E shtune, 27.04.2024, 04:26 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Atrujillete Jahjaga

E shtune, 09.04.2011, 07:05 PM


Atrujillete Jahjaga

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

A e dini se kur ka ndodhur më parë që një ambasador amerikan t’ i telefonojë një oficeri policie dhe t’ i thotë se ai është nominuar për t’ u zgjedhur President i Republikës?  Kjo ka ndodhur në vitin 1930, në Republikën Dominikane, kur njeriu me fat ishte Rafael Trujillo. Për ata që nuk e dinë, Republika Dominikane është një vend në Karaibe, në ishujt ndërmjet dy kontenteve amerikane. Rafael Trujillo ishte një oficer i xhandarmërisë që krijuan amerikanët pasiqë e pushtuan Republikën Dominikane në vitin 1916. Arsyeja e pushtimit mund të ngjajë e çuditshme sot. Republika Dominikane refuzonte të paguante borxhet që u kishte bankave të huaja, ndër to edhe atyre amerikane. Mospagimi i borxheve nga shtetet atëherë shihej si një gjë shumë më serioze se sot, kur Greqia, bie fjala, praktikisht refuzoi që të vazhdonte me pagimin e borxheve vitin e kaluar dhe kryeministri Papandreu shkoi vizitë në Washington ku pas takimit që pati me Presidentin Obama, ky i fundit deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp, se Greqia duhej ndihmuar financiarisht. Nejse.

Amerikanët pas pushtimit  të Republikës Dominikane krijuan atje atë që në anglisht quhet Constabulary dhe që në pjesën më të madhe të vendeve latine quhet Xhandarmëri (Karabinieri, në italisht). Trujillo hyri në xhandarmërinë dominikane dhe i ngjiti me radhë shkallët e karrierës, që prej asaj të nënoficerit, deri tek ajo e gjeneralit. Si Atifete Jahjaga, e zgjedhur së fundi Presidente e Kosovës, e cila hyri në polici si rreshtere dhe sot është gjeneral-majore. Në vitin 1930, Republika Dominikane pati një krizë të madhe politike ashtu që brenda pak muajve ranë dy presidentë, Horacio Vasquez dhe Rafael Estrella. Krejt si në Kosovë, apo jo? Atëherë ambasada amerikane nxiti krijimin e një partie të një lloji të veçantë, të quajtur Partia Dominikane, e cila nominoi si kandidat gjeneralin e xhandarmërisë, Trujillo. Gjenerali Trujillo u nominua në prill 1930, çfarë koincidence, apo jo? Trujillo fitoi në zgjedhjet e majit 1930 95% të votave. Votuesi i parë në këto zgjedhje ishte ambasadori amerikan në Republikën Dominikane. Trujillo ishte njeriu i amerikanëve. Ai qëndroi në pushtet 30 vjet. Kur Presidentin liberal Roosevelt, i cili qëndroi 12 vite në pushtet paralel me Trujillon (1933-1945) e qortuan që e lejonte Trujillon të rrinte në pushtet, Roosevelt përsëriti për të fjalët që kishte thënë në vitet tridhjetë për Somozën, një tjetër diktator bashkëkohës amerikanolatin: He may be a son of a bitch but is our son of a bitch!

Së paku Somoza nuk kishte qenë polic. Gjithsesi këto gjëra amerikanët i kanë në gjysmën e parë të shekullit XX, ndërsa sot supozohet që të jetë një kohë tjetër. Studiuesve të politikës amerikane në ish-republikat e bananeve në Amerikën Qendrore u duhet që të lodhen disi duke kërkuar, për të gjetur prova të plota të ndërhyrjes së ambasadorëve amerikanë për emërimin në pushtet të njerëzve si Trujillo. Se ambasadorët amerikanë të kohës, ruanin njëfarë diskrecioni. Në rastin e ndërhyrjes së ambasadorit amerikan në Kosovë Dell, për zgjedhjen presidente të Atifete Jahjagës, studiuesit nuk ka përse të lodhen. Vetë fatlumja deklaroi se ambasadori Dell i telefonoi dhe i kumtoi se ishte nominuar për t’ u zgjedhur Presidente e Kosovës. Ajo pohoi se u gëzua, por ata që e njohin mirë thonë se më shumë u gëzua kur u gradua rreshtere në polici dikur. Nejse, hapi i parë në karrierë përjetohet më fort.

Kur në Kosovë hynë trupat e KFOR që e çliruan atë, në 1999, nëse do t’ i thoshin ndonjë shqiptari të Kosovës, apo çdo shqiptari, se në 2011, një oficere policie do të bëhej Presidente e Kosovës, ai do të mendonte se me siguri që në 2011 policia e Kosovës do të kishte bërë grusht shteti duke arrestuar kryetarët e partive dhe deputetët, e duke i detyruar që të zgjedhin Shotën e Policisë si Presidente. E njerëzit do të bënin pyetje si: “E çka ndodhi pastaj bre, ndërhyri KFORI dhe e rrëzoi Presidenten-police të Kosovës?” Ose do të pyesnin: “E prej nga ishte kjo Presidentja-police, bre?” “E Gjakovës, Presidentja e parë femër e Kosovës”. “Po të jetë se qenka nga Gjakova, atëherë mund të themi se nuk është e para, se Kosovën gjakovarët e kanë drejtuar në kohën e Titos, e ata njihen si burra me dimije. Kështu që mund të themi se kemi pasur edhe më parë femra në krye të Kosovës”.

Përtej humorit, nuk mund të mos pyesësh se përse duhet që Kosova e vitit 2011, të zgjedhë një oficere policie si Presidente, dhe madje kjo të paraqitet si një mrekulli e madhe, si shpëtim për Kosovën e gjendur në një krizë politike të ndërlikuar? Kjo të ngjan me atë historinë e Trujillos, i cili kur erdhi në pushtet në 1930, erdhi si shpëtimtar, me sloganin “Dios y Trujillo” (Zoti dhe Trujillo). Atifete Jahjaga ka dhe ngjashmëri të tjera me Trujillon. Derisa Trujillo gjatë gjithë jetës së tij fshehu biografinë e tij, Atifete Jahjaga, ende po mendohet për jetëshkrimin që do të publikojë në faqen zyrtare online të Kryetares së Republikës së Kosovës. Derisa po bëja këtë shkrim, mbrëmë në darkë, hapa faqen zyrtare online të Presidentes së Kosovës dhe pashë se ajo ishte përditësuar, ashtu që ishte vënë emri i zonjës, fotot e saj si dhe të gjitha njoftimet mbi veprimtaritë e saj të para. Ajo që mungonte ishte jetëshkrimi i Atifete Jahjagës. Atje gjendet jetëshkrimi i kryetarëve të parë të Kosovës, Rugovës dhe Sejdiut, por jo i Atifete Jahjagës. Zonja Jahjaga nuk do të kishte vështirësi për të vendosur jetëshkrimin e saj, se ajo normalisht ka një jetëshkrim zyrtar të cilin e ka paraqitur shumë herë gjatë karrierës së saj, siç janë procedurat administrative. Tash me sa duket Atifetja kërkon që të shpikë një jetëshkrim presidencial!

Presidentja-police e Kosovës e cila pohon se i telefonoi ambasadori amerikan për t’ i dhënë lajmin e emërimit të saj, nuk quhet Atifete por Atrujillete, sepse ajo është “Trujillo” i Kosovës. Madje përshtatja me gjininë femërore e emrit “Trujillo” në këtë rast shkon mirë edhe për faktin se, derisa Kosova nuk është vërtet shtet, pasiqë me Pakon “Ahtisari” quhet vetëm “shoqëri”, amerikanët me sa duket kanë menduar se Kosova nuk e meriton një “Trujillo” mashkull, si Republika Dominikane, që së paku ishte shtet, por Kosovës i mjafton një “Trujilleta”, femër. Kur paraqitet si ngjarje e madhe që zgjedhja e një policeje si Presidente e Kosovës, për faktin se kjo është presidentja e parë femër, kjo do të thotë që t’ i fyesh të gjitha femrat, me të gjithë respektin për policët.

 



(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora