Mendime
Xhevat Bislimi: Të pagjetur e të zhdukur apo viktima të gjenocidit dhe holokaustit serb
E diele, 01.05.2011, 06:58 PM
Të pagjetur e të zhdukur apo viktima të gjenocidit dhe holokaustit serb
Harresa nuk e ndihmon “pajtimin”, mirëkuptimin dhe paqen
Nga Xhevat Bislimi
“Të pagjetur”, “të zhdukur”, “të humbur”… mbushen faqet e gazetave, emisionet e radiove, të televizioneve dhe fjalimet e politikanëve!! Kush? Ku? Kur? Si? Pse? Këto janë disa nga pyetjet që i vijnë në mendje secilit shqiptar sapo dëgjon apo lexon këto “shprehje” të papërkufizuara mirë, këto nocione të gjera, të mjegullta… Nuk u gjetën, u zhdukën, humbën!? Çështja është: Si humbën? Si u zhdukën? Kur u zhdukën? Ku u zhdukën? Kush i zhduku? Pse nuk po gjenden (nuk janë pak, janë afër dy mijë)? Si i zhduku? Pse i zhduku? Kush po i fsheh? U zhdukën vetë, e humbën rrugën në pyll, u mbytën në det, në humnerë, ishin viktima të ndonjë termeti, vullkani apo i zhduku, i vrau, i masakroi arma, bajoneta dhe zjarri serb? Vetëm zemrat e atyre që janë pjesë e këtyre tragjedive të tmerrshme, viktima të gjenocidit dhe holokaustit serb e dinë përgjigjen, kuptimin dhe domethënien e saktë të këtyre termave, që i ka shpikur politika e "harresës"! Për të tjerët, veçmas për politikanët, gazetarët, UNMIK-EULEX-in dhe "shoqërinë civile" janë vetëm fjalë fluturake! “Të pagjetur”, “të zhdukur” dhe “të humbur” janë fjalë si shumica e fjalëve që përdorin gjatë ditës, javës, muajit dhe vitit!! Përjashtim për ta bëjnë fjalët “zgjedhje”, “mandat”, “karrike”, “tender”, “para” dhe nja dy-tri fjalë tjera me kuptimin e qejfit dhe zbavitjes. Për politikanët tanë, për shumë shoqata “joqeveritare” dhe shumë gazetarë e intelektualë nuk janë pa ngarkesë të veçantë emocionale edhe fjalët “UNMIK”, «EULEX»,“OSBE”, Bruksel, Nju-Jork, “Atisar”, “ndërkombëtarë” (ambasada të huaja)…
Ndërsa nocionet “të pagjetur”, “të zhdukur”… për shumicën e tyre nuk kanë asnjë ngarkesë emocionale dhe asnjë ndjesi shpirtërore. Ato, sidomos për politikanët, nuk asociojnë terrorin, vrasjen masive, gjenocidin ose holokaustin serb në Kosovë. Kjo është edhe arsyeja e shpikjes së kësaj “terminologjie”, shpikjes së këtyre “eufemizmave” që qëllim të fundit kanë “mbjelljen” e harresës kolektive, ripajtimin dhe nënshtrimin ndaj popullit dhe shtetit që ka kryer gjenocid (jo vetëm në fundin e shek. XX) dhe holokaust në Kosovë dhe në krahinat tjera shqiptare të pushtuara.
E pranoj që nuk është e lehtë të ngrihen dhe trajtohen këto çështje që në vehte ngërthejnë tragjedinë, tmerrin, gjakun, dhembjen dhe lotët e familjeve që edhe pas dymbëdhjetë vjetësh nuk po i gjejnë as eshtrat e më të dashurve të tyre, për të cilët familjet nuk dinë se si kanë përfunduar dhe si janë trajtuar nga duart e fashistëve serbë. Nuk është e lehtë edhe për faktin se këto familje i mbanë shpresa se të afërmit e tyre, njerëzit e zemrës dhe të gjakut, mund të jenë diku të gjallë… Mirëpo, edhe nëse është kështu, edhe nëse mund të ketë ndonjë të gjallë në bodrumet a kampet e supozuara të Serbisë, edhe ata janë viktima të gjenocidit serb. Tashmë dihet, për këtë ka dëshmuar edhe Natasha Kandiç dhe ndonjë gazetar humanitar serb (ka edhe dëshmi të tjera të pakundërshtueshme), se një pjesë e kufomave të shqiptarëve të vrarë dhe të masakruar janë djegur në furra të shkritoreve dhe uzinave serbe. Kjo “veprimtari” dhe përpjekje e organizuar dhe e planifikuar shtetërore fashiste për shfarosjen e shqiptarëve dhe djegien edhe të kufomave quhet HOLOKAUST.
Planifikimin e dhunës, terrorit, vrasjes dhe dëbimit masiv të shqiptarëve me qëllim të shfarosjes dhe dëbimit të tyre, si dhe djegien e kufomave të shqiptarëve të vrarë, unë, edhe në Kuvendin e Kosovës (kur është biseduar për “të pagjeturit”, “të zhdukurit” ose “të humburit”), e kam quajtur gjenocid dhe holokaust. Kishte deputet “shqiptarë” që kthenin kokën dhe më shikonin me sytë që thoshin: “Je në vete”? Edhe kur është debatuar për ditën e “të pagjeturëve” në Kosovë kam propozuar që kjo DITË të quhet “dita e viktimave të gjenocidit dhe holokaustit serb”. Mirëpo, mjerisht, shumica absolute e deputetëve votuan që të HARROHET gjenocidi dhe holokausti serb, dhe e quajtën si “dita e të pagjeturëve”. Kjo ishte vrasje e re, tashmë shpirtërore dhe politike. E pyesja veten: Si ka mundësi të “harrohet” kaq shpejt? Mirëpo, sapo filluan bisedimet me Serbinë (po vazhdojnë edhe sot) menjëherë e kuptova arsyen e kësaj “harrese”!!
Armenianët nuk e harruan gjenocidin turk edhe pas gati një shekulli. Se Turqia ka bërë gjenocid ndaj armenëve e pranoi më në fund edhe Franca zyrtare dhe shumë shtete të tjera në botë. A do ta “vërtetonte” dhe a do të kujtohej Franca dhe bota për këtë gjenocid sikur ta harronin atë vetë armenianët? Sigurisht që jo. Kryeministri izraelit, pesëdhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ia tha Kryetarit gjerman në sy: “Populli izraelit edhe njëmijë vjet nuk do ta harrojë atë që i ka bërë (gjenocidin dhe holokaustin- shën. im) populli gjerman”.Siç po e shihni, nuk i tha atë që i ka bërë Hitleri apo regjimi fashist, por “populli gjerman”.
Sigurisht që edhe unë jam për mirëkuptim, paqe dhe fqinjësi të mirë. Nuk them që na e bënë dhe o burra t’ua bëjmë edhe ne, ose të jetojmë me ndjenjën e hakmarrjes dhe urrejtjes patologjike. Por, duhet ta kemi të qartë, ta kuptojmë të gjithë se kjo mënyrë e të “falurit” dhe e “harresës” nuk i shërben as mirëkuptimit, as paqesë dhe as “ripajtimit”. Serbia shoviniste, si në kohën e Milosheviçit dhe paraardhësve të tjerë fashistë, po kërkon, në njëfarë mënyre të jetë e pranishme (hise) në Kosovë me anë të "decentralizimit" (copëtimit të brendshëm të Kosovës), po na akuzon neve për «krime» dhe «gjenocid» ndaj pakicës serbe, po uzurpon dhe përvetëson trashëgiminë kulturore, po mbanë të pushtuar Kosovën Lindore dhe po e spastron nga popullsia autoktone shqiptare, po kërkon "sherr"…
Sa herë kemi harruar e kemi pësuar
"Sa herë kemi “falur” dhe, sidomos, sa herë kemi “harruar”, kështu si tash, historia (gjenocidi dhe holokausti) na është përsëritur… Ai që harron e pëson! Rikujtojeni gjenocidin, shkatërrimin dhe përvetësimin e trashëgimisë sonë kulturore e historike gjatë mesjetës (veçmas gjatë sundimit të “carëve” serbë), ndjekjet, spastrimin dhe gjenocidin serb gjatë viteve 1876-1878 e më vonë, kujtoni vitet 1912-1913, vitet e sundimit, shtypjes, dëbimit dhe kolonizimit (“reforma agrare”) gjatë “kralevinës”, masakrat dhe gjenocidin e forcave të Titos menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore dhe vitet e deportimit të shqiptarëve në Turqi. Shfletoni, ata që nuk i kanë shfletuar, planet e Garashaninit, Pashiçit, Çubriloviçit dhe të Tito-Rankoviçit (Serbisë) për shfarosjen e shqiptarëve dhe spastrimin e tokave të tyre me presion, dhunë, vrasje, djegie të shtëpive dhe dëbim deri në Anadoll dhe vende të tjera të botës. Ndërsa ne nuk kemi PLAN për ruajtjen e jetës dhe qeniesë sonë, për ribashkimin e Shqipërisë. Plani më i “dashur” për politikanët e Prishtinës dhe për vetë Tiranën zyrtare u bë plani i Atisarit!!! Serbisë dhe shteteve tjera shoviniste duam t’u rrimë përballë me minaret e xhamive (sidomos) dhe me këmbanat e kishave!!! I lus ata që kanë harruar ta sjellin në mendje periudhën e “harresës” dhe kohën e artë të “bashkim–vëllazërimit” gjatë viteve 1968-1981!! Mos e harroni edhe kohën e “harresës së madhe” gjatë viteve “rugoviane” 1990-1997!! Po e quaj “harresë të madhe”, sepse ajo u pagua tepër shtrenjtë nga populli ynë…
Po druaj, se edhe tash në Kosovë ka nisur një lëvizje e re e “harresës”, e përfaqësuar nga «shoqëria civile» (kolaboracionistët e djeshëm dhe të sotëm), e mbështetur nga politika “kosovare” dhe e financuar dhe drejtuar (me fije herë të dukshme, herë të padukshme) nga qarqe dhe vende shoviniste dhe kundërshqiptare. “Infuzion” i përditshëm dhe i domosdoshëm i kësaj “harrese” është bërë (me ndonjë përjashtim) edhe media e shkruar dhe elektronike në Kosovë, e qe besa edhe në Tiranë!!
“Ripajtimi”, mirëkuptimi, bashkëpunimi, fqinjësia dhe “harresa” e qëndrueshme do të bëheshin sikur ne, 27 prillin ta quanim “ditë të gjenocidit dhe holokaustit serb në Kosovë”, sikur “Lëndinën e pikëllimit” në Meje ta quanim “Lëndina e gjenocidit serb”, sikur Serbia ta njihte dhe pranonte botërisht këtë gjenocid dhe holokaust dhe të gjitha detyrimet që dalin nga kjo njohje dhe ky pranim, sikur Serbia ta njihte dhe respektonte plotësisht dhe pa asnjë kusht të drejtën e Kosovës së sotme dhe të Kosovës Lindore (Preshevë, Medvexhë dhe Bujanoc) për shkëputje dhe pavarësim të plotë prej saj.
Po kush do të duhej t’i mendonte dhe arrinte këto? Sigurish që politika dhe institucionet e drejtuara prej saj. Roli i politikës dhe i politikanëve nuk është vetëm të shkojnë dhe të vajtojnë në “Lëndinën e pikëllimit”, të shkojnë vetëm t’i ngushllojnë me fjalë të zgjedhura familjet e viktimave të gjenocidit dhe holokaustit serb, të dalin në tubime dhe manifestime dhe t’i “mburrin” dëshmorët dhe heronjtë e kombit dhe bëmat e tyre (më shumë po mburren se ishin shokët dhe bashkëluftëtarët e tyre)…
Politika ka për detyrë në radhë të parë të mbrojë dhe garantojë tërësinë tokësore të vendit, të mbrojë dhe garantojë lirinë e popullit që e qeverisë, në situatën tonë, ta përgatis shpirtërisht dhe politikisht, ta aftësoj dhe mobilizojë popullin për t’i dalë zot jetës dhe lirisë së tij. Historia (tragjedia e Ruandës, e Bosnjës dhe e vendeve dhe popujve të tjerë) na ka mësuar se jeta dhe liria nuk mund t’i besohen OKB-së, EULEX-it… Ato duhet të mbrohen vetë. Filozofia dhe politika e dorëzimit të jetës dhe lirisë, qoftë edhe në duart e miqëve më të mirë, herët a vonë (në botën që jetojmë), mjerisht, përfundon me luftëra, shkatërrime dhe gjenocid të ri. Dështimi i politikës zakonisht shpie në konflikt dhe luftë. Kësaj here (në fund të shek. XX) të gjitha rrethanat ishin në anën tonë. Po nuk na doli mirë, dhe, sipas të gjitha të dhënave, nuk do të na dalë, haram dhe jazëk politikës dhe politikëbërsve shqiptarë në Tiranë (sidomos), Prishtinë dhe Shkup! Hallall atyre shqiptarëve që nuk po pushojnë dhe nuk do të pushojnë deri në finalizimin e dëshirës dhe përpjekjeve shekullore të popullit më të vjetër në Evropë, deri sa të bashkohet populli shqiptar në një shtet, në një Shqipëri! Kjo është zgjidhja civilizuese, humane, politike dhe evropiane e domosdoshme dhe në interes të popujve të Ballkanit dhe Evropës.