E diele, 28.04.2024, 08:30 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ramadani: Franca promotore e interesave të saja kombëtare dhe europianizmit

E shtune, 07.05.2011, 07:59 PM


Franca promotore e interesave të saja kombëtare dhe europianizmit

 

Nga Mr. Ardian Ramadani

 

Franca, ky shtet me 60,7 milionë banorë, shtet i kulturës dhe i traditës, i aristokracisë, revolucioneve, ndryshimeve, progresit, padyshim se ka impakte të veçanta në historinë e rrugëtimit evropian, por edhe në atë mondial. Shtet me një politikë dhe diplomaci të fuqishme, me strategji rezultative në marrëdhëniet ndërkombëtare, mbetet  i vetmi shtet në botë që arriti  të imponohet apo të pozicionohet në arenën ndërkombëtare përmes kulturës. Edhe sot e kësaj dite reparticioni apo ndarja e buxhetit në Francë bëhet në atë mënyrë që  vendin prioritar e zë kultura, e cila arriti ta nxjerrë në sipërfaqe këtë shtet në arenën ndërkombëtare. Paraqitja e saj apo tentativa e saj për pozicionim në marrëdhëniet ndërkombëtare kishte filluar shumë më herët, por ajo kulmoi me Paqen e Vestfalisë. Gjithçka për Francën fillon aty. Në rrafshin ndërkombëtar ajo do të reflektojë  përmes kësaj paqe. E aq më shumë në rrafshin evropian. Franca, si asnjë shtet tjetër evropian është shquar dhe dalluar për zgjuarsi dhe vigjilencë. Përkrahëse e politikës proevropiane ajo do të  forcohej dhe pozicionohej gjithnjë e më tepër, falë kokave të mençura, që e drejtuan atë. Ishin pikërisht  Zhan Mone dhe Robert Shuman që paraqitën idenë e tyre proevropianiste me synim pozicionimin e Francës në Evropë dhe vendosjen e saj përsëri në qendër të vëmendjes. Pikërisht, synimi proevropianist i Francës me objektivin konspirativ “La Grande Nation” (Kombi i Madh), ëndërr e Rishëljes, Napoleonit, Robespierit, Dantonit, Marës, De Taleranit e shumë e shumë burrshtetasve të tjerë do të mishërohej me sukses, por kuptohet në formë të integrimit dhe në trajtë të eksponimit panintegrues me shtetin me të cilin kishte qenë çdoherë në mosmarrëveshje, Gjermaninë. Pikërisht më 9 maj 1950, Ministri i famshëm francez i Punëve të Jashtme Robert Shuman, do t`i ofrojë Europës alternativën e bashkimit, unifikimit apo më mirë të themi të integrimit. Thënë troç Shuman do të ishte realizuesi, apo zbatuesi i asaj ëndrre të vjetër  shekullore evropiane për bashkim ose  integrim,  Evropën e Bashkuar, ëndërr kjo e Kalergit, Viktor Hygosë, Dybuasë, Prudonit, Briandit, Monesë. Pra, ishte diplomacia franceze ajo që nxiti Evropën për bashkim dhe lënien anash të ksenofobive raciste, doktrinave famëkeqe shfarosëse. Në prill të vitit 1951 u nënshkrua traktati i Parisit, ku politikat antagoniste do të fundoseshin definitivisht. Dy kombet, tmerrësisht të armiqësuar me njëri tjetrin, do të fillonin intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, fillimisht me integrim ekonomik, përmes krijimit të Komunitetit Europian për Thëngjill dhe Çelik. Pra, ishte politika franceze ajo që nxiti dhe promovoi Evropën e Bashkuar, ide kjo e Zhan Monesë, ish-sekretar i Lidhjes së Kombeve dhe e realizuar nga Robert Shuman, Ministër i Jashtëm francez. Pra, edhe këtu doli në pah sensi institucional francez. Pozicionimi i shkëlqyer i Francës dhe promovimi i politikës proevropianiste do të ishte thelbi i suksesit për lënien e ndasive anash. Mjeshtëria e rrallë e diplomacisë franceze u duk kur  pikërisht Franca i zgjati dorën për pajtim popullit gjerman nga ana e Shumanit drejtuar kancelarit gjerman Konrad Adenauer. Me këtë u dëshmua edhe njëherë se Franca dhe francezët ishin mjeshtër të kalkulimit dhe futuristë brilantë të politikave, si dhe njëkohësisht nismëtarë të shkëlqyer, me prirje jashtëzakonisht institucionale. Politika franceze, e cila mund të  konsiderohet nga shumëkush si dhelprake është mjaft e sofistikuar, por njëkohësisht edhe tejet rezultative. E mbështetur çdoherë në idealet e Deklaratës të së Drejtave të Njeriut që nga koha e Revolucionit Francez, në fuqinë e vjetër koloniale, Franca ka treguar dhe ka pasur çdoherë ndikim në çështjet e ndryshme botërore. Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut më 1948, bazën burimore dhe orientuese e ka nga  Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarëve e promovuar gjatë Revolucionit Borgjez Francez. Pra, shihet se si një deklaratë mjaft e rëndësishme e merr trajtën nga Deklarata Franceze e lansuar shumë kohë më parë. Franca duke kuptuar dhe ruajtur njëkohësisht principet e mëdha republikane të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë (Liberté, Egalité et Fraternité) do të kishte ndikimin e saj tek çdo organizatë tjetër që do  të formohej dhe do të luante njëkohësisht edhe rol parësor në to. Ideja e inicuar nga Mone dhe Shuman ishte rrugë mjaft suksesive dhe rezultative në politikën e jashtme franceze e më konkretisht në Komunitetin Evropian të asaj kohe të cilit i ishin bashkëngjitur përvec Gjermanisë edhe 10 shtete të tjera. Por, funksioni i BE-së së sotme që në atë kohë emërtohej ndryshe u bllokua në shumë raste nga burrshtetasi francez, siç ishte rasti me Charles de Gaulle, edhe atë me arsyetimin për interesa kombëtare. Rasti i njejtë është edhe sot me refuzimin e Turqisë për kyçje në UE. Por, sidoqoftë, Franca me politikën e saj u shpall si triumfaliste, sepse me zgjatjen e dorës për pajtim Gjermanisë së Adenauerit do të bëhej boshti i interesave komplekse evropiane. E promovuar njëkohësisht si nismëtare e proevropianizmit, ajo do të përqasej gjatë periudhës goliste ndaj një politike antiamerikane dhe antiangleze. Luajtja e politikës bivektorëshe franceze në konfiguracionin e Evropës së athershme do të pengonte shumë Britaninë e Madhe të inkorporohej në familjen e vjetër evropiane. De Gol përmes thënies perfide “Le chef c`est moi” duke e luajtur me një mjeshtëri të rrallë lojën përmes karriges boshe e njohur kjo në fjalorin evropian, që simbolizonte karrigen boshe të Britanisë së Madhe për në UE, do ta radhiste Francën në grupin e shteteve vendimtare për fatet e mëdha, sepse të bllokohej Britania në atë kohë ishte me të vërtetë diçka e madhe, kur dihet se impakti amerikan dhe britanez ishte tejet i theksuar në Europë. De Gol e dinte shumë mirë që me hyrjen  e Britanisë së Madhe në Komunitetin e Bashkuar Evropian, roli i Francës do të zvenitej tej mase, dhe se reparticioni apo ndarja e përgjegjësive me Britaninë nuk i shkonte për shtati Francës. Ajo kërkonte të luante ende rolin dominues. Dhe e luajti me sukses. Mund të themi se Franca ka pasur ndikim të madh dhe impakte të veçanta në marrëdhëniet evropiane dhe ndërkombëtare duke qenë çdoherë në fokus, si dhe është konsoliduar me sukses përmes pozicionimeve të saja proevropianiste. Konstruksioni evropian gjatë asaj kohe sillej ende rreth politikës së jashtme franceze, që prej  fillimit e gjer më 1973. Mirëpo, konstruksioni evropian nuk do të ngelej  i tillë. Ai do të ndryshojë më 1973 kur në familjen evropiane do të pranohej Britania e Madhe, Irlanda, Danimarka. Dhe pse mos ta themi, një gjë e tillë  u bë e mundur vetëm  kur Franca e pranoi këtë hap. Sepse deri në atë kohë vetoja e gjeneralit de Gol nuk i kishte lejuar akses tre shteteve të lartëpërmendura. Stili autoritar golist pretendonte si çdoherë vazhdim të ëndrrës së vjetër franceze të Napoleonit me Francën në qendër të Evropës përmes devizës “Honneur et patrie, voici la France” (Nder dhe atdhe, kjo është Franca). Gjatë epokës goliane Franca pengonte ndikimin anglez dhe në këtë mënyrë edhe atë amerikan në Komunitetin Evropian për disa arsye, por ajo që mund të hetohet lehtë është arsyeja që De Gol i jep presidentit amerikan Nikson gjatë takimit të tyre tête-à-tête kur i thotë se “nuk jam një antiamerikan, por një profrancez, ndaj shfrytëzoj të drejtën time për të kontestuar, sepse nëse nuk kontestoj unë nuk jam aleat por protektorat.”

Gjithë këtë elaborat e bëra me një qëllim të vetëm: Për interesat kombëtare duhet të kontestohen shpesh herë edhe interesat që në aparencë mund të duken ndërkombëtare.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora