Mendime
Intervistë me z. Emrush Xhemaili
E enjte, 24.03.2011, 02:31 PM
Intervistë me z. Emrush Xhemaili
Presim fitore bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës
30 tetor 2007
Kryetari i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Emrush Xhemajli, në një intervistë për Kosovapress, koalicionin me Partin Demokratike të Kosovës e arsyeton me lidhjet që ka pasur në të kaluarën me drejtuesit e kësaj partie si dhe me vizionet e sotme që kanë. Ndërsa Grupit të Unitetit u rekomandon të punojnë dhe të mos flasin shumë ose të mos flasin fare.
Kosovapress: Z. Xhemajli, LPK-ja ka hyrë në koalicion me PDK-në. Pse e zgjodhët pikërisht PDK-në për të bërë koalicion?
Xhemajli: Ka disa subjekte me të cilat LPK-në e lidhin shumë fije të hershme historike ose tashmë programore. Me Partin Demokratike të Kosovës, kemi pasur lidhje me drejtuesit e saj në të kaluarën, ndërsa sot na lidhin shume vizione të përbashkëta.
Kosovapress: Më parë ju keni qenë partner me AAK-në. Pse nuk keni hyrë në koalicion me këtë subjekt politik?
Xhemajli: Koalicioni me PDK-në ka pasur sukses, por edhe AAK-ja ka qenë një prej atyre subjekteve me të cilin na lidhin shumë fije të përbashkëta.
Kosovapress: Cili është posti që u ka premtuar PDK-ja, përveç përfshirjes suaj në listën e PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës?
Xemajli: Ne kemi bërë një koalicion parazgjedhor, kjo nënkupton një punë të përbashkët për të pasur një sukses deri në përfundim të zgjedhjeve, për marrjen e hapësirës në Kuvendin e Kosovës.
Kosovapress: Të ndalemi pak tek mbajtja e zgjedhjeve të 17 nëntorit. A mendoni se zgjedhjet do të ndikojnë në statusin e Kosovës?
Xhemajli: Me qenë se zgjedhjet mbahen më 17 nëntor, do të thoja që rrumbullaksimi i 120 ditëshit si detyrim shtesë është deri më 10 dhjetor. Këto dy procese shkonin pak a shumë të ndara, por procesi i zgjedhjeve përfundon para çështjes së statusit të Kosovës. Çështja e statusit të Kosovës mbetet që të rrumbullakohet pas 10 dhjetorit. Sekretarit të Kombeve të Bashkuara i dërgohet raporti më 11 dhjetor, kuptohet se ky raport do të shpërndahet në Këshillin e Sigurimit, që kjo e nënkupton një kohë për shqyrtimin nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit të këtij raporti dhe caktimit të një date, kur ata do të japin një përgjigje rreth këtij raporti. Kuptohet Treshja negociatore këtë raport të vetin e ka lënë mes Grupit të Kontaktit dhe krejt kjo e merr një kohë që mund të shtyhet në kohë përgjigja e Këshillit të Sigurimit rreth çështjes së Kosovës, nga e cila përgjigje pastaj pritet një reagim, një vendim i ligjshëm i Kuvendit të Kosovës .
Kosovapress: Me sa kandidatë do të konkurrojë LPK në nivelin qendror dhe sa është numri i atyre në nivelin lokal?
Xhemajli: LPK-ja në nivelin qendror garon me pesë kandidat. Jam unë, Emrush Xhemajli, janë dy avokatët, Gafurr Elshani dhe Ilaz Kadolli, është Sylë Zhitia, politikolog si dhe arkitektja, Fexhrie Konushefc. Ndërsa në nivel lokal ne garojmë në 10 komuna, ku janë të përfshirë 20 kandidatë.
Kosovapress: Pra, LPK-ja beson se do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme, bashkë me PDK-në dhe partitë tjera të cilat i janë bashkuar PDK-së?
Xhemajli: Aktualisht dihet se ne kemi marrëveshje në koalicionin parazgjedhor dhe me siguri që edhe kjo që thuani do të shqyrtohet pas 17 nëntorit, pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Kosovapress: Sa për qind të elektoratit besoni se do t’i fitoni?
Xhemajli: Ne besojmë që kandidatët e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) do të votohen prej elektoratit të Kosovës, për shkak të vlerave që kanë, në kuadër të listës së përgjithshme të PDK-së. Nuk do të flisja rreth përqindjeve, sepse përqindja do të merret në kuadër të listës së Partisë Demokratike të Kosovës, në raport me subjekte tjera, ndërkaq në kuadër të listës, do të duket sa vende do t’i merr lista dhe sa kandidatë do t’i takojnë LPK-së.
Kosovapress: Ku e shihni veten pas zgjedhjeve të 17 nëntorit?
Xhemajli: Veten e shoh në krye të detyrës për angazhime konkrete, kryesisht për arritjen e pavarësisë dhe sovranitetit të vendit, për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, për begatinë e tyre.
Kosovapress: Pse votuesit duhet ta votojnë Emrush Xhemajlin?
Xhemajli: Nuk mbetet që ta vlerësoj unë atë, por unë do të angazhohem, do ta jap maksimumin nga vetja. Gjithë kohën do t’ia kushtoj bërjes së legjislacionit më të mirë për vendin, për qeverisjen më të drejtë, një zbatueshmëri të ligjeve që do të nxirrte Kuvendi i Kosovës.
Kosovapress: Mendoni se Kosova do t’i ketë institucionet e saj më 10 dhjetor?
Xhemajli: Po punojmë që të ketë institucione të reja para 10 dhjetorit dhe kjo do të varet shumë nga përcaktimi i elektoratit. Krejt do të varet prej qartësisë së votimit, sa do të votohet secili subjekt, dhe nëse përqindja e koalicionit tonë shkon ashtu si po parashikohet, atëherë Qeverinë e Kosovës do të mundemi ta formojmë shumë shpejt.
Kosovapress: Kur do ta ketë Kosova Qeverinë e re?
Xhemajli: Numërimi i votave mendoj se ka për të qenë problem, sepse ka për të marrë një kohë të gjatë. Pas numërimit, mendoj që subjektet politike që fitojnë votat më së shumti, posaçërisht ata që do të ftojnë më së tepërmi, kjo për bindjen time është nismë e PDK-së që do të fitojë, është në nivelin e përgjegjësisë që të formojmë me kohë institucionet.
Kosovapress: A mendoni që pas 10 dhjetorit do të zgjidhet çështja e statusit të Kosovës, pasi që edhe më 10 dhjetor përfundon mandati i treshes?
Xhemajli: Po. E thashë edhe më herët se duhet që të dihet proceduara, do të ketë një procedurë deri me deklarimin e Këshillin të Sigurimit, se është në gjendje të japë një fjalë të veten definitive. Nëse nuk është në gjendje, mendoj se Kuvendi i Kosovës është në radhë që ta jap fjalën e vetë për statusin e Kosovës.
Kosovapress: A mendoni që pas 10 dhjetorit Kuvendi do ta shpallë pavarësinë dhe pas kësaj do të fillojë njohja e njëanshme e shtetit të Kosovës?
Xhemajli: Më 10 dhjetor jepet vetëm raporti, ngase askush nuk ka thënë, as bashkësia ndërkombëtare, as politikanët e Kosovës, as nuk po e themi ne, as nuk është kjo energjike që të thuhet se më 10 dhjetor do të përfundojë procesi. Më 10 dhjetor përfundon puna e ekipit që e ka ngarkuar Sekretari i OKB-së, Ban Ki Mun.
Kosovapress: A jeni i mendimit që Kuvendi ta shpallë pavarësinë e Kosovës apo prisni të dalë një rezolutë nga KS i OKB-së ose vendimi i GK-së? Cili është qëndrimi i Juaj?
Xhemajli: Problemi është që Këshilli i Sigurimit nuk ka qenë i aftë që ta nxjerrë një rezolutë për Kosovën, me të cilën Kosovës do t’i njihej e drejta për pavarësi dhe sovranitet. Kjo do të ishte më e mira, por meqenëse kjo nuk po arrihet, mbetet që Kuvendi i Kosovës domosdoshmërish, pashmangshëm ta deklarojë pavarësinë dhe sovranitetin e vendit.
Kosovapress: Edhe një herë pra, a mendoni që në këtë fundvit, Kuvendi i Kosovës do ta shpallë pavarësinë?
Xhemajli: Po kjo është e kushtëzuar prej momentit të përgjigjes së KS të OKB-së, është apo nuk është për një rezolutë për Kosovën edhe çfarë përmbajtje do të ketë ajo.
Kosovapress: Ndërkohë që është paralajmëruar nga disa organizata, që nëse deri më 10 dhjetor nuk do të ketë zgjidhje të statusit, atëherë mund të ketë edhe ndonjë krizë apo ndonjë eskalim të situatës?
Xhemajli: Kriza tek ne është prej viti 1981. Kosova është në krizë dhe tranzicion, është edhe në luftë edhe në tension. Këtu mund të flitet më tepër për një thellim të krizës, se sa eskalim të plotë të situatës së sigurisë.
Kosovapress: A mendoni se do të ketë luftë në Kosovë, siç ka paralajmëruar AKSH-ja?
Xhemajli: Nuk janë të gjithë parametrat e qartë rreth kësaj që thoni.
Kosovapress: Si e vlerësoni punën e Ekipit të Unitetit. A mendoni që puna e tyre ka qenë në nivel të përgjegjësisë?
Xhemajli: Tash shihet se këta duhet të punojnë mundësisht që të mos flasin shumë, ose të mos flasin fare, sepse ky ka qenë një proces që ata e pranojnë. Ka qenë një proces i kërkuar, i porositur, pa nevojë. Në Kosovë nuk ka pas nevojë as për shtyrje, as për grupe punuese, as për ekipin për të cilin folëm. Kosova dihet çka ka nevojë. I ka treguar nevojat e veta me dekada.
Kosovapress: Cili nga anëtarët e Ekipit të Unitetit veçoni se ka qenë më transparenti karshi qytetarëve të Kosovës, pasi që disa herë është thënë se Kosova do të jetë e pavarur dhe janë përmendur disa data?
Xhemajli: Skënder Hyseni është ai që ka treguar rezultatet e negociatave, shkuarjet, ardhjet, procedurat.
Kosovapress: Po ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, që ka thënë se më 10 dhjetor do të shpallet pavarësia, ndërsa edhe Veton Surroi ka deklaruar se do të shpallet pavarësia deri në kërshëndella. Sipas jush a bëhet fjalë për transparencë në këtë pikë?
Xhemajli: As nuk bëhet fjalë për transparencë, lidhur me këtë që po thoni./Intervistoi: Shpresa Përvetica/