E diele, 28.04.2024, 01:15 PM (GMT+1)

Mendime

Ilir Kalemaj: Pensionet dhe domosdoshmëria e reformës

E diele, 10.04.2011, 07:54 PM


Pensionet dhe domosdoshmëria e reformës

 

Nga Ilir Kalemaj

ilirkalemaj@gmail.com

               

Reforma e sigurimeve shoqërore, apo e pensioneve siç njihet rëndom, është kthyer në një nga faktorët kryesorë që shenjon fatin e ekonomisë së një vendi, qoftë ky i zhvilluar apo në zhvillim. Për shumë vende është një bumerang i trashëguar nga principet humane të solidaritetit social, frymëzuar nga Prusia e Bismarkut por problematike në një botë që ka ndryshuar drastikisht këto dy shekujt e fundit dhe që thuajse dyfishohet çdo shekull, ndërkohë që edhe jetëgjatësia njeh ritme të përafërta. Shumica e vendeve kanë një problem të vërtetë me përballimin e kostove sociale dhe politike që shoqëron një nga sektorët më jetikë dhe që prek direkt jetën e njerëzve, përsa i përket planifikimit të përgjithshëm dhe progresit shoqëror. Por si paraqitet situata në vende të ndryshme? Cilat mund të jenë rrugëzgjidhjet? Dhe ku gjendet Shqipëria në këtë kaledoiskop?       

Në SHBA për shembull, afrimi i moshës së pensionit për ‘baby boomers’, brezit të pasluftës së dytë botërore që ishte më fertili përsa i përket lindjeve, është konsideruar jo rrallëherë si një ‘bombë me sahat’ që kërkon një trajtim afatgjatë dhe vizionar nga ana e klasës politike atje. Jo vetëm një pjesë e madhe e popullsisë do dalë menjëherë në pension, duke shtuar barrën fiskale mbi popullsinë aktive, por edhe jetëgjatësia është rritur ndjeshëm, çka e komplikon akoma më shumë problemin. Siç përmend Alan Greenspan, në librin e tij ‘Epoka e Trazirave’ “në vitin 1950, një 65-vjeçar amerikan mund të shpresonte të jetonte mesatarisht deri në moshën 78 vjeç, kurse sot mund të shpresojë të jetojë deri në 82 vjeç.” Nëse vazhdohet me këtë ritëm, ai parashikon se në jetëgjatësia mesatare e burrave deri në 2030-ën shkon te 83 vjeç, ndërsa e grave deri në 84 vjeç. Greenspan me të drejtë thekson se që të përballohet me sukses ky problem madhor dhe i ndjeshëm në vitet që vijnë dy janë rrugët: ose rritja e tatimit mbi pagën, ose ulje e menjëhershme e kompensimeve deri në masë 13%, ose të dyja. Vend për demagogji ka pak dhe realiteti nuk është aspak rozë edhe për ekonominë më të madhe të botës.

Marrë në vija të përgjithshme, Kombet e Bashkuara parashikojnë që pjesa e popullsisë që jeton sot në vendet e zhvilluara do të bjerë në 15.2% në vitin 2030 nga 18.3 përqind që është sot. Ndërsa, përqindja e njerëzve 65 vjeç e lart do të jetë shumë më tepër se 23% e popullsisë me moshë madhore, krahasuar me 16% që është sot. Në vende si Kina, për shkak të politikave të caktuara (si psh ‘një fëmijë për familje’) kjo shifër është shumë më e lartë.

Ndërkohë, vendet e OEÇD-së e kishin mesataren 63 vjeç në vitin 2010, ndërkohë që vende të caktuara e kanë mjaft më lartë, si fjala bie SHBA-ja 67 dhe Britania e Madhe 68. Nga ana tjetër kemi Françë dhe Belgjikë që e kanë te 60 vjeç dhe po ashtu kanë orët më të shkurtra javore për punonjësit, me javë pune që shkon te 37 orë mesatarisht. Normalisht këto të fundit janë mjaft defiçitare në këtë drejtim dhe nuk ndodh rrallë të dëgjohet shprehja ‘Evropë e plakur’. Ndërkohë që SHBA-ja, Britania e Madhe apo Kanadaja e kanë zgjidhur pjesërisht problemin e defiçitit të sigurimeve shoqërore, nëpërmjet legalizimit të përvitshëm të emigrantëve, pra përthithjes së forçës punëtore në ekonomi, vende si Franca, Belgjika, Spanja e me rradhë, janë treguar mjaft më të mefshta në këtë drejtim duke lënë spiralen e subvencioneve shtetërore për këtë ‘vrimë të zezë’ të buxhetit të thellohet nga viti në vit. Mjaft të kihet parasysh rasti grek, ku një nga arsyet kryesore të krizës financiare ishin edhe pensionet e parakohshme dhe bujare që thellonin defiçitin buxhetor.

Një nga reformat më të suksesshme që është ndërmarrë në fushën e pensioneve është paradoksalisht nën rregjimin diktatorial të Pinoçetit në Kili, ku arkitekt dhe frymëzues ishte ekonomisti me famë botërore i Çikagos, Milton Freedman. Ndërsa ekzekutues, disa studentë të tij të çilët morën përsipër kryerjen e reformës nën bekimin e juntës ushtarake e cila me një gur vriste dy zogj: edhe rikuperonte pikë të humbura në një popull të frikësuar, të varfër dhe të frustruar, por edhe mbyllte një nga vrimat e zeza që thithte para pa pushim nga buxheti i shtetit. Brenda një kohe të shkurtër, më tepër se 80 përqind e sigurimeve shoqërore ishin privatizuar, ndërkohë që edhe rentabiliteti dhe besueshmëria ishin përmisuar ndjeshëm.

Por si paraqitet gjendja në Shqipëri? Vendi ynë paraqitet mjaft keq në këtë sektor, ku në kushtet e një ekonomie ende informale, me papunësinë mjaft më të lartë se ajo që japin shifrat zyrtare, ku llogariten si të vet-punësuar ata në fshat. Por edhe duke iu referuar shifrave zyrtare, i bie që të jetë raporti 1 i punësuar për çdo 2 pensionistë, ndërkohë që të funksionojë sistemi duhet të jenë së paku 4 të punësuar për çdo pensionistë. Çdokush mund ta bëj vetë llogarinë, por mjafton të përmendim faktin që çdo vit shteti shqiptar paguan qindra milionë euro për të subvencionuar humbjet në këtë sektor. Vitin e fundit, duke iu referuar shifrave që janë dhënë në shtyp, shkonte deri në 360 milionë euro dhe me rritjen e planifikuar të rrogave dhe pensioneve, përveç presionit inflacionit, rrezik tjetër i madh, është thellimi i deficitit buxhetor, e kritikuar kjo vençarisht nga organizatat ndërkombëtare (FMN dhe BB). Akoma më e rëndësishme është që opsionet financiarë dhe diversifikimi i portofolit vetjak të investimeve nuk paraqitet si alternativë për pjesën më të madhe të shqiptarëve të çilët duke ndjekur edhe një traditë të fortë etatiste, i kanë besuar dhe vazhdojnë t`i besojnë verbërisht shtetit, një shteti përherë e më tepër pa takat për të mbajtur shumë kunguj nën një sqetull. Vetëm duke u bazuar në praktikat më të mira të vendeve që janë marrë suksesshëm me këtë punë dhe i kanë dhënë zgjidhje njërit prej problemeve më themelorë që ka të bëjë me sigurinë dhe mirëqënien e qytetarëve, mundet të ecet para, duke i mbajtur këta të fundit vazhdimisht të informuar në lidhje me alternativat politike dhe politikat publike që synojnë të adresojnë këto probleme.

 

Për ZSH- Kadri Mani

(etnike@gmail.com)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora