E diele, 28.04.2024, 09:26 AM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Tuneli

E merkure, 23.03.2011, 08:57 PM


Suzana Kuqi

 

Dy pika shiu...

 

Tuneli

 

Kapërthyer ethesh që ja bënin më të shkëlqyeshëm sytë e mollëzat ja tisnin me nuanca të trëndafilta si ato të një vogëlusheje, ndërsa buzët çuditërisht të plota si ato të një gruaje të re zbulonin një gojë ku mungonin disa dhëmbë, e vetmja shenjë se ajo fytyrë aty mbi nënkresë ishte e një gruaje të moshuar...

E moshuar... ishte afër të nëntëdhjetave, këtë e dija mirë. Por nuk gjeta atë buzeqeshje të ëmbël si zakonisht, sytë ishin mbushur ankth. Më bëri shenjë me gisht që t'i afrohesha e më pëshpëriti :

- E sheh atë grua poshtë tryezës?

Ktheva kokën nga ana që më tregoi, tryeza ishte në një qoshe të dhomës.

- Bianka, nuk ka njeri tjetër në dhomë veç meje dhe teje.

- Shët... se të dëgjon, është aty, unë e pashë kur hyri dhe u fsheh.

- Bianka, lëri llafet e fillo të hash!- i vendosa përpara mbi një tryezë të vogël lëvizëse tabakanë me pjatat e drekës.

- Nuk ha, as mos të të shkojë ndërmend... Nëse nuk m'a nxjerr atë grua nga dhoma...

- Mirë Bianka, do ta gjej e do ta nxjerr. Po nuk është poshtë tryezës, duhet të jetë fshehur diku tjetër. Më thuaj si është veshur, ç'fytyrë ka?

- E kush e pa? Ajo nuk më shikon në sy. Vetëm vjen e fshihet. Flet papushim, por unë nuk ja kuptoj fjalët. Nxirre të lutem se do të vdes nga frika!

- Qetësohu Bianka, do ta gjej e do ta largoj prej këndej. Do të merrem tani me këtë punë, ndërsa ti mundohu të hash pak.

- Më premto!

- Të premtoj!

Dola e zbrita në katin e parë ku ishte një tjetër e sëmurë që nuk e kishim ngritur atë ditë nga shtrati. “Aluçinacione”, mendova, “sikur janë shumë të shpeshta në këtë periudhë të vitit”. Po kështu kishin qenë një vit më parë në të njëjtën periudhë... edhe... Hyra në dhomën e të sëmurës tjetër. Për fat ishte e qetë, asnjë bisedë që të më jepte të kuptoja se shihte diçka të pazakontë. I lashë tabakanë me drekën e zbrita në sallën e ngrënies.

- Më bëj një nder ,- i them koleges sime të turnit,- shko tek Bianka të tërheqësh pjatat, duhet të ketë mbaruar së ngrëni.

Nuk e ndjeja të shkoja atje se e dija se do të më kapte gazi, mezi e kisha mbajtur herën e parë. E nuk u habita kur pashë kolegen që erdhi pas pak drejt meje duke qeshur me tabakanë në dorë. Ushqimi në pjata ish i paprekur.

- E fortë!- mundi të fliste ajo përmes të qeshurit,- Bianka më bëri të gërmoja brenda e poshtë raftit... të shtrihesha përtokë për të kontrolluar ndënë shtrat..., sepse... sepse një grua i kish hyrë në dhomë...

Qesha dhe unë ndërsa shkoja të tërhiqja pjatat në dhomën tjetër. Të paktën e moshuara tjetër më ish dukur e qetë, e kështu m'u duk sërish veçse vura re se nuk kish prekur ushqim me dorë.

- Përse nuk ke ngrënë, ke nevojë pë ndihmë?Të ushqej unë?

- Jo, jo! Më parë duhet të marrësh në krahë atë femijë që është shtrirë aty përtokë e qan papushim. Fëmijët duhen ushqyer të parët, pastaj ne pleqtë.

- Fëmijë?! Ku është?

- Aty pranë këmbëve të tua. Bëj kujdes se mos e shkelësh.

Rrëmbeva një jastëk dhe e mbajta në krahë sikur të ishte fëmijë.

- Po shkoj ta ushqej, - i them e dola nga dhoma, por nuk kisha bërë as edhe dy hapa kur dëgjoj që më thërret. U ktheva.

- Urdhëro e fol! Ke nevojë për gjë?,- e pyeta me padurim. Kisha punë e nuk kisha kohë të rendja pas tekeve të saj.

- Duhet të jetë ndonjë fëmijë tjetër aty poshtë se vazhdon të qajë. Merre të lutem, ose ma jep mua në krahë që ta qetësoj.

E pashë me vëmendje se mos po tallej. Por sytë e saj të mbushur me trishtim, më dhanë të kuptoja se ishin shumë larg të vënit në lojë që mendoja. Nuk dija ç'ti thoja ndaj nuk i dhashë përgjigje e dola nga dhoma. Fundja mjaft isha marrë me të... Minutat fluturojnë e kemi orare për të respektuar...

Në mbarim të turnit ishim mbledhur të gjitha e gazi kish shpërthyer. Qeshnim me lot, pothuaj të gjithë të moshuarit kishin folur përçart atë ditë, të gjithë kishin patur aluçinacione ...Diku erdhi doktoresha që ishte bërë kurioze e ne i spjeguam se përse po qeshnim, megjithëse dyshimi se nuk ishte dhe aq për të qeshur po ngrinte krye brenda meje e ja thashë.

- Asgjë për t'u shqetësuar, është efekti i terapisë ,- tha ajo e u largua.

Ish i treti vit që kjo periudhë më gjente në atë vend pune. Vitin e parë isha çuditur, madje shumë por nuk e kisha vrarë mendjen. Vitin e dytë isha rrekur të gjeja ndonjë arësye apo shkak, por nuk kisha arritur të kristalizoja ndonjë mendim për të qenë. Shfaqja e atyre aluçinacioneve pushonte po aq papritur sa dhe fillonte duke lënë disa shtretër bosh e... një boshllëk të paspjegueshëm brenda nesh e ankthin e … treshit. Nuk ka dy pa tre … Në fillim e kisha quajtur një lloj supersticioni, arësyeja të thotë se i tillë duhet të jetë, por me kohë më është mbushur mëndja se... gjithsesi funksionon...

… e megjithëse përpiqem të mos e çoj ndër mend, shpesh e kap veten në befasi tek mundohem të marr me mend se cila apo cili nga të moshuarit është në krye të listës... Shpesh qëllon që hamendësimi të jetë i saktë, por dhe kjo e ka spjegimin e vet, fundja e dimë se cili është më i moshuar apo më i sëmurë. E ngarkuar është periudha e fundvitit që përkon me krishtlindjet... megjithëse çuditërisht numri i vdekjeve dhe aksidenteve është relativisht më i madh kudo, edhe jashtë azilit... Kaq di të them, një konstatim aspak i këndshëm, e nuk e di përse ndodh kështu. Ndërsa kjo periudhë ishte tjetër gjë, krejtësisht tjetër.. ka marrë dhe persona për të cilët mund të mendonim gjithshka, veç vdekjen jo...e fillonin me...

 aluçinacione. Të moshuarit shihnin përreth fëmijë që qanin, fëmijë që vdisnin nga uria, gra që hynin fshehurazi e u trembeshin, e befas... dikush vdiste në gjumë.

“Vdekje e bukur”, thonim ne, kur dikush vdes në gjumë, ashtu tak fak, pa vuajtur nga ndonjë sëmundje lënguese, pa kaluar atë agoni mbytëse... Nuk ishte e vetmja kjo periudhë në të cilën aluçinacionet sulmonin mendjet e tyre, në fakt ishte dhe fillimi i pranverës, tamam kur dimri përgatitej të ikte e limfa fillonte të gjallërohej në kapilarët e pemëve. Por ajo nuk shoqërohej me ikje të shumta, ishin periudha ankthi e ankimesh se dikush u hynte në dhomë e në shtrat... burra të rinj e të fuqishëm... veshur me të zeza...shpesh me fytyrë të mbuluar...Periudhë në të cilë të moshuarat ngulmoni të flinin me dritë ndezur nga frika, e vajzat e turnit të natës i gjeje në mëngjes të rraskapitura, sepse vraponin gjithë kohës nga një dhomë në tjetrën, nga njëri kat në tjetrin për të qetësuar ulërimat që pushtonin godinën...E mua nuk e di përse më ishte fiksuar një derë...

… Eshtë një derë në katin e përdhes që rrinte gjithnjë mbyllur, së cilës të moshuarit i trembeshin e kishin për borxh të kalonin të gjithë korridorin përqark, vetëm e vetëm të mos kalonin pranë saj atë periudhë. Kisha pyetur se ç'ishte ajo derë dhe asnjë nuk e dinte se ç'kishte pas saj…

Mëngjesin tjetër, Bianka u gjet pa jetë, duke hapur kështu ciklin e ri...

“Ka shpëtuar”, mendova, kish kancer në aparatin tretës e ishte katandisur tridhjetë kile njeri. Lajmëronim rojen mjekësore, vinte mjeku i turnit për të vërtetuar vdekjen e bënte aktin ku shkruhej se shkaku ishte infarkti që u kish ndodhur në gjumë.

kish ardhur veçanërisht keq për Biankën sepse kish kohë në atë azil dhe ishte shumë gazmore, e kjo nuk do të thotë se nuk m'u dhimbs e dyta...

… Dolores, e cila nuk kish mbushur muajin aty, mjaft më e re se Bianka, që ecte vetëm me ndihmën e patericave. Te birit, të vetmit njeri që kishte, nuk e di se ç'i tha mendja ta merrte atë fund jave në shtëpi dhe ta kthente të djelën pasdite. Kur them se nuk di se ç'i tha mendja... pata parasysh se kësaj ja vumë fajin atij ndryshimi të shpejtë që ndodhi me Doloresin. Vjen një moshë, arrin një pikë, ku e vetmja nyje që të lidh fort pas jetës janë kujtimet, e shtëpia është streha e tyre. Askush nuk largohet me dëshirë prej saj. Këtë hamendësova atë pasdite që qëllova në turn dhe e pashë me sytë e mi se me sa forcë refuzoi të rrinte aty. Pasi iku i biri, ngrihej nga karrikja ku ish ulur në korridor e rendte drejt portës e pas saj vraponim ne ta ndalnim. Dhe ju betohem, aq të zëna ishim me këtë punë sa harruam edhe të habiteshim se si kish mundësi të ecte e vraponte pa paterica. E shanim dhe e mallëkonim me mendjen tonë në intervalet që ulej të mbushesh me frymë në të cilat përfitonim të mblidhnim forcat. Por kur e shihnim si dridhej, bërtiste e ulërinte siç mund të të bëjë të ulërish vetëm ankthi i tmerrit, na vinte keq dhe e merrnim me të mirë. Asgjë nuk piu ujë. As fjalët, as përkëdheljet të cilave ju përgjigjej dhunshëm duke na shtyrë me një forcë të paimagjinueshme. Një nga të dyja mendoja, ose ka humbur mendjen ose ka ferrin brenda saj... e më besoni, nuk ka më keq se kur ferri të ulet këmbëkryq në tru... personalisht do të preferoja tjetrin... Thërritëm infermieren e cila i bëri një injeksion i cili në dukje e qetësoi. Nuk u çua më nga karrikja, nuk ulëriti, por sytë...

...ishin një klithmë e heshtur, nga ato që të gërryejnë e të bëjnë keq pa e kuptuar...

Në mbrëmje e vumë në shtrat dhe i ngritëm anësoret që ta pengonin në rast se do të tentonte të ngrihej e të zbriste nga shtrati. E zuri gjumi pas një injeksioni tjetër e menduam se do të kalonte një natë të qetë, të nesërmen nuk do të mbante mend asgjë, ashtu siç ndodh shpesh në kësi rastesh.

Por...

... Në mengjes, rreth orës pesë, gjatë kontrollit të fundit të turnit të natës e gjetën pa jetë..

Eshtë e trishtueshme...

... kur mendon se si mësohesh me trishtimin e jo vetëm...

... kur ndjen se edhe nuhatjen zë dhe e humbet...

… kur ajo refuzon të ndjejë erën e vdekjes orë e orë përpara se të ndodhë...

E trishtueshme...

... kur sheh se njeriu mësohet me çdo gjë, të imagjinueshme e të paimagjinueshme kur i bëhet rutinë...

… dhe e papagueshme është ajo forcë që niset nga brendësia e shpirtit për të çelur në një buzëqeshje, ani se mund të jetë e trishtë, për njerëzit që kanë nevojë për të... shpirti e di se ç'bën...

….

Që të mos zgjatem, tashmë jam mësuar me të gjitha në këtë punë. Me përjashtim të njërës së cilës nëse ma lejojne rrethanat, nuk i jap kofidencë, të shikoj njerëz të vdekur. Gjë e cila në rastin tim do të thotë të kem pasur shansin të mos kem qëlluar në turn kur ka ndodhur, e unë t'i them lamtumirë kujtimit të gjallë të përfytyruar pas derës mortore... dikë që largohet e largohet për të mos u kthyer kurrë më veçse në kujtimet e mia... me buzëqeshje të gjallë...

 

Por një ditë nga ato e thyeva këtë rregull. Kur dëgjova se e treta që e kish mbyllur atë cikël ishte Xhuli. Xhuli... e kur flitet për Xhulin... nuk kish qenë vetëm paciente, dhe jo vetëm më e preferuara... Xhuli... ishte njëfarësoj mikja ime...

Kur hyra në azil atë mëngjes, as që më shkonte mendja se e kisha lënë Xhulin në të majtë, pas derës së dhomës mortore. Përshkova me hap të shpejtë korridorin duke u drejtuar nga aparati në të cilin timbrojmë kartelat e orarit, e kushedi për sa të mijtën herë admirova strukturën e ndërtesës. Edhe se është shtuar, ristrukturuar e në një farë mënyre janë munduar ta modernizojnë, nuk ka pjesë të saj që të mos ruajë karakteristikat e manastirit të vjetër mbi të cilin është ngritur. Struktura ka mbetur po ajo e fillimit, një kuadrat që formon një oborr të brendshëm, shumë të hijshëm, mbjellë me lule, pemë portokalli e me një pus të vjetër në qendër të tij mbuluar me një çati në miniaturë në formë piramide mbi të cilin kanë vënë një kryq që tashmë është ndryshkur Oborri rrethohet nga korridori i ndërtesës, i cili zgjatet e përthyhet në një katror dhe është pothuaj i tëri xham përmes së cilit mund të shikosh dritaret e brendëshme dhe terracat e tri kateve të mësipërme. Kisha dëgjuar se një herë e një kohë banorët e tij kishin qenë murgesha të klauzurës, më pas murgesha të një urdhëri tjetër e pastaj të një tjetri, e... pastaj murgj e... të them të drejtën nuk ishte se më interesonin shumë. Për mua një urdhër vlente tjetrin, murgj, murgesha e aq. Kjo më kish mjaftuar që nganjëherë t'i lija rrugë fantazisë sime duke vizatuar figura murgeshash që dukeshin e zhdukeshin përmes kolonave të tarracave të katit të dytë tek drejtoheshin tek kishëza e vogël po në të njëjtin kat, tek ujisnin lulet në oborr me ujin që nxirnnin nga pusi, tek luteshin etj etj... Nga ana tjetër, më ish mbushur mendja se ai vend kish ruajtur disi diçka nga tisi i lutjeve, pasi në asnjë kolektiv ku kisha punuar më parë nuk kisha gjetur atë mirëkuptim e harmoni që zotëronte aty. I ngritur dhe i restauruar ndënë kujdesin e kishës, flitet gjithnjë sipas mendjes sime me paratë që besimtarët kishin dhuruar për atë azil, kushtet ishin të mira dhe kujdesi për të moshuarit ish relativisht më i mirë se në azilet e tjera. Diçka të tillë ribluaja në mëndje kur çikriku i pusit u lëshua në një rënkim të ndryshkur e kova u përplas mbi kapakun e drunjtë me një tingull të shurdhër. Vrapova të mbyllja derën e xhamtë të korridorit që ish lënë hapur. Sado e shpejtë që u mundova të isha, era që sapo kish filluar më përplasi në fytyrë pikat e para të shiut.

Qëndrova aty e kundrova një çast...

… ka një rit të mistershëm shiu kur bjen e troket mbi xham, sikur do të të ftojë të thyesh atë barrierë të xhamtë e të hedhësh mbi supe velin e ujtë për të shkelur shtigje të pashkelura për ta parë botën si një qenie të vetme e të mrekullohesh duke u bërë pjesë e saj... Një çast guxon të rropatësh mendimin pafundësisë që bie nga qielli në embrione të reja enigmash të lashta... një çast... duket sikur ke perceptuar diçka, e ke aty në pëllëmbë të dorës... çastin tjetër në pëllëmbë të ka mbetur vetëm një shuk hutimi e mendja u kthehet shtigjeve të cilat i njeh aq mirë sa nuk ke nevojë të sforcohesh për ta drejtuar...

... “dy pika shiu ranë mbi xham...

… dy pika shiu...

... e befas... ndjeva mall...

Një e qarë foshnjeje, në një jehonë të mbytur u përplas mureve të korrridorit. Harrova shiun dhe poezinë e u ktheva me vrull. Dy hapa më tej ndodhej dera së cilës nuk e dinim se ku ja kishin fshehur çelësin. Por atë moment isha e bindur se ata tinguj kishin ardhur nga aty. Bëra drejt saj e zgjata dorën mbi dorezë. Nga ashensori doli kolegja ime.

- “ Më vjen keq... Sot më duhet të të jap një lajm të keq. Xhuli...

 

….......

Qëndrova një çast e pavendosur në prag të derës së asaj dhome ku vetëm zori më detyronte të vija këmbë. Pashë fustanin të mërmëriste në një fërgëllimë e m'u deshën disa çaste të realizoja se ajo lëvizje nuk ishte e nuk i përkiste më atij trupi pa jetë por ishte era që hynte nga dritarja e lënë pak hapur. U afrova ngadalë, me sytë përdhe pa patur guxim t'i ngrija e ta shihja në fytyrë. E zvarrita shikimin ngadalë nga dyshemeja në rrotat e asaj barrele metalike që më kallte gjithnjë datën, pastaj e ngjita tek këmbët e saj, e gjithnjë e më e pavendosur e me pahir rrëshqita më tej mbi duart. Rruzuarja i mbante shtërnguar e kryqi kish rrëshkitur ndën kyçin e majtë. Instiktivisht, u afrova dhe e ngrita duke ja vënë sipër duarve të bashkuara. Befas në një imazh...

 

 Vergini prudenti, preparate le vostre lampade : Ecco viene lo Sposo, andategli incontro.”

 Të martoj me Jezu Krishtin!”

… imazh që tashmë i përkiste një të kaluare, në brendësine e kupolës së një katedreleje u dukën sikur shenjtët dhe engjëjt do të shkëputeshin nga tablotë e do të fluturonin në sallë kur kumboi:

 Martohem me ty Jezu Krisht!” - zërat ishin të pastër, kumbues, bindës dhe të ëmbël njëkohësisht. Lutja dhe premtimi, besimi dhe përkushtimi, feminiliteti dhe mohimi i tij në një betim virgjërie... Tek unazat rrëshqisnin mbi gishtërinj dhe kurorat e gjëmbëzuara uleshin mbi kokat me vel të kaltër, të cilët nxirrnin në pah bardhësinë verbuese të rrobës që i mbulonte. Të gjunjëzuara, shtatë vajza, më e reja njëzetedy vjeçe dhe më e moshuara tridhjetë, atë të djelë të fundit të tetorit, bënë betimin e martesës së përjetëshme me Jezu Krishtin, duke u kurorëzuar nuset e tij...

... shtatë murgesha të klauzurës...

Largova imazhin, pa guxuar ende të shikoja fytyrën e saj...

Nuk e kam marrë vesh kurrë se ç'mendonte me të vërtetë për murgeshat siç nuk kisha marrë vesh kurrë se ç'mendime bënin strehë tamam për tamam pas atij balli. Por mbase kjo e bënte më simpatike për natyrën time kurioze që rrek të njohë diçka më shumë përtej fasadës së sjelljes së njerëzve. Mbase i njëjti kuriozitet ishte reciprok, por jam e bindur se ishte më e zonja se unë, ndryshe nuk kisha se si ta spjegoja mënyrën me të cilën më tërhiqte siç më kish tërhequr atë ditë me një rrjetë pyetjesh fare të zakonshme:

- “Je besimtare?”

- “Besimtare?! Në një farë mënyre kush nuk është?”- isha munduar t'i shmangesha.

- “Katolike”?- kish ngulmuar.

- “ Pak nga të gjitha”.

- “ Sa pak?”

- “Aq sa... nuk i lë të ma mbysin besimin. Përse më pyet?”

- “Ashtu kot,- sytë e saj kishin atë nënqeshje që fshinte atë kufi që të bën të përcaktosh nëse tallej apo fliste seriozisht. E po me të të njëjtën mënyrë kish vazhduar:

- “Sot pasdite në katedralen e qytetit bëhet ceremonia e kurorëzimit të shtatë murgeshave të klauzurës. Do të shkoj ta shoh, është diçka që vjen e bëhet më e rrallë. Thashë se mbase je kurioze, e shihemi atje.”

Isha larguar pa i dhënë përgjigje, pak e acaruar me atë hamendësim “mbase je kurioze”... Shpesh na duket sikur na cënojnë kur na cekin ato hulli që kemi brenda vehtes të cilat nuk i bëjmë dot zap. Por kur u afrua ora e ceremonisë, kurioziteti doli më i fortë. Mbatha këpucët.

Kish qenë hera e parë që isha parë me Xhulin jashtë mureve të azilit...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora