Kulturë
Piktori Jetullah Haliti shpallet “Ambasador i Paqes”
E diele, 27.03.2011, 08:02 PM
Artisti nga kosova Jetullah Haliti – Eti, i njohur me ciklin e tij “Pëllumbat e paqes” të ekspozuar para disa vitesh në Kosovë dhe në Evropë, u shpall si “Ambasador i paqes”. Në këtë cikël human, autori nëpërmjet ngjyrës së kuqe pasqyron vullkanin tragjik të shqiptarëve të cilët gjithnjë jetonin të shtypur, nga ky vullkan artisti disi na shkëput dhe na dërgon në liri absolute, duke përdor si simbol pëllumbat për të cilët kufijtë nuk ekzistojnë. Përmes ngjyrës së bardhë, ata të bashkuar, madje edhe duke na shikuar me dhembshuri, na tregojnë se e ardhmja është e lirë, dhe këtë liri duhet kapur. Duke e vlerësuar lartë punën e krijuesit Halitit, dhe duke përjetuar tingujt e ngjyrave të pastërta, dhe duke u zhytur në horizontet e humanitetit, Federata Internacionale për paqe vendosi që artistin Eti ta shpall si “Ambasador të Paqes”.
Jetullah HALITI, u lind më 20 nëntor 1945 në fshatin Haxhaj komuna e Gjilanit.
I mbaroi studimet e artit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë ndërsa studimet pas universitare në Beograd.
Tani është profesor i U.P. mban Metodikën e Artit Figurativ, Artet e Bukura, Dramatizimin me shfaqje të kukullave, Loja dhe Lodrat dhe Punëdore me Modelim.
Në vend dhe jashtë nëpër Evropë ka hapur 90 ekspozita vetjake.
Është anëtar aktiv i Akademisë Evropiane të Arteve nga viti 1997 dhe nga e njëjta shpallet “Akademik Evropian”
Në vitin 2002 themelon Seksionin Shqiptar të Akademisë Evropiane të Arteve, prej asaj kohe deri më sot është kryetar i këtij Seksioni dhe anëtar aktiv i kryesisë së kësaj Akademie me seli në Belgjikë.
Është shpërblyer me 20 medalje të arta dhe të argjenta për sukseset e prezantuara në nivel evropian
Shpallet “Kalorës Nderi” në vitin 1998.
Fiton “Çmimin e parë publik” në vitin 2005
Është kandidat për çmimin nobel me ciklin “Pëllumbat e paqës”
Është themelues i “Profondizmit” – stil i ri në artet botërore.
Me 18 mars të këtij viti 2011 nga O.K.B. – Federata Internacionale për Paqe, piktorin Haliti e shpall “Ambasador i paqes”
Artisti Haliti ishte propozuar edhe për çmimin “Nobel për paqe” (meqë nga Institucionet artistike evropiane është kandiduar për këtë çmim)