E diele, 28.04.2024, 08:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Shefik Shkodra: Portrete parodike

E merkure, 23.03.2011, 08:21 PM


SHEFIK SHKODRA

 

P o r t r e t e   p a r o d i k e

 

 

PALAÇO I SOTËM

 

Mundohet ta luaj rolin mirë, po s’ka pamje as zë, as mjete shprehëse të nevojshme. Është i ndytë. Larg i vjen era djersë e shurrë. Në komiken e tij fsheh veprimet e poshtra që bën. Këndej flet seriozisht, andej gëlltit të fëlliqtë. Qyteti tashmë ka marrë vesh krejt kush është ky personazh. Sa ia vlen t’ia dëgjosh të gjitha ‘pollavrat’ zë-çjerrë me jargosje. Ai thotë për veti se nuk ka më të mirë se ai. Të gjithë të tjerët janë të pa vlerë. Veç ai është dhe duhet të jetë mbi skenë. Atë duhet shikuar e dëgjuar. Populli ka thënë, ‘marrja s’e ka mbytë askënd deri më sot.’ ‘S’ia di hallin veti qyqani’. Ai kërkon shokë tjerë e tjerë. Ata i gjen si vetë ai, po në numër të vogël. Dhe si ai janë. Bëjnë si ai. Shtiren si ai. Rrahin gjoksin si ai. Këndesa plehu. Kakarisin si ai. E marrin zanatin e tij. E shquajnë vetën – me gjini asnjanëse. Sepse, maskarai i jonë do të shpikë diç të re edhe në anatominë e njeriut. Palaço i sotëm është më i ndytë se ai i mesjetës, edhe më primitiv se në shkrimet e kësaj epoke. Ne vështrimin e kthyem kah ai. Menduam se nuk do të na zhgënjej. I japin epitete kulture e shkence gjysmë serioze; vetëm sa për ta hequr qafe sepse, ai zgërdhihet e ua lëpin nga pak edhe këpucët. Kujt? Atyre që luajnë dhe e kalojnë motin me të. Kënaqet me letra ‘të fala’ si lëvdata të pakursyera...I lë veshët e vet, i merr ata të gomarit. E lë shpinën vertikale, e merr samarin e kafshës. Ai e luan rolin  e cilësdo kafshë, edhe të djallit, veç të njeriut jo! Ngutet të arrij i pari në skenë, t’i tregoj botës se ai është që rrëfeu i pari për këtë e atë fe. Harron se ka dhe njerëz pa maska, pa emër e mbiemër të rremë. Nuk bën mend se ka të tjerë që punojnë ditë e natë për më të dashurën muzë të shpikur, të re. I bien dajres si një zeshkane e përvëluar në ‘dashurinë e përvujtërisë’, në zhegun e verës së thatë e në dimrin e acartë, gjithmonë me të njëjtat mjete  aktron. Po, fshehtas, bën çdo gjë ‘paçavra’. Botën e përzien si tym i dalë nga zori. Nuk duhet zënë për “asgjë” trimoshi jonë. Ta bën kurthin veç kur ai nuk duket fare. Ka edhe një zanat tjetër: plaçkitjen. Veç ndonjë ‘kacidhe’ të fëlliqtë, qoftë edhe prej fëmijëve. Si një kohë, në një lojë barinjsh – “loja me pulla”, kush godit më afër shenjës i merr të gjitha pullat, apo ‘kacidhet’. Po, ai bën edhe hile. Sidomos, me ata më të rinj. 

Palaço i skenës tonë nuk përcaktohet në dimensione e në vijat. Nuk e merr vesh njeriu me sa maska del në skenë. Llomotit shumë para auditoriumit. Të gjithë me kureshtje e  përcjellin edhe pse shprehet me një gjuhë kakofonie. Është i pa cipë turpi. Palaço i ditëve tona përpiqet të luaj rolin dramatik të kohës. Dhe e dinë të gjithë se, ai rren, poshtëron, vjedh, plaçkit e tradhton. Çdo gjë të keqe e përkrah e e stimulon. Të gjithë thua se e marrin vesh, megjithatë, askush s’e kupton që kundër të gjithëve punon. Jeta i zgjatet nga ‘artdashësit’ e bashkëkohësisë tonë.

 

URITHI I NJËJTË

 

Thonë, urithi nuk ka sy. Ai është personazh i nëntokës. Dhe veprimet e tij janë të nëntokës. Në nëntokë e me rrugët e tij gjallëron. Labirinteve të nëndheshme, të shkurtra e të gjata, me thonj e turinj të vet çel e bart të gjitha të mirat për vete. Vetëm për veten e tij. Krejt perimet e kopshtarëve i bart në nëntokë. Bën stoqe të patateve, të qepëve, perimeve e pemëve, po dhe të lashtat e të mirat të tjera të bujkut e të punëtorit tonë në përgjithësi. Vetëm dheun e shohim kah e hedh mbi sipërfaqe, atë s’e shohim. Është i padukshëm, sepse, thamë, është i nëndheshëm. Veprimin e tij nuk e do secili. Është punë e pandershme. Na dhimbset kur duhet të ndërmarrin diç kundër tij. Duhet të orvatemi të mos na lë të vdesim urie me fëmijë e me kafshë. Duhet të sigurohemi me të gjitha mjetet, brenda për brenda tokës tonë dhe gjithë pasurisë. Kur e nxjerr njeriu atë nga toka përmbi, ai nuk sheh. Të dhimbset. Të vjen keq. E mëshirojmë dhe mendojmë, se edhe atë duhet shpëtuar disi. Edhe ai është qenie e gjallë. – Është i gjallë, po është “zullumqar”, thonë njerëzia. Ai kërkon terr. Dritë për të në sipërfaqe nuk duhet të ketë. Ai në dritë nuk sheh dhe atë nuk e do. Drita për atë është vdekje. Mirëpo, ai është i tjetrës botë. Ai e do terrin! Terratis me mendtë e veta çdokënd që e ruan e nuk ia prish qetësinë. Urithi si urithi më. Në nënkëmbë ta rrëmben dheun. Ua rrëmben bukën të tjerëve pa mund. A ka ndonjë urith që ditën rron mbi dhé dhe natën e errët kthehet në nëntokë? Jo, ai është maskara me emër e mbiemër tjetër. Urithit s’ia sheh këmbët. Atij i duken rrënimet. Vera mbetet e thatë nga lëvrimet që u bën ai fushave dhe bimëve. S’ka dert për të tjerët. Nuk merr vesh ç’është jeta e të tjerëve, jeta njerëzore. Është i pangopur... Është qenie e gërditshme.

Po, ju të nderuar, lypjani fundin e labirintit, ai i ka stoqet e bëra nëpër zgafelle. Zbulojeni itinerarin e tij kah ka vringëlluar në nëntokë deri te stacioni i fundit. Aty do t’ia gjeni të gjitha të mirat e grumbulluara. Merrjani me thasë të gjitha. Lëne të ngordhë kafsha e ndytë! Mjaft është dëmi i saj. S’ka mend, i lë të tjerët të vdesin urie. Pra, s’duhet të mëshirohet edhe urithi. Na fëlliqi. Të gjithë ankohen, askush nuk ia ndal rrugën e poshtër.

 

‘DHIA E COFTË BISHTI I NGORDHTË’ 

 

Në pamje të parë, është kafshë e mirë shtëpiake dhe dobishme. Veç qumështit, mishit edhe leshi i saj është përdor për punimin e cergave, thasëve, për çorapë etj. Materialeve prej këtij leshi i quanim: cerga e dhintë, thasë të dhintë, çorape të dhinta. Ka pasur me qime të zezë, të bardhë pa asnjë larë, të kuqe me pika të bardha, të përhirtë etj. I kemi pagëzuar me emra të ndryshëm. Janë të mira në pamje. Po, megjithatë, dhi. Dhia si dhi më shumë nuk di. Kur virrë lëshon një zë të thekshëm e të pa durueshëm. Bota në këmbë çohet si nga gomari. Shumë fjalë të urta kanë mbetur nga populli për dhinë si personazh i jetës ndër ne. Nuk i pihet qumështi asaj dhisë që ha në plehra. Kur i ofron ndonjë përgatitje për ushqim të mirë, ajo e lë dhe ngul thundrat në trungun e pemës t’ia këpus gjethet. Dikush në popull paska thënë: “lene, çka di dhia çka â tagjia!” Kur ndonjëra si me ilet, nuk ha e nuk kullot, veç tërë ditën bërtet, duket veç kore. Edhe ndonjë këmbë barinjtë kur ia gjymtojnë, ajo mbetet e përgjysmuar me shëndet. Po në dëme (në perime, pemë, ku s’duhet) e para. Edhe për këtë kanë thënë: “shihe, shihe – dhia e coftë, bishtin e ngordhët!” Do të thotë, prej atij/asaj që nuk e pret, të del sikur reja të vret. Dhia e kishte tradhtuar edhe ujkun. Shumë anekdota ka për dhinë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora