E shtune, 27.04.2024, 10:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Ejup Ceraja: Në emër të çlirimit nga mitet, mendoj, kërkohet çlirimi nga kultura jonë nëpër dekada e shekuj

E hene, 21.03.2011, 08:59 PM


Në emër të çlirimit nga mitet, mendoj, kërkohet çlirimi nga kultura jonë nëpër dekada e shekuj

 

Nga Ejup CERAJA

 

Si profesor i Gjuhës shqipe dhe letërsisë, që merrem herë pas here edhe me çështje gjuhësore, edhe pse tash në pension, më cyti artikulli i Prof. Dr. Rami MEMUSHAJT: “Dekomunistizim e çmitizim apo shkombëtarizim e humbje vlerash?”, botuar në gazetën ditore, “Epoka e re” - e shtunë 18. 12. 2010, faqe 15, e të marrë (Nga një koment në gazetën “Shekulli”), tok me epigrafin e zgjedhur nga Profesori i nderuar të një anonimi, në të cilin thuhet:“Është krijuar një grup njerëzish në Shqipëri, që duke dashur t’i këputë të gjitha rrënjët ish-komunizmit, po i këputë rrënjët e kulturës shqiptare...  Sikur përpjekjet e këtyre njerëzve të shkonin në drejtim pozitiv, Shqipëria nuk do të ishte ashtu siç është, në fund të vendeve të Evropës, por do të kishte bërë përpara...”*), që t’i shprehi ca mendime të dijetarëve nga kjo lëmi, kryesisht e uropian,  rreth gjuhës shqipe dhe prejardhjes së saj tok me autoktoninë e shqiptarëve në këto troje së paku që nga antikiteti i hershëm e këndej..., si mospajtim me pikëpamjet e  hulumtimeve moderne sot...  

1

Ma thotë mendja se autorët e hulumtimeve moderne, që len përshtypjen si një nocion disi i sforcuar, iu kanë vërsulur kulturës shqiptare për ta “çliruar” nga dekomunisticizmi e çmitizimi, pothuaj, në të gjitha rrafshet... Një veprimtari e këtillë, them, synon prerjen e  rrënjëve të kulturës shqiptare, në përgjithësi e të prejardhjes së vet shqiptarëve nga ilirët dhe të gjuhës shqipe nga ilirishtja, në veçanti... E kjo do të thotë se synohet t’i mohohet popullit shqiptar dhe kulturës së tij e kaluara historike nëpër shekuj e mijëvjeçarë...

Në një konferencë që qenka mbajtur në Tiranë, ku paskan marrë pjesë studiues gjermanë nga Universiteti i Jenës, por edhe studiues austriak e shqiptarë qenka çuar, të themi shprehimisht, “hi e pluhur” për shkencat albanologjike (të gjuhësisë, të historisë e të etnologjisë), në dritën e hulumtimeve moderne. Dhe, ai tubim paska nxjerr si përfundim: “Si rrjedhim, prodhimi shkencor i periudhave të mëhershme është i ideologjizuar dhe i mbizotëruar nga mitizimi i së kaluarës së popullit tonë. Në këtë tubim u tha se teza e prejardhjes ilire të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe është një tezë që nuk mbështetet në fakte, po në mite të krijuara që nga Rilindja...”**)

Këtë “detyrë kaq me peshë” për kombin, gjuhën, historinë e kulturën shqiptare, sipas një referueseje bashkëpunëtore e Oliver Shmitit, u dashka ta bëjnë vetëm studiuesit (hulumtuesit) e rinj, sepse të vjetërit na qenkan të politizuar dhe të ideologjizuar, andaj ata po u dashka mënjanuar (përjashtuar) nga hulumtimet moderne. Sipas mendimit tim, jo se hulumtuesit modern janë profesionalisht më të ngritur se hulumtuesit (studiuesit) e vjetër të dëshmuar sa e sa herë, por se janë më të dëgjueshëm e më të disiplinuar, që nuk ua prishin qejfin atyre, që i angazhojnë në punë të tilla...

Ata gjuhëtarë, etnologë e historianë shqiptarë, që mbështesin teza të tilla, them, se nuk janë ajka e kulturës shqiptare, edhe modern qofshin ata...

- Pse mund të themi kështu?...

- Mund të themi kështu, për një arsye parësore me peshë...: Tezën a tezat se populli shqiptar është pasardhës i drejtpërdrejtë i popullit Ilir e, nëpërmes Ilirëve, rrënjët populli shqiptar i ka shumë më thellë në mugëtirën e hershme të historisë – te pellazgët e lashtë; dhe se edhe gjuha shqipe është vazhdim i gjuhës së vjetër ilire; ku, si rrjedhojë, edhe gjuha shqipe rrënjët i ka te gjuha e pellazgëve të lashtë... etj., nuk i kemi shpikur ne shqiptarët, por i kanë thënë mendjet e ndritura të kulturës evropiane e botërore shumë kohë përpara nesh.

Pra, pohimet e këtilla për popullin shqiptar dhe për Shkencën e Albanologjisë i thanë kokat më eminente të shkencës evropiane e botërore, të cilët patën aftësi, dëshirë e vullnet të merren edhe me popullin tonë nëpër dekada, shekuj e mijëvjeçarë, në njërën anë  dhe me prejardhjen dhe me gjuhën e tij (tonë), në anën tjetër.

T’i theksojmë ca mendime të dijetarëve në këtë temë, të cilët qoftë në dritën e arsyeve historike, qoftë nga vendbanimi autokton, qoftë nga toponimet e ndryshme, ku shqiptarët banojnë nga antikiteti i hershëm e deri më sot e vërtetojnë dhe e mbrojnë tezën e prejardhjes Ilire të shqiptarëve. Dhe, nëpërmes Ilirëve pohojnë edhe shtrirjen në kohë dhe hapësirë të shqiptarëve deri te Pellazgët e lashtë...

1. Von Hahn, në vëllimin e tij “Albanische Studien”, (1854) shkruan:

“Shqiptarët janë autoktonë, meqë rrjedhin drejtpërsëdrejti nga ilirët, ashtu si edhe popullsitë e Maqedonisë dhe të Epirit, të gjithë me prejardhje parahistorike”.1)

2. Në "Enciklopedinë e Madhe Greke" (vëllimi XIX, faqe 878) shkruan:

"Pra stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm, pellazgët, kanë jetuar në periudhat parahistorike në pjesën më të madhe të botës që njihej asokohe, duke zhvilluar një qytetërim shumë të rëndësishëm e duke ngritur vepra me vlerë të jashtëzakonshme".2)

3. Në "Nouveau Petit Larousse", (Paris, 1950, f. 1599) shkruan:

"Pellazgët, popull shumë i lashtë  që jetonte në periudhën parahistorike… Në përgjithësi konsiderohet se Ilirët, Thrakët e lashtë, Frigët, Lidët, Etruskët, Epirotët, Italiotët dhe "SHQIPTARËT E SOTËM", janë degët kryesore të Pellazgëve".3)

Ka edhe shembuj e shembuj të tjerë, kryesisht nga dijetarët e huaj, që e mbrojnë këmbëngultësisht autoktonin e shqiptarëve në këto troje nga antikiteti, madje edhe shumë më herët, në një anë dhe prejardhjen pellazge-ilire të shqiptarëve të sotëm, në anën tjetër, po të cilët nuk i takojnë plejadës së dijetarëve të “hulumtimeve moderne”...

2

Ndërsa sa i takon prejardhjes së Gjuhës shqipe se a ka rënë ajo nga “qielli”, apo është vijimësi e ndonjë gjuhe të kohës antike, përgjigjja del vetvetiu: nëse populli shqiptar është me prejardhje autoktone ilire, natyrshëm edhe gjuha shqipe duhet të jetë me prejardhje nga ilirishtja e lashtë...

Prejardhjen e gjuhës shqipe nga ilirishtja e kanë përkrahur shumë dijetarë eminentë të fushës së gjuhësisë. Në këtë mes do të përmendim vetëm ca shembuj, që hedhin dritë të bollshme rreth kësaj teze:

4. Norbert Jokl (“Reallexikon der Vorgeschichte”, 1924, f. 186) shkruan:

“Sidoqoftë, vërejmë se trashëgimet gjuhësore të lashta ballkanike, si ajo e ilirëve dhe thrakasve, janë ngushtësisht të lidhura me gjuhën shqipe”.4)

5. Gustav Mayer (Antologjia e Re), 1885, 535: “Shqipja duhet të quhet “ILIRISHTJA E RE”, ashtu si greqishtja e sotme quhet “greqishtja moderne”.5)

6. “Për brezin e vjetër të dijetarëve, me Johann Thunmanin (1774), Hahnin (1854) e të tjerë, Shqiptarët edhe vetë për arsye historike janë autokton ilirë: sepse ata banojnë atje ku në kohën antike kanë jetuar fise ilire, edhe sepse për këto fise për një kohë më të vonë, përveç ardhjes së sllavëve nuk vërtetohet ndonjë imigrim...”6)

7. Autoktoninë ilire të shqiptarëve e kanë mbrojtur edhe: “Gjuhëtarë të tillë si Kretschmeri, Pederseni, Ribezzo, e historianë si Milan von Sufflay i kanë dalë zot autoktonisë së Shqiptarëve, dhe e kanë mbështetur këtë tezë me argumente të reja, të karakterit gjuhësor e historik.”7) 

8. Vittore Pisani. – Duke folur për gjuhën shqipe dhe prejardhjen e saj në mes tjerash thotë: “Nga sa thamë, del se pyetja e vjetër: a është shqipja, të paktën në pjesën e saj themelore, vazhdim i ilirishtes apo i trakishtes? është shtruar keq.  Në qoftë se në Shqipëri është folur në kohën antike një gjuhë ilire, nuk shoh rrugën si popullsia e Shqipërisë duhet ta ketë zëvendësuar këtë gjuhë me trakishten...”8) Dhe,

9. V. Benlow, në veprën "La Grece Avani les Greces" (Paris 1877, f. 10), shkruan: "Shumë emra vendesh, malesh, lumenjsh, personalitetesh legjendarë, nuk mund të shpjegohen me etimologjinë greke. Një gjuhë e vetme ka qenë deri tani në gjendje të hedhë dritë mbi emrat e këtyre vendeve dhe kjo gjuhë është "SHQIPJA".9)

(Them se një dëshmi plus për prejardhjen pellazge-ilire të shqiptarëve të sotëm, përbën edhe vijimësia trashëguese e emrave të përveçëm të etnisë sonë nga pellazgo-ilirët tek shqiptarët, si: Diellor, Arzanë, Dasaret, Ilir, Pirro, Bardhyl, Teutë, Gent, Taulant, Pleurat, Plator, Bledar e shumë e shumë të tjerë, që janë emra të moçëm pellazg-ilir...)

3

Pikëpamjet e hulumtuesve modern...

Është e drejtë e hulumtuesve modern që t’i kenë pikëpamjet e veta për lami të caktuara qoftë shoqërore, qoftë gjuhësore. Po, t’i mohosh apo t’i nënvleftësosh të arriturat shkencore të pararendësve të afirmuar, them, nuk është e justifikueshme, nuk është e arsyeshme dhe nuk është në rregull. Arsyet i theksuam  më lart. Plejadës së hulumtuesve modern po i takuaka edhe një deputete... E cila mund të jetë një deputete e suksesshme. Por, pozita e deputetes, mendoj, nuk i garanton që ajo duhet të jetë detyrimisht edhe një gjuhëtare e suksesshme, edhe pse e paska shpallur vetën “gjuhëtare e brezit të ri” me “pikëpamje ripërtrimëse”. Dhe, e cila e paska marrë barrën për “dekomunistizimin” e gjuhës shqipe, duke i quajtur gjuhëtarët tanë më eminentë të të kaluarës hiq më pak se: “gërxho”, “gjuhëtarë të mesëm”, njerëz “me mendësi shkencore të tejkaluara” etj. Zonja deputete, them me bindje, se kolosët e gjuhës shqipe nuk janë “gjuhëtarë të mesëm”, po janë kulmi e ajka e gjuhësisë shqiptare. Të tillë, mendoj, mund të jenë...

Ja, fjala vjen, si e parasheh çmitizimin e kulturës shqiptare njëri nga akademikët, nëse s’e kam gabim, të hulumtimeve moderne: ”Mitet janë karakteristikë e shoqërive primitive dhe totalitare. Duhet pra të çlirohemi nga mitet e së kaluarës...”***)  Nga cilat “mite” duhet të çlirohemi ne shqiptarët zotëri akademik?... Mos mendoni zotëri se ne shqiptarët u dashka të çlirohemi nga historia, gjuha dhe kultura jonë nëpër shekuj e mijëvjeçarë për hir të hulumtimeve moderne...(?) Nëse ne shqiptarët, duke filluar nga Rilindja jonë Kombëtare e këndej, u dashka “të çlirohemi” nga mitet e së kaluarës..., atëherë nga cilat mite po u dashka “të çlirohen” shkencëtarët dhe gjuhëtarët eminent evropian..., të cituar më lart?... Dhe, ç’nevojë kanë pasur ata dijetarë eminent “për mite”, kur pohojnë se shqiptarët janë me prejardhje ilire dhe se gjuha shqipe është bijë e ilirishtes së dikurshme?...

Gjuhëtarët e kalibrit të Konstantin Kristoforidhit, të Aleksandër Xhuvanit, të Eqrem Çabejt, të Mahir Domit, të Shaban Demirajt, të Androkli  Kostallarit, të Stefan Priftit, të Mehmet Elezit, të Selman Rizës, të Isa Bajçincës, të Shefkije Islamajt e të shumë e shumë të tjerëve, mendoj, me plot gojën mund të quhen ajka e gjuhës shqipe...

Assesi nuk mendoj se nuk duhet të bëhen përpjekje të pareshtura për prurje të reja gjuhësore, nga të dy krye dialektet e gjuhës sonë (gegërishtes e toskërishtes) në pasurimin e normës së gjuhës standarde gjithëkombëtare, po gjithnjë brenda këtij standardi, që e kemi dhe me të cilin jemi mishëruar vite e vite... 

Për fund

Dhe, në emër të “dekomunistizimit...”, them se nuk është në rregull dhe nuk bën  që të zhbëhet çdo gjë që është krijuar në kulturën shqiptare, këtu e kam fjalën vetëm për lëmin e gjuhës, për 45 vite (më shumë a më pak...). Një veprim i tillë, të themi kushtimisht,  do të kishte qenë si t’ia shkëpusësh një lisi 45 centimetra të trungut... E si do të zhvillohej ai lis pa ata 45 centimetra të trungut?...

Do ta përmbylli këtë opinion timin modest me një përfundim tejet të arsyeshëm të të nderuarit Prof. Dr. Rami Memushajt: “Thirrjet për të zhbërë arritjet kombëtare të derisotme në emër të çmitizimit dhe të dekomunistizimit, janë në të vërtetë përpjekje për shkatërrimin e vlerave kulturore dhe shkombëtarizimin e shqiptarëve. Po t’ia arrijnë qëllimit të tyre, këta do t’i shpien shqiptarët në Europë me një histori të shpërlarë dhe pa një gjuhë të përbashkët, d.m.th. pa identitet kombëtar e kulturor. Ky grup njerëzish, sikundër shprehet autori anonim i komentit që kemi zgjedhur si epigraf, “duke dashur t’i këputë të gjitha rrënjët ish-komunizmit, po i këput rrënjët kulturës shqiptare...”

             ____________

*) Prof. Dr. Rami MEMUSHAJ: “Dekomunistizim e çmitizim apo shkombëtarizim e humbje vlerash?”, botuar në gazetën ditore, “Epoka e re” - e shtunë 18. 12. 2010, faqe 15, e të marrë (Nga një koment në gazetën “Shekulli”).

**) Citat nga artikulli i Prof. Dr. Rami MEMUSHAJT: “Dekomunistizim e çmitizim apo shkombëtarizim e humbje vlerash?”

***) Cituar nga i njëjti artikull i Prof. Dr. Rami MEMUSHAJT: Dekomunistizim e çmitizim apo shkombëtarizim e humbje vlerash?”

1, 2, 3, 4 dhe 5) Z. Nermin Vlora FALLASKI: "GJUHA AMË E ISMAIL QEMALIT" (Themelues i Shtetit Shqiptar më 28 Nëntor 1912), "Shkëndija" nr. 10, dhjetor 2003 faqe 29.

6) Eqrem ÇABEJ: VENDBANIMI I HERSHËM I SHQIPTARËVE NË GADISHULLIN BALLKANIK NË DRITËN E GJUHËS E TË EMRAVE TË VENDEVE, në librin PROBLEME TË HISTORISË SË GJUHËS SHQIPE, faqe 21.

7) Eqrem ÇABEJ: Po aty, faqe 21.

8) Vittore PISANI: ORIGJINA E GJUHËS SHQIPE, ÇËSHTJE PARIMESH DHE METODE, në librin  PROBLEME TË HISTORISË SË GJUHËS SHQIPE (të Eqrem Çabejit)  f. 38.

9) Z. Nermin Vlora FALLASKI, po aty, faqe 29.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora