E diele, 28.04.2024, 05:59 PM (GMT+1)

Mendime

Xhevat Bislimi: A thua prokurorët, hetuesit dhe policët e UNMIK-EULEX-it e duan Kosovën më shumë se ne

E shtune, 09.04.2011, 07:58 PM


A thua prokurorët, hetuesit dhe policët e UNMIK-EULEX-it e duan Kosovën më shumë se ne

 

Nga Xhevat BISLIMI

 

Titull-pyetja e këtij shkrimi dikujt mund t’i duket si një mahi, shpoti apo ironizim i imi në llogari të hetuesëve, prokurorëve, policëve dhe të vetë misionit të UNMIK-EULEX-it. Por, më besoni, të dashur lexuesë, që ky farë misioni (UNMIK-EULEX) e ka me gjithë mend. Ky mision përditë e më shumë po dëshmon dashurinë dhe respektin e tij të shfrenuar policor për vendin tonë. Gjatë shekujve të gjithë pushtuesit pa përjashtim (helenët ose grekët e sotëm, sllavët, turqit, etj.) betoheshin e stërbetoheshin se e donin vendin e pellazgëve-ilirëve-shqiptarëve më shumë se vetë ata!? Dhe vërtetë e donin por, e donin për vete. Njësoj edhe në kohën tonë, pushtuesit serbë, grekë, « maqedonë » e malazezë i duan tokat tona më shumë se ne, por, i duan për vete dhe pa ne, pa shqiptarë. Dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre është bërë me zjarr e hekur, me gjenocid e holokaust deri në këtë kohë. Po flasim gjithmonë për pushtuesë të tokave tona.

 

Mirëpo, të pakët janë ata shqiptarë që kanë mundur të besojnë se edhe UNMIK-EULEX-i e donë krahinën e Shqipërisë, Kosovën, më shumë se shqiptarët!? Për dallim nga pushtuesit klasikë ky mision nuk dëbon shqiptarët me dhunë nga shtëpitë dhe vatrat e tyre por, e lejonë Serbinë dhe serbët që t’i dëbojnë shqiptarët e Mitrovicës dhe Kosovës Veriore me dhunë nga shtëpitë e tyre!! Të njëjtën gjë e bëjnë edhe në Medvexhë, Preshevë e Bujanoc. Në pjesën tjetër të Kosovës, ku Serbia dhe serbët nuk kanë fuqi t’i dëbojnë shqiptarët dhe të bëjnë spastrim etnik, UNMIK-EULEX-i dhe ata që qëndrojnë prapa e para tyre kanë marrë të gjitha masat ekonomike, politike, administrative, kushtetuese dhe represive që shqiptarët të tjetërsohen, të detyrohen të heqin dorë nga përkatësia e tyre kombëtare !? Kosova e sunduar prej tyre mund të jetë çka do qoftë tjetër vetëm shqiptare nuk do të duhej të ishte!? Në Kosovë cilido mund të ndjehet dhe të deklarohet ashtu si t’ia dojë zemra dhe siç është (serb, turk, rom, hashkali, egjiptian…). Këtë të drejtë ua ka garantuar edhe Kushtetuta e Atisarit. Vetëm shqiptari nuk mund të deklarohet shqiptar, sepse kjo e drejtë nuk i njihet as me Kushtetutë, dhe po merren të gjitha masat që edhe të mos ndjehet i tillë (shqiptar), por « kosovar », një katramkë nën magjyp, thotë një fjalë popullore !? Kjo është arsyeja pse UNMIK-EULEX-i që nga dita e parë ka marrë në « mbrojtje » pakicën serbe dhe strukturat paralele të saj, të themeluara, të financuara dhe mbështetura nga shteti serb. Kjo është arsyeja pse UNMIK-EULEX-i që nga dita kur shkeli në Kosovë ka marrë në mbrojtje (në marrëveshje dhe me pajtueshmërinë e Serbisë) të gjithë bashkëpunëtorët e Serbisë në Kosovë, të cilët i përkrah dhe mbështet që të ngjiten në majat e politikës, të ekonomisë, të institucioneve, të mediave, etj. Dhe në fund, kjo është arsyeja pse UNMIK-EULEX-i, që nga dita e parë e vendosjes së tij në Kosovë, filloi të mbledh të dhëna dhe « fakte », të bëjë dosje dhe të ndjek, persekutojë, shantazhojë, kërcënojë, stigmatizojë, arrestojë dhe burgosë e dënojë luftëtarët e lirisë, Luftën e UÇK-së dhe të mbarë kombit shqiptar për çlirimin e krahinës së Shqipërisë, Kosovës. I vetmi fakt dhe e vetmja arsye pse persekutohejë dhe dënohejë UÇK-ja ishte dhe mbetet Lufta e saj Antipushtuese, Lufta e saj kundër Serbisë. Miqtë e Serbisë nuk mund t’ia falin këtë « faj » historik popullit shqiptar dhe bijëve të tij. Krah dhe pjesë e këtij persekutimi të pashembulltë janë bërë (dikush me dashje e dikush pa dashje, dkush me vetëdije e dikush pa vetëdije) edhe disa pjesëmarrës të kësaj Lufte Çlirimtare dhe disa të institucioneve të Kosovës!? Të tillë ka edhe nga « krahu » i armatosur i kësaj lufte por, edhe nga « krahu » politik i saj!? Kjo është bërë nga lakmia për pasuri, grada e lavdi!? Më shumë nga të gjithë më dhimbsen këta, që shkelën vetën e tyre dhe kërkojnë të ikin, të ikin e të ikin… diku larg, diku ku nuk do t’i kapnin dhe takonin bashkëluftëtarët e tyre të vrarë e të gjallë, të burgosur nga UNMIK-EULEX-Serbia dhe bashkëpunëtorët e tyre, diku larg, larg…, ku nuk do t’i arrinte ndërgjegjia e tyre dhe as ndërgjegjia e kombit.

 

Kohë më parë më kishte treguar një shok dhe mik i imi se si një hetues italian i UNMIK-EULEX-it ishte dashuruar marrëzisht në këtë vendin tonë. « Unë, i paska thënë ky farë hetuesi, kam lënë vendin tim dhe kam ardhur këtu për t’ju ndihmuar, sepse e dua shumë Kosovën, e dua si vendin tim » ! «Edhe unë, ia paska kthyer ky miku im, e dua shumë Italinë tënde por, asnjë metër katror të Kosovës nuk do ta jepja për krejt atë Italinë tënde ». Sigurisht, që italiani nuk e kishte pritur një përgjigje kaq « mosmirënjohëse ». Edhe mua më ishte dukur disi e pabesueshme deklarata e italianit sharlatan deri kur e pash në RTK këtë zëvendësin e EULEX-it, Andi Sparks, i cili po e shpallte në TV « dashurinë » e tij të pakufishme policore për Kosovën !? Ne, po thoshte ai, jemi në Kosovë për t’ju ndihmuar, për ta vendosur rendin dhe ligjin, për ta vendosur sundimin e ligjit në këtë vend (sipas tyre barbar !). Edhe arrestimet dhe dënimet e luftëtarëve të lirisë po i bëjmë për të mirën e Kosovës, sepse e duam këtë vend ! Ne nuk po e ndjekim dhe dënojmë UCK-në. Jo, jo. Ne po e ndjekim dhe hetojmë Komandantin e saj, anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së, komandantët e zonave, komandantë të brigadave e njësive më të vogla, luftëtarët që u dalluan dhe ishin të pakompromis me pushtuesit serbë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Ne po i ndjekim dhe arrestojmë ata që nuk pranojnë të bashkëpunojnë me ne kundër UCK dhe të dëshmojnë kundër luftëtarëve të saj (si BleriM Kuqi), sidomos ata që edhe sot nuk po i nënshtrohen projektit tonë antishqiptar për deshqiptarizimin e Kosovës dhe kthimin e saj nënë sqetullat e Serbisë !? Ne, sikur thoshte ai, nuk po i ndjekim dhe nuk po i hetojmë ata që kanë kryer krime, gjenocit dhe holokaust në Kosovë. Ne nuk i hetojmë dhe as ndjekim e dënojmë bashkëpunëtorët e tyre, sepse ky nuk është interes i Kosovës. Pastaj, ju e dini, kjo do të ishte në kundërshtim me drejtësinë tonë dhe me sundimin e ligjit, që ne po kërkojmë ta vendosim, kjo do të ishte edhe në kundërshtim me projektin tonë për Kosovën, të cilën, ju betohem se e duamë më shumë se ju !? Edhe po ndodhi me e hetu dhe dënu pak ndonjë nga këta që kanë bërë krime në Kosovë dijeni se e bëjmë sa për t’i qetësuar shpirtërat e këtyre « pak » shqiptarëve në Kosovë !! Në fund të fundit, ju vetë e kuptoni se ata kanë vrarë, masakruar dhe dëbuar shqiptarët, kurse ne jemi përcaktuar për një komb të ri në Kosovë, për një komb « kosovar », që do të distancohet plotësisht nga shqiptarët që luftuan kundër Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj, që sot duan të jenë « kosovarë » !!? Flitet e përflitet se edhe djali i këtij farë Andi Sparksit po e dashka shumë Kosovën, për të mirën e së cilës paska marrë punë dhe fituar tendere nga Ministria e Arsimit !? Uroj që këto përfolje të jenë të vërteta. Miku i mirë njihet në ditë të vështira, apo jo ? Le të kontribuojë edhe ai për këtë vend kaq të dashur, bujar e fisnik si asnjë tjetër !

 

Ma gjeni një vend tjetër në botë ku UNMIK-EULEX-i mund të qëndronte 12 vite pa i hyrë një ferrë në këmbë !? Ose, ma gjeni një vend (shtet) tjetër ku qeverisin (sundojnë) ambasadorët ! Madje edhe koalicionet dhe marrëveshjet për « zgjedhjen » e presidentit dhe qeverisë bëhen në zyrtat e ambasadorëve. Dështoi « zgjedhja » e Pacollit. Punë e madhe. E zgjedhim një police të trajnuar në SHBA ! Kuptohet, kanditate e propozuar dhe « suportuar » nga Delli !! Ndryshe nuk qeveriset ky vend. Se mos është ndonjë gjë e madhe të jesh president Kosove ! Jo he burr ! President, qeveri, mbret e zot është Fajt-Delli në këtë vend !! S’ka pikë faji as Hashimi, që e ka kuptuar me kohë këtë të vërtetë !  A bisedohet me Krysinë e Partisë për koalicione, marrëveshje e President ? Nuk është djal që bie kaq posht ai. Këto punë bëhen me Fajtin, Dellin, Pacollin, Mustafën…, po jo me një Kryesi që s’di nga lidhet gomari ! Ika nga LPK-ja, ika nga UCK-ja po ik edhe nga PDK-ja ! Njeriu nuk duhet të kënaqet kurrë me atë që ka, apo jo ?

 

Prandaj, ne shqiptarët e « pakët » do të bënim mirë të ndërtonit një digë a front të pakapërcyeshëm, pa dallime partiake, ideologjike, fetare a krahinore, kundër këtyre dy misioneve me shkronja (iniciale) të ndryshme, por me qëllim dhe projekt të njëjtë, unik për rrënimin e Kosovës shqiptare. Tirana dhe shteti shqiptar, para se t’i derdh energjitë, herë pas here edhe gjakun, për vota dhe pushtet do të bënte mirë që energjitë e shtetit dhe të kombit t’i mobilizonte dhe t’i derdhte për ribashkimin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Kjo jo vetëm për të mirën e shqiptarëve por, për të mirën, paqen, sigurinë dhe lulëzimin popujve të Ballkanit dhe Evropës.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora