E diele, 28.04.2024, 06:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Emin Riza: Tirana në kaos ndërtimesh, nuk janë përfillur godinat paraardhëse

E premte, 25.03.2011, 07:20 PM


Flet akademiku, restauruesi, studiuesi i ndërtimeve të vjetra, Emin Riza: Enveri ishte "specialist" për gjithçka, na jepte mend në fushën e ndërtimeve

 

Tirana në kaos ndërtimesh, nuk janë përfillur godinat paraardhëse

 

Nga Albert ZHOLI

 

Profesor Doktor Emin Riza është një ndër emrat më të shquar të restauruesve shqiptarë dhe një nga studiuesit më të mirë në fushën e ndërtimeve të vjetra. Iniciator dhe pjesë e grupit të punës të ligjit "Për trashëgiminë kulturore" dhe një nga iniciatorët e këtij ligji në Kosovë. Kryesues i grupit të punës që bënë gati dosjen e UNESKO-s për Gjirokastrën dhe Beratin. Ai është arkitekt, inxhinier, njohës i mirë i monumenteve kulturore në Shqipëri dhe autor i një sërë librash mbi këtë çështje. Një ndër librat më të fundit të profesor Rizës është ai për "Banesat qytetare kosovare", një libër në bashkëpunim me Njazi Halitin i cili vërtetonte vazhdueshmërinë e shqiptarëve në Kosovë dhe faktin se ata ishin autoktonë aty. Profesor Riza është djali i Selman Rizës njërit prej gjuhëtarëve dhe albanologëve më të njohur, ai vetë ia ka kushtuar gjithë jetën dokumentimit dhe mbrojtjes së pasurive kulturore shqiptare, duke qenë prej kohësh një nga figurat kyçe në Këshillin Kombëtar të Restaurimit. Ai gjithashtu ka qenë deputet i Parlamentit Shqiptar për Partinë Demokratike. Familja Riza është me origjinë nga Gjakova, ndërsa vetë profesori ka lindur në Korçë.

Cilat janë zhvillimet më të fundit në fushën e ndërtimeve në Shqipëri?

Pas rrëzimit të regjimit enverist, apo atij të bolshevizmit të skajshëm, Shqipëria pati përpara hapësira të gjera potenciale zhvillimi. Themi potenciale sepse për të arritur në realizime, vetiu kërkohen drejtimi i duhur shtetëror, profesionalizmi, përkushtimi e ndërgjegjësimi i bashkësisë qytetare për arritje vijimisht në rritje. Në tërësinë e sferave të risive, në fushat e investimeve kapitale, për arsye të kuptueshme, ajo ndërtimorja dhe veçanërisht e banesave ka shënuar arritje, të cilat në pak vite, thuajse kanë tjetërsuar pamjen e qendrave të banuara, veçanërisht atyre qytetare. Këto ndërtime natyrisht janë pasqyruese të realitetit të ri shqiptar, në bazën e të cilit qëndrojnë tiparet e zhvillimit ekonomiko-shoqëror bashkëkohor, atij që emërtohet disi konvencionalisht kapitalist. Pohoj që në krye se, ndërtimet e reja, veçanërisht të shumta në Tiranë, nuk i kanë përfillur ndërtimet paraardhëse. Të shpjegohem, studiues i pashkëputur gjysmë shekullor i ndërtimeve popullore shqiptare, apo kryesisht banesës tradicionale, ripohoj se çdo formacion ekonomiko-shoqëror kushtëzon llojin e banesës dhe ndërtimeve në përgjithësi. Edhe Shqipëria, tashmë bashkëkohore në mënyrën e konceptimit të jetës, natyrisht me nivele fillestare, do të ndërtojë sipas kriteresh të reja krahasuar me të kaluarën. Por kjo domosdoshmëri, të themi historiko-kulturore, ka edhe kufizimet e saja kur është fjala për ndërtime në hapësira të banuara tashmë të formuara. Më ngushtas, pranë një ndërtimi me vlera të së kaluarës, ngritur sipas kritereve të kohës së ndërtimit, duhet respektuar për të mos cenuar njësinë e ansambleve, dëshmi historiko-kulturore të së kaluarës. Ky respektim lidhet me dy tregues, atë të volumit, i cili shfaqet kryesisht me lartësinë e ndërtimit si dhe trajtimit të jashtëm të tij. Ndërtimet e tejblarta dhe trajtimet volumore dhe arkitekturore, sheshazi me shpërfillje për ambientin arkitekturor, kanë cenuar rëndë vlerat e qendrave të banuara. Arkitektët nuk duhet të kenë përpara vetëm një letër të bardhë për të hedhur zgjidhjet e tyre që kushtëzohen prej porositësve që synojnë vetëm dendësinë ndërtimore për të rritur fitimet. Por duhet theksuar e vërteta se ndërtimet e reja, shpesh të shoqëruara me rrënimin e ndërtimeve paraardhëse, sa modeste aq edhe larg kërkesave të kohës, nuk paraprihen me studime urbanistike por e pranojnë të mirëqenë urbanistikën spontane, me hapësira qarkullimi tepër të ngushta për sot e të ardhmen. Jemi kështu përpara një realiteti tronditës me pasoja negative të përmasave të mëdha, veçanërisht për banorët e ardhshëm të qendrave të banuara. Të flasësh për Tiranën europiane në këtë kontekst është mirëfilli shtrembërim trashanik i së vërtetës. Shembulli i Parisit të pas gjysmës së dytë të shek. XIX, i cili po i qëndron dhe do t'i qëndrojë kohës është qartazi mësimdhënës edhe për ne.

Ku konsistojnë ndërtimet e reja në Shqipëri dhe a përballen ato nga ana e arkitekturës me ndërtimet bashkëkohore të vendeve perëndimore?

Së pari, do të pohoj se në periudhat kur njerëzimi ishte në fillesat e zhvillimit të tij, njësia e ndërtimeve, kryesisht strehë banimi, ishte tepër e theksuar dhe kushtëzohej kryesisht prej kushteve natyrore të jetesës. Gjatë periudhës antiko-mesjetare, me fillimin dhe zgjerimin e njësive të banuara edhe si bashkësi politike, e cila shfaqet përherë dhe në rritje faktorët ekonomikë si përcaktues të kompozimit të banesës dhe përgjithësisht ndërtimeve, dallimet e tipologjisë së ndërtimeve të së njëjtës gjini, shumohen. Me lindjen e marrëdhënieve kapitaliste, apo fillimin e “kohës së re”, rritja ekonomike, shoqëruar me zgjerimin e njësive politike, kryesisht mbi baza etnike, kushtëzoi procesin e njësimit të ndërtimeve. Ne sot jemi dëshmitarë dhe bashkëpjesëmarrës në atë proces përparimtar njësimi, i cili emërtohet globalizim, apo tërësinë me kuptimin e prirjes për ta bërë botën me zhvillim sa më unik. Në këtë kontekst edhe në fushën ndërtimore, Shqipëria, tashmë përfaqësuese e sistemit progresist kapitalist, është natyrshëm e ndikuar, madje përherë dhe me rritje, prej arritjeve të Europës- Perëndimore, e cila krahas SHBA-ve është në krye të përparimit të shoqërisë njerëzore. Natyrisht, sot prirjen përvetësuese të arritjeve perëndimore mund ta cilësojmë thjesht të tillë dhe aspak përballje.

Ka pasur dhe a ka një traditë shqiptare në ndërtimtari? Sot, po ruhet kjo traditë?

Padyshim që ka një traditë shqiptare në fushën e ndërtimeve. Ky pohim, besojmë fortas, i drejtë kërkon shpjegime. Në fushën e gjerë ndërtimore, kryesisht përfshihen katër kategori: ndërtimet mbrojtëse, ato të kultit, ndërtimet shoqërore dhe inxhinierike dhe së fundi banesat. Cilësori shqiptare për ndërtimet, nuk do të thotë aspak se ka lidhje shkak-pasojë ndërmjet etnisë dhe ndërtimeve. Gjatë mesjetës, ka shumëllojshmëri të tipologjisë së ndërtimeve, veçanërisht në fushën e banesës, ndërsa tre grupet e tjera të ndërtimeve vijimisht, kanë shfaqur paralele deri në identitet të parimeve kompozicionale, teknikës dhe materialeve të ndërtimeve. Origjinaliteti i skajshëm, përgjithësisht në të kaluarën, është tregues i izolimit pra i prapambetjes. Në këtë kontekst, veçanërisht në fushën e banesës shqiptare, me shembuj të ruajtur të shek. XVIII-XIX dhe atyre të varianteve më të thjeshtë, që janë më të lashtit, tradita jonë ndërtimore zë një vend parësor në hapësirën ballkanike dhe më gjerë. Theksojmë se me ndërtime shqiptare, cilësojmë ato të ndërtuara përgjithësisht prej shqiptarëve për shqiptarët. Lidhur me ruajtjen e kësaj tradite, ritheksojmë se çdo periudhe zhvillimi e bashkësive njerëzore pra edhe ajo e shqiptarëve, kërkon ndërtime me tregues të përputhshëm me këto perioda. Kështu përjashtohet natyrshëm ruajtja e traditës, në thelb përsëritjet dhe kërkohet vetëm ruajtja e shembujve të së kaluarës, të cilët plotësojnë kërkesat për t'u cilësuar monument.

Në regjimin komunist, cili ishte tipari dallues i ndërtimeve, kryesisht në sistemin e ndërtesave të banimit? A ishin ato bashkëkohore dhe të sigurta nga ana sizmike?

Karakteristika dalluese e banesave të kohëve të reja, është kalimi prej banesave tradicionale një familjare në ato shumëfamiljare me zgjidhje të njëjta, apo ndërtesat e banimit si bashkësi apartamentesh. Në Shqipëri, kjo dukuri e lidhur kryesisht me nevojën për rritjen e shfrytëzimit të truallit, pa përjashtuar banesat e veçanta njëfamiljare, përherë dhe në zvogëlim, shfaqet rreth çerekut të parë të shek. XX. Vendosja e sistemit pseudokomunist, apo bolshevik, duke shkelur synimet e deklaruara në fillim dhe zhvillimin e saj, përfundoi me barazimin e termit çlirim me atë të robërisë më të spikatur mbarëeuropiane të shek. XIX në Europë. Baras shpërndarja e varfërisë, sipas pohimit të Indira Gandit, duke qenë i prekshëm synimi i të ashtuquajturës demokraci popullore, i gjente banesat kolektive, kryesisht në qytete, si zgjidhjen më të përshtatshme për strehim, siç ishte zëvendësuar me të drejtë termi banim. Hapësirat e vogla, pamjet pseudoklasike dhe më tej zvogëlimi i lartësisë së kateve, deri në mënjanimin e suvatimit të jashtëm, karakterizonin këto ndërtime që shkonin deri në pesëkatëshe. Për këto ndërtime, termi bashkëkohore mund të përdoret vetëm në kontekstin shqiptar, dhe aspak si të ngjashme me simotrat në Europën -Perëndimore. Besoj se, ashtu siç e ka provuar edhe koha, nga pikëpamja sizmike ato janë të sigurta.

Enver Hoxha ka dhënë ndonjë orientim në fushën e ndërtimeve?

Enver Hoxha ishte "specialist" për gjithçka. E në fushën e ndërtimeve ka sugjeruar, me terma të përgjithshme, ecuri në këtë fushë. Fatkeqësisht, si në mbarë vendet e drejtuara në mënyrë diktatoriale, specialistëve u mbetej vetëm të zbatonin profesionalisht, apo më saktë kundërprofesionalisht direktivat, dhe më shpesh marrëzitë e vetëvendosësve të fateve të popujve. Për fushën e ndërtimeve, nuk kam pasur arsye të kem lidhje me udhëheqësit komunistë sepse që prej mbarimit të studimeve për inxhinier ndërtimi, jam marrë me studimin dhe restaurimin e banesave popullore e qendrave historike.

Ka qenë i interesuar sistemi monist për restaurimin e ndërtimeve të vjetra?

Për të qenë në bashkëpërputhje me të vërtetën, një prej synimeve themelore të jetës sime, gjithë duke qenë cilësues i palëkundur i regjimit diktatorial pseudokomunist të pesëdhjetëvjeçarit të kaluar, thellësisht çnjerëzor dhe antikombëtar. Ripohoj se në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare, ky regjim ka dhënë ndihmesë tejet të rëndësishme. Theksoj që në krye se shkaku kryesor, në mos i vetmi i këtij qëndrimi, duhet të ketë qenë synimi sa absurd aq edhe vetizolues i pavarësisë kulturore. Kjo pavarësi, kuptohej si shprehje e zbatimit rigoroz të të ashtuquajturit marksizëm-leninizëm, në të vërtetë vetëm leninizëm, apo bolshevizëm. Siç ndodh herë-herës, përpjekja për zbatimin e këtij koncepsioni thelbësisht dëmprurës për kulturën shqiptare, në kundërshikimin e qëndrimit ndaj trashëgimisë kulturore dhe posaçërisht asaj materiale, ai është pozitiv. Natyrisht edhe në këtë fushë është shfaqur prekshëm zhvleftësimi i motivuar ideologjikisht i vlerave të së kaluarës. Kështu shkatërrimi i shumë ndërtimeve të kultit, pas vitit 1967, përharrimi i ndërtimeve të lidhura me figura të shquara të kulturës shqiptare etj., i ndeshim në periudha në trajtim. Theksojmë se, fusha e trashëgimisë, duke qenë disi larg lidhjes së dukshme me ideologjinë, sa të ngurtësuar aq dhe çnjerëzore të kohës, ishte disi larg mbikëqyrjes së rreptë të saj dhe për pasojë më lehtë e trajtueshme sipas kriteresh thjeshtë profesionale. Veprimtaria për vlerësimin e trashëgimisë kulturore filloi me gjurmimin sistematik të mbarë vendit në vendbanimet qytetare dhe fshatare, si dhe në hapësirat ku ruheshin gjurmë ndërtimesh. Kjo veprimtari u shoqërua me dokumentacionin, përherë në rritje dhe thellim, përshkrimor, grafik dhe fotografik. Më pas, pas përzgjedhjeve mbi kriteret e vlerave kryesisht të dokumentacionit historik dhe atyre arkitekturore, shpalleshin vijimisht listat e ndërtimeve të vëna në mbrojtje shtetërore në cilësinë e monumentit të kulturës. Ky proces, me vijueshmëri të pandalshme, konsideronte mbarë vlerat ndërtimore, pavarësisht prej kohës, gjinisë, apo përkatësisë së porositësit. Vënia në mbrojtje e monumenteve u shoqërua natyrshëm me veprimtarinë e re në fushën e vlerësimit të tyre, atë të restaurimit. Thelbi i kësaj veprimtarie synon ruajtjen e vlerave origjinale të monumenteve si dokument historik i shkallës më të lartë të vërtetësisë. Krahas vënies në mbrojtje të monumenteve të veçantë, që prej vitit 1961 me vënien në mbrojtje të Beratit dhe Gjirokastrës si qytete-muze, veprat e veçanta ndërtimore dhe qendrat historike u vlerësuan barazisht, duke rritur listën e monumenteve.

 

Konventat

Trashëgimia kulturore, ja pse rruhet me ligj

Ai ka qenë pjesë e grupit të punës të ligjit "Për trashëgiminë kulturore". Po ç'përmban ky ligj dhe a shërben sot e kësaj dite? Emin Riza thotë: Ligji i parë i vlerave të trashëgimisë historiko-kulturore në Shqipëri është i vitit 1929. Ai emërtohej dekret-ligji për monumentet kombëtarë. Për kohën kur ai u hartua është me vlera. Në vitin 1948, miratohet ligji i dytë, emërtuar “mbi mbrojtjen e monumenteve të kulturës dhe sendeve natyrale të rralla”. Ky ligj qe një hap i rëndësishëm drejt konkretizimit të veprimtarisë me monumentet. Viti 1971, shënon një përmirësim të ndjeshëm të ligjit të mëparshëm, duke theksuar profesionalizmin në fushën e veprimtarisë shumëplanëshe me monumentet. Më pas, në vitin 1994 miratohet ligji i ri, me synim përmirësimet metodiko-praktike, për t’u pasuar me ndryshime të mëtejshme, disa prej të cilave do të thoshim të pamotivuara, siç qe decentralizimi profesional i Institutit të Monumenteve me organizmat vartëse në rrethe. Që prej ligjit të vitit 1971, kam qenë anëtar i komisioneve për hartimin e tyre. Interesimi i institucionalizuar për monumentet e kulturës në Europën- Perëndimore i përket fillimit të shek. XIX, dhe ai është shoqëruar me akte ligjore. Ligji shqiptar për monumentet i vitit 1971është mbështetur kryesisht në Kartën ndërkombëtare për konservimin dhe restaurimin e monumenteve dhe ansambleve monumentale të vitit 1964 dhe ligjin italian për pasuritë kulturore.

 

Gjirokastrës dhe Beratit

Si u përfshinë qytetet shqiptare tek Lista e Pasurive Botërore

Por si ka qenë ecuria e përfshirjes së Gjirokastrës dhe Beratit në Listën e Pasurive Botërore dhe cila ka qenë ndihmesa e tij në këtë veprimtari? Emin Risa sqaron: Në vitin 1990, Shqipëria zyrtarisht paraqiti, shoqëruar me dokumentacionin përkatës, pranë Komitetit të Pasurisë Botërore të UNESCO-s për përfshirjen në listën e Pasurive Botërore të Qendrave historike të Beratit dhe Gjirokastrës, qendrës arkeologjike të Butrintit, Varreve të Selcës dhe Amfiteatrit të Durrësit. Ngjarjet politike, pas këtij viti e lanë pas dore këtë çështje e cila rifilloi disa vite më pas. Kështu në sesionin e 29-të të Komitetit të Pasurisë Botërore, mbajtur në Durban të Afrikës së Jugut prej 10-17 06. 2005, Qendra historike e Gjirokastrës u shpall Pasuri Botërore. Fill pas kësaj filloi plotësimi i dosjes për kërkesën e shpalljes së Qendrës historike të Beratit, Pasuri Botërore. Pas dorëzimit të kësaj kërkese, me sugjerim të Komitetit të Pasurive Botërore, në janar të vitit 2008, u paraqit kërkesa për shpalljen në seri të Qendrave historike të Gjirokastrës dhe Beratit, Pasuri Botërore. Në sesionin e 32-të të Komitetit të Pasurive Botërore, mbajtur në Kebek të Kanadasë, në korrik të viti 2008, Gjirokastra dhe Berati, u shpall Pasuri Botërore. Të dyja dosjet e veçanta për Gjirokastrën dhe Beratin, si dhe dosja e përbashkët për të dyja qendrat, janë hartuar prej meje, duke pasur për të dyja dosjen e fundit, ndihmëse metodike prej specialistëve të UNESCO-s.

 

Tradita

Ruajtja e monumenteve kulturore

Ai është njohës i mirë i monumenteve kulturore në Shqipëri. Por si po ruhen sot këto vepra tek ne? A jep shteti fondet e nevojshme? Emin Riza shpjegon: Ashtu siç kam deklaruar dhe më parë, do të thosha për habinë time, kujdesi për trashëgiminë e së kaluarës, që prej viteve 1990, është në nivele të ulëta, duke rrezikuar seriozisht vlerat e kësaj pasurie unikale. Veprimtaritë për shtimin e numrit të veprave në mbrojtje shtetërore, dokumentimin sa më të thellë të monumenteve, restaurimin dhe studimin e tyre, pasuruar me botime, as për së largu nuk janë në përputhje me rëndësinë e këtyre vlerave. Restaurimi i kuptuar si ruajtja e identitetit të kësaj pasurie historiko-kulturore, dhe aspak kthimi i saj në identitet, pra rindërtime të pjesshme, janë thelbi i restaurimit, siç theksojnë mbarë kodet ndërkombëtarë për këto çështje. Kthesa e vërejtur këto vitet e fundit edhe me interesimin e organizmave të ndryshme ndërkombëtare për monumentet shqiptare, tashmë me tre qendra të shpallura “Pasuri Botërore”, duhet të thellohet ndjeshëm për të mos humbur të pagjetshmen. Përvoja shqiptare në këtë fushë është sa e pasur aq edhe mësimdhënëse, ndaj është urdhëruese që për veprat me vlera të papërsëritshme, së pari si dokument historik i shkallës më të lartë të vërtetësisë të ruhen për sot dhe për të ardhmen, sipas kriteresh tashmë të kristalizuara edhe ndërkombëtarisht.

 

Studimi

Banesat qytetare kosovare

Ndër librat më të fundit të tij është dhe ai për "Banesat qytetare kosovare". Po çfarë kanë të përbashkëta këto banesa me ato shqiptare? Autori thotë: Siç dihet, termat Kosovë dhe Shqipëri janë tregues kufijsh politikë, të përcaktuar padrejtësisht, sepse kundër parimeve të njohura ndërkombëtarisht prej të ashtuquajturave “fuqi të mëdha”. Trojet e Kosovës dhe Shqipërisë politike, ashtu si dhe të tjerë, janë troje të etnisë shqiptare që prej muzgut të historisë dhe vijimisht deri në ditët tona. Në këtë kuptim, nëse do të përdornim termin banesë kosovare ai nuk duhej të kishte paralele atë banesë shqiptare, por, të themi ato matiane, tiranase, apo gjirokastrite. Pra, banesa kosovare është pjesë e pandarë e banesës shqiptare. Kjo shfaqet qartë edhe në monografinë “Banesa qytetare kosovare e shek. XVIII-XIX”, tipologjia e së cilës nuk dallon prej asaj të hapësirës së Shqipërisë politike. Mos ndërtimi në Kosovë, ashtu si edhe në viset e tjera të Shqipërisë i banesës tiranase dhe asaj gjirokastrite, me shtrirje vetëm në këto qendra dhe rreth tyre, është tregues kuptimplotë. Në botimin e vitit 2009 të monografisë shkruar prej meje, “Qyteti dhe banesa qytetare shqiptare e shek. XV-XIX”, kjo banesë është trajtuar në mbarë hapësirën e Shqipërisë politike dhe Kosovës, ashtu siç trajtohet edhe Historia e Shqipërisë deri në vitin 1913, kur Kosova u përfshi padrejtësisht në kufijtë e Serbisë.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora