E shtune, 03.05.2025, 11:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Mikel Gojani: Jeta, si lajmotiv i një zëri të ri poetik

E hene, 28.03.2011, 07:23 PM


RECENSION

 

JETA, SI LAJMOTIV I NJË ZËRI TË RI POETIK

 

Arbnore Zeqir Abazi, “Mbretëreshë e lotit”, botoi Shtëpia Botuese “Zef Serembe”, Prishtinë 2010.

 

Nga Mikel GOJANI

 

Në letrat shqipe, autorja e re dhe e talentuar,  Arbnore Zeqir Abazi, vjen me vëllimin  poetik të titulluar  “Mbretëreshë e lotit” (2010). Libri i Abazajt, ngërthen në vete larushi temash dhe motivesh që shprushin një zjarr të brendshëm shpirtëror. Libri konceptohet nga tre kapituj, që përbëjnë një tërësi  unikate përmbajtjesore.

 

Dy fjalë për poeten

 

Arbnore Zeqir Abazi u lind më 9 dhjetor 1994, në një vendbanim të lashtë që i thonë Gllarevë të Komunës së  Klinës. Ishte kjo kohë kur Kosova ishte e shkelur  nga çizmet dhe tankset te okupatorit  shekullor serb.

 

Arbnorja rrjedh  prej nje familje përparimtare dhe me një traditë të gjatë kombëtare. Shkollën  fillore e krue në vendlindje me sukses të shkëlqyeshëm dhe sjellje shembullore. Ajo është një talente  e rrallë. Me krijimtari letrare  ajo u mor që  në bankat e shkollës fillore, përkatësisht, që nga klasa e katërt. Dallohej në  grupin dramatik, po ashtu edhe në grupin letrar dhe atë sportiv që funksiononin në shkollë. Ndjek mësimet në klasën e  XI, në degën e Farmacisë. Derisa ishte nxënëse e klasës së X-të, u shpall nxënësja më ë mirë  në Kolegjin “UNIVERSUM” në Prishtinë, me ç’rast iu dha shpërblimi prej 100 euro, si bursë mujore për nëntë muaj.

 

Si nxënëse e jashtëzakonshme, në këtë kolegj vazhdimin e  shkollimit ia mundësojë Kompania “Gllareva”, të cilën kompani e falënderon  edhe autorja, po ashtu edhe familja e saj.

 

Ky është libri i parë i kësaj autoreje, prej secilës pritet jashtëzakonisht shumë.  

 

Poezi të një natyrshmërie poetike

 

Vargjet e Arbnores  janë shprehje e fuqishme e një zëri të çiltër poetik, që në botën e tyre zihet shumëçka që ka të bëjë me kohën dhe realitetin.

 

Motivi i atdheut, motiv që dominon më së shumti në vargjet e poetëve  që nga e kaluara, me ndjenjën e dashurisë ndaj mëmëdheut, si prolog hapet ky vëllim poetik:

 

Derisa shkruaja poezinë

Në fletën e bardhë

 Shkronjat bënin dialog

 Disa dolën jashtë

 Shkronja A filloi të qajë

 Unë mbeta e habitur

 E pyeta A-në pse po qan

 Ajo më tha

 Në alfabet jam numër një

 Edhe në emrin tënd

 Unë jam e para

 Pse më le në mes

 Më duhet të pres një shqiponjë

 Kur më lënë në fund

 Të gjitha më shtyjnë

 Mendova një çast dhe

 Me A-në fillova të fla

/ Mos u zemëro moj A-ja e bukur

 Ti më së miri tingëllon

 Dhe emrin tim e zbukuron

 Askush s’mund të të ndryshojë

 Unë A-në e përqafova

 Thashë:

Me ty fillon mëmëdheu ynë.

 

 (Poezia, Me A fillon mëmëdheu ynë, f. 5).

 

Kështu, në vëllimin poetik të Abazaj, objekt frymëzimi dhe preokupimi janë ngjarjet dhe momentet e ndryshme që prekin thellësinë e botës shpirtërore.

 

Te poezitë e këtij vëllimi poetik, përkatësisht tek kapitulli i parë, Tingujt e heshtjes,  me simbolika të fuqishme shpaloset  bota që rrethon bashkë me trajtat e përditshmërisë, që trazon këtë shpirt krijues. Në brendinë  këtij subjekti ngërthehen edhe hidhërimi, edhe vetmia, edhe reagimi i një shpirti, i cili gjen prehje vetëm në ëndrrat e veta. Në këtë varg, po ashtu e gjejmë edhe trajtimin e temave që lidhen me problematikën sociale e psikologjike, pastaj motivi i botës idile dhe kravatave,  si mëtim i hershëm për të ndjekur lëvizjet e reja të mendimit po ashtu edhe të alternimeve jetësore. Motivet që kanë ngjizur krijimtarinë e kësaj autoreje shtysën e kanë në vëzhgimin e hollë e të vazhdueshëm të evoluimit e të transformimit të botës shpirtërore të individit dhe të kolektivitetit. Figurat të cilat dominojnë në vargun e gjatë të këtyre autoreve vihet të veprojnë e të ecin nën trysninë e kushteve dhe realiteteve të caktuara, mirëpo specifika e reaksioneve dhe rrugës së zgjedhur kërkohet në veçoritë e karakterit dhe ngjizin strukturën metaforike të vargut. Konflikti dramatik në të cilën ndeshen ngjarjet dhe protagonistët, autorja bën përpjekje të lehtësojnë formën kapërthimit të motiveve dhe të ngjarjeve. Poezitë e Abazit shprushin fatin e njeriut bashkëkohor. Fati, vuajtjet, plagët, dhimbja, ngushëllimi, ëndrrat, buzëqeshjet, shpresa, vetmia, dashuria, jeta,  vetëdija, apokalipsi, ëndrra, errësira, humnera, drita, zjarri, lotët  etj., janë lajtmotiv që dominojnë në këto vargje dhe i japin shkëlqim këtij vargu poetik:

 

Edhe sonte mbretëreshë e lotit jam

 Pa ty shoqe vetminë e kam

 Natës i mungon takimi ynë i fshehtë

 Hëna lutet

 Lutet për ne

 Si valë rrufeje  ti u largove

 A kam faj unë që të doja aq shumë

 A kam faj që edhe sonte

  Qaj për ty mbretëreshë

 Mbretëreshë e lotit jam

 Vetmia më ha

 Loti më pikon

 Mbretëreshë e lotit jam

 Askush nuk e di që kur u largove

 Mbretëreshë e loti jam...

 

(Poezia, Mbretëreshë e lotit, f.  21).

 

Jeta që prek sferën shpirtërore

 

Në kapitullin e dytë, Udhëkryqet e jetës, jeta  është lajtmotiv i frymëzimit të brendshëm. Ajo paraqitet duke kaptuar në një rrugëtim situatash dhe ngjarjesh të ndryshme që prekin sferën shpirtërore të kësaj krijueseje. Në poezitë e kësaj autoreje frymëzimet vijnë si lirika dhe përjetime trazimesh të erërave të shpirtit që bukurinë e kanë edhe në dhimbjen njerëzore të dashurisë. E vështruar me një kuptim të gjerë dashuria bëhet shkak i shumëçkaje në jetë: i gëzimit dhe i trishtimit, i shpresës dhe zhgënjimit me “rrugën e humbur” , të cilën e ka shpjer në “udhëkryqin e jetës”:

 

Ndalem

Dukem si e egër

 Kah t’ia mbajë

 Si të veproj

 Cilën rrugë ta vazhdoj

 Kam humbur në rrugën

 Që nuk ekziston

 Në asnjë hartë...

 

(Poezia, Në udhëkryq të jetës, f. 33).

 

Edhe në poezitë e kapitullit në vijim, Të kam lule jete, vërehet fakti që  poetja e re, Arbënore Abazi poezinë e saj e ndërton në një formë të veçantë poetike që për shumëçka dallon nga krijueset të tjera, të cilat krijojnë tek ne. Në njërën anë ajo vargun e saj e pikturon me një ambient që rrethon që shfaqet herë në trajtë humnere dhe herë në trajtë shpresëdhënëse, ndërsa vështrimi tjetër ka kahun nga vetja dhe ravijëzon pasojat që lë në shpirtin e saj këto realitete të ngërthyeshme. Ky motiv vërehet te poezitë, si Kënga e lirisë, Të kam lule jete, Dikush mundet, Unë jam pemë e vjetër, Atje gjej paqe, Edhe unë qaj, Diçka e bukur, Lutje, I gjunjëzohej jetës, Unë dhe valët e detit etj.  Në përfundim, në gjithë këtë, nga vargu i  Abazit në përfundim të të gjitha situatave  dhe esencave  shpresa e së ardhmes së lumtur triumfon mbi situatat:

 

 Unë qëndroj e kredhur në mendime

 Valët e detit më bëjnë muzikë

 Jam shume e lumtur

 Nuk e di pse

 Shpirtin e kam të qetë

 Kujtoj momente të jetës

 Që të mos harrohen

 Si valët e mëdha të detit

 Vendosa të bëhem si Deti

 Por deti më do vetëm si mike

 Unë kurorëzohem me valët

 Jam shumë e lumtur!

 

(Poezia, Unë dhe valët e detit, f. 81).

 

Në vazhdim të librit, autorja Abazi e thyen   rutinën e këtij vargu poetik, të konceptuar me një  pjesë – shtojce me aforizma, të  titulluar “Nuk dua të bëhem rob”. Ja disa nga aforizmat që  Abazi i ka sajuar në librin e saj: Më thua se je kritik arti dhe më kritikon  në biznesin tim/. I varfëri i lutet popullit, i pasuri i nënshtrohet pushtetit dhe parasë/.  Asgjë nuk është e rastësishme, gjithçka  ka një qëllim, por për ne mbetet e panjohura/.  Disa njerëz i besojnë fantazisë, disa të tjerë të parealizueshmes/. Nuk ka vetëm jetë misterioze, ka edhe njerëz të tillë etj.

 

Prandaj, në përfundim mund të konstatojmë se vëllimi poetik i autores Arbënore Zeqir Abazi, është një përmbledhje e veçantë poetike, që përveç vlerave ideoartistike edhe motivet dhe mesazhet që  ngërthehen në të janë shumëfish të vlefshme, që njëherësh edhe përcjellin një mesazh  udhërrëfyes.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx