| E hene, 28.03.2011, 07:23 PM |
RECENSION
JETA, SI LAJMOTIV I NJË ZËRI TË RI POETIK
Arbnore Zeqir Abazi, “Mbretëreshë e lotit”, botoi Shtëpia Botuese “Zef Serembe”, Prishtinë 2010.
Nga Mikel GOJANI
Në letrat shqipe, autorja e re dhe e talentuar, Arbnore Zeqir Abazi, vjen me vëllimin poetik të titulluar “Mbretëreshë e lotit” (2010). Libri i Abazajt, ngërthen në vete larushi temash dhe motivesh që shprushin një zjarr të brendshëm shpirtëror. Libri konceptohet nga tre kapituj, që përbëjnë një tërësi unikate përmbajtjesore.
Dy fjalë për poeten
Arbnore Zeqir Abazi u lind më 9 dhjetor 1994, në një vendbanim të lashtë që i thonë Gllarevë të Komunës së Klinës. Ishte kjo kohë kur Kosova ishte e shkelur nga çizmet dhe tankset te okupatorit shekullor serb.
Arbnorja rrjedh prej nje familje përparimtare dhe me një traditë të gjatë kombëtare. Shkollën fillore e krue në vendlindje me sukses të shkëlqyeshëm dhe sjellje shembullore. Ajo është një talente e rrallë. Me krijimtari letrare ajo u mor që në bankat e shkollës fillore, përkatësisht, që nga klasa e katërt. Dallohej në grupin dramatik, po ashtu edhe në grupin letrar dhe atë sportiv që funksiononin në shkollë. Ndjek mësimet në klasën e XI, në degën e Farmacisë. Derisa ishte nxënëse e klasës së X-të, u shpall nxënësja më ë mirë në Kolegjin “UNIVERSUM” në Prishtinë, me ç’rast iu dha shpërblimi prej 100 euro, si bursë mujore për nëntë muaj.
Si nxënëse e jashtëzakonshme, në këtë kolegj vazhdimin e shkollimit ia mundësojë Kompania “Gllareva”, të cilën kompani e falënderon edhe autorja, po ashtu edhe familja e saj.
Ky është libri i parë i kësaj autoreje, prej secilës pritet jashtëzakonisht shumë.
Poezi të një natyrshmërie poetike
Vargjet e Arbnores janë shprehje e fuqishme e një zëri të çiltër poetik, që në botën e tyre zihet shumëçka që ka të bëjë me kohën dhe realitetin.
Motivi i atdheut, motiv që dominon më së shumti në vargjet e poetëve që nga e kaluara, me ndjenjën e dashurisë ndaj mëmëdheut, si prolog hapet ky vëllim poetik:
Derisa shkruaja poezinë
Në fletën e bardhë
Shkronjat bënin dialog
Disa dolën jashtë
Shkronja A filloi të qajë
Unë mbeta e habitur
E pyeta A-në pse po qan
Ajo më tha
Në alfabet jam numër një
Edhe në emrin tënd
Unë jam e para
Pse më le në mes
Më duhet të pres një shqiponjë
Kur më lënë në fund
Të gjitha më shtyjnë
Mendova një çast dhe
Me A-në fillova të fla
/ Mos u zemëro moj A-ja e bukur
Ti më së miri tingëllon
Dhe emrin tim e zbukuron
Askush s’mund të të ndryshojë
Unë A-në e përqafova
Thashë:
Me ty fillon mëmëdheu ynë.
(Poezia, Me A fillon mëmëdheu ynë, f. 5).
Kështu, në vëllimin poetik të Abazaj, objekt frymëzimi dhe preokupimi janë ngjarjet dhe momentet e ndryshme që prekin thellësinë e botës shpirtërore.
Te poezitë e këtij vëllimi poetik, përkatësisht tek kapitulli i parë, Tingujt e heshtjes, me simbolika të fuqishme shpaloset bota që rrethon bashkë me trajtat e përditshmërisë, që trazon këtë shpirt krijues. Në brendinë këtij subjekti ngërthehen edhe hidhërimi, edhe vetmia, edhe reagimi i një shpirti, i cili gjen prehje vetëm në ëndrrat e veta. Në këtë varg, po ashtu e gjejmë edhe trajtimin e temave që lidhen me problematikën sociale e psikologjike, pastaj motivi i botës idile dhe kravatave, si mëtim i hershëm për të ndjekur lëvizjet e reja të mendimit po ashtu edhe të alternimeve jetësore. Motivet që kanë ngjizur krijimtarinë e kësaj autoreje shtysën e kanë në vëzhgimin e hollë e të vazhdueshëm të evoluimit e të transformimit të botës shpirtërore të individit dhe të kolektivitetit. Figurat të cilat dominojnë në vargun e gjatë të këtyre autoreve vihet të veprojnë e të ecin nën trysninë e kushteve dhe realiteteve të caktuara, mirëpo specifika e reaksioneve dhe rrugës së zgjedhur kërkohet në veçoritë e karakterit dhe ngjizin strukturën metaforike të vargut. Konflikti dramatik në të cilën ndeshen ngjarjet dhe protagonistët, autorja bën përpjekje të lehtësojnë formën kapërthimit të motiveve dhe të ngjarjeve. Poezitë e Abazit shprushin fatin e njeriut bashkëkohor. Fati, vuajtjet, plagët, dhimbja, ngushëllimi, ëndrrat, buzëqeshjet, shpresa, vetmia, dashuria, jeta, vetëdija, apokalipsi, ëndrra, errësira, humnera, drita, zjarri, lotët etj., janë lajtmotiv që dominojnë në këto vargje dhe i japin shkëlqim këtij vargu poetik:
Edhe sonte mbretëreshë e lotit jam
Pa ty shoqe vetminë e kam
Natës i mungon takimi ynë i fshehtë
Hëna lutet
Lutet për ne
Si valë rrufeje ti u largove
A kam faj unë që të doja aq shumë
A kam faj që edhe sonte
Qaj për ty mbretëreshë
Mbretëreshë e lotit jam
Vetmia më ha
Loti më pikon
Mbretëreshë e lotit jam
Askush nuk e di që kur u largove
Mbretëreshë e loti jam...
(Poezia, Mbretëreshë e lotit, f. 21).
Jeta që prek sferën shpirtërore
Në kapitullin e dytë, Udhëkryqet e jetës, jeta është lajtmotiv i frymëzimit të brendshëm. Ajo paraqitet duke kaptuar në një rrugëtim situatash dhe ngjarjesh të ndryshme që prekin sferën shpirtërore të kësaj krijueseje. Në poezitë e kësaj autoreje frymëzimet vijnë si lirika dhe përjetime trazimesh të erërave të shpirtit që bukurinë e kanë edhe në dhimbjen njerëzore të dashurisë. E vështruar me një kuptim të gjerë dashuria bëhet shkak i shumëçkaje në jetë: i gëzimit dhe i trishtimit, i shpresës dhe zhgënjimit me “rrugën e humbur” , të cilën e ka shpjer në “udhëkryqin e jetës”:
Ndalem
Dukem si e egër
Kah t’ia mbajë
Si të veproj
Cilën rrugë ta vazhdoj
Kam humbur në rrugën
Që nuk ekziston
Në asnjë hartë...
(Poezia, Në udhëkryq të jetës, f. 33).
Edhe në poezitë e kapitullit në vijim, Të kam lule jete, vërehet fakti që poetja e re, Arbënore Abazi poezinë e saj e ndërton në një formë të veçantë poetike që për shumëçka dallon nga krijueset të tjera, të cilat krijojnë tek ne. Në njërën anë ajo vargun e saj e pikturon me një ambient që rrethon që shfaqet herë në trajtë humnere dhe herë në trajtë shpresëdhënëse, ndërsa vështrimi tjetër ka kahun nga vetja dhe ravijëzon pasojat që lë në shpirtin e saj këto realitete të ngërthyeshme. Ky motiv vërehet te poezitë, si Kënga e lirisë, Të kam lule jete, Dikush mundet, Unë jam pemë e vjetër, Atje gjej paqe, Edhe unë qaj, Diçka e bukur, Lutje, I gjunjëzohej jetës, Unë dhe valët e detit etj. Në përfundim, në gjithë këtë, nga vargu i Abazit në përfundim të të gjitha situatave dhe esencave shpresa e së ardhmes së lumtur triumfon mbi situatat:
Unë qëndroj e kredhur në mendime
Valët e detit më bëjnë muzikë
Jam shume e lumtur
Nuk e di pse
Shpirtin e kam të qetë
Kujtoj momente të jetës
Që të mos harrohen
Si valët e mëdha të detit
Vendosa të bëhem si Deti
Por deti më do vetëm si mike
Unë kurorëzohem me valët
Jam shumë e lumtur!
(Poezia, Unë dhe valët e detit, f. 81).
Në vazhdim të librit, autorja Abazi e thyen rutinën e këtij vargu poetik, të konceptuar me një pjesë – shtojce me aforizma, të titulluar “Nuk dua të bëhem rob”. Ja disa nga aforizmat që Abazi i ka sajuar në librin e saj: Më thua se je kritik arti dhe më kritikon në biznesin tim/. I varfëri i lutet popullit, i pasuri i nënshtrohet pushtetit dhe parasë/. Asgjë nuk është e rastësishme, gjithçka ka një qëllim, por për ne mbetet e panjohura/. Disa njerëz i besojnë fantazisë, disa të tjerë të parealizueshmes/. Nuk ka vetëm jetë misterioze, ka edhe njerëz të tillë etj.
Prandaj, në përfundim mund të konstatojmë se vëllimi poetik i autores Arbënore Zeqir Abazi, është një përmbledhje e veçantë poetike, që përveç vlerave ideoartistike edhe motivet dhe mesazhet që ngërthehen në të janë shumëfish të vlefshme, që njëherësh edhe përcjellin një mesazh udhërrëfyes.