E enjte, 01.05.2025, 10:13 AM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: Butaforitë mashtruese të pseudointelektualëve

E merkure, 27.04.2011, 07:59 PM


BUTAFORITË  MASHTRUESE    PSEUDOINTELEKTUALËVE

 

Nga Fadil LUSHI

 

Në opinionin tim të radhës, të nderuar lexues, do bëj përpjekje të hetoj rolin, autoritetin dhe vendin e intelektualëve në shoqërinë që kalon një tranzicion të bezdisshëm dhe të stërzgjatur. Frrok Çupi, një analist nga Shqipëria, kohë më parë në një shkrim të tij, pos të tjerash, kishte thënë: “Ka rrezik që një ditë të dalim e të përulemi para “xhahilëve” dhe të kërkojmë ndjesë pse lexojmë libra dhe pse dimë shkrim e këndim”! Nëse e gjithë kjo filozofi e tij, përkthehet në gjuhën e përditshmërisë sonë të njëtrajtshme dhe të katandisur, atëherë të lë përshtypjen se kinse bëhet fjalë për një mllef të akumuluar dhe një kundërshti e tij ndaj njerëzve të cilët për hesap të antivlerave mëtojnë me çdo kusht të nënshtrojnë dhe të nënçmojnë institucionet me vlera morale e shoqërore.

Dikur në një kasaba të Shqipërisë së vaktit të Ahmet Zogollit ca qytetarë intelektualë, në shenjë nderi e mirënjohjeje, i kishin ndërtuar një lapidar një bashkëvendësi të tyre. Ata kishin hequr të zitë e ullirit derisa e kishin vendosur në një cep të sheshit të kasabasë. Pas një kohe të gjatë, disa “xhahilë a edhe emigrantë të ardhur nga provinca” (xhahilë, të cilët asnjëherë nuk u “shëruan” nga  kompleksi i Edipit) kishin vërejtur se ai lapidar, lëre që “frymonte, por edhe fliste dhe reflektonte vlerat dhe moralin e shoqërisë”!? Prandaj, duke mos e duruar praninë e lapidarit dhe duke e shikuar realitetin në pasqyrë të berberit të mëhallës së tyre, kishin vendosur ta zhvendosnin dhe ta dërgonin në hapësirat e vendlindjes së tij, me arsyetimin se atij intelektuali “shehërli” i paskësh munguar “edukata komuniste dhe trashëgimia e emancipimit kulturor dhe shkencor”, kinse paskësh qenë një intelektual i dështuar dhe me retrospektivë të shëmtuar!??

            Në vend të tij kishin ndërtuar një tjetër lapidar, dedikuar bashkëmendimtarëve a më mirë pseudointelektualëve anonimë, përkatësisht butaforëve mashtrues. Thonë se ishte një lapidar që u kushtohej njerëzve të padëgjuar, njerëzve që kurrën e kurrës nuk kishin kontribuar në fushën e shkencës, artit a historisë. Ishte një lapidar që “përjetësonte” dhe reflektonte gjymtime, një lapidar i sajuar, i paragjykuar i dyshuar, i hatëruar, hileqar, po edhe fare pak i sajdisur. Ky lapidar në krahasim me të parin, lëre që nuk frymonte e as fliste, por në instancë të fundit reflektonte antivlerat e përditshmërisë së tyre dhe vaktit kur ata kishin jetuar.

       Dhe sot e gjithë ditën e Perëndisë, intelektualët e mirëfilltë nga të gjitha trevat shqiptare, mëtojnë ta “kundërshtojnë” mendimin e lartpërmendur të Frrokut (jo pse në atë thënie nuk e “gjejnë” vetveten), jo pse nuk duan të identifikohen me lapidarin e “xhahilëve”, por pse në vijimësi u denigrohet identiteti dhe autoriteti intelektual, u kufizohet hapësira e të vepruarit autonom, si dhe u klandestohet dhe kontrabandohet prania në institucionet ku punojnë dhe veprojnë (aq sa munden) me takatin e tyre mental. Andaj po këta intelektualë, për këto dhe arsye të tjera, asnjëherë nuk e ngritën zërin e tyre kundër kësaj rrëmuje dhe këtij pështjellimi të madh, sa politik po aq edhe katundaresk. Nuk e bënë këtë sepse mbajtën parasysh atë fjalën e mençur e Leonardo da Vinçit: “Aty ku ngrihet zëri, nuk ka dije të vërtetë”!

