E enjte, 01.05.2025, 10:11 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ramadani: Pse duhet të promovohen dhe të mësohen gjuhët e huaja, e posaçërisht gjuha frenge???

E merkure, 27.04.2011, 07:58 PM


Pse duhet të promovohen dhe të mësohen gjuhët e huaja, e posaçërisht gjuha frenge???

 

Nga Mr. Ardian Ramadani

 

Shpesh më sillen mendime vërdallë nëpër kokë për atë se si do të ishte bota po të fliteshte vetëm një gjuhë. A do të ishte më mirë?A do të mundeshim të kishim më pak probleme për tu marrur vesh me të tjerët?Thjesht si do të ishte konfiguracioni i sotshëm botëror sikur të mos ishte diversiteti?  Por, duke menduar më thellë prap arrij të konkludoj dhe të pajtohem me thënien e Gandit se “Botën më mirë e kuptojmë, po të  jemi të ndryshëm dhe po të kuptojmë këtë”.  Të ndryshëm në komunikim, në vlera, në gjuhë, në mentalitet ........ Andaj shumë mirë që është ky diversitet i cili na mundëson që ta kuptojmë alteritetin dhe ta respektojmë atë. Është shumë mirë që egzistojnë shumë gjuhë e kësisoj shumë kultura. Sepse secila gjuhë ngërthen në vete edhe aspektet kulturore dhe civilizuese. Është e njohur një thënie se me gjuhë mund të lëvrohet ndërgjegjja. Poashtu edhe ajo se shpata ka një teh, kurse gjuha ka me qindra sish. Andaj sa më shumë gjuhë të dijmë dhe mësojmë aq edhe vlejmë. Ose siç thotë një thënie franceze “Plus tu apprends des langues, plus tu es humaines” (Sa më shumë që të mësojmë gjuhë, aq më human dhe njerëzor jemi). Andaj le të mobilizohemi sa më shumë që të mësojmë gjuhë të huaja, por duke mos e harruar njëkohësisht gjuhën tonë. Të mësojmë anglishten, frengjishten, gjermanishten, italishten, spanjollishten, greqishten, pse jo edhe turqishten, e shumë e shumë gjuhë tjera. Sot në botë egzistojnë afro 2796 gjuhë ortoepike (apo gjuhë që fliten), ndërsa 350 gjuhë të cilat kanë edhe sistem alfabetik apo janë gjuhë ortografike. A thua është e mundur të mësohen të gjitha gjuhët?? Përgjigjja ime është se nuk mundet të mësohen të gjitha. Por, të mësohen ato të cilat na mundësojnë qasje më të mirë në botën e globalizuar. Që na mundësojnë lehtësime të ndryshme. Të mësohen ato gjuhë që kanë reflektuar dhe reflektojnë në sistemin e mardhënieve ndërkombëtare.

     Gjatë bisedave të ndryshme që bëj me miq të ndryshëm disa përkrahin mendimin se gjuhët duhet të mësohen sa më shumë që është e mundur. Por, kam edhe disa prej tyre miqve të cilët kanë frigë nga gjuhët e huaja. E sidomos vërej një hezitim dhe ngurrim nga gjuha frenge. Ka edhe të atillë që kanë edhe frankofobi. Më vështirë e kam me to. Pse? Sepse fatmirësisht nuk janë të shumtë, por krijojnë probleme me opinionet, veprimet dhe mendimet e tyre. Ata shtrojnë pyetjen se pse duhet të mësohet frengjishtja? Në vazhdim jap argumente suplementare se pse duhet të mësohet kjo gjuhë. Kur them kjo gjuhë ajo nënkupton edhe gjuhët tjera, por me theks të veçantë pse duhet të mësohet frengjishtja? Si pikë e parë frengjishtja është gjuhë europiane. Europa tani është një mozaik i shumë popujve, kulturave dhe gjuhëve. Europa sot është një laborator i diversitetit kulturor dhe linguistik në shkallë botërore. Dhë në këtë mozaik zen vend të posaçëm dhe mjaft domethënës gjuha frenge dhe Franca. E gjithë kjo sepse Franca ishte shteti i cili lansoi dhe inicoi krijimin e Unionit të sotshëm Europian. Ky konfiguracion i sotshëm europian nuk do të ishte ashtu sikur mos të ishte Franca dhe gjuha frenge. Në Unionin e sotshëm Europian të 27 vendeve, shteteve apo kombeve 23 gjuhë janë zyrtare apo oficiale. Në kuadër të gjithë këtyre gjuhëve vend primar dhe mjaft domethënës luan gjuha frenge së bashku me gjuhën angleze kuptohet. Pse është kjo kështu do të pyetet dikush? Përgjigjja është fare e lehtë. Sepse vetëm Franca arriti që për tre shekuj me radhë ta mbajë gjuhën frenge si gjuhë ndërkombëtare. Dhe jo rastësisht nuk thuhet se “ai popull që konverton gjuhën e vet kombëtare në gjuhë ndërkombëtare, është rezultativ dhe i suksesshëm”. Dhe këtë e arriti Franca. Prej vitit 1642, që nga vdekja e personalitetit të famshëm francez i cili arriti që ta promovoj dhe ta konvertojë gjuhën frenge si gjuhë ndërkombëtare, Armand Zhan Plasis de Rishelje i njohur thjesht si Risheljeu, e deri në ditët e sotshme kjo gjuhë është gjuhë ndërkomëbtare. Prej te Sistemi i Wesfalisë e deri në ditët e sotshme. Sistemi i Wesfalisë i cili krijoi modelin e shtetit- komb dhe krijoi konceptin e sovranitetit të shtetit, ishte produkt francez. Edhe UE-ja e sotshme është produkt francez. Kuptohet së bashku me kombet tjera përparimtare. Së dyti, të mësosh vetëm një gjuhë të huaj psh. vetëm anglishten nuk mjafton, sepse jetojmë në një botë ku të njohësh vetëm një gjuhë të huaj nuk mjafton. Pse? Sepse personi i cili flet më shumë gjuhë të huaja do të ketë më shumë mundësi në tregun e punës në vendin e vet, por edhe në nivel ndërkomëtar. Sepse “knowledge society” apo shoqëria e dijes kërkon më shumë impenjime ndaj gjuhëve të huaja. Së treti, gjuha frenge (së bashku me anglishten) është gjuha e vetme e cila flitet në pesë kontinente, prej më shumë se 200 milionë personave. Është gjuha më e shpërndarë për tu mësuar në nivel botëror, pas anglishtes. Për këtë arsye egziston edhe Organizata ndërkombëtare Frankofone e cila rigrupon shtetet të cilat ndajnë vlerat e gjuhës frenge, apo shtete ku mësohet gjuha frenge. Më shumë se 68 shtete bëjnë pjesë në këtë organizatë. Ndërsa në botë egzistojnë 192 shtete gjithsejt duke e llogaritur edhe Kosovën. Pra shihet se numri i shteteve ku flitet frengjishtja nuk është i vogël, respektivisht është i madh. Së katërti, Franca është fuqia e pestë tregtare, andaj kjo është edhe një shtysë më tepër për të mësuar këtë gjuhë. Së pesti, të mësosh frengjishten është një mundësi e mirë që të kesh qasje në versionet origjinale të librave të shkrimtarëve të famshëm francez të njohur edhe në nivel botëror si Molieri, Viktor Hygo, Marsel Prust, Balzak, Monteskje, Sharl Bodler, Zhak Prevert, etj. Do të kesh mundësi të njohësh dhe takosh personalitete si Zhan D`Ark, Versingetoriks, Sharlemanj, Luigji XII, XIII, XVI,....... Do kesh mundësi ta njohësh më mirë Revolucionin e famshëm francez me devizën e tij “Liberte, Egalite, Fraternite” (Liri, Barazi, Vëllazëri). Të takosh jakobinët, zhirondinët, etj. Të takosh Leopold Sedar Sengorin, Zhan Pol Sartrin, Klemonzon, Sharl de Golin, Valeri Zhiskar Destenin, Leon Blumin,Zhorzh Popmpidun, Miterranin, Shirakun, Kushnerin, Sarkozin. Ej ke mundësi të takosh Sarkozin, i cili gjatë një vizite në shkollë diku në Paris, pak ditë para pamvarësisë së shumëpritur të Kosovës tha “Hiqeni atë hartë nga shkolla. Është hartë e vjetër e Europës. Konfiguracioni europian do të ndryshojë. Do ti shtohet Europës edhe një shtet”. (E kishte fjalën për Kosovën). Dhe kjo u bë realitet. Falë ndihmës së miqve tanë europian dhe amerikan. E kësisoj falë edhe Francës. Së gjashti, të mësosh frengjishten është një privilegj sepse është gjuhë  e punës dhe gjuhë zyrtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e UNESCO-s, e NATO-s, e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe e shumë instancave tjera juridike ndërkombëtare. Frengjishtja është gjuhë e tre qyteteve që janë edhe seli të institucioneve europiane: Strasburg, Bruksel, Luksemburg. Ky i fundit është edhe qytet edhe shtet. Së shtati, frengjishtja mundëson mësimin edhe të gjuhëve tjera, kuptohet atyreve që konsiderohen si gjuhë latine (gjuha spanjolle, italiane, portugeze, rumune) por pse jo edhe të gjuhës angleze, sepse kjo anglishtja është e furnizuar nga frengjishtja me më shumë se 50 % të vokabularit aktual. Frengjishtja është gjuhë e dritës. Gjuhë që të nxit të kujtosh për idetë e të Drejtave të Njeriut në botë. Përfundoj këtu, sepse nuk do të dalin as shkronjat, as fjalitë, as frazat e shkurta apo të gjata, e as faqet për të theksuar rëndësinë e kësaj gjuhe si dhe vlerat njëkohësisht. Andaj, të promovojmë këtë gjuhë. Dhe ta mësojmë njëkohësisht. E pse jo edhe tjerat gjuhë. Të promovojmë diversitetin linguistik apo gjuhësor. Të evitojmë gjeneralizimin ekskluziv prej një gjuhe të vetme të botës së globalizuar.

    Besoj se këto janë argumente të mjaftueshme për ata që ende nuk e kanë kuptuar rëndësinë dhe peshën e kësaj gjuhe ndërkombëtare. Por, u lutem atyre personave, që pasi ta lexojnë këtë shkrim mos të turren të mësojnë vetëm këtë gjuhë. Sepse ka edhe gjuhë tjera. Të tentojmë të mësojmë sa më shumë gjuhë të huaja. Të mësojmë se “vendi i ynë nuk mësohet dot, as nuk ndritohet, as nuk qytetërohet vetëm me gjuhën amtare, por edhe me gjuhët e huaja. E kësisoj edhe me frengjishten”. Andaj, për në fund citoj thënien e Hajdegerit, se “gjuhët janë çështje tejet serioze për botën e djeshme, sotshme dhe të ardhshme, saqë nuk mundet të ja u lëmë ato vetëm gjuhëtarëve”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx