Mendime
Artan Hoxha: Si e gjeta kasetën dhe mikun e Shoshorit
E enjte, 07.04.2011, 07:57 PM
Gazetari Artan Hoxha transmetoi dy ditë më parë dëshminë tronditëse të Hysen Shoshorit, njeriut të dënuar nga regjimi komunist me dëshmi të Sali Berishës. Ai rrëfen se gjetja e kasetës origjinale ishte një nga gjërat më të vështira. Hoxha tregon edhe një pjesë të pathënë, çfarë i ka ndodhur njeriut që regjistroi dëshminë, burgimi i tij në Shën Koll dhe vizita e zyrtarit të policisë.
Artan, çfarë u shtyu të gërmonit në historinë e Hysen Shoshorit?
Historia e 77 vjeçarit Hysen Shoshori, gjithnjë më ka tërhequr vëmendjen, jo vetëm si reporter por edhe si qytetar i thjeshtë. Sa herë që emri i tij përmendej në ndonjë shkrim në media bëhesha kurioz për të mësuar fatin tragjik të këtij njeriu. Çfarë e kishte shtyrë atë të shtypte jo pak, por plot 41100 trakte kundër regjimit komunist. Një shifër e pazakontë, e denjë për rekordet Guinnes.
Për më tepër po të kemi parasysh periudhën kur Hysenit i është dashur ti shtyp këto trakte, duke nisur nga viti 1961 deri në gushtin e vitit 1974. Sa punë titanike i është dashur atij, ku e ka gjetur gjithë atë letër dhe sa kujdes ka treguar për të mos përfunduar në duart e Sigurimit të Shtetit. Më dukej diçka e pamundur, e pabesueshme, që një njeri i thjeshtë, me profesion xhenerik, krejt i vetëm të kishte bërë një veprim të tillë. Të gjitha këto pikëpyetje më shtuan kuriozitetin dhe më nxitën që të gërmoj mbi jetën e këtij martiri të antikomunizmit.
Kur keni dëgjuar për herë të parë emrin e Hysen Shoshorit?
Nuk e kujtoj me datë të saktë, por mbaj mend mirë personat me të cilët po bisedoja dhe tavolinën ku isha ulur. Një grup ish të burgosurish politik më ftuan të pija një kafe me ta. Më “i riu” prej tyre ishte në moshë dy herë më i madh nga unë. Mes ish të burgosurve të diktaturës që më ftuan mbaj mend Gjergj Ndrecën, Fatmir Lamajn dhe Nuredin Skraparin, ky i fundit një ish-inxhinier nafte, i dënuar për sabotim në vitin 1975, pothuaj në të njëjtën kohë kur është dënuar dhe Hysen Shoshori.
Ata kishin ndjekur emisionin tim dhe kërkonin ti ndihmoja për të publikuar disa shqetësime të tyre në lidhje me mënyrën se si tallej shteti shqiptar me hallet e ish të burgosurve politik. Midis të tjerash në atë bisedë është përmendur edhe rasti Shoshori. Mua më tërhoqi vëmendjen historia e tij dhe u kërkova të më ndihmonin për ta publikuar atë që kishte ndodhur. Me mirësinë që i karakterizon zakonisht njerëz të tillë, të cilët jeta i ka përplasur pa mëshirë më premtuan që do të më ndihmonin.
Çfarë ka ndodhur realisht me atë njeri?
Fillimisht unë mblodha të gjitha shkrimet që ishin botuar për Shoshorin në media. Më pas me ndihmën e ish të dënuarve politikë, kontaktova me disa shokë të Hysenit, me të cilët ai kishte ndarë vuajtjet e burgut. Mes tyre më tërhoqi vëmendjen Skënder Tufa, një mik i Hysenit, me të cilin ai kishte qëndruar në burgun e Spaçit dhe atë të Sarandës deri në momentin që u lirua më 17 mars 1991.
Skënder Tufa kishte pësuar të njëjtin fat si Hyseni, për të vetmit fakt, kishte guxuar të publikonte në një gazetë periodike pikërisht dëshminë rrëqethëse të shokut të tij të burgut. Në dhjetor të vitit 2002 Tufa botoi në gazetën me emrin sinjifikativ “Plaga”, intervistën e Shoshorit. Kaq kishte mjaftuar që edhe Tufa të vihej në qendër të sulmeve nga njerëz që qëndronin pas njeriut të akuzuar prej Hysen Shoshorit, Sali Berishës. Sapo Berisha u rikthye në pushtet në korrik të vitit 2005, Skënder Tufës iu rezervua një fat tragjik për t’ia mbyllur gojën dhe për ta detyruar të heshte.
Ndaj tij u inskenua një aksion policor, me një akuzë të sajuar pikërisht nga njerëzit e kryeministrit në radhët e policisë. Pas 10 viteve burg në regjimin komunist të Enver Hoxhës, Skënder Tufa përfundoi serish në qeli, këtë radhë për më shumë se katër vjet në qelitë e burgut të Shën Kollit. Sapo ai u vendos në këtë burg, një drejtues i lartë i Policisë së Shtetit shkoi ta takonte duke i kujtuar pikërisht dëshminë e Hysen Shoshorit.
Nga ai moment Tufës iu rezervua një “trajtim special” nga autoritetet e burgut deri ditën që u lirua. Kur doli nga burgu, Tufa nuk kishte çfarë të humbiste më, veç jetës. Ai kontaktoi me mua dhe unë pranova që ta hulumtoja historinë e tij, e cila ishte thjeshtë një pasojë e dëshmisë që nuk duhej publikuar kurrë të Hysen Shoshorit. Por sigurisht këto janë detaje që emisioni “Xhungël” do ti zbardh në vijim të historisë “Dëshmitari”.
Cili është roli i kryeministrit aktual Sali Berisha në dënimin e tij?
Unë nuk mund të them më shumë nga çfarë ka thënë me gojën e vet Hysen Shoshori. E kisha dëgjuar disa herë dëshminë e tij të citohej në parlament nga deputetë të opozitës së majtë, e kisha lexuar në gazetë, por gjithnjë kryeministri dhe anturazhi i tij mediatik, ia dilnin mbanë që të mohonin këtë akuzë.
Ata thoshin se gjithçka ishte një trillim dhe një sajesë dashakeqe nga mbeturinat e Sigurimit të Shtetit dhe të regjimit komunist që synonte të baltoste pikërisht atë që e përmbysi regjimin e urryer. Ata kërkonin prova bindëse dhe të pakundërshtueshme. Makineria propagandistike e kryeministrit arriti deri aty, sa kur çështja u ngrit në parlament nga opozita, publikoi një intervistë të djalit të vetëm të Hysen Shoshorit, i cili deklaronte se babai i tij nuk e kishte akuzuar kurrë Berishën dhe se gjithçka ishte një sajesë për përfitime politike.
Pavarësisht hulumtimeve që kisha bërë dhe informacionit që mblodha, gjithnjë dyshoja se historinë do të ma kundërshtonin nëse nuk kisha pamje filmike. Rrezikoja të përfundoja njëlloj si botimet në median e shkruar nëse nuk publikoja me pamje filmike, me zë dhe me figurë dëshminë e Hysen Shoshorit! Për fat të mirë, pas shumë përpjekjesh, arrita që ta shtie në dorë intervistën e filmuar, sigurisht duke marrë të gjitha përgjegjësitë për publikimin e saj.
A keni pasur presioni për botimin e saj?
Sigurisht që kam pasur. Jo më kot puna me këtë histori ka zgjatur për vite me radhë. Madje në një moment humba dhe besimin e atyre që më kishin ndihmuar, që kishin pranuar të flisnin para kamerës me zë dhe figurë, duke rrezikuar jetën e tyre. Mjafton të përmend faktin që personat të cilët më ndihmuan të ndërtoja këtë histori, i kam telefonuar vetëm 24 orë pasi u transmetua në NEËS 24 emisioni “Xhungël” me titullin “Dëshmitari”. Edhe ata janë habitur pasi në të vërtetë nuk e prisnin që kjo video-dëshmi të publikohej një ditë.
Traktet
I cilësuar si antikomunisti më i vendosur në gjithë vendet e lindjes, Hysen Shoshori për 13 vite me radhë shtypi dhe shpërndau i vetëm plot 41100 trakte ku bëhej thirrje për rrëzimin e regjimit komunist të diktatorit Enver Hoxha.
Shaptilografi
Shaptilografin me të cilin Hysen Shoshori shtypi traktet, e grabiti në muzeun e relikeve të luftës Nacional-Çlirimtare. Shaptilografi ishte përdorur nga grupet guerile gjatë Luftës së Dytë Botërore për të shtypur trakte kundër Nazi-Fashistëve.
Arrestimi
Hysen Shoshori u arrestua në orën 23.00, të datës 16 gusht 1974. Ai u kap teksa po shpërndante trakte tek Ambulanca Qendrore. Aty, atë natë atë e prisnin më shumë se 10 roje të Sigurimit të Shtetit. Operacioni për kapjen e tij mbante emrin “Kafka”.
Dënimi
Gjykata e dënoi fillimisht Hysen Shoshorin me vdekje me pushkatim. Por ndërsa ai priste ekzekutimin, 47 ditë më vonë dënimi iu fal nga me vdekje në 25 vite burg. Shoshori bëri vetëm 17 vite burg pasi u lirua me rënien e komunizmit më 17 mars 1991.
Skënder Tufa, i dënuari politik që intervistoi Hysen Shoshorin
Bashkëvuajtësi me të cilin Hysen Shoshori qëndroi fillimisht në Burgun e Spaçit dhe më pas deri sa u lirua, në burgun e Shën Vasilit në Sarandë, është Skënder Tufa. Të dy të dënuarit me akuza gati të njëjta u njohën në vitin 1981 në burgun e tmerrshëm të Spaçit. Miqësia e tyre u forcua dhe ata qëndruan bashkë deri në momentin që u liruan në mesin e marsit 1991.
Të dy të dënuarit politikë u liruan në të njëjtën ditë dhe për ta ishte rezervuar i njëjti fat. Ata udhëtuan me autobus nga Saranda në Tiranë, ku nuk i priti askush nga familjarët e tyre, të cilët ishin internuar nga Sigurimi i Shtetit. Hysen Shoshori i tregoi Skënder Tufës dhe bashkëvuajtësve të tij, se njeriu që kishte dëshmuar kundër tij në vitin 1975, ishte pikërisht politikani që kishte dalë në krye të lëvizjes opozitare për të rrëzuar komunizmin, Doktor Sali Berisha.
Nisur nga ky fakt Skënder Tufa e intervistoi mikun e tij të burgut në vitin 2002 dhe e botoi për herë të parë intervistën në gazetën e të persekutuarëve “Plaga”. Kjo intervistë është mohuar disa herë nga kryeministri Berisha, duke thënë se ishte e falsifikuar.
* * *
“Njeriu që ka ndikuar në dënimin time me vdekje në kohën e regjimit komunist ishte Sali Berisha. Ai doli dëshmitar në gjyqin tim duke bërtitur me të madhe: Të varet në litar!”. Kjo është dëshmia e Hysen Shoshorit, njeriut të dënuar nga regjimi komunist me varje, por që më pas u fal duke u dënuar me 25 vjet burgim.
Krimi i Shoshorit ishte shtypja dhe shpërndarja e më shumë se 41 mijë trakteve gjatë 13 viteve. Ai ka lënë qelitë e burgut pas 17 vitesh. Shoshori ka rrëfyer në emisionin “Xhungël” të gjithë historinë e tij nga shpërndarja e trakteve e deri tek dënimi pas dëshmisë publike të Sali Berishës.
Intervista me Shoshorin është realizuar nga bashkëvuajtësi i tij i burgut, Skënder Tufa në vitin 2002 dhe është transmetuar në emisionin Xhungël të gazetarit Artan Hoxha
Cili ishte motivi që ju shtyu t’i kundërviheshit regjimit duke vendosur trakte?
Ishte cenimi i pronës private, që për mua ishte shumë e shenjtë. Sepse ishte e lidhur me dinjitetin tim dhe me qenien time. Ishte arsyeja kryesore që më detyroi të bëj këtë veprim, duke iu përgjigjur në këtë formë. Ajo pronë e vogël ishte për mua atdheu im, të cilin ma mohuan.
Z. Hysen, çfarë përmbajtje kishin traktet tuaja dhe, a kishin ndonjë shenjë dalluese ato?
Ky aktiviteti im zgjati 13 vite, nga viti 1961 deri në vitin 1974, për këtë periudhë janë dokumentuar nga organet e Sigurimit të Shtetit, që më vonë më detyruan në gjyq, duke përfshirë dhe nëntë copët e fundit të trakteve që më kapën. Në momentin e arrestimit, traktet plotësonin shifrën e përgjithshme, 41.100 copë.
Ishte një kohë e përzier me urrejtje, e cila më shtyu që ta shpreh atë me ngjitjen e parullave, nga e cila ndjeva një farë sadisfaksioni personal edhe për shumë viktima të tjera, duke i bërë thirrje asaj pjese të pastër të popullit shqiptar për një luftë kundër partisë shtet, sundimtarëve e kriminelëve të pashoq në historinë botërore, që ashtu si mbi mua po shkelnin mbi dinjitetin e njerëzve të ndershëm. Tekstet kanë qenë të shumëllojshëm, por përmbajtja ka qenë e njëjtë dhe qëllimi im kishte një pikësynim, mbrojtjen e dinjitetit dhe të ndershmërisë.
Nga dallonin traktet tuaja nga ato që mund të kenë hedhur persona të tjerë?
Traktatet e mia kishin një shenjë në fund të tyre, që ishte një kafkë njeriu, e cila personifikonte sistemin shoqëror dhe për sebep të kësaj shenje, operacioni i kapjes sime, që zgjati 13 vjet, u quajt “Kafka”. Frika që dominonte te të gjithë nuk i linte ta lexonin deri në fund traktin. Shumë nga këto që i kishin lexuar traktet e mia për mungesë vigjilence përfunduan nëpër burgje dhe më akuzonin mua për fatkeqësinë e tyre.
Ndërsa në arenën ndërkombëtare, në ato pak mundësi që kishin për informacionin, unë personalisht kam dëgjuar më 1962 te Radio Moska që të thuhet “filloi edhe në Tiranë të shkrihet akulli”. Për gjithë periudhën 13 vjeçare, aktiviteti im, është komentuar në disa radio të huaja në gjuhën shqipe.
Çfarë ndikimi kishin traktet në publik?
Atëherë e kuptova se puna ime e drejtë kishte qëlluar në shenjë, prandaj i thashë vetes, “puno më shumë mor Cen se e vërteta sa do që të mbulohet, të shpon sytë”. Duke filluar nga viti 1962, Tirana zyrtare rriti vigjilencën në survejim, ku u manifestua në tre pika kryesore: duke shfrytëzuar pemët e rrugëve të Tiranës, duke u marrë shumë qytetarëve në dispozicion dhomat që kishin sheshpamje si dhe në muret rrethuese të oborreve të shtëpive u hoqën një tullë për vrojtim. Aty survejoheshin nga brenda mureve njerëz të popullit.
Çfarë strategjie keni ndjekur për të mos u kapur nga Sigurimi i Shtetit?
Kam pas ndjek një strategji të tillë, nuk i vendosja traktet dy herë në një vend. I kontrolloja nga larg, por herën e fundit i kishin hequr shumë shpejt. Vrojtova me inat, i vendosa përsëri ku i kisha vendosur. Kjo më kushtoi shumë shtrenjtë. Ishte gusht i vitit 1974, kur sapo e vendosa fletushkën e fundit papritur më janë hedhur dhjetëra vetë që me sa duket më ndiqnin dhe me godasin. Më rrëzojnë përtokë duke më hipur në kurriz. Të eksituar aq shumë nga gëzimi dhe urrejtja që kishin për mua, qëllonin edhe njëri-tjetrin, duke kujtuar se isha unë.
Çfarë ndodhi me ju më pas?
Nuk e di sa çfarë ka ndodhur më tej, vetëm se e kam parë veten të lidhur në bodrumet e Ministrisë së Brendshme, ku mes shumë të tjerëve më vizitoi edhe Kadri Hazbiu, i cili më pyeti “ti je shpërndarësi, apo organizatori”? Unë i përgjigjem, se “jam dhe shpërndarësi dhe organizatori” dhe fill pas këtij detaji dëgjoj një zë që thotë “duhet çuar në spital, mbaj përgjegjësi për jetën e tij”. Në 6 muaj kam provuar torturat nga më çnjerëzoret, që nuk dua t’i përmend. Por po sjell vetëm një fakt. Më kishin vënë disa herë të mbyllur në arkivol.
Si u zhvillua gjyqi dhe ai i mbani mend dëshmitarët?
Unë në atë sallë gjyqi, të mbushur me popull, fiksova një fytyrë që m’u ngulit në mendjen time. Po priste mes këtij populli duke thënë “ky njeri që është marrë me këto trakte të varet në litar”, dhe në këtë moment nxori një trakt duke ia tundur kryegjykatësit.
Çfarë bëri ky dëshmitar nëse ju kujtohet?
Ky njeri që priste pranë këtij populli, nxori traktin nga xhepi dhe duke iu drejtuar kryetarit të gjykatës, “të varet në litar, që u mor me këto”, duke e tundur para popullit dhe sytë e kryetarit të gjykatës. Më habiti se viti që po u gjykoja ishte viti 1975. Kurse trakti që ky e kishte hequr mënjanë, dhe unë mendoja se mund ta kishte gjetur kur e kisha vendosur në fakultetin mjekësor, mund ta kishte gjetur vite më përpara se sa viti që po gjykohesha.
I kujt viti ishte trakti?
Ky trakt, duhet të ishte i vitit 1962, sepse m’u kujtua koha që e kisha vendosur na fakultetin mjekësor. Tha “dëgjo, populli kërkon varje në litar, por prapë se prapë partia do të mendojë për ty”.
Çfarë dënimi iu dha gjykata?
Me vdekje.
Më vonë si ndodhi që nuk u ekzekutuat?
Pas 47 ditëve që prisja ekzekutimin më erdhi falja. Më lanë 25 vite burg. Nga këto unë bëra vetëm 17 vite burgim, pasi më 17 mars 1991 u lirova.
Po kush ishte ky njeri që dëshmoi kundër jush?
Ky njeri, i cili është një komunist pasionant e fanatik i pandreqshëm, që për me arrit në majat më të larta të hierarkisë së pushtetit komunist ka përdorur dhe traktin tim, duke ndikuar drejtpërdrejtë në dënimin tim me vdekje, ishte Sali Ram Berisha.
A jeni i sigurt z. Hysen?
M’u kujtua që ky emër, ishte i asaj fizionomie që thoshte për mua “të varet në litar”. Unë mund t’ju them që asnjëherë nuk mund të harrohet bisha që të kafshon.
Si po e kaloni jetën pas daljes nga burgu?
Jeta ime që po e bëj është një burg në ambient të hapur, sepse jam i pastrehë nga që streha ime ishte atdheu im. Ajo m’u grabit. Në këtë moshë për strehë kam bordurat e rrugëve.
Kush ju ka ndihmuar?
Një e mirë që i ndodh kësaj jetës sime, po i bëhet nga një bashkëvuajtës që më ka marrë për të kaluar natën, një pjesë tjetër të ditës e kaloj në bibliotekë, por një e keqe tjetër që po i ndodh moshës sime është se po dremis gjumin nëpër bordurat e rrugëve.
Me çfarë të ardhurash jetoni?
Burimi i jetesës sime, duke qenë i vetëm, që është një nga fatkeqësitë më të mëdha të jetës sime, qenka vetmia. Burimi i jetesës është vetëm një pension qesharak prej 60 mijë lekësh. Unë i them vetes sepse shihesh i gjallë nga të tjerët, nuk do të thotë se po jeton
Kurt Kola: Berisha është e keqja e shqiptarëve
Kurt Kola, kreu i shoqatës së të përndjekurve Politikë, Kurt Koka, ka reaguar dje në lidhje me dëshminë e dhënë nga Sali Berisha duke e etiketuar atë si një agjent të sigurimit të shtetit, i cili ka dalë dëshmitar kundër një të burgosuri politik. Sipas Kolës, është e pamoralshme që shqiptarët të votojnë Sali Berishën për të drejtuar vendin.
“Sot populli shqiptar u njoh me një lajm shumë tronditës, sot mësoi se kryeministri që qeveris vendin ka qenë një agjent i sigurimit të shtetit dhe ka dalë dëshmitar, ka kërkuar dënim me varje për një të burgosur politik, për Hysen Shoshorin. U publikua qartë morali i atij që udhëheq Shqipërinë.
Një person i tillë që ka dalë dëshmitar i një të burgosuri politik, që 13 vjet rresht ka vënë trakte në Tiranë kundra atij sistemi dhe ka kërkuar dënimin me varje në Sheshin Skënderbej, e kemi kryeministrin tonë. Është e pamoralshme për çdo shqiptar që të votojë sot Sali Berishën për të qenë në drejtim të vendit. Ai është e keqja, jo e Hysen Shoshorit, jo e të përndjekurve politikë, por është e keqja e shqiptarëve”,- tha Kola.