Mendime
Kastriot Myftaraj: Kur Franca rikthehet të vallëzojë në Shqipëri
E marte, 26.04.2011, 07:57 PM
Kur Franca rikthehet të vallëzojë në Shqipëri
Nga Kastriot MYFTARAJ
Kur diplomatja franceze Eloise le Petit, atashe kulturor në Ambasadën e Francës në Shqipëri, hyri në konkurimin “Dancing with the Stars”, në Vizion Plus, ajo ndoshta as vetë nuk ishte krejt e vetëdijshme për rëndësinë historike të këtij gjesti të saj.
Ky është rikthimi në Shqipëri i asaj France për të cilën ne shqiptarët kemi një kujtesë historike shumëshekullore, mëse të mirë. Francezët qenë të parët perëndimorë që erdhën në Shqipëri, gjashtë shekuj pas rënies së Romës, në shekullin XI, për ta çliruar Shqipërinë nga Bizanti në degradim, dhe për t’ ia rikthyer Perëndimit. Në gjysmën e dytë të shekullit XI, nga Normandia e Francës u nisën dy prijësa me dy ushtri, një drejt Anglisë, me një krye Gijom Pushtuesin (William për anglezët) dhe tjetra drejt Italisë, me në krye Guiskard-n. Nga këto dy fushata dolën dy mbretëri të reja franceze, ajo e Anglisë dhe ajo e Napolit. Nga Napoli Guiskardi ndërmori fushatën e parë normane në Shqipëri, në 1081, e cila u pasua nga shumë fushata të tjera në të ardhmen.
Normanët qenë vikingë të asimiluar nga francezët, ashtu si frankët para tyre të cilët u asimiluan nga galët. Me normanët fillojnë përpjekjet për krijimin e një mbretërie shqiptare. Normanët për një periudhë patën në Shqipëri po atë rol që patën edhe në Angli, pra rolin e shtetkrijuesit. Normanët e Shqipërisë u asimuluan nga vendasit ashtu si në Angli dhe prej këtej prania gjerësisht e biondëve në Myzeqe dhe në fshatrat e Vlorës, ku pati ngulime normane. Mbretëria e parë shqiptare do të krijohej nga francezët e ardhur në Shqipëri në gjurmët e normanëve, në shekullin XIII. Francezi Charles I Anjou (Sharli I Anzhu), pasiqë në 1266 mori Mbretërinë e Napolit, nga Papa Clement IV, mbi bazën e titullit norman dhe po me të njëjtin titull mori edhe Mbretërinë e Shqipërisë, të cilën Papa Gregori X e krijoi me dekret në 1272. Kjo Regnum Albaniae do të ishte e para Mbretëri e Shqipërisë, ndonëse jo i pari shtet shqiptar, se i tillë do të ishte Principata e Arbërit, e krijuar një shekull më parë.
Normanët e Guiskardit dhe francezët anzhuinë sollën frymën perëndimore në Shqipërinë e kohës së errët të degradimit bizantin. Duke parë Eloize le Petit që të kërcejë në “Dancing with the Stars”, më duket sikur shoh ato zonjat aristokrate normane dhe franceze në ballot në Durrësin norman të shekullit XI, apo në oborrin anzhuin në Durrës, në 1272. Eloize le Petit, me mbiemrin e saj aristokratik, është shumë më e përshtatshme për të përfaqësuar këtë Francë të vjetër se Marianën trikolore (Republikën), pa vënë në diskutim besnikërinë e Eloise Le Petit për Republikën. Më pëlqen që të besoj se është thirrja e të parëve që e shtyu Eloize le Petit për të marrë pjesë në “Dancing with the Stars”, se paraardhëset e saj duhet të kenë qenë në Shqipëri në kohën e normanëve dhe të anzhuinëve.
Kjo është Franca që e vuri në dilemë Skënderbeun në vitin 1462 se cilën palë duhet të mbështeste në luftën për fronin e Napolit, Ferdinandin e Aragonës, me të cilin kishte një pakt, apo Rene D’ Anjou, pretendentin e fronit, i cili e kërkonte atë mbi bazën e titullit normano-anzhuin. Por për Skënderbeun kjo nuk ishte një dilemë spanjollo-franceze se sa një dilemë franceze se gruaja e Ferdinandit, Princesha Isabelë e Tarantos (1424-1465) ishte francezja më e famshme e kohës, pasiqë ishte trashëgimtarja e kurorës së mbretërisë kryqtare të Jerusalemit. Isabella ishte vajza e kalorësit francez Tristan de Clermont (1380-1432), i cili u martua me Katerinën, princeshën e Tarantos, e cila ishte vajza e vogël e Maria te Enghien, trashëgimtares së kurorës të Jerusalemit, nëpërmjet kryqtarit të famshëm Guy de Lusignan. Ky i fundit ishte sundimtari i fundit i Jerusalemit, të cilin e mbrojti gjatë rrethimit nga Sulltan Salajdini. Kur mbrojtja e qytetit u bë e pamundur Guy de Lusignan negocoi dorëzimin e qytetit me Salajdinin, për të shpëtuar jetën e civilëve dhe ushtarëve, por nuk hoqi dorë nga titulli i mbretit. Kur Salajdini ushtroi presion ndaj tij për t’ i imponuar kushte dorëzimi më të rënda, trimi Guy de Lusignan iu përgjegj se nëse ai nuk pranonte kushtet e tij, atëherë do ta rrafshonte qytetin, që palët, të krishterë, muslimanë e hebrenj të mos kishin më se për çfarë të grindeshin.
Skënderbeut i konvenonte më mirë aleanca me Rene D’ Anjou se francezi do t’ i jepte ndihma më të mëdha në luftën kundër turqve. Por Skënderbeu, kryqtari më i madh i kohës, nuk mund të tradhtonte stërmbesën e një tjetër kryqtari të madh, Guy de Lusignan, Isabellën, mbretëreshën e Napolit, dhe në letër edhe të Jerusalemit, zonjën e parë të Kryqatës. Skënderbeu nuk mund të tradhtonte Francën e vjetër kryqtare për hir të Francës së re, ndryshe ai nuk do të ishte Skënderbeu. Kur para disa kohësh ia thashë këtë tezë timen një intelektualeje frankofone ajo mendoi se po bëja humor, por unë e kisha seriozisht.
Franca e vjetër, mike e madhe e shqiptarëve, u shfaq edhe kur republika Franceze bëri Traktatin e Campo Fornio në 1797, ku Napoleni i diktoi vullnetin e fitimarit Perandorisë Austriake. Neni 5 i Traktatit të Campo Fornio thoshte se: “Perandori (austriak - K. M. ) pranon që Republika Franceze të zotërojë, me gjithë sovranitetin, ishujt që më parë u përkisnin venecianëve, përkatësisht: Korfuzi, Cefalonia, Santa Maura, Cerigo, dhe ishujt e tjerë përreth tyre, si dhe Butrintin, Artën, Vonicën, dhe në përgjithësi të gjitha zotërimet veneciane në Shqipëri, të cilat gjenden në jug të Gjirit të Butrintit”. Siç shihet, bregdeti i asaj që është sot Greqia veriperëndimore, do të thotë bregdeti i Çamërisë, njihet si territor shqiptar.
Franca e vjetër, mbrojtësja e madhe e shqiptarëve, pushoi së ekzistuari në shekullin XIX me armiqësinë franko-gjermane, me ç’ rast Franca u bë aleate e Rusisë dhe Serbisë. Tash që është kryer pajtimi franko-gjerman, ne duhet të përpiqemi më shumë që të zgjojmë Francën e vjetër. Le të jetë Eloise le Petit, lajmëtare e zgjimit të kësaj France. Për të zgjuar tek Franca kujtesën historike në lidhje me shqiptarët, duhet që p.sh. në Tiranë, në vend të një rruge me emrin e Jeanne d’ Arc, e cila nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë, të ketë një shesh me emrin e Charles d’ Anjou, ku të ketë edhe një statujë të tij mbi kalë. Në çdo kryeqytet ka një statujë të mbretit të parë të vendit përkatës, i cili mund të ketë qenë edhe i huaj. Britania e Madhe sot ka një dinasti me origjinë gjermane. Në Durrës duhet të ketë një statujë mbi kalë të Robert Guiskardit, në Vlorë të Princ Bohemundit e kështu me radhë.
Kështu do të rivendosim lidhjet me Francën, e cila sot, së bashku me Gjermaninë është një nga dy fuqitë kryesore të Bashkimit Europian. Eloise le Petit në “Dancing with the Stars” më rizgjoi pasionin për Francën, të cilën unë frankofoni i dikurshëm, që kisha mësuar frëngjisht në shkollën tetëvjeçare dhe të mesme, e humba më pas. Por Franca ishte aty për të më befasuar gjithmonë. Derisa një ambasador amerikan para dy vjetësh doli në shfaqjen televizive humoristike “Portokalli”, një diplomate franceze doli në “Dancing with the Stars”. Ky është dallimi mes SHBA-ve dhe Francës, ashtu si midis një teksti amerikan apo francez, që është artikull-analizë politike në gazeta e revista, apo libër. Në një tekst francez ndjehet ajo esprit thjesht franceze, të cilën nuk e gjen në tekstet anglosaksone. Eloise le Petit, me vallëzimin e saj në “Dancing with the Stars” më bëri të ëndërroj se Franca e sotme, do t’ i drejtohet Francës së vjetër ashtu si në atë këngën e Mirelle Mathie, këngëtares së dashur të rinisë sime, “Pardone moi ce caprice d’ enfant”. Por ndoshta Eloise le Petit thjesht më bëri të ëndërroj për këtë Francë të vjetër dhe atë nuk kam për ta parë kurrë. Gjithsesi, Merci beacoup Eloise!