Mendime
Lebit Murtishi: Bastardimi i gjuhës shqipe!
E shtune, 30.04.2011, 07:24 PM
Bastardimi i gjuhës shqipe!
(Teksa hesht racionalja, është ofensive irracionalja)
Sindromi-tranzicion, ose kalimi i natyrshëm (jo i përzgjatur pafundësisht) nga një sistem i perënduar drejtë një sistemi vlerash të reja, i përcjellë me anarkizëm të „produksionit“ puro-shqiptar, si e përshkoi çdo cep e anë të shqiptarizmës, edhe në fushën e gjuhësisë gjeti një hapësirë komode për të mbjellë lehtësisht (e djallëzisht) mikrobe krahinarizmash të „produksionit“ anadollak!
Këto tendenca anakronike, por në esencë shumë serioze, pa hasur asnjë pengesë (përjashto debate të thata të pa obligueshme), po e shtrijnë pushtetin e vet kudo që gjejnë një derë të hapur. Që do të thotë: ekspansioni dialektor karshi standarsit të gjuhës shqipe, në të gjitha fushat e jetës, po bëhet më i „pabindur“, po bëhet më agresiv.
Ndërkaq, institucioni përkatës –shkenca e gjuhësisë dhe kuadri i saj meritor „këtej e andej kufirit“, u gjend i papregatitur përballë proceseve të kohës, prandaj mori grushtin e „beftë“, por, natyrisht, të merituar.
Teksa hesht racionalja, është ofensive irracionalja, dhe anasjelltas, pafundësisht, gjer në përfundim të kohës.
Nga ky gjykim racional i kohëve shumë më të hershme, kuptohet racionalisht ofensiva dhe suksesi i njerëzve inferior dhe me aftësi të cekëta, karshi kuadrit akademik „këntej e andej kufirit“.
Përparësitë dhe mangësitë e këtij marshi djallëzor
Mjaftojnë shtëpitë mediale „këntej e andej kufirit“, që përmes valëve satelitore arrijnë të futen në çdo familje, në të katër anët e botës, dhe të përhapin djallëzisht këto viruse krahinarizmash.
Të shumta janë emisionet, „debatet“ e „shou-programet“, gjer tek vargu i serialeve me nivele analfabetike, ku marrin pjesë në mënyrë serike „ideator“ „të kosovarizmit“ dhe gjuhëtarë „të kosovarishtes“.
Dhe sipas rendit e traditës, prin mediumi më i fuqishëm, RTK (radio televizioni i Kosovës). Në ekranet e tij, që i paguan djersa e popullit, gjejnë vend të shfaqin turinjtë „intelektuale“ e „prijës lagjesh“, që kushedi ku e kanë bishtin.
Por, falë Zotit, kjo dukuri, ky marsh i marrë e i pakohë ka një pengesë që s`e „shkel“ dot! Është faktori-injorancë që nuk i le të shkojnë më tej. Falë Zotit edhe një herë!
Shqipëria…
Ndryshe nga pjesët e saj të ndara, shteti amë, Shqipëria, duke lejuar pa kriter vërshimin e barbarizmave në ujërat e çiltëra të shqipes sonë, është bërë krah i poshtërimit dhe i devalvimit të kësaj vlere gjithëkombëtare, që është dhe mbetet njëra ndër fijet dhe nga dëshmitë që na bashkon.
Janë neveritës, fyes e poshtërues zhargonet e pakuptueshëm që na vërshojnë nga ajo „anë“.
Ç`tu thuhet njerëzve të „kulturës“, ç`tu thuhet njerëzve që e „ushqejnë“ gjuhën, njerëzve që e pasurojnë gjuhën! Si mund të thirren në Naimin e në At Gjergj Fishtën këta mjeranë të „modernizmit“!
Duket që koha më nuk pret, duket që është i domosdoshëm një akt ligjor „gjithëkombëtar“, një akt i „rëndë“ historik, që obligon të gjitha kohët të respektojnë gjuhën tonë, të respektojnë gjakun tonë, të respektojnë shpirtin tonë…
28.04.2011
Lebit Murtishi
Bern