            Ata nuk do të kërkojnë që t’u ndërtohen lapidarë, sepse nuk kanë nevojë për gjëra të tilla, sepse puna dhe ndihmesa e tyre në logun e shkencës, artit dhe kulturës është një lapidar më vete, gjithsesi, jo një kontribut në kornizë. Përkundrazi, do të kërkojnë që të mos anashkalohet, madje as të abuzohet intelektualizmi dhe devotshmëria e tyre e lartë ndaj shkencës. Ata do të këmbëngulin që të mbrohet institucionalisht pozita dhe autoriteti e tyre në shoqëri. Reagimet e artistëve, të shkencëtarëve, të të arsimuarve, ose edhe toptan të intelektualëve, sa u përket gjymtimeve e nënvlerësimeve që hetohen në të gjitha veprimtaritë shoqërore (në veçanti në veprimtarinë shkencore, letrare, artistike e tjerë), sot janë bërë “ritual i përditshëm i tyre”! Në kuadër të këtyre reagimeve nuk hetohet ajo parulla e dikurshme idiote dhe komuniste: “ju njerëz të rëndomtë, ju njerëz të paarsimuar, ju katundarë të paaftë dhe të paarsyeshëm, ejani me ne, për të na brohoritur dhe duartrokitur për bëmat tona të lavdishme”!?   Kërkesa e vetme e tyre, sot do të konceptohet kësisoj: “Ju lusim, na lini të punojmë rehat, sepse ne kemi hallin e shkencës, kulturës, artit, historisë, hallin e vendit të punës e jo më hallin e politikës konfliktore, po edhe antivlerave”! Ata, prej mashtruesve dhe prej pseudointelektualëve provincialistë, do të kërkojnë që të mos u bastiset, zaptohet dhe të mos u shëmtohet piramida e institucioneve të tyre, siç janë: Shkolla e nxënësve, Universitetet e studentëve dhe pedagogëve, a edhe Akademia kombëtare.

            Kjo bastisje aktuale është një imitim i bastisjeve të vaktit të njëmendjesisë, të vaktit kur të gjithë ne toptan jetonim politikisht dhe materialisht më keq sesa sot, kur kishim një arsimim të mesëm dhe universitar mjaft të kufizuar (por ama ndoshta më cilësor se sot), me gjithë faktin se sot kemi arsim të mesëm të detyrueshëm dhe me kushedi sa universitete publike e private (universitete ku mungojnë standardet ndërkombëtare) , të cilëve sot e gjithë ditën, kushdo qoftë njohës i  shkëlqyeshëm i kësaj politike të arsimit, nuk e ka teserën t’u bëjë ndonjë “klasifikim cilësor”!??..., kur mësuesit dhe intelektualët tanë u nënshtroheshin fletarresteve të papara piramidale, kur mësuesit përjashtoheshin nga institucionet arsimore e mandej burgoseshin për një fjalë goje, për “shovinizëm dhe irredentizëm”. Ishin të dhembshme ato përjashtime, por ama jo më shumë të dhembshme se këto “bastisje demokratike shqiptare”, qofshin këto të ngjara në Maqedoni, Shqipëri a edhe në Kosovë.

       Intelektualët edhe sot vazhdojnë të kërkojnë vend dhe kohë që ta inatosin atë “xhahilizmin” kolektiv, të “xhahilëve” (jo pak) që kanë marrë poste (drejtuese) jomeritore, qoftë në institucionin e artit, kulturës, në atë të shkencës, politikëbërjes vendore a edhe qendrore, po dhe në institucione të tjera. Këtë pështjellim politik a ndoshta edhe të ndonjë fare tjetër, intelektualët do ta lexojnë e do ta gjykojnë nga këndvështrimi i tyre profesional, me sy kritik, apolitik, filozofik, sociologjik, me sy asnjanësie dhe jo verbërisht. Në instancë të fundit, i gjithë ky reagim i tyre do të mbështetet në profesionalizëm, intelektualizëm dhe në higjienën e mendjes së tyre.

            Së fundi (mos) zgjidhja e gjithë kësaj katrahure nuk është “pjellë e frikës, a e dembelisë së tyre intelektuale e as e një intelektualizmi të pamirëfilltë”, përkundrazi është rezultat ngatërrimi mendimesh, detyrash dhe  kompetencash. Pas gjithë kësaj rrëmujës sonë kolektive, nuk na lejohet që të kërkojmë gjymtimet tona në avllinë e kundërshtarëve tanë shekullorë, nuk kemi të drejtë që prej papërgjegjshmërisë sonë të vazhdojmë të sajojmë fajtorë të paqenë. Dhe, që hë për hë të vrapojmë për të gjetur hapësira ku do të duhet njëherë e përgjithmonë t’i korrigjojmë apo edhe t’i kornizojmë gabimet dhe jo pishmanllëkun tonë, e jo ta shfryjmë dufin tonë ndaj padrejtësive që na bëhen (hapësira që frekuentohen vetëm nga shqiptarë). A mos vallë duhet edhe më tej të shtiremi sikur nuk dëgjojmë dhe nuk shohim gjë..., apo mos vallë jemi të paaftë për të bërë diç më tepër e më mirë..., ose së fundi, nuk ka njeri që do të na “detyrojë” të ndërrojmë mendje dhe adete!

            Ndërkaq, sot të mëtosh intelektualëve t’ua katandisësh institucionin, punën mendore dhe shpirtin krijues, është njësoj sikur fëmijës së porsalindur t’ia marrësh nga goja qumështin amnor! Ata që njohin demokracinë e avancuar të shteteve perëndimore do të thonë se qytetarët e tyre asnjëherë nuk u duartrokasin pseudointelektualëve, pseudoreformatorëve, pseudodemokratëve, pseudoshkrimtarëve a pseudopolitikanëve, përkundrazi ata duartrokitjet e tyre ua japin vetëm akademikëve, shkencëtarëve dhe artistëve të mirëfilltë, pavarësisht se nga janë dhe nga vijnë, qofshin ata të krishterë, myslimanë, me ngjyrë, të bardhë..., nga Evropa, Afrika e gjetiu.

Po ne, deri kur do të veprojmë jerm, apo edhe gjatë kohë duhet të luajmë mbyllasyza me vetveten??!! Kushedi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx