E shtune, 25.01.2025, 01:34 PM (GMT)

Mendime

Gjin Marku: Degjenerimi i politikës ka deformuar edhe Kanunin

E merkure, 23.03.2011, 07:19 PM


Degjenerimi i politikës ka deformuar edhe kanunin

 

Nga Gjin Marku

Kryetar i komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar

 

Jemi në një situatë të ngarkuar me konflikte politike e sociale dhe me një numër të madh vrasjesh që nga viti 2009, përgjatë gjithë vitit 2010 dhe në këto tre muaj të parë tëkëtij viti. Këto ditë kanë ndodhur vrasje që kanë tronditur opinionin publik.

 

Situata është e rënduar edhe nga efektet negative që shkakton debati politik për të cilin duhet të punojmë që të gjithë qytetarët ta ndjekin me qetësi këtë debat e të zgjedhin alternativat që mendojnë se i përfaqësojnë më mirë në pushtetin vendor.

 

Politika konfliktuale mbetet një problem shqetësues për ne mbasi kohët e fundit ka prodhuar ngjarje problematike si ajo e vrasjes së katër qytetarëve në protestën e datës 21 janar dhe disa përplasjeve shumë të rënda të qytetarëve me policinë.

 

Ne nuk mund të kemi sukses në punën tonë nëse nuk këmbëngulim për tia bërë të njohur opinionit publik se deformimi i kanunit e i vlerave të tij ka sjellë e vazhdon të sjell pasoja tragjike në shoqëri.

 

Pa sqarimin e këtij deformimi dhe ndërgjegjësimin e të gjithë qytetarëve se ç'përmban Kanuni dhe cili është roli i tij ne nuk do mund ta bëjmë ligjin ndërgjegje të qytetarit e si rrjedhojë nuk do kemi as shtet të konsoliduar të së drejtës as respektim të ligjit nga qytetarët.

 

Ndërgjegjësimi për vlerat tona tradicionale për rregullin në komunitet dhe të drejtat e njeriut do sjellë në shinat e duhura sjelljen politike dhe qytetare ndaj ligjit, ndaj demokracisë dhe shtetit të së drejtës, do riparojë shumë dëme që janë bërë demokracisë e shtetit të së drejtës. Ligji duhet, domosdoshmërisht, të sundojë në jetën e individit e të shoqërisë.

 

Por ai nuk sundon nëse nuk respektohet si jetike për vendin e qytetarin. Është në interes të luftës sonë kundër abuzimeve me ligjin, me demokracinë dhe me shtetin e së drejtës dhe në interes të përparimit të kombit që ta promovojmë kanunin.

 

Besa si kod nderi e virtyti ka luajtur rol jo vetëm për ruajtjen e respektimin e normave te sjelljes së individit por edhe mbrojtjen e jetës shoqërore e politike të vendit duke imponuar bashkjetesën politike, harmoninë fetare, marrëdhëniet ndëretnike brenda kombit. E drejta kanunore nuk lejon rrëmbimin e pronës e pasurisë së tjetrit, nuk lejon kurrë pabarazi e shfrytëzim të të varfërit, nuk lejon prostitucion e prishje të familjes, nuk lejon korrupsion, mafie e padrejtësi.

 

Kanuni kërkon barazi para ligjit dhe zbatimin me përpikmëri të ligjeve të çdo kohe si domosdoshmëri e jetës, nënshtrimin ndaj rregullit në komunitet që nga prijësi deri tek më i thjeshti, dhënien e drejtësisë dhe ndëshkimin e rreptë ndaj krimit. Mbi të gjitha mesazhet e kanunit qortojnë rreptë hilen ndaj popullit dhe nuk mund të pranojnë mafien në drejtimin e punëve të shtetit. Ndaj populli shqiptar e ka kanunin më të shenjtë se Biblën e Kuranin.

 

Politikanët shqiptarë të cilët kanë marrë pushtetin dhe përgjegjësinë për vendin nuk kanë mundur të dallojnë thelbin e këtyre kodeve e cilësive të popullit të cilit i përkasin, që europianët i pranojnë si kode e cilësi të veçanta të shqiptarëve. Kjo vjen si rezultat i shkëputjes se lidershipit politik nga interesat e shoqërisë ku ata jetojnë.

 

Lidhjet e tyre të forta me përfitimet e pushtetit kanë rrëzuar kodin e tyre moral dhe rrënuar jetën e qytetarëve, po e çojnë shoqërinë shqiptare drejt degjenerimit përfshirë edhe kanunin i cili në 20 vitet e tranzicionit post komunist aplikohet në mënyrë të deformuar duke sjellë pasoja tragjike.

 

Është Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar që ka hapur një dosje për shqipërinë në gjykatën e Strasburgut për marrjen në shqyrtim të shkeljes së të drejtave të pronarëve dhe të persekutuarve politikë në Shqipëri si dhe një tjetër në gjykatën e Hagës për skenaret kundër integritetit tonë kombëtar, për shqyrtimin e ngjarjeve të vitit 199, ngjarjen e gërdecit ku mbetën të vrarë 26 qytetarë të pafajshëm nga afera të paligjshme dhe trafikimi i fshehtë i armëve si dhe ndalimin e projekteve që rrezikojnë mjedisin dhe jetën qytetare në territoret e banuara nga shqiptarët.

 

Po të shohim ngjarjet tragjike të ditëve të fundit ato tregojnë se familjet në hasmëri janë edhe të pangujuara. Vrasjet e ditëve të fundit ndodhën tek familje të pangujuara por që treguan se ishin në hasmëri shumë të thellë. Këtë gjendje hasmërie e kemi në qindra familje të tjera të padeklaruara në opinion për shkaqe nderi e vrasjesh të pazbuluara nga ligji.

 

Familjet në hasmëri janë dhjetra herë më tepër se numri i familjeve të ngujuara apo të fshehura që ne kemi evidentuar. Nuk mendojmë se duhet që policia të japë motivet apo numrin e vrasjeve që ajo deklaron sepse ka qindra viktima të krimeve monstruoze të vrasjes e fshehjes së këtij krimi duke i shpallur viktimat si persona të zhdukur apo të vetvraë.

 

Polica ka dhënë shifra 11 herë më të vogla për numrin e vrasjeve për gajkmarrje se shifrat e dhëna nga Ministria e Drejtësisë dhe projekti bashkëpunues me këtë Ministri i Open Data, të verifikuara nga vendimet e dhëna në gjykatë për këtë motiv.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora