Mendime
Enver Bytyçi: Nihilizmi dhe teoria e argumentit
E premte, 25.03.2011, 07:59 PM
Nihilizmi dhe teoria e argumentit
Nga Enver Bytyçi
eb_shqip@hotmail.com
Përvoja e këtyre dy viteve në Shqipëri ka evidentuar faktin se nihilizmi është produkt i mungesës së argumentimit të veprimit politik. Teoria e argumentimit është një teori filozofike gjithëpërfshirëse. Sipas filozofisë së argumentit të teorisë në debatin politik, shkencor, etik, filozofik rëndësi të posaçme marrin funksionet e argumentimit, principet, procesi, kushtet paraprake tipologjia, didaktika, analiza dhe kritika e argumentacionit, gjithashtu etika e tij. Rousseaus thoshte se “Nëse unë logjikisht duhet të flas, atëherë unë kam nevojë për të përdorur arësyetime logjike” Po sa është i mbështetur në teorinë e argumentit, shkurt në logjikën e arësyetimit, qëndrimi nihilist i opozitës shqiptare në kushtet aktuale? Ne kemi parë në praktikë sesi në emër të mohimit ishte sajuar “teoria e korrupsionit” gjatë procesit të ndërtimit të Rrugës së Kombit,pra të autostradës Durrës-Morin. Ne kemi parë sesi krerët e opozitës kishin reaguar me agresivitet në momentin e pranimit të Shjqipërisë në NATO. Ne kemi përjetuar një agresion psikologjik dhe një tension politik e shoqëror për shkak se opozita nuk pranoi rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Mospranimi i rezultatit të atyre zgjedhjeve ishte thjesht shprehje e mohimit të një përfundimi logjik e të pranuar nga të gjithë komisionerët e opozitës si dhe ndërkombëtarët. Logjika e kundërshtimit dhe mohimit të së vërtetës, nisur thjesht nga fiksioni i manipulimit të zgjedhjeve, pa prova, fakte dhe konstetime reale, ishte paracaktuar me qëllim që të krijohej alibia e qëndrimeve ekstreme nihiliste, për ta çuar vendin në anarki. Dhe është i njohur fakti që anarkia ka qenë, është dhe mbetet mjeti i vetëm në duart e njerëzve që ju mungon logjika për të realizuar qëllime të errëta, të paargumentuara dhe të paarësyeshme.
Sipas konceptit filozofik bashkëkohor, në themel të marrëdhënieve të shumëfishta në shoqëri qëndrojnë interesat. Interesat mund të jenë ekonomike e financiare, politike e të fuqisë së pushtetit, morale e shpirtërore. Në përgjithësi shoqëria njerëzore konkretizimin e interesave dhe shanset e realizimit të tyre i krijon nëpërmjet marrëdhënieve korrekte, duke vënë në funksion metoda dhe koncepte reale, logjike, përmes të cilave ajo i përmbahet normave morale e shoqërore si dhe resurseve që ekzistojnë. Në momentin që normat morale përjashtohen nga rregulli i përgjithshëm ose kur resurset mungojnë, atëherë shfaqet metodologjia nihiliste e të menduarit dhe të vepruarit. Nihilizmi shihet si varka e shpëtimit për të realizuar qëllime dhe interesa që nuk mund të realizohen në forma e me mjete të tjera. Kjo metodologji e përjashton funksionin e argumentit. Eshtë e vërtetë se grada e logjikshmërisë së argumentit ndryshon nga një njeri te tjetri. Por çdo opcion ose çdo veprim ka një masë të caktuar objektive dhe vishet me pjesën tjetër të subjektivitetit në argumentim. Eshtë gjithashtu e vërtetë se historia e formimit të logjikës është njëkohësisht histori e subjektivitetit logjik. Në këtë kuptim mund të thuhet se si pjesë e këtij subjektiviteti shërbejnë argumentet. Ku nuk ka argumente, fakte e të dhëna, nuk mund të ketë objektivitet e as subjektivitet të logjikës. Ndaj dhe nihilizmi është dhe mbetet produkt i ireales, fantazisë, shpikjeve dhe ngjarjeve pa lidhje midis tyre. Nihilizmi është diçka pezhorative, që instrumentalizon, formalizon dhe funksionalizon një lloj logjike pa logjikë. Ndërkohë që studiuesit e shquar të filozofisë e të teorisë se argumentacionit rekomandojnë që logjika subjektive të jetë shumë afër logjikës objektive. Sa më afër do të qëndronin subjektiviteti me objektivitetin e logjikës së mendimit e të veprimit, aq më të besueshme bëhen ato në përceptimin e palëve vëzhguese.
Njerëzit i shesin idetë e tyre në bazë të argumentit. Kur mungojnë idetë dhe bashkë me to edhe argumentet, atëherë mungojnë vizionet, mungojnë alternativat e për pasojë logjika e veprimit futet në një rreth vicioz, që merr formën e nihilizmit. Nëse do ta studionim praktikën e veprimit dhe reklamimin e saj nga ana e kerërve të opozitës shqiptare në këto vitet e fundit, atëherë do të shkonim pashmangshmërisht te konstatimi se kjo opozitë, çfarë është sot, nuk ka mundur të prodhojë dhe të reklamojë ide, vizione dhe alternative zhvillimi. As përkrahësit më të zellshëm të krerëve të opozitës shqiptare nuk kanë mundur dhe nuk mund të gjejnë qoftë dhe një opcion alternative të opozitës, me të cilin ajo do të duhej të konkuronte me mazhorancën dhe opcionet e saj të zhvillimit e të përparimit të vendit. Kësisoj është ndërtuar gjithashtu fushata elektorale e zgjedhjeve lokale të 8 majit, në të cilën alternativën dhe programin e opozitës e zevendëson sllogani nihilist “Fajin e ka Berisha”! Ndarkohë vendin e opcioneve alternative e kanë zënë veprimet anarkike, të cilat kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme për të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Funksionimi jologjik dhe mungesa e argumenteve e ka çuar opozitën shqiptare të ditëve tona jo vetëm në veprime anarkike dhe bojkote të pajustifikuara, por edhe në përpjekje të mbetura në tentativë për të bllokuar integrimin, liberalizimin e vizave si dhe zhvillimin ekonomik, social e konstitucional të Shqipërisë. Asnjë opozitë e përgjegjshme në botë, e cila do do të duhej t’i përmbahej principeve filozofike të veprimit të logjikshëm dhe të arësyetuar, nuk do të mund të kishte bërë përpjekje për të shkaktuar krizë ekonomike e financiare, përmes bllokimit e paralizimit të jetës ekonomike, politike e sociale në vend. Opozita shqiptare, për fat të keq, ka predikuar shkaqe dhe ka prodhuar në mënyrë virtuale probleme, me qëllim që ato në mos ekzistonin, të vinin në trendin e zhvillimit të vendit. Deklarimet e krerëve opozitarë për “një milionë të papunë”, për “rritje qesharake të pagave dhe pensioneve”, për “falsifikimin e shifrave në rritjen ekonomike”, “për krizë ekonomike e sociale”, “për rritjen e varfërisë”, “për njëmijë e një problemet dhe vështirësitë”, që kreut të opozitës i pëlqen të referojë, kanë dëshmuar se janë të pavërteta dhe janë kontestuar jo vetëm nga statistikat e shtetit, por edhe nga faktorët relevant ndërkombëtarë. Ndaj atom und të konsiderohen si dëshmi e spekullimit me të drejtën e fjalës, me lirinë e shprehjes, që një opozitë e papërgjegjshme e shfrytëzon për të manipuluar publikun e gjerë. Në kushtet kur opozita shqiptare është njëkohësisht edhe përfaqësuese e pushtetit lokal, pra, në kushtet kur ajo bashkëqeveris vendin, shprehjet vulgare e të papërgjegjshme të saj për zhvillimet në shoqërinë shqiptare marrin konotacione më të plota e të pakontestueshme të nihilizmit, egoizmit dhe mospranimit të realitetit. Ndërkaq për ta realizuar qëllimin e saj nighilist opozitës i ka dhënë një avantazh si dhe shansin që të manipulojë me medien e shkruar dhe vizive me një agresivitet të pazakontë.
Teoria e argumentacionit konsiderohet nga filozofia moderne edhe si teori e racionalitetit. Filozofi amerikan, Richard Rorty shkruan se nocioni i logjikës ka domethënien e mundësive subjektive të shprehura dhe synon të bindë, në vend që të ushtrojë dhunë”. Të tjerë filozofë, si Perelman, Toulmin, Hebermas ose Apel, janë të mendimit se logjika duhet të matet dhe të provohet përmes argumentit, madje me një metodë sa më strikte analitike. Lidhjet e vlefshme midis fakteve do të ishin baza e argumentit e për psojë do të vinin në jetë me logjikë të pastër, ndërkohë që duhet të shpaloset vlefshmëria e fakteve dhe të dhënëva që parashtrohen. Kushdo që ka ndjekur rrjedhën e debatit të zhvilluar tek ne për zhvillimet e këtyre dy viteve të fundit, do të vinte re lehtësisht se në palën opozitare të shumtën e rasteve ka munguar argumenti logjik i bazuar në fakte e të dhëna konkrete. Edhe kur përfaqësuesit e opozitës kanë paraqitur të ashtuquajturat fakte, “si një milionëshi i të papunëve”, ka munguar besueshmëria e tyre. Një gjë e tillë kishte ndodhur dhe në rastin e hartimit të projektmarrëveshjeve dhe projekt-vendimeve të paraqitura në parlamentin shqiptar për të ashtuquajturin “hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit
Nga argumentet e mësipërm arrijmë në një skemë tjetër të idesë së mësipërme. Të gjitha pretendimet e opozitës shqiptare kanë qenë dhe do të lexohen edhe në të ardhmen si pretendime me një defiçit të pazakontë argumentesh. Në kësi rastesh lind gjithnjë rreziku i shkarjes në nihilizëm, dukuri kjo e shoqërive totalitare, që sundohen me ide steriotipe, dogmatike e që prodhojnë totalitarizëm. Nihilizmi shterron opcionet. Dhe sa më pak opcione aq më pak aftësi vendimarrëse. Nihilizmi opozitar shqiptar ia ka arritur kështu qëllimit që t’i paralizojë në një farë mënyre iniciativat dhe përpjekjet e mazhorancës për të kryer reforma serioze sidomos në gjyqësor. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste nuk ka dashur që të marrë pjesë në disa vendimmarrje që krijojnë kushte të favorshme zhvillimi e integrimi të vendit tonë. Kështu ajo ka refuzuar të votojë ligjin për Gjykatën Administrative, një kërkesë kjo e komunitetit ndërkombëtar dhe e financuar nga Agjencia Amerikane e Zhvillimit (USAID). Opozita në parlamentin shqiptar ka refuzuar prej gati dy vitesh të votojë zgjedhjen e Avokatit të Popullit si dhe ligje të tjera që reformojnë sistemin e drejtësisë dhe sistemin juridik në përgjithësi në Shqipëri. Refuzimi për miratimin e këtyre ligjeve nuk ka qenë produkt i defekteve dhe mangësive në draftet e projektuara, por kanë qenë dhe janë produkt i mungesës së vullnetit politik. Mungesa e vullnetit politik për t’i dhënë vendit ligje për zhvillim ka qenë dhe mbetet dëshmia më dëmprurëse dhe më së paku e bazuar në argumente për t’i dhënë shoqërisë dhe qytetarit shqiptar, atë që meriton në një shtet ligjor të së drejtës.
Megjithatë, mund të thuhet se pjesë e teorisë së argumentit, sipas filozofëve Ulrih Beck dhe Anthony Giddens është reflektimi. Madje ai e konsideron refleksionin si proces dinamik, sidomos kur është fjala për një shoqëri të politizuar e të polarizuar, çka është dhe shoqëria jonë. Ndërkohë në mendimin bashkëkohor filozofik sundon ideja se në teorinë e argumentit dhe të logjikës nuk mjaftojnë vetëm karakteri subjektiv, proçedurial, pluralist dhe shkencor ose refleksiv. Përkundrazi, në shoqërinë moderne të gjithë elementët e sipërpërmendur dalin si të domozdoshëm për të argumentuar nevojat sociale të shoqërisë, nevoja që përmblidhen në sistemin demokratik të një vendi. Kjo do të thotë se koncepti i modelit liberal të lirisë dhe barazisë së qytetarëve, i predikuar më së pari nga Aristoteli, nuk mund të jetë i plotë pa konceptin e sotëm modern të modelimit të mirëkuptimit, marrëveshjes dhe bashkëpunimit ndërmjet njerëzve në përgjithësi dhe grupeve sociale e politike në veçanti. Demokraci dhe demokratizim do të thotë mirëkuptim, arësyetim, kooperim, marrëveshje. Ndërkaq në kundërshtim me këtë opcion filozofik shqiptarët kanë parë këto dy vite një model shumë të vjetëruar të kohës së para Aristotelit të zgjidhjes së problemeve. Dikush e ka quajtur konflikt, dikush tjetër krizë, dikush ngërç atë që ka ndodhur në Shqipëri gjatë muajve të fundit. Por në të vërtetë asnjë motiv, asnjë arësye, asnjë shkak nuk ka mundur t’i motivojë përcaktime të tilla. Filozofia modern, e mbështetur në dialektikën e logjikës e të zhvillimit, nuk pranon asnjë rregullsi të thellimit artificial të konflikteve, përkundrazi, ajo argumenton se konfliktet, edhe kur janë prezent dhe të motivuara, mund të shpërbëhen përmes argumentit, pranimit të logjikës dhe diskursit politik me një përfundim të vetëm, marrëveshjen.
Sipas filozofit Habermans, modeli i organizimit dhe marrëveshjes të një shoqërie demokratike bazohet në dy parime: Në parimin e procesit kolektiv të vendimmarrjes në mënyrë të instituionalizuar, të cilën ne e quajmë demokraci dhe në modelin e një procesi të forcimit të lidhjeve sociale mbështetur në principin e diskursit, të cilën ne e quajmë demokratizim të shoqërisë. Përvoja dhe qëndrimet e opozitës shqiptare kanë provuar të kundërtën e këtyre parimeve bazë për ndërtimin e shoqërisë së civilizuar e demokratike në Shqipëri. Refuzimi për të marrë pjesë në vendimmarrje si dhe refuzimi për të diskutuar dhe argumentuar problematikën që opozita vetë ka potencuar ka sjellë rritjen dhe radikalizimin nihilist të saj. Ndërkohë, diskursi politik ka ndjekur gjithashtu kurbën nihiliste të mospjesmarrjes së opozitës në vendimmarrje. Haberman ndërsa procesin e vendimmarrjes e lidh drejtpërdrejt më përfaqësuesit e zgjedhur, pra me legjislativin dhe produktin e vet ekzekutiv, me pjesmarrjen e opozitës në procesin e diskursit demokratik e lidh me lirinë e fjalës e të shprehjes në media. “Princpi i demokracisë nuk është gjë tjetër veçse formimi i principeve diskursive, ndërsa teoria e argimentimit nuk është gjë tjetër e vacantë, përveçse metoda e realizimit të principeve diskursive”, shkruan Haberman. Veprimet destruktive të liderëve të opozitës shqiptare, sidomos ato të 21 janarit të këtij viti, vijnë në kundërshtim të plotë me principet filozofike bashkëkohore, ndaj dhe ato nuk kanë mundur të gjejnë mbështetje në opinionin publik të brendshëm në Shqipëri e as në atë ndërkombëtar. Elita politike opozitare tek ne, në vend që të synonte zgjidhje racionale, të cilat do të vinin përmes bisedimeve dhe marrëveshjeve, kishte dëshmuar bllokimin e diskursit politik, çka sintetizohej në bojkote, greva urie, përleshje me policinë, për të rrënuar drejtimin shtetëror e sjellë vendin në anarki. Ajo që vihej re në këto synime kishte të bënte më tej me agravimin e situatave në momente kyçe dhe vendimtare të procesit të integrimit të vendit në strukturat e Bashkimit Europian. Në veçanti kanë rënë në sy organizimi i grevës së urisë në momentin e procesit të miratimit të liberalizimit të vizave për shqiptarët, si dhe radikalizimi dhe mospranimi i marrëveshjes në momentin e diskutimit në Bruksel për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat (shtator-tetor 2010) . Vetëm pasi vendimi për liberalizimin e vizave kishte marrë udhë dhe vetëm pasi ishte refuzuar miratimi i kërkesës së Shqipërisë për të marrë vendin e statusit kandidat për në BE gjithnjë për shkak të krizës artificial të krijuar nga bojkoti opozitar, krerët e opozitës kishin dëshmuar një farë vullneti politik për të bashkëpunuar dhe kishin hequr dorë nga kërksat absurde, të paargumentuara dhe tendencioze siç ishte ajo për hapjen e kutive të votimit. Por pa hequr dorë nga sulmet verbale e nihiliste kundër qeverisë së koalicionit të integrimit. E gjithë kjo veprimtari mohuese dhe destruktive e liderëve opozitarë vinte në opinionin publik pa patur asnjë argument, ndërkohë që çdo aksion politik e madje çdo veprimtari e thjeshtë praktike duhet të bazohet në argumente, të cilat nuk mund të injorohen. Në një vend demokratik si Shqipëria mendimi i lirë i shprehur ne publik përmes medies ka krijuar të gjitha kushtet që qyetari shqiptar të seleksionojë lehtësisht argumentin, duke e vlerësuar ose duke e injoruar atë. Por mungesa e argumentit lidhet, nëse i përmbahemi principeve filozofike të zhvillimit të një shoqërie të civilizuar, me mungesën e kushtit socioevolucionist të tij. Një shoqëri, e cila dëshmon se i përmbahet principeve të zhvillimit evolucionist, nuk mund të shndërrohet në shoqëri të radikalizuar. Dhe faktorët social e politikë, të cilët I përmbahen principit evolucionist të zhvillimit, kanë mundësi të prodhojnë argument në dobi të këtij zhvillimi. Në të kundërtën, faktorët politikë e social, të mbështetur në metodën revolucionare të zhvillimit, synojnë të përdorin emocionet si burim dhe mjet të arritjes së qëllimeve. Dhe prodhimit të emocioneve i shërben më mirë se çdo formë tjetër përdorimi i koncepteve dhe praktikave nihiliste.Përvoja gati 50 vjeçare e diktaturës komuniste në Shqipëri ka dëshmuar se ajo diktaturë ka mundur të qëndrojë në këmbë më së shumti për shkak të krijimit të emocioneve përmes motodologjisë nihiliste të prodhimit të së keqes së brendshme e të jashtme. Krerët opozitarë tash së fundi kanë filluar ta imitojnë diktaturën jo vetëm në aspektin e brendshëm, por edhe në raportet me ndërkombëtarët. Por shoqëria shqiptare duket se është shkëputur nga mentaliteti nihilist I diktaturës dhe shkon gjithnjë e më shumë drejt stadit modern e civilizues, ndaj dhe ajo në përgjithësi i ka refuzuar aksionet revolucionarë të krerëve të opozitës shqiptare për bllokimin e institucioneve të shtetit, për bllokimin e rrugëve dhe jetës ekonomike e sociale në vend, për bllokimin e integrimeve euro-atlantike si dhe për rrënimin e shtetit, të ligjeve demokratike dhe të kushtetutës së vendit. Opozita nuk ka mundur që të detyrojë shqiptarët, përveçse një grupi të vogël, për të reaguar në mënyrë revolucionare kundër rendit demokratik në vendin tonë, sepse ka munguar shkaku dhe motive për këtë lloj reagimi. Ky lloj korrelacioni i pazakontë midis logjikës evolucioniste të zhvillimit dhe irrelevancës praktike ka rezultuar të jetë fatal për vetë opozitën në Shqipëri. Logjika është një model matematik i vlerave të synuara dhe logjika funksionon vetëm në kushtet e pranimit të zhvillimit evolucionist, çka do të thotë se edhe proceset politike duhen parë në këtë system vlerash.
Si përfundim është me interes që lexuesi të kuptojë se argumenti vjen në publik përgjithësisht në formën e retorikës, por të një retorike që sjell opcione. Madje sa më shumë opcione aq më shumë është e nevojshme retorika, shkruan filozofi Josef. Koperschmidt. Retorika verbale e bazuar në argument dhe opcione i çon njerëzit në realizimin e një procesi normal dhe pa dhunë diskutimi, zhvillimi e realizimi. Nëse mungon opcioni, alternative, retorika shndërrohet në një model vetëm shkatërrimi, mohimi dhe nihilizmi. Ndërkohë shoqëria është e destinuar të vuajë pasojat subjektive të përpjekjeve shkatërruese të njërit ose tjetrit krah politik. Ndërkaq mund të pohohet se papërgjegjësitë nuk mund të justifikohen me asgjë. Filozofi H. Jonas, në veprën e tij “Principi i përgjegjësisë” i ka përcaktuar mjaft qartë ato. Sipas tij, ne mund të justifikojmë vetëm atë për çfarë ne kemi fuqi të kryejmë, gjë për të cilën ne jemi përgjegjës”. Dhe nëse dikush do të ballafaqonte këtë parim filozofik me praktikën e kreut të opozitës të zbatuar më 21 janar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, atëherë do të duhej mbërritur në përfundimin se opozita shqiptare dhe kreu i saj nuk kanë të bëjnë aspak me parimet e filozofisë së sotme moderne, se ato vijojnë të kopjojnë dhe zbatojnë parimet ultrarevolucionare marksiste-leniniste, madje në retorikën e tyre i përmbahen ultimatumeve dhe kërcënimeve të llojit Stalinist. Deklaratat e krerëve të opozitës para dhe gjatë demonstratës dhe dhunës së ushtruar më 21 janar 2011 vijnë plotësisht në harmoni me metodologjinë, praktikën dhe filozofinë staliniste dhe enveriste. Gjithkush që i ka dëgjuar dhe parë ato deklarata ka marrë me vete shijen e një diskursi revolucionarësh e anarkistësh, që si opcion ka vetëm dhunën, kërcënimet dhe shkatërrimin e shtetit ligjor e të demokracisë funksionale. Si paravijë të kësaj veprimtarie ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë mentaliteti, teoria dhe praktika e nihilizmit ekstrem.