E shtune, 27.04.2024, 05:19 PM (GMT+1)

Mendime

Selim Hasanaj: Për babën tim, Mustafën, bujkun e vorfën që mendonte vetëm shqiptarisht dhe kultivonte ide përendimore dhe për vendlindjen time Lubozhdën

E shtune, 07.05.2011, 08:00 PM


 

Për babën tim, Mustafën, bujkun e vorfën që mendonte vetëm shqiptarisht dhe kultivonte ide përendimore dhe për vendlindjen time Lubozhdën

 

Nga Selim Mustafë HASANAJ

Redaktor, Revista Drini

 

Fshati Lubozhdë asht një fshat i bukur, që shtrihet rranxë Bjeshkëve të Thata, dhe i përket zonës së Podgurit, e Dukagjinit. Ai ka histori të lashtë që nga kohnat parahistorike. Që aty kishte vendbanim që nga lashtësita, dëshmojnë gjetjet arkeologjike në kodrën e Gradinës, ku janë gjetë tumule dhe varre, si dhe rrenojat apo themelet e një kështjelle. Dëshmi e lashtësisë së tij asht edhe KRONI , burimi i ujit rreth të cilit asht ndërtue jeta e njerëzve dhe gjithçkaje të gjallë aty. Ky krue nxjerr ujin e ftoftë nga zemra e një shkambi, që gjendet në oborrin e një Kishe poashtu parahistorike.

Toka pjellore e fshatit, e ujitun me ujin langbore të Kronit Të Kishës, gjithmonë ka dhanë bereqet të bollshëm për banorët.  Ajri i pastër, që vjen me aromën e çetinave dhe ahishtave nga majat ma të nalta të bjeshkëve,  sidhe bereqeti i kultivuem në arat e plleshme, ka ba që burrat e fshatit të jenë shtatgjatë, të pashëm dhe me trup kreshniku.

Një nga këta burra ishte edhe Mustafë Hajdini.

Babai im, Mustafa,ka lind në vjeshtën e vitit 1921. Ishte djalë i kaçakut Hajdin Mustafa dhe nip i luftëtarit të famëshëm nga Jabllanica e Madhe, Mustafë Hasanit. Valiu i Pejës, Asllan Pasha, ishte i njohun për zullumet që u bante shqiptarëve të katundeve të Dukagjinit, prandaj kundër hordhive të këtij mizori turko-osman, dolën shumë patriotë shqiptarë si nga fshati Isniq :Tahir Dervishi, bajraktari i Vranocit me shumë burra të Lugut të Baranit, ndërsa Mustafë Hasani i Jabllanicës së Madhe u ba tmerri i Asllan Pashës. Për sa ishte gjalle, Mustafa Hasani nuk i la përfaqesuesit e shtetit osman nga Peja me ndërtue xhami në Jabllanicë... Për shkak të luftës së tij kundër Asllan Pashës, Mustafë Hasani shperngulë familjen e vet të madhe dhe vendoset në Katundin e Ri të Pejës. Nga aty, shumë vjet mbasi vdiq Mustafë Hasani, djali i tij ma i vogël, Hajdin Mustafa, shpërngulet për në Lubozhdë mbasi kishte rrahë për vdekje disa kolonë malazezë të fshatit Katund i Ri. Hajdini ishte i martuem me Hylë Çetina nga katundi Llaz i Rozhajës. U fali Zoti katër vajza e dy djem. Kur i lind djali i parë mbas katër vajzave, ai vendosi ta pagzonte Mustafë për të ripërtiri emnin e babës së vet trim.

Ishte vjeshta e vitit 1921. Tashma ishte konsolidue dhe shtërngonte rrathët e shtypjes kundër shqiptarëve një pushtues tjeter. Porsa iku përbindshi anadollak, trojet e Arbnit u ripushtuen nga serbosllavët mizorë. Ishte formue e ashtuquejtuna Mbretnia Serbo-Kroato-Sllovene, apo Jugosllavia e parë, sikur u quejt ma vonë.

Hajdin Mustafa nuk pajtohet me pushtuesin dhe del kaçak së bashku me kunatin e tij Bajram Çetinën. Vetem mbas pak atyne u bashkohet edhe trimi i njohun nga Novosella e Radafcit, zamadhi  Zymer Bruçi.

Kjo çetë kaçakësh, që shumë herë rritej me trima të tjerë rugovas, malësorë të Dacaj, Llazit, Buxhovit, Drages, Tutinit dhe të fshatnave të Rranxës, luftonte me të gjitha forcat pushtetin jugosllav. Si rrjedhojë pushteti pushtues kolonial u bani zullume të randa familjeve të kaçakëve. Ajo që e pësoi ma keq qé familja e Hajdin Mustafës. Ai në shtëpi kishte bashkshorten e re e trime me gjashtë fëmijë të vegjël. Vëllaznit dhe familjet e tyne i kishte të shpërndamë gjithandej në Katund të Ri, Novoselë dhe Jabllanicë të Madhe. Një ditë, kolonistët malazezë nga Berana me mbiemnin  Popoviç, pushtojnë pronat e Hajdin Mustafës. Ishte viti 1928. Nga ajo kohë, kurrma kjo familje nuk bani jetë të qetë. Mustafa i vogël, baba im, ishte vetëm shtatë vjeç kur mbi të ra rrufeja e vorfnisë, mbetën dyerëve të  farefisit, pa shtëpi e pa katandi. Nga këto vuejtje i vdesin dy motrat, Dinorja dhe Nora. Si duket shkak për vdekjen e tyne u ba uria. Mbas kësaj fatkeqësie, vojvoda famkeq Miliq Kerrsta, në një sulm për të xanë Hajdinin e për të çnjerëzue bashkshorten e tij, Hylen, të cilën donte ta merrte të gjallë e t’ia dorëzonte bashibozukut amoral Mustafë Januzaj, i cili i kishte dhanë qetë e zgjedhës Miliqit për të nxanë rob Hylen, motra e kapidanit Bajram Çetina dhe nusja e kaçakut Hajdin Mustafa, me pushkën e gjatë ban rezistencë të madhe derisa i vijnë në ndihmë komshijtë serbë Mikaile Ristiqi, i njohun si Mil Koli, i cili deri vonë gjuhë amtare ka pasë Shqipen, dhe bahet luftë e ashpër ku edhe vritet vëllaj i Mil Kolit, Radenko, ndërsa Miliq Kerrsta lë tre xhandarë çetnikë të vramë. Mirëpo, vojvada katil me çetnikët e vet, kishte vra edhe dy vajzat tjera të Hajdin Mustafës, Fatmiren dhe Rroshen, te dyja këto me vade të ndame për t’u martue. Mbeten malësorja Hylë me dy djemët, Mustafën dhe Selimin. Jo shumë kohë mbas tragjedisë së kësaj familje, me porosinë e vojvodes tjetër famekeq, Kosta Peçanac- Simiç, vëllaj i katilit, Bllagoje Simiç, helmon për vdekje Selimin e vogël, 9 vjeç. Kështu, pra, nga një familje me tetë anëtarë, mbrenda pak viteve mbet në dy vetë. Fati i Hajdin Mustafës nuk u dijt ç’u ba deri sa perfundoi Lufta e dytë Botnore, kur ai u shfaq mbas shumë vitesh dhe vdiq ma vonë, në 1952. Hyla, me të birin e vetëm Mustafën, u strehue te vëllaznit e saj Shaban dhe Tahir Çetina. Por për rritjen e të birit pat edhe ndihmën e madhe të vëllazënve Ramush e Ali Osaj, si dhe të Rrustë Sadri Rugovës ( gjyshi i Ibrahim Rugovës, Presidentit Historik të Dardanisë ).

Mustafë Hajdini u rrit me vuejtje. Vdekja nga uria e dy motrave, sidhe vrasja e dy të tjerave, helmimi i vëllajt të vetëm, padyshim që do të linin vragë të pashlyeshme te ky i ri. U rrit pranë burrave të kalitun e të njohun të kësaj ane të Podgurit. Prej tyne mori orientimin e tij patriotik e kombëtar. Porsa filloi qendresa kundër pushtimit nazist, Baba,ende krejt i ri, hyni në radhët e partizanëve dhe kaloi një kalvar të vërtetë nga Istogu, ku vepronin trimat patriotë Sadik Ali dhe Rexhë Murat Blakaj etj,, nëpër Vishegrad, Llovran, Pazin e Rovin të Istres kroate, për të përfundue në anën e kundërt të partizanëve çetniko-komunistë të aleances Tito - Enver Hoxha, kur ai dezërtoi nga Brigada e komandant Mal Sadikut dhe u bashkue me çlirimtarët e Shaban Palluzhës. Pikërisht atë vit, pra më 1945, ai ishte në formacionet që dërgoheshin për t’i masakrue në Tivar, por nga aty e shpëton gjatë rrugës shqiptari i mirë, që kishte pozita komanduese, Haxhi Verbiçi, që e ndihmon të arratiset dhe Mustafë Hajdini shpëton. (Shih edhe: Selim Hasanaj "NENGURRA  E ISTOGUT" , faqe 140.)

Po atë vit, si merr vesht se ishin arrestue shumë burra të fshatit,  e në mes tyne edhe daja i tij Ramush Çetina, të cilin e donte shumë dhe e kishte idhull, shkon për ta kërkue në burgun famkeq KULLA E POPIT  në Istog, dhe aty mëson se Ramushin me shumë të tjerë i kishin dërgue në  burgun tjeter famkeq KULLA E SHEREMETIT në Pejë. Shkon atje për të mësue fatin e dajës dhe e arrestojnë edhe atë. Mbas dënimit dhe egzekutimit të martirëve kombtarë Marie Shllaku dhe grupit të saj, në Kullen e Sheremetit, me qellim për t’i masakrue, policia serbosllave hap dyert e burgut, dhe kur të burgosunit vërshojnë për të dalë, ata i presin me breshni automatikësh. Vriten pothuej të gjithë. Mustafë Hajdini shpëton i mbuluem nga kufomat e shokëve dhe kur fillojnë gabelet me  mbledhë kufomat për t’i hedhë diku në një gropë, simbas urdhnave të policisë serbe,babai, Mustafa, ngadalë, ngrihet dhe, për fat, pa u vrejtë nga askush, përzihet me masën e civilëve që kishin ardhë për të mësue fatin e familjarëve të vet. Prej aty ikën tue u fshehë në malet mbi Zatra të Pejës.(Shih edhe: Selim Hasanaj "NENGURRA E ISTOGUT" faqe 139).

Mbas masakrës në Drenicë dhe gjithandej nëper trojet shqiptare, që i ripushtoi Jugosllavia e Avnojit të Titos, Mustafë Hajdini ndej maleve si kaçak tue u bashkue herë mbas here trimit legjendë të Podgurit, Tal Kurteshit. Më 1946, mbasi pushteti sllavokomunist premtoi falje dhe amnesti për "rrebelët" që vetëdorzoheshin, dorëzohet edhe Mustafë Hajdini. Jeton dy vjet së bashku me nanë Hylen, derisa në mars 1948 e arrestojnë përsëri, tue e akuzue pa asnje fakt si stalinist, që në Jugosllavi u thonin INFORMBYROIST, dhe e dergojnë në burgun famkeq në GOLI OTOK. Aty ai takon trimat e Rugovës, Sylë Mehmet Nikçi, Bajram Ramë Muriqi, Arif Reka etj etj. Në këtë burg Babës Mustafë ia mëson shkrim-leximin patrioti Sylë Mehmet Nikçi. Mbas gjithe asaj jete te mundimshe,fatkeqësive personale e familjare, si dhe fatkeqësisë së burgut, të paktën Baba pat fatin që aty të takonte trimat e Rugovës, nga të cilët mesoi, mesoi shumë dhe jo vetem me lexue e shkrue, por u kalit edhe ma shumë me shpirtin patriotik e përparimtar.

Në burg mbet katër vjet. Më vonë e liruen tue e shpallë të pafajshëm! Mirëpo, përkundrazi, kurrë nuk iu ofrue asnjë kompensim për katër vite tmerr që asht çudi si nuk i morën jetën.

Pa shtëpi e katandi e me jetën "në kerr", qysh thuhej, i fortë si guri e me besim e shpresë të pathyeshme, Baba u angazhue për të ba një shtëpi të veten. Në krah, një nga një, për tre katër vjet bajti gurët nga shpati i Gradinës, ndërsa daja Shaban Çetina dhe miqtë e tij, Ali Sadri Osaj dhe Azem Sadri Rugova, i ndërtuen shtëpinë në një pronë katundi, që i thonin UTRINË,dmth.,"tokë e askujt", një shtëpi me dy dhoma gjumi dhe një koridor në mes. Azem Sadri Rugova ndërmjetëson dhe i gjen edhe një vajzën e mikut të tij, burrit dhe trimit të mirënjohun të Podgurit , Mushak Bajram Kukleci nga Prekalla, me të cilen u martue . Vetëm një vit mbas martesës linda unë, fëmija i parë, djalë, dhe ai, për kujtim e mall për vëllajn, më pagzoi Selim. Lindin mandej Ibrahimi, Ajshja, Fatmirja dhe Qazimi. Rranjët e Mustafë Hasanit, që për pak i shuen pushtuesit serbosllav,  u ripërtrinë dhe gjyshe Hyla vdiç pa brenga në vitin 1963, sepse la mbasardhës plot shtëpinë.

Një luftë tjetër e priste Musatafën: lufta si me i rritë dhe me shkollue femijët. Vorfnia e skajshme, një tmerr i vërtetë. Punonte punë krahu, si argat nëpër ara; ishte edhe kositës i madh e verës printe kositësit pothuej në të gjitha livadhet,  jo vetëm të Lubozhdës, por edhe fshatnave përrreth e deri edhe në Rugovë. Me ato pare që fitonte verës e siguronte bukën e gojës për familjen për me e kalue sa ma pa brenga dimnin.

Unë kisha trashëgue shume cilësi të babas, shkathtësi e vendosmëni. Ende pa fillue me shkue në shkollë, nga baba mësova me shkrue e lexue. Nana, Zyhra, në anën tjetër, ma  mesoi tabelën e shumëzimit. E imtë me trup, por  e shkathët, Nana s’e ndalte kurrë punën. I nxitun nga disiplina familjare, kisha një entuziazëm të madh me mësue, kështu që  u bana  i njohun si nxansi ma i mirë i shkollës. Baba e Nana krenoheshin me mue, ndërsa mësuesit më trajtonin mjaft mirë, jo vetem për faktin se mësoja shumë, por edhe për faktin se isha djali i trimit të urtë Mustafë Hajdinit. Si mbarova shkollimin tetvjeçar, u regjistrova, simbas këshillës së Babë Mustafës, në Gjimnazin e Istogut.

 

Ishte viti 1969. Propaganda antishqiptare e serbëve, që praktikohej përmes klerit islam, hoxhallarëve e imamëve të shumtë analfabetë, gjithandej nëper Dardani, edhe në Istog, i ra në qafë Mustafë Hajdinit. Atë e kishin halë në sy, sepse ky burrë aq i rregullt në veshje, mbante plisin e bardhë si bora e bjeshkëve shqiptare, nuk shkonte kurrë në xhami as nuk mbante ramazanin.Thjeshtë, ky njeri, për atë kohë, ishte larg të tjerëve dhe rrethit të vet me shumë vite. Megjithëse përplitej me skamjen, baba jetonte e vepronte simbas traditave ma te mira shqiptare, Shqiptarisht, tue e ruajtë kulturën e trashëgume, ecte me kohën, dhe tue qenë shqiptar i mirë, si shumë burra e familje të Dukagjinit, ishte proevropian dhe kultura e krishtenë i bante përshtypje, mbasi atë, si shumica e popullit, e kishte pjesë të formimit të pashkëputshëm shpirtnor, të ndërgjegjës dhe etikës së trashëgueme shumëshekullore kombëtare. Baba lexonte për aq sa mundte, madje e kishte mësue përmendësh LAHUTEN E MALËCISË të At Gjergj Fishtës, këtë vepër-hymn të  Atdhedashunise. Nuk i duronte prrallat e hoxhallarëve nëpër tubime morti apo në gezime. I kundërshtonte gjithmonë ata. Dhe i kundërshtonte e nuk i pranonte se ai ishte në dijeni për rolin antikombëtar që ata luenin.

Po përshkruej një rast nga dasma e komshisë dhe kushrinit Halil Haziraj, që martonte djalin, Haxhiun. Ishin diku 80-90 krushq ulun kambëkryq në odë dhe në mes saj kangëtarët Bajram Kadria dhe Idriz Buleshkaj. Porsa përfunduen kangën e Kadri Bistricës, fjalën e mori imami i Istogut, Mulla Ragipi. Më kujtohet si si ky hoxhë para të pranishmëve  i qe drejtue Mustafë Hajdinit, babës tim: “O Mustafë, po dëgjoi se e ke  çue djalin në gjimnaz, mos..., se asht  haram, të bahet djali kryqali”. Mbretnoi heshtje për një çast. Shumica pritën se si do të reagonte Mustafa.  Ai, si lëshoi një ofshamë, iu afrue afër hoxhës, ia ngriti sakon dhe nga brezi i nxori revolen që ky imam i shitun dhe spiun i UDB-ës së Serbisë, e mbante në brez... “O hoxhë, o faqja e zezë, po kjo allti në shokë, çka mutin po të duhet?! Djali im, nëse i ndihmon Zoti, do të shkollohet. Dhe le të bahet kryqali!

 

 Unë po frigohem se a do të mundem me e shkollue, sepse nga njerëzit si ti dhe shumica këtu rreth meje, unë vuej tanë jetën dhe mezi u siguroi bukë fëmijve”.

 

Si tha këto fjalë, u ngrit e doli tue lëshue dasmen...

Sot ky burrë i Lubozhdës, që i shkoj jeta në vuejtje e skamje te paperballueshme, i shtypun e i përbuzun nga anmiku dhe veglat e tij, si puna e atij farë hoxhe, ky bujk i vorfën materialisht, por shumë i mençem, trim dhe i pasun në shpirt, i pushon kockat në vorrezat e Lubozhdës, "Te Blini", që nga 27 Janari 1994.

 

Ka mbas vetes 16 mbasardhës.

 

Nuk humbet rranja e Arbnit në trojet dardane, jo, nuk humbet kurrë!

 

Si çdo njeriu të mirë dhe atdhetari, edhe babës tim, Mustafës, i qoftë i lehtë Dheu i Nanës Dardani...

 

Askush nga ata që kanë punue, janë angazhue, e kanë kundërshtue dhe luftue kundër anmikut, siç bani im atë dhe paraardhësit e tij, nuk meritojnë të harrohen dhe nuk do të harrohen. Une do të bajë krejt çka më takon si bir i tij, të mbledh e të hedh në letër të gjitha kujtimet për të, sepse e meriton: ka luftue e vuejtë për ne, ka luftue e asht përpjekë me mish e shpirt për Atdhe...

 

Sarbsorg-Norvegji: 29.03.2011.



(Vota: 27 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora