Mendime
Shefik Shkodra: Sherri si nga i vogli si nga i madhi
E merkure, 27.04.2011, 07:59 PM
SHERRI SI NGA I VOGLI SI NGA I MADHI
Nga SHEFIK SHKODRA
Në kohën kur teknologjia e sotme ka përparuar aq shumë, sa që për një epokë prej 40 – 50 vitesh më parë do të ishte vetëm një fantazi. Diçka veç imagjinatë e përsiatje në mend, pa pasur guximin ta shpallësh realitet pos si ndonjë përrallë të bukur. Bie fjala, atje në viset rurale, letra mund të vonohej me javë për të marrë një përgjigje nga një vend evropian, e tash për dy-tre sekonda mund të trokitsh në cilëndo anë të botës dhe të merresh vesh për dy-tre minuta, me një kuti xhepi kudo që gjendesh. Rrugën prej 13-14 orësh dikur, me mjete si treni e automobili, etj. sot mund ta bësh për më pak se 1 orë e 40 minuta, etj. Mirëpo, na del edhe e kundërta, shëndeti i njerëzve tash na duket i dobët si në kohërat e shkuara. Sikur edhe shumë çorodi të pikatura të njerëzimit anë e mbanë këtij rruzulli. Kjo gjendje më së e dukshme del te shoqëritë në zhvillim. Dinamizmi ka kaluar në qenien njeri. Punë e shpejt, e pastër, e saktë. Jetë e mirë, por edhe e shkurtër. Mendjehollësi e aftësi, por edhe egoizëm, keqpërdorim, zvetënim, lajkatim e madje edhe tradhti.
Për mos me quajt me emrin e vet
Është interesant të përmendim se, në bashkëkohësinë tonë s’ka më figura imagjinare të besëtytnive që frikësojnë njeriun, që kanë mbetur gojë pas goje – trashëgimi popullore. Edhe ato personazhe të frikshme për vetë njeriun, do të thotë, të rrezikshme e dëmtuese kanë hyrë në njeriun. Qoftë për kah dija informimi dhe bamirësia (kush qëllon vepron me dashuri), qoftë edhe për kah zilia dhe urrejtja. Gjithnjë përkrah të mirës ka e ekzistuar edhe e keqja. Por, të tilla si sot nuk kanë mundur të shënohen në të kaluarën deri në këtë masë që s’ta merr mendja. Literatura nga shekujt XIV, XV, XVI e tutje përmban shumë ngjarje të ndryshme, në lloj-lloj hollësish për të Keqen. E keqja në atë kohë mori emër të përvetshëm. Edhe atëherë sëmundjet shfarosëse në njerëzim, më në fund, shfaqeshin si figura të llahtarshme me shëmbëllesë të një qenie monstruoze. Më në fund, monstrum emërtohej edhe ndonjë njeri. Qoftë si lugat apo si ndonjë përbindësh me emër tjetër.
Tash, të gjitha ato personazhe me përmbajtje të keqe, kanë mbetur figura stilistike, krahasuese, metaforike, personifikuese, alegorike, etj. Kaherë edhe janë krijuar tregime e anekdota të shumta në popull si te të gjithë popujt tjerë. Një prej atyre figurave të Keqes më të madhe përmendet edhe djalli (dreqi, demoni, satana), por te ne përmendet më së shpeshti, shejtan. Thuhet se ky shejtani nuk ishte pajtuar me rregullat dhe urdhrat e Zoti që nga krijimi i njeriut të parë. Andaj, ai bëhet gjithnjë si “opozitë” kundër të Mirës. Tradhtitë, intrigat, grackat e pahetueshme të tij në njerëzim, thuhet, janë të shumta dhe të mëdha. Prej shtytjeve në grindje të miqve, të grua e burrit, të prindit e fëmijës, e deri te ndezja e zjarrit të përgjithshëm, në luftëra të armatosura edhe kur nuk do të duhej. Por, për këtë rast, po përmendim një anekdotë të shkurtër, për të parë vërtet se sa të ngjashëm ka edhe njerëz të sotëm në veprimet e tyre përballë të mirës, përballë asaj që quhet njerëzore dhe e pranueshme. Përballë asaj që mund të meremetohet diç e të shpëtohet.
Sherri i më të vegjëlve deri te më i madhi dhe anasjelltas
Thuhet, në mëngjes a në mbrëmje, kushedi kur, veç kur kanë takimin në mes veti, ai i madhi u thotë të vegjëlve: – Ju që nuk mund të bëni punë të mëdha shpërndajuni në masë. Veproni të gjithë me mundësitë e juaja, por mos leni pa bërë diçka të keqe! Njëri prej atyre të vegjëlve e pyeti atë supremin: – Po nëse njerëzia janë të qetë e në punë të veta, e ata nuk mund t’i tradhtojmë, çka mund të bëjmë ne? udhëheqësi i tyre iu drejtua: – nëse asgjë nuk mund të provoni për të keqen, atëherë, merrni dhe u futni nga guralec në opinga. S’e kanë qare pa u ndal e me u zbath në çfarëdo kohe e në çfarëdo pozite qofshin, kaq! Shthurjet janë më të lehta se thurjet. Porositë janë hapur, herë nga i vogli, pa pyet askënd e herë nga i madhi s’dihet(?). Por kjo s’qon fort peshë...
Një tjetër shejtan i vogël iu kish pas lutur njëherë një grupi njerëzish që ta merrnin edhe atë një dasmë. Këta i thonë jo se ti e prish dasmën dhe ne i kemi përjashtuar të gjithë shejtanët të vijnë në dasmat tona. Mund t’i shtiesh njerëzit të vriten në mes veti. Mund të bësh diçka pa marrë parasysh të mbrapshtë. Mirëpo, ai u betohet se nuk ka për të lëvizur prej vendit dhe as për të prek asgjë. Kështu, grupi i dasmorëve pas shumë lutjeve që u bëri shejtani vendosën ta marrin edhe atë në dasmë, natyrisht, duke pas besuar se ai nuk do të lëvizë prej vendi dhe nuk do të shkaktojë ndonjë mosmarrëveshje në aheng. Sipas traditës, dasmorët kishin sjellë bakshishet secili sipas mundësisë. Të gjitha ato dhurata të ndryshme i kishin vendosur në një vend. Në mesin e tyre, njëri prej dasmorëve kishte sjellë edhe një pasqyrë. Përballë pasqyrës ishte lidhur në një kunj edhe një dash dhuratë. Dashi herë pas herë ngritke kokën në atë anë, e shihte një dash tjetër dhe merrte hov sikur donte ta përlante me brirët e vet. Mirëpo, sa i dukej e lehtë puna dhe kërcente, i lidhur me kërpesh për kunjin kthehej në vend. Disa herë e përsëriti këtë ushtrim dashi i shkretë pa sukses. Shejtani që po e shikonte këtë farë ngjarje, nuk mundi më të duronte dhe nuk deshi as të përfill më atë që u kishte thënë dasmorëve, u nis lehtë pahetueshëm kah dashi. Gazi e kënaqësia ishte që tash do ta shoh një farë skene teatrale. Pra, teatër shejtani! Të gjithë ishin të preokupuar me rrjedhat e ahengut të mbrëmjes dhe askujt nuk i shkonte ndërmend se, ka një të padukshëm që dëshiron ta çoj qejfin e vet në mënyrë të veçantë. Shejtani lëkundi kunjin me kujdes e pa vërejtur kush dhe kur dashi mori hov me lehtësi doli kunji nga vendi, me lehtësi u gjuajt te dashi tjetër me brirët e tij. U përplas për te dhe pasqyra u bë copë e grimë, por dash tjetër s’kishte aty. Dasmorët e panë se ishte bërë dëm me thyerjen e pasqyrës nga dashi dhe menduan se, këtë e kishte ndihmuar vetë shejtani: – Veç ti e ke bërë këtë zarar! i thanë krushqit. Ky u përgjigj me: - Jo! Unë Jo! Këta po, ky jo, megjithatë, shejtani më në fund e pranoi disi: – Veç pak, tha, e kam lëkund kunjin.
Tash te njerëzit nuk po dihet, apo nuk po dëshirojmë ta themi se ky, ai apo ajo e bëri këtë e atë dëm. Sepse, dikush është për disa intriga në mese tona, për dëme të tjerëve dhe gracka, por duke lënë fajin te dikush tjetër. Ndoshta, sërish te shejtanit i imagjinuar?!