Kulturë
Din Mehmeti: Vajet e shiut (IV)
E diele, 27.03.2011, 08:55 PM
DIN MEHMETI
VAJET E SHIUT
ARTI I RËNIES SOLEMNE
Në parkun e qytetit
Gjethet e drurëve
Bien mbi kokën time
Të përdyllura
Të thara të rrudhura
Si fytyra ime
Bien krenarisht të pikëlluara
Duke shfaqë balet –
Artin e rënies solemne
Dikur ato hapnin pllaja të blerta
Shkretëtirave të shpirtrave
Të mos vdiste dashuria
TERRI MBRETËRIA E PËRJETSHME E NJERIUT
KARNEVALET E HIJSHME
Karnavalet mbaruan
Bota u qesh u përqesh
U bë u zhbë ndryshe
Pati të qeshura të zjarrta
Pati edhe aso të përlotura të ngrira
Një frymë e fortë u lëshua mbi dhe
Lëkundi gjithçka
Shkuli me rrënjë lisat legjendarë
Ranë edhe maskat e jetës së mashtruar
Ranë edhe ngjyrat e fytyrave
Rrugët e dritës u mbushen me baltë
Urat e kalbura mbi lumenjtë e kuq
Nuk i mbanin hapat
Mbeti vetëm shkretia e përdjegur nga rrufetë
Jeta e vdekja mesveti për t’i ushtruar dhëmbët
Njeriu zbriti në fund të njeriut
Me pishtarë të ndezur
Poshtë atje në fund të botës pa diçka
Dhe u kthye i tmerruar flokëzbardhur
E lanë edhe sytë
KJO KAFSHË E ZEZË
Kjo natë e tërbuar kafshon
Ku zemra pikon helm
Ku shpirti dhemb
Nga terri që ndrydh
Mihi thellë në vete
Për të gjetur shpëtim
Kot ... Ndjej se si përtyp
Se si i ngul dhëmbët e zi
Deri në asht deri në klithmë
Kjo kafshë e zezë
Që nuk vdes kurë ...
LULE DRITE
(Zeqë Shehut)
U nise nga etjet e përdjegura
Për të arritur në Bregun e Bardhë
Lumenj pa ura
Rrugë të gjarpinjtë
Krrokama korbash mbi kulla
Por ti nuk ndaleshe
Bëhej furtunë
Rrufetë vrisnin lisat e gjatë
E mbi ty qielli rigonte lot
Por ti nuk ndaleshe
Zemrën e bëre fanar
Rrugës së gjatë nëpër natë
Dhe kur e gjete veten e gjallë në vete
Mbolle lule drite në besimin tënd
Gjakovë, 15. 12. 2009.
LAVROVE KOKËN E LETRËS
SË BARDHË
(Ali D. Jasiqit)
Ku e gjete atë penë magjike
Që rrëshqet si rreze
Në tokën e letrës së bardhë
O Ali Jasiqi
Lëvron me të
Derisa prek në ujë
Derisa prek në zjarr
Derisa ndeshesh në lot
Mbolle farën e re
Atje ku s’e kalbin shirat
Atje ku s’e ngrijnë akullnajat
Për t’i dhënë jetës dritë
10.02.2010.
KOSOVA IME E VOGËL
(Mbesës sime Donika Gjocit)
Ti je ylber
Që ndriçon jetën
Dhe qiellin tim Donikë
Zi je valë kënge
Dritë zjarri
Ti je gjeth shpresash
Bulëz pranvere
Në shpirtin e gjyshit tënd
Ti je zogëz e bardhë
Që fluturon lart
Për t’u dhënë edhe yjeve dritë
Ti je gjithçka që i mbështjell
Ëndrrat e mia të mos ngrijnë
Të mbaj në shuplaka të duarve
Të rris në rrezet e syve të mi
Të ruaj në zemrën time
Donikë – Kosova ime e vogël
Donikë – Atdheu im
UNI IM
Shumë herë të munda
Betejave uni im
Ishte kohë e rrufeve
Shumë herë më munde
Furtunave të shpirtit
Ishte kohë e rënieve
Jeta ime terrishtë e pafund
Askund fituesi i fatit
E VËRTETA
Më mirë të bie të shikosh
Diku përtej brigjeve të zeza
T’i biesh në fund të fundit vetes
E të mos kthehesh më kurrë
Më tha miku im i vjetër
Sepse në këtë botë
E vërteta është gënjeshtër e bukur
Pështymë e njeriut të sëmurë
Nga ndyrësirat
DIMRI NË DHOMËN TIME
Qielli i mendimeve
Reshë borë
Toka e ndjenjave të zjarrta
E shkrinë
E herë akull
E herë flakë
Në dhomën time
Shtrëngatë
Gjakovë, 06. 01. 2010.
SONTE JAM I PAFAT
Sonte jam i pafat
Përkundem në njëmijë klithma
Në djepin e ëndrrave krahëdjegura
Që vdesin mizorisht në mua
Pa i dëgjuar askush
E hap dritaren jashtë natë mbi qytet
Një zë më vjen nga larg
Kthehu në dritën që krijove vet më thotë
Këndo gëzohu mos u përlot
Se gjithçka kalon shpejt
Vetëm terri mbetet mbretëria
E përjetësisë së njeriut
E SHI BIE
Kurrsesi të largohemi
Nga akullnajat e fjalëve
Kurrsesi t’i këpusim zinxhirët e territ
E shiu qan
E shiu qan
Qull e tashmja
Zjarrishtë e ardhmja
Është e mundur
Njeriu të bëhet gur
E mundur është
Të pshurrin idhujt
Në krahët e bardhë
Të lirisë