E diele, 28.04.2024, 06:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Novruz Abilekaj: Bisedë e munguar me Primo Shllakun rreth tryezës së lexuesit

E hene, 21.03.2011, 08:18 PM


Bisedë e munguar me Primo Shllakun rreth tryezës së lexuesit

 

... përse ta shkruaj një rresht a varg ?

...përmbi tryezë nxirën rri kjo letër

që nënë shkreta më dërgon nga larg ..

Esenin

 

Nga Novruz Abilekaj

 

I neveritur nga grykësia e atmosferës, i zhgënjyer nga gërmat e shumta që hodha në letër tërë jetën, i mërzitur, mbase dhe i dëshpëruar, nga mediokriteti i shpërndarjes së vlerave midis miqve të mi, (për gruan dhe miqtë i kemi gëzimin, dëshpërimin, mërzitjen dhe grindjen, jo për neozelandazët), prej disa kohësh kisha kthyer në partner bixhozi faqen e kompjuterit.

Me të vetmin partner humbjen e pranoj si paaftësi.

Këtë mbrëmje partneri më vuri poshtë pamëshirshëm. Jashtë lodronin duke nxituar teposhtë fluturat e dëbërës. Koha tepronte. Hodha vështrimin mbi bibliotekën time modeste: R. Qosja, J. Hashek, I. Kadare, Balzak, D. Agolli, Markezi, Xh. Spahiu, R. Goro, G. Jovani, D. Selimi, V. Zhiti, Ll. Gjikuli, A. Hysi, Mesuli, ..., Lasgushi, ..., N. Jani, M. Gjini, P. Loli (Të tre përkrah?!), Antologji e poezisë greke, S. Martiko, H. Meçaj, Frojd, fjalor filozofie, fjalor, fjalor, gramatikë, gramatikë, POETRY, Niçe ... Mbi ta, shtrirë horizontalisht, Primo Shllaku me përmasat hollake dhe të gjata, më i panjohuri për mua. Dy kilometra larg banojmë prej vitesh ama jemi të panjohur se ky tip nuk ulet as në kafene për të bërë inventarin e veseve të personave që mungojnë! E pata lexuar vetëm njëherë librin ...     

 

Një krijues në kërkim të vetes dhe të botës nuk mund të shterë sa të jetë me frymë.

Këtë natë të bardhësuar nga dëbora mbaroj së lexuari një poezi dhe rikthehem për të dytën herë, për të tretën… Për të satën here rikthehem? Paskam në dorë një bibliotekë të çmuar dhe jo një libër të falur me 100 gjysmafaqesh, çerekfaqesh, një të tetën faqesh. Pyet vetja ime e përhumbur: Si mund të presohet e të sistemohet një bibliotekë e tillë në një libërth me vargje? Lirizëm, pikturë, filozofi, histori, brengë e padeklaruar, jetë e pagjetur, fjalë e shtërnxuar nga shtrydhjet e verbëra të muzës përndryshe nuk duhej të kishte dale në dritë, fjalë që u ngujua në shpellat e shpirtit dhe mbriti gjallë në stinën e kuvendeve të pajtimit të gjakrave. Lexoj përsëri: realizëm (Gjyshi: shumë kohë kam me të kërkue, kam me ta lyp atë dorë të dridhun, si frut të ftohun stine), surrealizëm (esence …), ekzistencializëm (nji sqetull e rrueme nuk më jep shpresë se nesër do të kemi prapë dëshirë me u ulë e me gjetë fjalë, …) , absurd (Nga vdekja e gjyshit: shiu ishte i kuq, deti u ngri etj), antisocialist realizëm (Sipari i menopauses: sipari i menopauzes / qysh në krye të herës / jua ndaloi shumzimin, qortimi për Majakovskin tek dy fjalët e autorit …), realizëm (mbramje …), deheroizëm (Eutanazi-vdekja e palavdishme, …), traditë (Shën Valentini … dhe ndoshta gjithë rrjedha e fjalëve në libër), konservatorizëm, liberalizëm, idealizëm, materializëm, njeri i përditësisë (në meditimet, në dyzimet, në dhimbjet, në guximin e kufizuar, në fjalën e thënë e të pathënë), mbinjeri (Bottega d’arte-punishtja e artit …), meditativ e melankolik deri në kopertinë të librit, paqësor sa nuk i kujton fajin fajtorit, nuk përmend kurrë litarin apo diçka tjetër me bisht në shtëpinë e të varurit, nuk i denoncon krimin kriminelit, tragjik brenda mënyrës së rrëfimit si parakalim fluturash (Pushkatimi, Buletin metereologjik … ), me atdhe të humbur, me atdhe të pranishëm deri në përjetësi, me vizion për pasurimin e gjuhës, i papërcaktuar në drejtshkrimin e saj, poezi brenda shprehjes së figurshme, figure e tretur në poezi, larg epiteteve shashka, të përjashtuara krahasimet me si-të apo sa-të gërvishëse … Një krijues në kërkim të vetes dhe të botës, domethënë një krijues që nuk do të shterë, nuk mund të shterë sa të jetë me frymë.

 

Ti e përjashtove fjalën nga ferri, Primo, vazhdo të jetosh me atë “sadopak” ferrin tend.

*

Tek vështroj në një pike që të kem kohën e mjaftueshme për të tretur poezinë, më shkel mendimin biseda e parapakkohshme me një mik kafenesh, i cili hedh, si tre të katërtat e njerëzve, vargje në letër. Më lexoi vargjet dhe më nxiste të angazhohesha për të gjetur autorin. Ky autor duhet të ketë vdekur para treqind vitesh, i them. U pezmatua dhe lëshoi deklarimin: Janë vargjet e Pushkinit. Jo, jo, nuk kishte shkruar Pushkini kësi sojë vargjesh, megjithatë nderova tavolinën dhe rrëshqita fjalët: Nuk shkruan njeri sot për t’u lexuar nga bashkëkohësit e Pushkinit, askush nuk ka shkruar të lexohet nga brezat e shkuar. Pastaj, nxitimthi, ngrita një shëndet për të gjallët e bashkëbisedimit.    

*

I arratisem këtij kurthi dhe hyj në bisedë me Primon:

“Unë mendoj se ferri i fjalëve mund të jetë sado pak dhe ferri i autorit” (fq 9)

Pse vërtetë shkojnë fjalët në ferr? Në ferr do të shkojë autori ose fjala. Përdoruesit e fjalës së lirë të gjithë kanë shkuar në ferr. Cili nuk ka shkuar? Ferrin e ka krijuar pushteti dhe e ka miratuar gjithëfuqia për të trembur qerpikët e lirisë. Njeriu më i papranguar në përjetësi është përdoruesi i fjalës së lirë. Pa pranga nuk mund të hyjë askush në parajsë. Mbretërit dhe perandorët janë të pranguar pazgjidhmërisht nga bëbëzia për pushtet. Ata e meritojnë të parët parajsën.

Në se poeti (ky është poeti pontecial dhe jo real) e mban lirinë të vdekur brenda vetes, domethënë u hap rrugë pushteteve e fuqive të gëzojnë tërë universin keqbërës të lirisë së tyre, e ka të sigurt parajsën (se dhe parajsën gjithëfuqia e ka në sundim). Në parajsë ai nuk mund të shkojë së bashku me fjalën e prangosur. Ajo fjalë e dënuar me moslindje do të braktis më së fundi hapësirën ku jeton ndëshkuesi i saj dhe do të fluturojë drejt strehëve të reja. Derisa nuk ka streh tjetër do të zgjedh purgatorin a ferrin. Kështu, fatalisht, janë të destinuar të hyjnë në porta të ndryshme dhe të amëshojnë në hapësira që nuk kanë kufi të përbashkët midis tyre.

Në se poeti e vret lirinë e fjalës së vet dhe trungun e saj pa syth dhe pa gjethë e tund si shkop ndaj filizave të lirisë, aq më tepër në e përdor si shtizë për flamurin e sundimtarëve, e ka pa u lindur të hapur portën e argjendtë të parajsës, sepse e thamë që atë portë sundimtari i shumëfuqishëm a i gjithëfuqishëm e ka ideuar, e ka strukturuar dhe e ka lyer me ar, ai e hap ose e mbyll, ai i kontrollon fletëhyrjet. Në këtë rast fjala e cungëzuar, e privuar nga pranverat e fatit të vet dhe e keqkatandisur në bisht flamuri prangalavdërues patjetër ferrin do të zgjedhë. Si mund të përjetërroi me një gijotinist të rangut të tillë? Si mund të përjetrroi duke tundur flamurët e uzurpatorëve të pushteteve dhe të kamzhikojë shpinën e lirisë-ëndërr të vegjëlisë?

Prandaj unë mendoj se ferri i autorit është parajsa e fjalëve. Derisa autori-poet i ka dhuruar lirinë fjalës le të mbetet pa parajsë. Në fund të fundit, si e thamë në fillim, kështu kanë mbetur gjithë fjalëlirët që kaluan mbi sipërfaqen e dheut.

