Kastriot Myftaraj: Branko Crvenkovski, ose kur karriera e një sorosiani ish-komunist...
E merkure, 27.04.2011, 07:46 PM
Branko Crvenkovski, ose kur karriera e një sorosiani ish-komunist përfundon sipas shprehjes së Marksit, mbi përsëritjen e historisë, nga tragjedi në komedi
Nga Kastriot MYFTARAJ
Branko Crvenkovski është rritur duke dëgjuar historinë e arratisjes së të atit të tij, Krste, në kohën e Luftës së Dytë Botërore, nga burgu i Tiranës ku e mbanin italianët. Krste Crvenkovski u arratis nga burgu, duke kaluar nëpër një tunel të cilin e kishin hapur komunistët shqiptarë, për të nxjerrë shokët e tyre nga burgu. Meqënëse Krste ishte më trupmadhi, ai kishte vështirësi për të kaluar në tunel, kështu që mbeti i fundit. Guerrilasit komunistë që kishin dalë të prisnin shokët e arratisur nga burgu, nuk mund të qëndronin shumë gjatë për të pritur Krsten, se nga momenti në moment kishte rrezik që të zbuloheshin, kështu që gjetën një zgjidhje që edhe ata të iknin, edhe ta kryenin detyrën internacionaliste, ndaj shokut komunist jugosllav, siç thuhej në gjuhën e tyre. Guerrilasit komunistë kishin marrë me vete një çengije që t’ u printe rrugën dhe t’ i njoftonte për çdo rrezik. Çengije, për ata që nuk e dintë quhej një lloj showgirl orientale, e cila këndonte dhe kërcente në versionin oriental të nightclub. Në Shqipëri çengijet ishin një rudiment otoman. Çengijet nuk zgjonin dyshimin e rojeve fashiste se atje afër ishte lagjia e romëve dhe kthimi i çengijeve natën vonë në shtëpi nga mejhanet, ishte një rutinë që nuk e kishin ndërprerë as rregullat e kohës së luftës.
Kështu që komunistët shqiptarë lanë çengijen në dalje të tunelit që ta priste edhe pak kohë shokun komunist jugosllav. Kur Krste më në fund pa dritë në fund të tunelit, ai u bëri zë shokëve, duke menduar se ata po e prisnin. Por atij iu përgjigj vetëm çengija, e cila i tha: “Kam mbetur vetëm unë, shok”. Nuk dihet saktë se si u ndje Krste në këtë moment, por një gjë është e sigurt. Çengija e bëri mirë detyrën internacionaliste komuniste, se nëse nuk do të kishte qenë ajo, Krste, i cili nuk e njihte vendin dhe nuk dinte nga të shkonte do të kishte rënë në duart e fashistëve. Çifti Krste-çengije nuk ngjallte dyshime se ai dukej si ndonjë ashik i vonuar rom që po kthehej vonë nga mejhaneja së bashku me çengijen, në lagjen e romëve që ishte aty afër. Edhe patrullat fashiste, kur i takonin këto çifte natën, thjesht u thoshin që të ecnin më shpejt. Kështu, Krste, i fshehur pas çengijes, ia doli që të shpëtonte. Çengija ishte e stërvitur se kishte shoqëruar edhe komunistë të tjerë natën. Sekreti ishte që kur shfaqej ndonjë patrullë fashiste, komunisti që shoqërohej nga çengija duhet t’ ja merrte këngës e cila ishte hit në atë kohë në mejhanet:
“O ku të ka lala mi top sheqere.
kaçatorja e lalës e”
Fashistëve u pëlqente kur e dëgjonin këtë këngë, se kaçatorë quheshin aeroplanët luftarakë gjuajtës italianë, për të cilët propaganda fashiste thoshte se po bënin “tallava” me aeroplanët anglezë dhe amerikanë, duke i zhdukur ata si miza. Kështu që krahasimi i së dashurës me aeroplanin luftarak fashist shihej si kulmi i shprehjes së devotshmërisë që fashizmi mund të priste nga romët. Krste i cili ishte përlyer krejt me baltë gjatë zvarritjes në tunel, dukej si një ashik i dehur, i cili ishte rrëzuar nëpër rrugët me baltë të periferisë së Tiranës. “Kaçatorja” e shoqëroi Krsten deri në lagjen e romëve, ku ai u fsheh deri kur komunistët shqiptarë e morën dhe e dërguan tek të vetët. Fashistët e zbuluan vetëm në mëngjes tunelin, kur ishte vonë. Të gjithë komunistët shpëtuan, por e pësoi çengija, e cila pati fat tragjik, se fashistët e kapën në një aksion tjetër dhe e internuan në ishujt e Italisë, ku ajo vdiq. Krste pati fat më të mirë, ashtu që bëri një karrierë të madhe politike në Jugosllavi, trashëgimtar i së cilës u bë i biri, Branko Crvenkovski. Çengija e shkretë nuk e mësoi dot kurrë se çfarë shërbimi të madh i kishte bërë kauzës së Shoqërisë së Hapur atë ditë, dy vjet para se Popper të botonte librin e tij “Shoqëria e Hapur dhe Armiqtë e saj”, me ç’ rast Soros do të sponsoronte projektin e Shoqërisë së Hapur, në të cilin djali i Krstes, Branko, do të bëhej një figurë e spikatur. Nëse nuk do të kishte qenë për çengijen, Sorosit nuk do t’ ia kishte thënë kush atë komplimentin që i pëlqen më shumë, se ai është shtetar pa shtet dhe të cilin ia ka thënë pikërisht Branko.
Duke qenë se, si Krste ashtu dhe i biri i tij, Branko, ishin anëtarë të partisë komuniste, nuk është çudi që u verifikua thënia e Marksit se ngjarjet e mëdha historike përsëriten dy herë, herën e parë si tragjedi dhe herën e dytë si farsë (komedi). Historia e Krstes me çengijen u përsërit në vitin 2011. Branko Crvenkovski, prej dy vitesh, qëkurse u largua nga posti i kryetarit të shtetit për të marrë postin e kryetarit të opozitës, dhe deri më tash, nuk pushoi së thëni se Maqedonia kishte hyrë në një tunel të errët dhe se i vetmi njeri që mund ta nxirrte Maqedoninë nga tuneli ishte ai, Branko, por për këtë duheshin mbajtur zgjedhje të parakohshme. Por kur kryeministri Gruevski më në fund i shpalli zgjedhjet e parakohshme, Branko “u fsheh pas çengijes”, ashtu që Branko deklaroi se kandidat për kryeministër nuk do të jetë ai por Radmila Shekerinska. Fjala “Shekerinska” (Shekerinski) në maqedonisht, në mos gaboj, do të thotë “sheqertar”, pra ai që ka si profesion të bëjë ëmbëlsira. Kështu që kur Branko shpalli Shekerinskën si kandidate për kryeministre, ai praktikisht këndoi si babai i tij Krste dikur në periferitë e Tiranës:
“O ku të ka lala mi topsheqere,
kaçatorja e lalës e”
E vërteta është se Branko nuk ia bëri me dëshirë këtë dhuratë Shekerinskës. Kur Gruevski shpalli se do të mbaheshin zgjedhje të reja, Branko shkoi të takonte Sorosin, të cilit mezi i ra në gjurmë andej nga Ishujt Kuracao ku Sorosi ka ndërtuar shoqërinë e vet të mbyllur financiare, me të cilën fiton para për të sponsoruar kauzën e shoqërisë së hapur. Sorosi i dha të kuptojë Brankos se nuk mund ta mbështesë tash në atmosferën politike ndërkombëtare kur në botën arabe po rrëzoheshin sundimtarët afatgjatë të shoqërive të mbyllura. Branko kishte qenë kryeministër dhe president për gjysmën e kohës së Mubarakut dhe për një kohë më të gjatë se Bashar Al Assad, me të cilin ngjan Branko se të dy e kishin trashëguar pushtetin nga prindërit. Prandaj Sorosi nuk e mbante dot fjalën që i kishte dhënë beniaminit të vet se do ta ndihmonte që të rikthehej në pushtet. Për ta hequr qafe Sorosi i fiksoi Brankos një takim me stafin e vet politik, për ta shqyrtuar problemin. Brankos i lindi shpresa ashtu si Krstes kur hyri në tunelin e burgut.
Madje gjërat shkuan njëjtë, se kur Branko shkoi në takim, ai u befasua si Krste kur ky doli nga tuneli dhe pa se në vend të shokëve e priste çengija me dajre në dorë. Në vendin e takimit Branko gjeti vetëm Shekerinskën. Kur Branko pyeti se ku ishin të tjerët Shekerinska ndoshta iu përgjigj me fjalët që Brankos i tingëlluan të njohura nga kujtesa familjare: “Kam mbetur vetëm unë, shok!” Tash Brankos nuk i mbetej vetëm që të fshihej pas “çengijes”. Por, derisa çengija e vitit 1943 e çoi Krsten në rrugën e karrierës së madhe dhe të gjatë politike, “çengija” e vitit 2011 po e shoqëron Brankon në “varrezën politike”. Karriera e Brankos, ndryshe nga ajo e Krstes, nuk fillon, por mbaron me udhëtimin me çengijen. Kur Branko Crvenkovski shpall se krijesa e tij, Shekerinska, do të jetë kandidate për kryeministre në zgjedhjet e ardhshme, kjo është njëlloj sikur Krste, pas ardhjes së komunistëve në pushtet në Jugosllavi, ta kishte marrë çengijen e Tiranës në Shkup dhe ta paraqiste si kandidate për kryeministre të Maqedonisë. Branko ra në kurthin e mekanizmit të vet, ashtu si ai puppet-master i cili befas e shikon veten të lidhur këmbë e duar nga fijet me të cilat ishte dashur që të komandonte kukullën e vet.
Tekefundit Branko nuk e ka përzgjedhur kot Shekerinskën, e cila është me profesion inxhiniere elektrike. A nuk ka shumë të përbashkëta midis një inxhiniereje elektrike dhe e një çengijeje? Që të dyja këto profesione kanë të bëjnë me elektricitetin, ashtu që çengija elektrizon atmosferën dhe e kujdeset që të mirëmbajë rrjetin “elektrik” që krijon mes klientëve në sallë. Në vitin 1995, kur Shekerinska 23 vjeçare, e cila posa kishte diplomuar për inxhinieri elektrike në Shkup, dëgjoi nga Branko se asaj do t’ i jepej një detyrë me rëndësi në Fondacionin “Soros” në Maqedoni, ajo me siguri që mendoi se ishte fjala për rregullimin rrjetit elektrik të ndërtesës, punë për të cilën Brankos i duhej një njeri i besuar se dihet që në sistemin elektrik vihen përgjues. Kështu që ka menduar Shekerinska, Branko e kishte përzgjedhur atë si të besuarën e tij. Ajo me siguri duhet që ta ketë marrë disi me frikë detyrën e supozuar, se nuk kishte përvojë pune. Por me siguri që duhet të jetë befasuar shumë kur Branko i tha se ajo do të bëhej shefe e marrëdhënieve me publikun në Fondacionin “Soros”. Ashtu siç nuk mund të kuptohet kurrgjë nga sistemi sovjetik, nëse nuk mbahet parasysh postulati i Majakovskit se “Lenini është partia dhe partia është Lenini”, ashtu nuk mund të kuptohet asgjë nga politika në Maqedoni gjatë këtyre 20 viteve, nëse nuk mbahet parasysh se në Maqedoni Fondacioni “Soros” është SDSM (partia e Brankos) dhe SDSM është Fondacioni “Soros”.
Përveç inxhinieres elektrike 23 vjeçare, njeriu më i papërshtatshëm që mund të imagjinohej për detyrën e shefes së marrëdhënieve me publikun në Fondacionin “Soros” ishte me siguri çengija që shoqëroi Krsten dikur në Tiranës. Shekerinska, e cila kishte studiuar për elektricitetin, filozofinë e Popperit nuk e njihte më tepër se çengija. Prandaj, ndoshta kur Shekerinska e ka marrë me hezitim detyrën, Branko i ka treguar historinë e çengijes të guximshme, “kaçatores së lalës”. Brankos i duhej “kaçatorja e lalës”. Të tjerat le t’ ia linte atij. Shkollimi nuk kishte rëndësi se këto qenë skrupuj intelektualë të shoqërive të mbyllura. Parimi bazë popperian i shoqërisë së hapur ishte se kurrkush nuk e kishte monopolin e së vërtetës, çka do të thoshte se edhe kufijte mes fushave të dijes qenë relative. Tekefundit a nuk kishin qenë çengijet pararendëse të filozofisë popperiane, se nuk kishin pranuar që të kishte monopol të artit dhe kishin kënduar e kërcyer këngë dhe valle moderne, ndonëse i tjetërsonin në mënyrën më qesharake? Një intelektuale me një diplomë për inxhiniere elektrike, me shembullin frymëzues të çengijeve, mjafton që të bënte një master në universitetet sorosiane në Perëndim dhe bëhej eksperte në çdo fushë që të donte. Dhe Shekerinska bëri një master në marrëdhëniet ndërkombëtare, në Britaninë e Madhe, çka ishte njëlloj sikur çengija e Krstes të studionte për pianiste. Që atëherë Shekerinska bëri karrierë të madhe, duke arritur deri atje madje sa ajo të ishte kryeministre në kohën që Branko ishte President.
I vetmi ngushëllim për Brankon tash që po hyn në zgjedhjet më të rëndësishme në karrierën e vet politike, me krijesën e vet si kandidate për kryeministre, është se karriera e Shekerinskës, ashtu si filloi me Brankon, ashtu edhe do të përfundojë me Brankon. Pra, Shekerinska do të largohet nga politika bashkë me Brankon. Crvenkovski, duke shpallur se Shekerinska do të jetë kandidate për kryeministre e partisë së tij në zgjedhjet të cilat ai i kërkoi me të madhe, në fakt nuk bëri gjë tjetër veçse i shndërroi zgjedhjet në një referendum për ta parë se sa njerëz në Maqedoni pranojnë që ai të tallet me ta hapur. Se Crvenkovski praktikisht shpalli se ai kërkon që të qeverisë duke u fshehur pas “çengijes”. Nëse SDSM fiton zgjedhjet, Shekerinska do të jetë kryeministre aq sa ç’ ishte kur e mbante këtë post në kohën që Branko ishte President i Maqedonisë. Branko, i cili e quajti Sorosin “shtetar pa shtet”, do të jetë kryeministër pa portofol, ose më saktë portofoli qeveritar do të transferohet në portofolin e Brankos. Nëse Shekerinska do të bëhet kryeministre, ajo e meriton shprehjen e Brankos për Sorosin, pra shtetare pa shtet, edhe më tepër se Sorosi, se kur Shekerinska të jetë shtetare, shteti do të jetë i Brankos.
Tashmë sorosianët kanë krijuar mitin se Shekerinska është e preferuara e SHBA-ve dhe Bashkimit Europian, që duan ta shohin në postin e kryeministres pas zgjedhjeve, se Shekerinska me mbështejten e Washingtonit dhe Brukselit do të zgjidhë çështjen e emrit të Maqedonisë, se si shpërblim Maqedonia do të hyjë në BE, ku do ta futë Shekerinska (në NATO po se po), e cila na paskësh qenë personi-kyç në marrjen e statusit të vendit kandidat, se Shekerinska është një kokë globale, e cila është fituese e çmimit Lideri i Ri Global. Aq sa mund të thuash se nëse Aleksandri i Madh do t’ i dëgjonte këto fjalë atij do t’ i kishte ardhur keq që Shekerinska nuk lindi 24 shekuj më parë që të bëhej shoqja dhe mentorja e tij. Por Shekerinskës nuk i vjen keq që lindi 24 shekuj me vonesë, madje është e kënaqur, se ajo lindi në kohën e Brankos. Për Shekerinskën, nëse Aleksandri i Madh do të kishte lindur sot, ai duhet të kishte qenë i lumtur që të ishte bodyguard i Brankos. Shekerinska i pranon me buzëqeshje të gjitha mrekullitë e ardhshme që i atribuojnë asaj, por saktëson se këto do të ndodhin nën udhëheqjen e Brankos, i cili do të jetë joqeveritar me qeveri.