E diele, 28.04.2024, 05:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Motivi social në përmbledhjen me poezi ''Dallgë e Vërrinit'' të Hasan Hasanit

E marte, 22.03.2011, 08:07 PM


(Rilexime me shkas)

 

MOTIVI SOCIAL NË PËRMBLEDHJEN ME POEZI “DALLGËT E VËRRINIT” TË HASAN HASANIT 

 

Nga Prof. Skënder R. HOXHA

 

Ky punim nuk ka për objektivë të bëjë ndonjë analizë të gjithansme, ndonjë ese apo recension për kë të vëllim poetik, por synojmë të spikasim ato vjersha dhe vargje me tematikë sociale që poeti ia kushtoi popullit të vet. Këtë libër e botoi “Rilindja” e Prishtnës, në vitin 1969 dhe për lexuesit vinte pas librit të parë të tij me poezi “Krojet e bardha”, botuar më 1967. Kanë ikur pra rreth dyzet vjet që kur u botua ky libër, që e kemi në shqyrtim, por ne e kemi rilexuar tash (e me shkas), për të parë se si ky poet i ri dushkajas në preokupimet e tij kishte rrokur shumë tema e motive që e karakterizonin jetën e malësorëve të asaj kohe. Natyrisht, se në këtë përmbledhje vjershash gjejmë edhe  tematika e motive të tjera, mirëpo, jeta e mundimshme e skamnore e malësorëve të tij dhe atij rrethi në të cilin ishte lindur dhe rritur, ishin bërë preokupim i njëmendtë i Hasan Hasanit. Ky preokupim, siç kemi veneruar, ia vlen të kundrohet si një ndër nyjet më kryesore të këtij libri poetik. Gjejmë se në këto vjersha poeti shpesh iu kthehet frymëzimeve të mëhershme, duke i vazhduar e plotësuar ato edhe me ndonjë motiv të ri. Të thuash, secili lexues, nga vetë titulli i kësaj përmbledhjeje, pra “Dallgët e vërrinit”, do të parandjejë se do të lexojë vargje për dallgët e vendlindjes. Ndërkaq, dy vargjet: “Babës që djersën e mbolli prore në breg/ për carrokët n’kasollë pa i gjetë vehtes shteg”, të cilat iu paraprijnë vjershave të tjera të librit në fjalë, gjithashtu, në miniaturë, ngërthejnë tematikën,  subjektin dhe përmbajtjen e vjershave të “dallgëve të vërrinit”  dhe të mallit që djeg në to. Që në fillim do thënë se kjo përmbledhje shënon edhe përparime kualitative që dëshmuan edhe për begatimin e përvojës jetësore e krijuese të tij. “Hasani me këtë përmbledhje dëshmon se është i aftë të depërtojë në shpirtin e fshatarit dhe kështu të na japë tabllo të shkëlqyera sociale…” – kishte thënë, në mes të tjerash, kritiku letrar Resul Shabani, në një shkrim të tij për përmbledhjen me poezi “Dallgët e vërrinit” të Hasan Hasanit, (shih, në gazetën “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 1969). Në detajimin e jetës sociale në këtë libër me poezi të Hasan Hasanit, hasim shumë vargje të brumosura edhe me elemente biografike. Kjo edhe do t’i shkonte përshtati, kur kihet parasysh se secila kohë ka karakteristikat e veta, ka utoktoninë e vet, e krijuesi duhet t’i venerojë e t’i ngërthejë ato me vizion dhe vlerë sa më origjinale.

     Hasani niset me vargëzimet kushtuar përjetimeve nga fëmijëria e vet, ku duke i kënduar asaj fëmijërie, poeti thotë: “I vorfun kam qenë por n’zemër kam pasë deshirë” (vj. “Kanga”, f. 7). Për të kalurën e rëndë ai kishte mësuar nga gjyshi: “Gjyshi ulë kambëkryq n’mes t’odës mbi qylyma kotet/ “Sa t’randa kanë qenë mbi supet tona t’thata motet”, apo: “O, sa e randë asht gjama e trenve t’nxime t’shpisë” (vj. “Lahuta”, f. 11). Në vargun e fundit që e cituam shihet se autori nëpërmjet të lahutës (si autorë të tjerë të mëhershëm: Fishta, Camaj etj.), qan hallet dhe vuajtjet e popullit të tij skamnor, duke e ravijëzuar kështu elementin social, një element mjaft të ndjeshëm që popullin tonë e përcolli nëpër kohë. Kur i referohemi vargjeve të këtij motivi, shohim se fenomeni i varfërisë (jetës sociale) përshkruhet, jo vetëm prej së afërmi, por duke qenë edhe vetë autori njëri nga protagonistët e atij realiteti. Në rrethin social të njerëzve të H. Hasanit, në përmbledhjen “Dallgët e vërrinit” janë prindërit: gjyshërit e stërgjyshërit, babai, nëna, mixhallarët, pastaj  bashkëfshatarët, fëmijët, gratë, si dhe rrethi më i gjerë që ballafaqohej me lloj-lloj dramash të kohës, mënyra e jetesës e së cilëve ishte bërë preokupim i poetit. Ndërkaq, poeti Hasani, për t’i kënduar sa më besnikërisht motivit social dhe për të pasqyruar edhe damarët e asaj jete, kishte gjetur frymëzimet në pjesë të veshjes së atëhershme, orendi shtëpiake, vegla të punës etj., si: guja, djepi, zgjedha, kasolla, parmenda, postaja, sofra etj. Nga vjersha në vjershë, autori, me nostalgji i këndon asaj jetës në skamje që e kishte përjetuar vetë, ku për objekt merr edhe kulmarët e vjetër të shtëpisë dhe gunën e vjetër të fëmijërisë: ”Sytë papritmas m’u ngulën n’kulmar’t e vjetër t’shpisë/ T’shkyeme e t’leckosun e vërejta gujën time t’f’minisë.”, si dhe: “Shumë me të jemi mbështjellë, unë dhe prindët prej stuhisë/ Kur në fushë ndodheshim tue lavrue arën e zotnisë” (vj. “Guja”, f. 13). Këtu, toponimi Ara e Zotnisë ka edhe simbolikën e vet, sepse tregon të qenmit tonë argatë në arat tona, vetëm për të siguruar kafshatën e bukës për familje. Ky varg ka edhe atrubutet e vulës së një kohe të caktuar, të një realiteti tonë të hidhur. Një prej dashurive të poetit mund të thuhet se ishte edhe ajo paraqitje në vargje e kohës së fëmijërisë dhe të rinisë së hershme të tij, duke e shprehur atë zjarrminë e brendshme, në mënyrë që të zbrazej prej dufit të atij farë ideali social, që në disa vjersha të kësaj përmbledhjeje bëhet edhe lajtmotiv.

 Poeti Hasani, duke vargëzuar për fëmijërinë e tij, thotë:

”Në një djep të drurit t’latuem me dy shpatza jam rritë

 Mbi nji copë postajë dhie ku më janë shtrembnue brinjtë”. (…),vargje këto që pasqyrojnë një jetë skajshmërisht skamnore, e nëna i drejtohej me klithjen: “Medet, si do të rritesh bir n’këtë vuajtje e skamë” (vj. “Djepi”, f. 15), që thërret si një ofshamë e thellë nëne. Sado që këto vargje duken personale, prindore etj., këto janë edhe vargëzime për fatin kolektiv të popullit skamnor bashkë me udhëkryqet e asaj jete. Sikundër edhe fëmijëria e varfër e poetit Hasani, është sinonim i fëmijërisë së shumë brezave të asaj kohe. E këto vargje duhet të kuptohen si lot të derdhur për ata që përjetuan atë farë jete. 

     Në shumë ligjërime poetike autori lëshon pikla malli për të kaluarën e varfër të prindërve të tij, si dhe për vazhdimin e asaj jete të rëndë të cilën e përjeton edhe vetë, e që duhet kuptuar edhe si sinonim të varfërisë kolektive në të shkuarën por edhe në kohë të vonshme të tyre, kur të pakta ishin ato familje fshatare që bënin një jetë për t’u lakmuar. Duke i pikturuar nuancat e atij realiteti të hidhur poeti Hasani na jep tabllo se si atë varfëri e përjetonin edhe kafshët shtëpiake, kafshët e punës, sikur edhe ato ishin bërë protagonistë tragjikë të atyre imazheve: ”M’u kujtue qafa e Murrojave ngadalë tue rrjedhë gjak/ E me kinla ia mjekonte baba prore  n’këtë prak” (vj. Zgjedha”, f. 16). Në ato rrethana, edhe të vegjlit, ende të papjekur për punë, përpiqeshin t’iu ndihmonin prindërve, apo t’iu “hynë ndër krah” siç kishte thënë poeti: “Zhag m’ka ngrehë parmenda kur lavrojsha n’rrah/ Ka mot jam mundue tim eti me i hy ndër krah” (vj. “Parmenda”, f. 17), sepse babai i tij: “Për ‘i copë buk’ goje n’votër, ditët i ka djeg’/ Tue derdhë mundin n’vapë të diellit në zheg”. (vj. “Rrahu”, f. 18).  Por: “N’at copë postajë të rjepun, pa lesh, veç lëkurë/ Gjuhën e gurit e mësova, kangën e zjarrtë me thurë” (vj. “Postaja”, f. 19). Varfërinë e përjetonin, por edhe e ndjenin fëmijët, të cilët, përveç rasteve të tjera, rëndë e përjetonin në sofër: “Uleshim dhe ngriheshim me ofshamë n’zemër e vaj në buzë/ Ajo fëmini e djegun n’kujtime ka mbetë si shpuzë.”, si dhe: “Ftohtë uleshim rreth sofrës n’pluhurin e shpisë…” (vj. “Sofra”, f. 20), vargje këto që skematizojnë në mënyrë të përvujtë ngjyrat e jetës në skamje. Së këndejmi, rrjedha e natyrshme e mendimit dhe ndjeshmërisë emocionale për përmasat e motivit, reflektojnë vargje më kuptimplote e të qëndrueshme për fenomenin si motiv, i cili, në rastin në shqyrtim, ishte një lloj drame njerëzore.

     Se gëzimet familjare ishin të rralla, modeste e simbolike, tregojnë edhe vargjet për skenën kur babai, i cili kur kthehet nga qyteti, ua shpërndan ato gjësende që kishte blerë për anëtarët e familjes: “Tri palë opangë gogishte i nxori për vllaznit dhe mue/ N’prehen na i hudhi me afsh tuj na përqafue.” (vj. “Kthimi”, 23). Ndërsa jeta në kasolle e njerëzve, në vargje të H. Hasanit përshkruhet: “Një flakë e pishës kasollën e mbushte dritë”, pastaj: “Tymi i zjarrit n’mes votrës sytë na i mbushte lot”, apo: “Hajshim darkë – me fjetë bijshim mbi fier” (vj. “Kasolla”, f. 21). Sipas këtyre vargjeve, fëmijët binin të flinin në fier, kurse: “Kur bijsha n’gjum’, gjumi s’më zente mbi cergë/ Brinjtë e njoma t’shtrime n’tokë kërcëllonin n’flakë djegë.” (vj. “Bariu”, f. 28), përshkallëzohen trajtat e varfërisë, ku personazhe tragjike janë fëmijët. Mirëpo, në atë jetë të varfër, poeti sheh edhe disa shkëndija kënaqësie: “O, sa ambël flijshim gji me gji deri në të gdhirë” (vj. “Kasolla”, f. 21). Duke iu referuar vargjeve të këtij libri të Hasanit shohim se malësorët e nënqiellit të tij janë rritur bashkë me jetën e zorshme: “Malsorët këtyre trojeve janë rritë si fiera me stinë/ Për i barrë drithë djersën kanë derdhë n’rrëpinë.” (vj. “Mullini”, f. 29), si dhe: “Bluena sonte për darkë se pasha tokë e qiell s’kemi bukë” Po aty, f. 30). Siç shihet, ky autor, poezinë e kishte mbështetur në detaje konkrete e të përjetuara të cilat shprehin edhe komunikimin me ndjenjë të imazheve emocionale. Megjithatë dëshirat e malësorit të H. Hasanit nuk janë të ndrydhura, të vagëlluara, por shprehin ndjenjën e përballimit e të mbijetimit.

     Ka shumë vargje ku spikaten puna dhe djersa e malësorit dhe malësores për  të mbijetuar atë jetë me skamje. Ndaj, skema të tjera të asaj jete ravijëzohen edhe përmes punëve të rënda që duhej t’i bënin ata fatkëqinj. Mixha Qelë duhej të bante dru me krah nga mali, për t’u nxe carrokët dhe familja në kasollë: “I deng të madh e prente, e lidhte me konop/ N’shpinë tu’e qitë kurrizi i pat krisë krrop”, (vj. “Mali”, f. 33), e kur mbërrinte te shtëpia i lodhur: “N’oborr kur mbërrinte ulej mbi një të druve cung./ Ofshante thellë me fytyrë të nxime si trung.” (Po aty). Jetën skamnore e të mundimshme mbi supet e veta e përjetonte edhe malësorja: “Vetë, në arë, livadh, mulli, puna e lypë n’mesditë/ E me sopatë në mal drutë e dimnit i krasitë.”, ndërsa babait që lavron arën me murroja: “Djersa korrizit t’shpinës si lum gjakimi i zbret/ E këmisha e arnueme kurr dy javë s’ia pret.” (vj. “Lavra”, f. 37). Atë fëmijëri të tij të varfër Hasani e thotë edhe në ligjërimet poetike, si frymëzime që i vijnë kur e shikon me mallë shkopin e tufës, shkopin me të cilin dikur kishte ruajtur bagëtinë: “Si në gurrë të malit lotët e nxehtë nisin me u derdhë/ Hej fëminia ime e vorfun, sa shum rrugëve kam bredhë.” (vj. “Shkopi i tufës”, f. 58), motiv ky të cilit, siç pamë edhe më sipër, i kthehet herë pas  here në vjeshat e përmbledhjes “Dallgë vërrini”, me vijëzime të cilat autori përpiqet t’i bëjë me kujdes. Kur i këndon bujkut, nënës, babait, mixhës etj. nxjerr në sipërfaqe edhe nuansat e asaj jete me apotheoza e travaje të shumta. Ka raste kur edhe lexuesi emocionohet dhe nuk mund të mbajë indiferencë përballë vargjeve të këtij motivi …, sepse fati i protagonistëve të poezisë së Hasanit ishte sinonim i fatit kolektiv, natyrisht, në kohë dhe hapësirë të caktuar. Këta protagonistë bëhen edhe prototipë të asaj shtrese të varfër si dhe subjekt i këtyre vjershave, duke pasur për sfond arën, malin, livadhin etj., me një fjalë – natyrën fshatarake, ku ata e derdhin djersën, lënë lëkurën e shëndetin për të ekzistuar. Fjalët dhe shprehjet më shpesh të përdorura në vargje të këtij motivi, si: loti, ofshama, vaji, gjama, djersa, pluhuri, hiri, strajca, shkopi, guri i oxhakut, zgjedha e thyeme etj., janë pjesë e fjalorit poetik, kanë lidhshmëri logjike dhe simbolikën e tyre, ndërkaq vjershat janë një poetikë e jetës së këtij lloji. Ato janë krijime të motivuara nga vlimet shpirtërore. Disa vjesha të Hasanit, të këtij motivi, janë një letërnjoftim real i asaj jete që skamjen e kishte përditshmëri. Poeti bëhet edhe zëdhënës i atij realiteti dhe poezia e tij, e këtij motivi, merr ngjyrën e fortë realiste dhe forcon lidhjet e tij, sidomos ato shpirtërore, me atë realitet të hidhur. Ndryshe, për gjërat që nuk shihen, nuk preken, nuk përjetohen, përpjekjet krijuese gjenerojnë krijime të thata e mekanike.   

     Në ndonjë mënyrë e kemi thënë edhe më sipër se në këtë përmbledhje poeti Hasani ka pasur si preokupim edhe sfera të tjera, por dominon elementi social, të cilin e ka shtruar poetikisht, me talentin që premtonte. Mirëpo, ndaj këtij fenomeni, mungon protesta e autorit dhe përpjekja e tij që me energjinë krijuese të ngrisë zërin, apo t’i bëjë shteg mundësisë dialektike për të dalë nga ajo gjendje e për të krijuar një jetë më ndryshe.  Përndryshe, përshkrime poetike të ambientit, të situatave, të portreteve etj., janë në funksion të përpjekjeve për të ndriçuar nuancat e problemet e këtij motivi.Vargjet, aty-këtu, kanë përgjasime shprehëse e strukturore po edhe gjuhësore me krijime të letësisë gojore, të përpunuara e të gërshetuara mirë, gjë që vargun nuk e zbehin, por i jepin tone të ngrohta lirike.      

 



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora