Kulturë
Ryzhdi Baloku: Jeta si dollapet e Tophanës... (Portret lufte)
E shtune, 26.03.2011, 08:57 PM
Ryzhdi BALOKU:
JETA SI DOLLAPET E TOPHANES... (PORTRET LUFTE)
Fragment nga romani në dorëshkrim ( I. )
Ishte një ditë e nxehtë vere me plot gjelbërim. Edhe pse kohë lufte, kudo ndjehej gjallëri. Nuk mbahej në mend ndonjë vit të kishte qenë më i bereqetshëm se ky. Çdo gjë të nevojshme kishte me bollëk.
Në njërën prej atyre ditëve, kur çarshia u mbush nga fluksi i njerëzve, diku larg u dëgjua një shungullimë e fortë, na u duk se edhe toka po dridhej. Sa më shumë që jehona e saj afrohej, aq më fuqishëm dëgjohej rrapëllima e rëndë shurdhuese që vinte prej andej. Të gjithë ata që ndodheshin aty, me hapa të shpejtë njëri pas tjetrit u drejtuan përtej rrugës që të shikonin se çfarë po ndodhte.
Pas pakë kohësh nga larg u pa kolona e tankeve gjermane dhe mekanizmit luftarak që lëvizte pa ndalë, që kishte destinacion drejtimin kah Mitrovica. Kur arritën afër çarshisë, qytetarët kishin dalë e rrinin anash duke e kundruar me kureshtje këtë parakalim në tërheqje, një oficer gjerman i cili qëndronte mbi tank iu bëri me dije të pranishmëve se qyteti do të bombardohej prej anglezëve.
Pas kësaj lëvizjeje qytetarët filluan ta komentonin largimin e befasishëm të gjermanëve. Njëri nga ta më zë pakëz më të lartë tha:
- Më herët shkuan ushtarët e krajlit, pastaj italianët, ndërsa tash po lëvizin edhe gjermanët, lus Zotin që këta të jenë të fundit e mos të na vijnë zaptues të tjerë.
Përkundër lajmit që u përhap nëpër popullatë se qyteti do të bombardohej, fillimisht banorët e saj nuk i lëshuan shtëpitë e veta, ata konsideronin që caku i goditjeve duhej të ishte ushtria gjermane e cila paraprakisht ishte dislokuar tjetërkah, duke taktizuar me lënien e ca njësiteve të vogla kundërajrorësh jashtë zonave të banuara. Sipas kësaj logjike konsiderohej se nuk kishte arsye që të bombardohej ky vend. Mirëpo zhvillimi i kësaj ngjarjeje rrodhi krejt ndryshe. Nuk kaloi shumë kohë kur një uturimë e frikshme jehoi në hapësirë. Avionët anglezë u duken në horizont dhe qielli përmbi Pejë u mbulua prej tyre.
Filluan bombardimet mbi qytet, nga gumëzhima shurdhuese dridheshin edhe çatitë e shtëpive. U krijua një rrëmujë e frikshme me viktima civilësh në lagjet Kapeshnicë, Zatra dhe Karagaç. Banorët e kësaj ane të qytetit përjetuan një tmerr të papërshkrueshëm ferri, me goditje të fuqishme dhe intensive për tri ditë rresht.
Ishte e ditur, që me këtë rast, se forcat gjermane do t’iu shmangen goditjeve të mundshme. Mirëpo, pas një viti e diçka më shumë situata gjeostrategjike në mes të palëve ndërluftuese ndryshoi në tërësi. Sulmi ndaj forcave gjermane do të përsëritet me intensitet edhe më të fuqishëm, por kësaj here goditjet ndodhen mu në brendinë e territorit të këtij shteti.
Sipas lajmeve që asokohe jepeshin nëpërmjet radiostacioneve të huaja, thuhej se Gjermania ishte sulmuar prej forcave të armatosura “anglo-amerikano-ruse” dhe nga çasti në çast pritej që ky koalicion ushtarak të futej edhe në kryeqytetin i këtij vendi.
Kah fundi i vitit 1944, nga të gjitha anët e globit, shtatmadhoria e ushtrisë gjermane kishte filluar tërheqjen e trupave të veta duke e lëvizur makinerinë luftarake në drejtim të Berlinit për ta shpëtuar shtetin nga kapitullimi.
Pas largimit të trupave gjermane prej kësaj ane, situata gjeopolitike ndryshoi me një shpejtësi marramendëse. Kishte sinjale se sllavo-komunistët po e përgatisnin skenarin për ta zhytur hapësirën mbarëshqiptare në vorbullën e errësirës së luftës qytetare. Nacionalistët shqiptarë të Kosovës e hetuan këtë djallëzi. Që mos ta lënin ndonjë njollë të errët në historinë kombëtare, vendosen t’i shmangen kësaj lufte vëllavrasëse.
Pak kohë më pas, në pragun e stinës së atij fundviti, një pamje e zymtë u lëshua mbi qytetin e Pejës. Banorët u strukën nëpër shtëpitë e veta duke i boshatisur rrugët, nën ankthin e pritjes së shtrëngatës që ia kishte mësyrë në drejtim të tyre. Mbi pullazet e shtëpive shihej tymi nëpër oxhaqe, i cili davaritej nga era e ftoftë që frynte nga gryka. Jashtë, herë pas herë dëgjohej ulërima e llavës së qenve të uritur, që ishin lëshuar në kërkim të gjahut. Xha Sokolit i kujtohet një këshillë e kamotshme, që dikur babai i kishte pas thënë: “mençuri është me u largua, derisa stuhia të kalojë”, prandaj me këtë rast ky kishte vendosur që të dalë kaçak, derisa të ndryshojë gjendja.
Kur xha Sokoli me shokë iu afruan maleve të Rugovës, brigadat partizane hynë në qytet, të cilat pastaj do të shpërndahen lagjeve, duke u futur nëpër shtëpitë e tyre. Me të kuptuar se këto brigada ishin të Shqipërisë, banorëve iu hoq shqetësimi, prandaj pa hezituar kishin marrë që t’u përgatisin ushqim, meqë e dinin se luftëtarët e tyre ishin të uritur pas asaj rruge të gjatë e rraskapitëse. Gjatë gostisë, u zhvilluan edhe biseda rreth ardhmërisë së vendit, duke këmbyer mendime me të zotët e shtëpive.
Duke iu referuar përvojës së hidhur nga e kaluara e kësaj ane, në bisedë e sipër, njëri nga qytetarët e lagjes Kapeshnicë iu thotë:
- Serbët me dinakërinë që e kanë në shpirt si dhe me mjeshtërinë për të bërë dredhi, mund të na gllabërojnë vendin. Këta të hidhëruar ngrihen në këmbë dhe i ngrehin pushkët, njëri nga partizanët ia kthen:
- “Kosovar ore kokëderr, serbët janë vëllezërit tanë. Ta kemi ngrënë bukën, se përndryshe do t’i shkrehnim pushkët batare në kokën tënde marroqe”.
Këso zënkash, kishin ndodhur edhe në shumë oda tjera gjatë qëndrimit të tyre në këtë qytet, për të cilat xha Sokoli u informua më vonë.
Në kohën kur këto brigada shqiptarësh po largoheshin në drejtim të hapësirës jugosllave, nga maja e piramidës së pushtetit serb ishte përgatitur ploja për shqiptarët e këtij vendi.
Në marsin e vitit 1945, brigadat e mobilizuara kosovare me afro dyzetepesëmijë rekrutë shqiptarë, nën tytat e pushkëve dhe mitralozave të forcave serbo-malazeze, drejtohen në dy kahe. Njërën pjesë të tyre, të ndara në tri grupe i detyrojnë të marshonin nëpër shkrepat e maleve të Alpeve shqiptare, me qëllim që t’i shpinin në Tivar e Dubrovnik, kurse pjesën tjetër në drejtim të Vojvodinës për në front të Sremit.
Në momentet kur Kosova mbeti e pa mbrojtur, brigadat partizane serbo-malazeze me çetnikë të inkorporuar në to, u futen në këto troje për ta filluar gjahun, duke u vënë në përndjekje të nacionalistëve shqiptarë.
Gjatë këtij aksioni, vendin e kaploi një rrëmujë e papërshkrueshme. Gjahu mbi shqiptarët e mori përmasën e një uragani të tërbuar, ndërsa këta për t’i arsyetuar masakrat që po i bënin mbi civilët shqiptarë, këtë veprim shfarosës e quanin: “pastrim nga mbetjet e forcave reaksionare”.
Derisa në njërën anë në Pejë e rrethinë dhe regjione tjera të këtyre trojeve, pushtetmbajtësit partizanë po e gjahtonin pjesën më të ndritur të atdhetarëve shqiptarë, në anën tjetër gjatë rrugës rreth njëmijë rekrutë shqiptarë të paarmatosur vriten maleve të Shqipërisë, për shkakun se kishin ndaluar pranë burimeve të ujit për ta shuar etjen. Me të arritur të tyre në Tivar, pas inskenimit të një zënke, te ndërtesa e “Monopolit të duhanit” pushkatohen e masakrohen mbi katërmijë veta, ndërsa pjesën tjetër të rekrutëve, që i stacionojnë në Dubrovnik, i ngujojnë në një depo baruti, me ç’rast do të helmohen dhe vdesin rreth tetëqind veta prej tyre. Shqiptarëve, që po marshonin në drejtim të Sremit, iu kishin dhënë pushkët pa gjilpëra. Edhe këtu një pjesë të tyre i pushkatojnë nën pretekste të ndryshme të inskenuara.
Në kohën kur rekrutët shqiptarët po bëheshin pre e kurdisjeve të përgatitura nga serbët, xha Sokoli me shokë strehohet maleve në motin me borë e stuhi, duke u ngjitur përpjetave me kalesa shkrep më shkrep, me ndonjë pushim të shkurtër nëpër tëbanat e pabanuara barinjsh, ndërsa netëve duke fjetur shpellave në hapësirën e bjeshkëve të kësaj ane.
Xha Sokoli i kujton këto momente mbijetese, të cilat sa ishin të vështira po aq ishin edhe brengosëse për faktin se qeveria komuniste e Shqipërisë ishte shndërruar në një vegël të serbëve, duke bashkëpunuar ngushtë me ta edhe në përndjekjen dhe likuidimin e atdhetarëve shqiptarë. Kjo bindje iu shtua edhe më shumë pasi që nga një bari kishin mësuar për ekzekutimin e disa shokëve të tyre, të cilët kishin dalë në territorin administrativ të Shqipërisë, me shpresë se atje do ta gjenin shpëtimin.
Këto momente kujtese të xha Sokolit, të shëtisë së mendjes nëpër kalendarin historik të kohës së përfundimit të luftës, ia ndërpreu e shoqja Zoja, kur me dy filxhanë kafe hyri në divanhane dhe prej së largu nisi t’i flasë:
- Meqë Tringa po e mëkon të birin, vetë i solla kafet, për ty e Malësorin.
Ky ia ktheu me falënderim dhe uratë që edhe më tej t’i shërbejë shëndeti, mandej sa për ta çelë bisedën me të, e vazhdoi me fjalët:
- Shyqyr Zotit breshëri nuk e zgjati më tepër. Kam shpresë që bereqetin mos ta ketë dëmtuar shumë.
Ajo vetëm e tundi kokën në shenjë miratimi për këtë konstatim, pastaj nisi të kthehet e të zbresë shkallëve teposhtë.
Me të larguar të saj, xha Sokoli e ndezi cigaren. Kur e afroi dorën te filxhani, ia behu Malësori, i cili pa hezituar u ul menjëherë në divan pranë tij. Që të dytë në heshtje filluan t’i pinin kafet.
Kur xha Sokoli e piu kafen dhe e ndrydhi duqin e cigares, Malësori e pyeti:
- Babë, deri me tani më ke rrëfyer për një sërë ngjarjesh historike, të cilat edhe vetë i ke përjetuar, por një gjë e kam të paqartë, si rrodhi puna që përkundër luftës që e bëtë, komunistët e morën pushtetin, dhe me këtë rast Kosova serish mbeti nën Jugosllavi ndërsa Çamëria nën Greqi ?
Pas një çikë kujtese, xha Sokoli iu përgjigj:
- Edhe asokohe kur dola kaçak me shokët e luftës, herë pas herë e analizoja situatën, e në mes tjerash edhe këtë çështje për të cilën me pyete. Ai vazhdoi të shpjegojë:
- Kur u largova nga shtëpia dhe dola maleve ishte stinë dimri. Në atë kohë, një ditë mëngjesi gdhiu me një acar të ashpër, pas një bore që kishte rënë gjatë tërë natës e ia kishte dhënë deri mbi gjunjë. Era e ftohët që fërfëllinte me tërbim duke e rrahur shpatin e bjeshkës, arrinte të futej edhe brenda në shpellë. U detyruam të dilnim prej saj, duke menduar se më poshtë moti do të ishte më i butë. Të strukur nga të ftohtit, njëri pas tjetrit ecnim me nxitim në drejtim të një vërrishte, meqë aty afër ishin disa tëbane barinjsh, të cilat gjatë stinës së dimrit ishin të pabanuara. Me të arritur në atë lëndinë u futem në njërën prej staneve që menduam se ishte më i miri. Mbasi e ndezëm zjarrin, të gjithë në heshtje filluam të ngrohemi rreth tij. Trarët e çatisë rënkonin prej peshës së borës dhe erës së fortë që frynte pa ndalë. Asnjëri prej nesh nuk fliste, jo pse na ishin harxhuar fjalët, por nga brenga se tymi që dilte në horizont mund të na zbulonte vendstrehimin, e mund të na kanosej rreziku. Me gjithë atë, pa ngrohtësinë e zjarrit nuk mund të rrinim aty, prandaj herë pas herë detyroheshim që me një kujdes të veçantë të përgjonim jashtë.
Derisa po ngroheshim pranë vatrës, më shkonin mendimet nëpër rrjedhat e zhvillimeve politike. I analizoja rrethanat, që nga fillimi i luftës e deri në përfundimin e saj. Përkundër angazhimeve tona të asaj kohe, çështja kombëtare na dështoi, prandaj përpiqesha t’i gjeja shkaktarët të cilët kishin ndikuar në këto rezultate.
Kisha bindjen se gjatë kësaj lufte pala shqiptare, e ndikuar me ideologji komuniste e kishte gjetur mbështetjen tek shteti sovjetik, mirëpo për mendimin tim pikërisht këtu qëndronte defekti, sepse historikisht dihej që Rusia gjithmonë e kishte prioritet interesin e popujve sllavë, ndërsa në rastet kur interesat e të tjerëve do të ishin të kundërta me ato sllave, atëherë paraprakisht dihej pala fituese.
Përkundër orvatjeve të vazhdueshme, disa shqiptarë nacionalistë, të cilët posedonin një spektër të gjerë intelektual të dijes, nuk arritën ta fitonin përkrahjen adekuate për të hyrë në aleancë me ndonjë fuqi ushtarake, sikurse e kishte pala e kundërt, sepse siç duket me insistim të partnerëve në koalicion, zonat e interesit global prej fuqive të mëdha ishin planifikuar ndryshe, nga ajo që e mendonim.
Në vendet me popullatë shumicë sllave dhe të konfesionit ortodoks, pos rasteve të veçanta, pas lufte pushtetin e morën forcat me ideologji komuniste dhe u rreshtuan në Bllokun Lindor, ndërsa vendet tjera kryesisht u mbështetën përkrah Bllokut Perëndimor.
Precedent kundruall këtyre parimeve ishte Shqipëria në njërën anë dhe Greqia në anën tjetër. Si duket, për arsye të përkatësisë fetare të njëjtë me atë të shumicës sllave, pjesa dërmuese e grekëve gjatë luftës e përqafuan ideologjinë ruse dhe u mbështetën nga ata.
Me tërheqjen e trupave gjermane nga Greqia, menjëherë plasi lufta për pushtet, në mes të palës nacionaliste dhe asaj komuniste, këtu pushtetin e morën nacionalistët grekë, pasi që u ndihmuan nga forcat aleate që e dominonin këtë zonë interesi, prandaj ky shtet u rreshtua në anën e Bllokut Perëndimor.
Në anën tjetër qëndronte Shqipëria, një vend me popullatë e cila tradicionalisht njihej për ideologjinë e vet tolerante për të gjitha besimet fetare. Megjithatë në pajtim me zonat e parapërcaktuara nga fuqitë e mëdha, pushtetin këtu e morën komunistët dhe u rreshtua në Bllokun Lindor, përkundër përkatësisë së natyrshme perëndimore.
Me vrasje e masakra, Greqia serish e aneksoi pjesën jugore të krahinave shqiptare, ndërsa Jugosllavia atë veriore. Këtë aneksim, nacionalistët grekë e realizuan kah mesi i vitit 1944, me dëbimin e shqiptarëve të Çamërisë,të konfesionit mysliman, prej trojeve të veta, ndërsa në Kosovë, komunistët serbo-malazezë e përmbyllën vitin 1945 me rreth dyzetmijë shqiptarë të ekzekutuar në forma të ndryshme.
Sa më gjatë që kalonte koha aq më shumë konsolidohej pushteti komunist, ndërsa në anën tjetër Kaçakëve për çdo ditë iu ngushtohej rrethi, meqë sigurimi shtetëror i quajtur OZN-a kishte rekrutuar një lukuni spiunësh shqiptarë, të cilët prej lagjes në lagje e prej malit në mal u lëshuan si çakejtë që t’i hetojnë lëvizjet e nacionalistëve shqiptarë dhe vendstrehimet e tyre.
Si i përfundoi këto fjalë, xha Sokoli ndaloi së rrëfyeri, sepse siç duket këto momente i përjetoi shumë rëndë. Pasi e lëshoi një psherëtimë ngashëruese dhe u qetësua pakëz, vazhdoi ta shpjegojë ngjarjen:
(Vijon)
_________
Ryzhdi BALOKU:
JETA SI DOLLAPET E TOPHANES... (PORTRET LUFTE)
Fragment nga romani në dorëshkrim ( II. )
...
- Derisa ishim duke u ngrohur brenda në stan, herë pas here na duhej të dilnim jashtë me rend për ta vëzhguar hapësirën përreth. Kur më erdhi radha, dola jashtë për ta vrojtuar situatën. Posa i mbështeta dylbitë në sy e vërejta një grup njerëzisht që ngjiteshin shpatit në kolonë me lëvizje zigzage kah drejtimi jonë. U ktheva shpejt për t’i njoftuar shokët. Mbasi e shuam zjarrin, të gjithë dolëm nga stani. Edhe pse prej së larti i shihnim si në shuplakë të dorës, Zeka i nxori dylbitë dhe nisi e po i vëzhgon me kujdes. Po më thotë:
- O Sokol-o, shiko-shiko se kush po na vjen ! A po të kujtohet çasti kur i rrethuam partizanët që ishin grumbulluar në mulli të fshatit Rakosh për ta formuar partinë komuniste të asaj ane. Kur ne i shkrehem pushkët, ata nga frika patën filluar të dalin si lepujt prej lakrave. Përkundër që kishim mundësi t’i vrisnim të gjithë pa na shpëtuar asnjëri prej tyre, i lamë zuzarët të iknin për hir të disa shqiptarëve që ishin me ta. Ndërsa tani njëri prej atyre horrave tanë, në vend që të turpërohet për rreshtimin e gabuar të tij, tani po e loz edhe rolin e zagarit nuhatës për skuadrën gjurmuese të përbërë nga kolonët serbo-malazezë, që kishin qëllim likuidimin e atdhetarëve shqiptarë. Edhe tash mundemi me i vra si lepujt. Mirëpo me këtë rast do të merret vesh se gjendemi të strehuar në këto anë, prandaj më mirë do të ishte që menjëherë të largohemi sa nuk na kanë diktuar të poshtrit. Ashtu edhe vepruam.
Kur filluam t’i ngjiteshim përpjetës së malit, filloi të fërfëllinte një erë e furishme e cila i ngjante një uragani dhe borën e bënte lëmsh duke i zhdukur fërkemët pa lënë asnjë gjurmë mbrapa, por njëherësh edhe të ftohtit e këtij acari na hynte deri në palcë, sa që mezi i lëviznim hapat. Zeka që rinte i fundit për të na siguruar mbrojtjen nga mbrapa, duke u shkëputur nganjëherë për një distancë edhe nga rreshti, kishte vërejtur zhdukjen e gjurmëve nga era dhe thirri:
- Shokë, a po e shihni se edhe në fatkeqësi ka fat, fërkemet po humbasin ende pa mbërri unë tek ju.
Po atë ditë kah mbrëmja i pamë ndjekësit tanë kur u kthyen të lodhur, meqë si duket e kishin vërejtur se gjurmimi në një mot të tillë ishte i pamundur.
Pas disa ditësh të atyre shtrëngatave dhe acarit të gjatë dimëror, moti ngadalë nisi të ndryshojë.
Një erë e lehtë e jugut që fryu gjatë natës, bëri që mëngjesi i asaj dite të shndriste me diell. Pakëz më vonë moti filloi të ngrohej si në stinën e pranverës. Bora që i kishte mbuluar bjeshkët reflektonte rreze të arta, natyra dukej më e bukur se çdo herë. Nga pamja hetohej se jashtë ishte më nxehtë sesa brenda pranë zjarrit në shpellë, prandaj edhe na joshte që të dilnim. Pa vonuar shumë dolëm përjashta dhe filluam të ecnim shpatit përpjetë. Kur arritëm te kojka e bjeshkës që ishte edhe pikësynimi ynë, për një çast na u lëbyrën sytë nga rrezet e diellit që shndrisnin në atë kohë mesdite, por edhe trupi i jonë e ndjente ngrohjen e tyre. Prej aty tani mund t’i observonim të gjitha anët, pa u trembur për sigurinë e qëndrimit tonë, prandaj atë vend e shfrytëzonim si vendqëndrim për çlodhje.
Pasi një kohe jo edhe aq të gjatë akomodimi që po e bënim në ngrohtësinë e diellit, njëri prej shokëve tha:
- Paskemi mysafir ! Pothuajse të gjithë përnjëherë i kthyem kokat me shikim teposhtë, për të parë se kush na qenka. Dikush ngjitej bjeshkës përpjetë. I mora dylbitë për ta parë. Nuk munda ta dalloja se kush ishte, megjithatë e pashë se nuk ishte i armatosur me armë të gjatë. Edhe të tjerët që kishin dylbi nisën ta vëzhgonin. Kur arriti pakëz më afër e njoha, nga ngazëllimi iu drejtova Zekës me fjalët:
- Qenka Lisi, ndërlidhja e jonë, na paska sjellë ushqim, sinjalizoje me dritën e pasqyrës se po don me shkue andej kah shpella.
Kur Zeka e sinjalizoi, ai e ngriti dorën në shenjë dallimi, se na vërejti dhe ia mësyu drejt nesh.
Pas një kohe të shkurtër ia mbërrini duke dihatur. Ardhja e tij na gëzoi, të gjithë u ngritëm në këmbë për ta mirëpritur, kurse unë me t’u përshëndetur me të, ia hoqa menjëherë barrën nga shpina sepse vërehej se ishte i lodhur shumë.
Fytyra e skuqur dukej se po i digjej flakë, ndërsa balli iu kishte mbushur plot djersë, e cila i pikonte nga vetullat.
Kur i kreu përshëndetjet me ne, na u drejtua:
- Iu solla nja dy bukë misri me pakëz djathë dhe disa kile patate që i nxjerra nga trapi, të cilat kohë pas kohe mund t’i piqni në zjarr dhe e shtyri strajcën kah unë që ta merrja. Pasi i zbraza patatet prej saj duke i futur në strajcën time që e mbaja me veti, bukën e djathin i ndava barabartë e iu shpërndava të gjithëve.
Derisa po hanim bukë, vazhduam me bisedë. Po i them:
- Lis po çka ka të re andej ?
- Çka s bën vaki ! - ma ktheu.
Mirëpo, pasi heshti një çikëz, vazhdoi të tregojë se çfarë i kishte ndodhur kohë më parë. Na tha:
- Para tri a katër ditësh, m’u paraqit te dera e shtëpisë i biri i njëfarë dredharakut. Po më thotë:
- Baca Lis, a ka mundësi të ma bësh një nderë? Meqë fare pak e njihja, u çudita pse mu drejtua me kërkesë të tillë, prandaj mbeta duke e shikuar! Ai, pa e pritur përgjigjën time, vazhdoi me shpjegim:
- Po dua me dalë kaçak që t’iu bashkëngjitëm komitëve të Pejës, a po më lidh me ta ?
- Pasi ia lëshova sytë njëherë, u mendova: I biri bushtrës, nuk ka gjasa që ky të jetë në listën e të përndjekurve, me siguri ka ardhur me direktivë, po do të më fusë në “kurthin e ujkut”, prandaj pa u hamendur ia ktheva:
- Shiko djalosh e ke gabim, unë nuk jam në dijeni që dikush ka dalë maleve. Nëse ke ardhur vetëm për ketë punë, atëherë lirisht po të them se ti e paske gabuar adresën. Për ta përfunduar bisedën me të, pa asnjë ngurrim i thash: “ditën e mirë” dhe ia mbylla derën e oborrit duke e lënë jashtë në rrugë.
Pasi na rrëfeu për atë që i kishte ndodhë, të gjithë ramë në heshtje, ndërsa unë u kridha në mendime duke e analizuar kontributin e tij për ne.
Lisi ishte një shtyllë e fortë e qëndresës sonë. Pos ndihmës që po na bënte duke na furnizuar me ushqime, ai na njoftonte edhe për zhvillimet e ngjarjeve në qytet dhe rrjedhat në vend.
Ishim në dijeni se pushtetarët partizanë, për t’i arsyetuar krimet mbi civilët e pushkatuar, si dhe për t’iu zhvlerësuar jetën e tyre, viktimat po i emërtonin me epitetin: “profiter lufte, kulak, borgjez, mikroborgjez”, si dhe lloj-lloj emërtimesh tjera të ngjashme me kuptim diskreditues të kohës.
Pos skamjes përmes shpronësimit dhe vuajtjeve që iu bënin, ironi e jetës ishte kur personeli i burgut në Pejë dhe gjetiu, po i shfrytëzonin edhe materialisht këto familje viktimash, të cilat në padijeni se iu kishin pushkatuar të afërmit, vazhdonin atyre t’iu dërgonin ushqime, ndërsa administruesit dhe rojat e këtij institucioni komunist ua merrnin ato për të bërë ahengje.
Veprimi çnjerëzor i këtyre pushtetarëve, që mendja e shëndoshë nuk mund ta kapërdijë, ishte atëherë kur këta ua merrnin viktimave edhe veshmbathjen prej trupit.
Në këtë kohë turbullirash kur Kosovën e kishte mbuluar errësira e një ankthi të mistershëm, një rast i tillë me këpucë kishte ngjarë edhe në familjen e Canës së haxhi Muratit nga lagjja Jarinë e këtij qyteti.
Bijës së tij - Selimës, ky çast nuk i hiqej mendsh.
Kur ia kishin arrestuar të atin, as vetë nuk e dinte sesi në memorie iu kishte ngulitur dhe vazhdimisht i silleshin nëpër kokë këpucët e babait të cilat atë ditë i kishte pasur të mbathura.
Pas disa ditësh në shtëpinë e vet, kjo i sheh po ato këpucë në fund të shkallëve të katit përdhesë.
Ajo mendon se ia paskan liruar të atin dhe me një gëzim të papërshkrueshëm nxiton të ngjitet shkallëve përpjetë në katin e epërm.
Me të arritur atje, gëzimi i saj shuhet përnjëherë. I bie një nur fytyrës. Nis ta kaplojë një djersë e ftohët, kur në vend të babës e vëren fqinjën në odë, e cila kishte ardhur për vizitë.
Fqinja në atë çast ishte duke i ngushëlluar të pranishmit për arrestimin e zotit të kësaj shtëpie. Mirëpo, Selimja e dinte se biri i saj ishte një ndër figurat kyçe të sigurimit shtetëror të quajtur OZN-a, i njohur si organ famëkeq dhe sinonim tmerri për popullatën shqiptare, i cili udhëhiqej nga serbët dhe malazezët.
Fqinja, në padijeni se të kujt kishin qenë më parë këto këpucë, i kishte mbathur ato duke menduar se i përkisnin birit të saj, i cili pas përfundimit të orarit të punës ishte shtrirë të pushojë dhe e kishte zënë gjumi, ndërsa kjo, duke qenë vetëm, vendos të dalë te fqinjët.
Ndonëse Selimja asokohe ende ishte fëmijë, e kuptoi se ajo me këtë rast kishte ardhur me këpucët e babait të saj të cilat i njihte mirë.
Buza i dridhej. Rrëke lotësh iu lëshuan mbi faqe. Mendtë i shkuan te Tabjet, aty ku shqiptarët pushkatoheshin përnatë. Ia ktheu shpinën asaj pa nxjerrë asnjë zë, sepse sherri e poshtërsia nuk kishin kufi, meqë frikohej mos po ia arrestonin edhe të vëllanë.
Dyert e “kasaphanës” për likuidime masive të shqiptarëve u hapen në këtë vend pas një fjalimi patetik nga mitingu i mbajtur në fushën e sportit tashmë socialist i ndërtuar mbi varrezat shqiptare në “Varret e gjata” të Pejës. Me këtë rast në fjalimin e tij me plot patos, ky person i cili gjatë luftës ishte komandant i shtabit të përgjithshëm të partizanëve për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, mu në këtë vend që e kishte simbolikën e vet, në mes tjerash thotë: ... “bashkëpunëtorëve të fashizmit do t’u biem satër në krye” ....
Qytetarët e Pejës me rrethinë e dinin se kush ishin këta kolaboracionistë, por ata tashmë kishin kaluar e po qëndronin në anën e tyre, prandaj po dihej se kujt po i adresohej ky kërcënim.
Po të kishin qenë shqiptarët bashkëpunëtorë të fashizmit, ushtria italiane nuk do ta kallte çarshinë dhe xhaminë.
Atë ditë në Shyster mëhallë, kur nga predha e topit u rrënua minarja për tokë, pazari u shpërla përnjëherë, ndërsa fshatarët e lanë mallin në treg dhe ikën për t’i shpëtuar kokat.
Në çastin kur ushtarët italianë po ia vënin zjarrin godinave të këtij vendbanimi dhe po e shkatërronin pasurinë e shqiptarëve, gratë serbe e malazeze në prezencën tyre e mblidhnin bulmetin dhe gjërat tjera të ekspozuara në treg.
Këto gra, që dikur plaçkitën në pazarin e Pejës, tani në këtë kohë të administrimit ushtarak që po mbretëronte në Kosovë, qëndronin përkrah partizanëve, duke iu duartrokitur për fjalimet e nxehta.
Po atë natë pas mitingut, godina e OZN-së në kullën e Xhevat Begut do të tronditej nga lemeria. Gjëmat, rënkimet dhe klithmat e shqiptarëve jo vetëm që do të arrijnë të dëgjohen jashtë, ato do të duken sikur po e shpojnë edhe kupën e qiellit.
Këto skena tmerri nuk do t’i lënë pa i sëmbuar as zemrat e rojave shqiptare përbrenda këtij objekti, për të cilat veprime do të merret vesh pakëz më vonë.
Në kohën e turnit të natës kur një roje shqiptare po patrullonte nëpër oborrin e OZN-ës, i dëgjon disa klithje trishtuese nga brendia e kësaj godine. I shtyrë nga instinkti, hyn brenda saj. Nga një dhomë që shërbente si zyrë, dëgjon rënkime të rënda. Pa menduar gjatë e hap atë derë. Aty brenda e sheh një skenë tmerri. Dy-tre serbo-malazezë e kishin gozhduar përmbi tryezë si Krishtin një shqiptar, e po ia rripnin lëkurën me brisqe për së gjalli. Kjo pamje e tmerron aq shumë sa që këmbët fillojnë të mos e mbanin. Iu kujtua rrëfimi i një plaku që dikur i kishte pas thënë: “Pas rënies së Perandorisë Otomane, kur Kosovën e pushtoi sllavi, i gjalli ia kishte lakmi të vdekurit”. Me qëllim që ta ndërprisnin këtë torturë trishtuese e të padurueshme, me frikë e zë të përdëllyer iu drejtohet me pyetje:
- “Çfarë po i bëni bre vëllezër” ?
Ata i ngritin kokat me vështrim të mrrolshëm të syve prej xhelati për ta parë se kush po iu flet. Njëri prej tyre, duke u krekosur ia kthen me një ton të ashpër e kërcënues:
- “Çfarë vëllai, bre, po kujton se të kemi! Shqiptari as në ëndërr nuk mund të jetë vëllai jonë. Ik prej këtu more pleh mos t’i shohim sytë, sa nuk ta kemi bërë më zi se këtij”.
Ky përjetim e zhgënjen këtë roje dhe e trazon shpirtërisht, sa që pendohet për angazhimin e deriatëhershëm si partizan. Pas këtij rasti mbyllet në vetvete duke mos folur me askënd. Njerëzit kujtonin se kishte filluar të çmendej.
Për t’u çliruar nga kjo tendosje psikike, një ditë vendos që t’i tregojë në besë njërit prej shokëve më intim. Kështu besë pas bese, rrëfimi i tij u përcoll me pëshpëritje vesh në vesh, duke mos guxuar asnjëherë që të flitej haptas.
Pas një decenie e diçka më shumë nga koha përfundimit të kësaj lufte, ky pushtet e organizoi aksionin për mbledhjen e armëve.
Kjo fushatë zyrtare u zhvillua në Kosovë gjatë periudhës derisa xha Sokoli po e mbante dënimin nëpër birucat e burgjeve të Serbisë, e për të cilat ngjarje ky kishte dëgjuar më vonë.
Nën pretekstin e dorëzimit të armëve, natë e ditë u rrahën për vdekje kryefamiljarët e familjeve më të respektuara e në mesin e tyre edhe klerikët shqiptarë.
Jo shumë kohë më parë, shqiptarët në masë zhdukeshin natën, ndërsa në këtë periudhë përndjekjesh kjo ndodhte me ekzekutime individuale dhe sistematike, të dizajnuara përmes aparatit shtetëror për siguri të brendshme, tashmë të quajtur me emërtimin UDB-a. Për t’u shpëtuar torturave, shqiptarët detyroheshin t’u paguanin njerëzve të këtij organi para të konsiderueshme që t’ia siguronin ndonjë armë për ta dorëzuar.
Nën parullën e “vëllazërim-bashkimit” të popujve që jetonin në Jugosllavinë Socialiste dhe në emër të reformës agrare, pushteti komunist i këtij vendi e vazhdoi programin e regjimeve të mëparshëm për kolonizimin e këtyre trojeve me serbë e malazezë, veprime këto që ishin ndërprerë me rastin e kapitullimit të Mbretërisë Jugosllave.
Kundërshtarët e këtyre planeve u likuiduan në rrethana misterioze, me motiv që kinse janë vrarë nëpër kufij gjatë tentimit për arratisje jashtë vendit.
Për ta realizuar shpërnguljen sa më lehtë e proklamuan krijimin e një shoqërie pa klasa. Ç’është e vërteta shpronësimi i shqiptarëve bëhej për shkakun se prona ishte një prej arsyeve themelore që këta nuk lëvizin prej vendit në të cilin jetonin me gjenerata. Pos kësaj nën pretekstin se i kanë shtëpitë e mëdha, shumë familje partizanësh hynë nën të njëjtën çati brenda një oborri të jetonin së bashku me pronarët e këtyre shtëpive, duke u ndjerë pastaj edhe si zotërues të kësaj hapësire.
Pos presionit psikik dhe fizik që iu bëhej personaliteteve të respektuara të vendit, njëherazi mundoheshin t’iu nëpërkëmbnin edhe krenarinë e tyre në mënyrë që nga pamundësia që t’i duronin ato, do të detyroheshin për t’u shpërngulë, ose në të kundërtën ta pranonin nënshtrimin si skllav.
Ata si duket kishin planifikuar, që me të vërejtur të këtyre dukurive, popullata shqiptare vetvetiu do të interesohej për shpërngulje.
Kur xha Sokoli e përfundoi rrëfimin, Malësori ra në mendime, mirëpo pas pak çastesh u shpërqendrua meqë diçka jashtë ia tërhoqi vëmendjen dhe nisi të vëzhgonte kah dritarja. Për të parë se çfarë po e joshte andej edhe xha Sokoli e ktheu shikimin në atë drejtim.
Era ende frynte me shi, mirëpo vunë re se moti kishte filluar të ndryshojë, meqë rrezet e diellit herë pas herë depërtonin përmes vellos së reve që po rralloheshin prej çasti në çast. Duke e vërejtur këtë, Malësori e ktheu shikimin kah i ati. I thotë:
- Babë, moti po don me u përmirësue.
- Po biri im, - iu përgjigj ky dhe vazhdoi: pas çdo shtrëngate, dielli shndrit si me lindë. Dukuritë natyrore gjithmonë janë në lëvizje, rrotullohen si dollapët e Tophanes. Edhe viti ndërrohet me radhë prej stinëve. Ato i përngjajnë të mëparshmeve, mirëpo nëse i analizojmë, shohim se ato dallojnë për nga detajet siç janë: limitet e temperaturave, shpejtësia e erës, vëllimi i reshjeve, kohëzgjatja e tyre e kështu me radhë.