Ti e përjashtove fjalën nga ferri, Primo. Vazhdo të jetosh me atë “sadopak” ferrin tënd.

 

“Jeta e vogël / që zgjat.”(fq 14)

Ah, kjo jetë e shkurtër që na mundon kaq shumë. E shkurtër sa nuk arrijmë as të kuptojmë në se po na vjen a po na ikën dashuria. Vuajmë. E gjatë sa na vijnë nëpër natë e na ikin nëpër ditë qindra, mijëra e miliona dashuri. Vuajmë. Atje na transferon filozofia, te Per Gynti i Ibsenit. Vdesim dhe nuk e dimë; cilët qemë, cilët jemi, kurrë s’e gjejmë dot se ç’do të jemi.

 

Nuk kam si t’u shpëtoj. / Të gjitha do t’i jetoj, / si qen, si i njoftun / si hero me plot knaqsi, vullnet e predestinim ... kam me të jetue edhe atje ku sytë shofin brendë / dhe shurdhimi lvizjen ekzalton. (fq. 15) ... at det të ndrymë që kndon mbrenda lkurës e gjakut tand.

Në ndiesinë dhe logjikën që përcjell fjala e poetit më vjen jehona e tingujve shpirtëror të intelektualit modern, të krijuesit që i ka kapërcyer e lënë në nderin e tyre vargjet e gëdhendur deri në simetrinë naive të natyrës së virgjër, ndonëse ato vargje aq me vend janë përdorur nga të mëdhenjtë në kohën e tyre tashmë dritësisht të tejkaluar. Më nginj dashuria e dërguar lumë ujëshumë drejt enëve të gjakut tim, lumë i tejdukshëm dhe i menjëherë përshkueshëm, pa pranur në rrymë asnjë molekulë bojë dashurie. Gjithnjë kam dashur dhe dua të shpëtoj nga bojrat, por gëzohem që takoj poetin i cili di të dalë në pikën e horizontit i palyer kurvërisht me dashuri, ndonëse tërësisht i zhytur në dashuri.

Njëherazi më gërvishin dy fjalë jo të miat, jo të bëlbëzimit tim (të nënvizuara më lart prej meje) dhe drejtshkrimi lkurës, drejtshkrim ky i padëshiruar në shoqërinë e të drejtshkruarit të fjalëve knaqsi, lvizje. Dua të shtohen fjalët e shqipes, veçse kam nevojë të më thonë se si do t’i shkruaj për të m’i lexuar bota.

 

Qe, ky ishte gjaku im. / Nji çast më parë ai më vraponte nëpër zemër. / Merre ... /... si gjak / që disa çaste ma parë / vraponte në zemrën time / dhe ndoshta atje i pa, / n’errsinën e kuqe, / sytë e tu plot dritë. (fq 21)

Është stoik krijuesi në tejdukshmërinë e papërlyer derisa i kujtohet errësira që në jetën e tij pati ngjyrë të kuqe. Pikërisht ky çast ngjyrosje na e zbret nga qielli poetik në tokën e frymorëve. Sa prek tokën dyzohet mendimi ynë; dega e parë tendoset të zbulojë mospërfilljen e pashpirt ndaj sakrifikimit sublim aqsa dhurohet gjaku i ngrohtë dhe dega e dytë zhbiron nëndhe për të ndriçuar farën që po mbin si e ardhme. A do kuptohet me embrionin e asaj farëze akoma të pagojë?

 

Incoputa  (Papërsosja, pafuqia për reagim) tërheq, vel, pastaj derdh pak ujë, më lëngështon dhe më shrëngon të lutem për ta shkurtuar, për t’u sosur i etur në gjashtë vargjet e fundit magjik. Këtë lutje nuk është i detyruar ta dëgjojë askush, aq më pak poeti, perëndia e krijimit të vet, ndonëse mua më rivjen disa herë.

 

Atëhere bota ishte e lmuet / dhe unë s’dija ta dalloja gurin e vetëm / prej mishit të kaltër të fmijës. / Lumejt ishin kufijt e botës ... unë s’kisha harxhu asgja nga e ardhmja. (fq18)

Bashkëdashamirësi im lexues, në se e do veten tënde të mençur, në se e do veten tënde të tretur në qiejt e mbiperëndishëm të mendimit, gjej kohën e dhjetëherë lexo të tillë poezi. Vetëm të ftoj, sepse nuk dua të të vjedh nga copa e prerë e kohës së vërvitur kafeneve, nuk dua të të mohoj kënaqësinë e thashethemeve dhe të vetdashurimit me filozofinë e përditshme të qenies këmbëngulëse njerëzore për vërsulje drejt pasurimit të barkut e të lëkurës. Poezia e dalë nga dhimbjet e lëkurës, barkut, zemrës e shpirtit të poetit e shpërfill pasurimin. Kujdes i dashur! Ftesën time gjykoje mirë dhe, vetëm në të thërret rryma e gjakut tënd, jepi vlerë edhe ti. Ishte fati ynë të jetonim në një botë të lëmuar dhe të na lidhnin mirë që të mos shkisnim. Tani, fatalisht, ndodhemi në shkrepa e thepe ku të përpijnë erërat. A nuk duam ta kuptojmë edhe ne se përse u ndodhëm kaq papritur në zgrip të jetës?

 

Ti je e pavdekshme / e unë nji ditë do të vdes / s’e di se si / s’e di se pse / s’e di se sa ...(fq 22)

Unë do vdes ... dhe s’e di se sa sekonda, sa minuta, sa orë, sa shekuj do vdes. Sepse do të kthehem tek ti që je e pavdekshme. Këtë e ke shkruar për drithërimën tënde, Primo, por drithëron shpirtin tim, ngjeth evlatin e vatrës sime, udhëton në arteriet e mbesës e të nipit, mbjellë Shqipërinë e përjetshme në barkushet e zemrës dhe na e detyron verdiktin krishtëror të ringjalljes që të na riketë Shqipëria dhe ta kudokemi, ta gjithnjëkemi Shqipërinë.

 

Ah, po të kisha mund me heshtë, / vala e detit nuk do të vdiste ...(fq.24)

ATA nuk heshtën. Ti dhe ai folët pak por ATA nuk rreshtën së foluri, së bërtituri, së ulërituri dhe prandaj dallga e vdekur e detit u ngrit nga mosqenia; mbyti, përmbyti, u ndërroi lëkurën djemëve tanë. Më bën të pranoj me kënaqësi asketi vuajtjen e merituar tek kujtoj pamundësinë e heshtjes sime e pastaj tënde. Edhe përsëri ti, Primo, fsheh vuajtjen e dhimbjen në shpirt duke mos hedhur asnjë shigjetë në fronin ku janë ulur ATA.

 

Ju i jepni ecjes nji kuptim, / ju i jepni baltës ambëlsim, / shterpsia juej bahet pllenim (Menopauza e engjujve, fq 100) Më drithëron mendimi i atavizmës. ATA kanë mbjellë në kërthizën e embrionit tonë moralizimin dhe ne nuk u çlirokemi dot. Druhem se mos universit të ndjeshmërisë dhe të thesareve intelektuale që mbartim u tirret nëpër gjymtyrë ajo gjëja që pollën dhe rritën ATA?

 

Primo Shllaku ka veçuar esencën nga lënda e vet, e ka diellsuar këtë essence dhe ne e shohim.

Me ty vij deri n’ag / mandej ty drita të merr. / Pa ty / përqafoj paqen prej shkumsi të mbasplagosjes / e, në kthinën e ngjarjes sime, / ndigjoj kumbonën e shurdhët të borës .. Çoj dorën mbas resë / e, si nxanës i keq i ditës që shkoi, rrethoj me shqisa pulbardhat e së nesërmes ...(fq 35)

Më merr në krah poezia dhe ...

Vitet e fëmijërisë, kur vargjet më të bukura, që mbaja shtrëngueshëm në trastën e mendjes sime, ishin bejtet e dala nga bajgat e fyerjeve dhe përqeshjeve vulgare të fëmijëve, pastaj u ngjita në lartësitë e “Trahanasë” e të “Parasë”, sepse i pëlqente edhe gjyshi im. Më vonë njoha Naimin, Çajupin ... Ec e ec e duke verifikuar horizonte më të gjëra pashë se isha mizë dheu e ndëshkuar nga fati i llojit dhe e trembur nga shirat. Ec e ec dhe pashë se vargu po bëhej strofë e po hynte në bejte, pastaj bejtja mori fytyrë vjershe, vjersha u bë poezi dhe poezia nuk paskej kufij të sipërm bukurie. Sa mijëra vjet kishin njerëzit që shkruanin poezi?! Sa mijëra herë më fin se poetët e mi ishin ca poetë të tjerë jashtë gardhit që më kishin vënë mua kohërat dhe pushtet?!

Poezia, ky qiell, kjo botë e paanë, është brenda njeriut, ekziston tek secili, veç merrë trajtë e kaltërsi vetëm në strofkat e mendjes së poetit, sepse mitër ka fjalën dhe fjalën e mbars mendimi. Në ke shterpësuar mendimin, në e ke lënë të rreshket, aq më dhimbshëm në e ke sakatuar atë duke e shartuar e ngjyrosur, do të ketë sakatllëk poezia. Sakatllëku i poezisë nuk mbetet vetëm i saj, i shtrohet kryq në rrugë mendimit të fisëm dhe pastaj bota do të udhëtojë pa mendim të fisëm në kokë. Tek i them këto thellëanalizohem se mund të jem edhe unë nga ata që shkarkojnë poezi sakate në udhët e holluara të këtij krijimi të lartë njerëzor. Nuk thashë as për ty, që ke kohë e lexon mua. Vetëm gjurmova rastin të them se në këtë vijë të hollë kam parë të shkojnë: Hiqmeti, Primo, Stefani, Armela, , Nase, Grigori ose Primo, Stefani, Armela, Nase, Grigori, Hiqmeti ose Stefani, Armela, Nase, Grigori, Hiqmeti, Primo ose ... mos më vini detyrim për radhën dhe mos më përgojoni që kam harruar të tjerë se pak njoh nga krijimtaria e viteve të fundit në shqip.

Më tepër e mbiçdo gjë dua të kuptohem nga “poetët” e së përditshmes. Këta miq zemërmirë, dashnorë të papërvojë të letrave, quajnë poezi cilëndo rimë e thyerje të fjalëve. Grekët e lashtë, ndoshta edhe shumë popuj të tjerë, krijuan perëndi për të ruajtur nga keqkuptimi dashurinë, bukurinë, detin, familjen, erën, lulen, zogun ... gjithë botën. I gjalli me të gjallin e ka më lehtë të keqkuptohet se sa të kuptohet. Prandaj, duke mos patur në dorë një perëndi që ta besojnë të tërë njerëzit me të njëjtën devotshmëri, na tremb zëmërimi, aq më tepër kur nuk shikon fare nga oborri i arsyes. Pas këtyre fjalëve ndihem më komod të shprehem në adresë të “poetëve” zemërmirë: Shkruani sa të doni e kur të doni, vetëm hapni sytë e vështroni përrreth. Bota është shkëputur nga naiviteti prehistorik dhe do të ishte keq, në se kjo botë e madhe, ku e ku  më e ditur nga ne, na çmon si përfaqësues të një populli dhe të një gjuhe që paska aftësi krijuese deri në nivelin e naivitetit (nuk më vjen doresh të zë në gojë vulgaritetin).  Poezia është krijim intelektual që nuk e ka natyra, i shtohet natyrës si bukuri e papërsëritshme, si ndjenjë e menduar, si mendim që emocionon dhe e afron më tepër natyrën me njeriun, dhe e ul njeriun në fronin më të nderuar të qiellit natyror. Poetët janë rrëfyes origjinalë. Fjala e tyre zë vend si ndriçim i  veçantë në imagjinatën e njeriut.      

 

Mes rondelash/ e monedhash të shlyeme, / vidash të spanueme e afishash të rrzueme, muresh të përmjerrun e rrobash në kalbëzim, / ndëjë në fronin e vet prej arke koka-kole / ndrit esenca ime / si lot prej diamanti.(fq 60)

Tabllo surrealiste e përmbysur deri në absurd në dy rreshtat e fundit. Një realitet i fotografuar nën dritë zhbiruese deri në kthinat e zorrës së trashë dhe i tjetërsuar në margaritar dinjiteti vetëm prej një loti të jashtëbotshëm që kullon pikë-pikë dhe i bën karshillëk ndotësisë (oh, e pashmangshme ndohtësia!) . Lot diamanti derdhet dinjiteti i paerrësueshëm i poetit. Sa të papunë e argatë të tjerë do të llogarisnin monedhat që mund të fitoheshin nga sistemimi apo transporti i këtij rruzulli rrangullash, sa fisnikë (higjienistë a ç’të jenë) do të derdhnin fjalë të ndohta e qortime posa të parakalonin pranë asaj zallamahie, e të tjerë, e të tjerë. Poeti i anashkalon këto, sepse nuk i delë vendi dhe koha për të përvetësuar banalitetin e detyrueshëm të jetës. Ai veçon artistikisht esencën nga lënda e vet, e diellson këtë esencë dhe ne e shohim.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora