E hene, 20.01.2025, 06:22 PM (GMT)

Mendime

Mikel Gojani: Para së gjithash Shqiptaria

E marte, 22.03.2011, 07:59 PM


Të amortizohen tendencat që tëhollojnë substancën kombëtare

 

PARA SË GJITHASH SHQIPTARIA

 

(Ose: në vend të opinionit rreth disa peticioneve që qarkullojnë në mediet dhe ueb-faqet tona)

 

Nga Mikel GOJANI

 

Disa shkrime që na kanë rënë t’i lexojmë nëpërmjet mediumeve tona të përditshme, por edhe revyale, uebsajde etj., sikur të   sëmbojnë në shpirt, të prekin në ndërgjegje, të drithërojnë, për natyrën e mesazhit e keq që kanë, por edhe  pasojat dhe imazhin shumë  të ndjeshëm që mund ta sjellin.

 

Rruga e gabuar që hapi shtigjet për reaksione

 

Këto shkrime, që paralajmërojnë disa tendenca të individëve dhe të grupeve të caktuara vijnë pas  heqjes së figurës së Nënë Terezës nga ambientet e Ministrisë  së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nga ana e ministrit të kësaj ministrie.

 

Pa pretendime për të hyrë në vlerësimin e veprimit të ministrit, që, në esencë e konsideroj që  ministri më të marrë detyrën ministri nxitoi dhe me veprimin e tij, heqjen e posterëve të Nënës Tereze (por edhe të dr. I. Rugovës), zgjodhi rrugën e gabuar, veprim ky që hapi shtigje për shumë keqinterpretime dhe hapjen e rrugës për krijimin e një realiteti të pakëndshëm duke tëholluar substancën kohezive, me tendenca të tëhollimit të substancës kombëtare.

      

Menjëherë pas këtij veprimi, në internet ka qarkulluar në peticion i nënshkruar nga një grup i caktuar i intelektualëve që jetojnë në diasporë, si shenjë reaksioni ndaj këtij veprimi të ministrit duke e konsideruar  si veprim të papërgjegjshëm dhe si “ndjenjë e mohimit të një personaliteti më me vlera  në botën e qytetëruar e humane, po ashtu duke konsideruar që figura e  kësaj humanisteje  është emblemë e këtij populli  me të cilën duhet krenuar dhe se  i bëjnë nder dhe respekt”. Në komunikatën e lartcekur ndër të tjera thuhet  se ne si shqiptarë dhe intelektualë ndjejmë detyrimin moral dhe kombëtar t’iu paralajmërojmë se ekstremizmi në Kosovë, e mjerisht edhe në Shqipëri, ka lëshuar rrënjë në mbarë botën shqiptare. Shfaqja e tij e vrullshme, ekstreme dhe tepër injoruese në të gjitha segmentet e shoqërisë shqiptare është bërë një ogur i keq i një babëzie kombëtare. Sa më shumë të kalojë koha, do të jetë edhe më e vështirë t’i zhgulim. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për ekstremizmin ortodoks se ku e dërgoi dhe ku po e dërgon ai sot shtetin amë Shqipërinë ,frika për ketë ka mbërthyer gjithë shoqërinë dhe institucionet e shtetit ame, por jo me pak edhe mbare opinionin atdhedashës shqiptare. Por, këtu konkretisht sot flasim për ekstremizmin islam dhe organizatat vehabiste, që, të gjithë na, i kemi para sysh në Kosovë, në familje dhe në shtëpi. Këtë e dëshmon mirë edhe rasti fundit i vrasjes makabre te ushtareve Amerikan ne Frankfurt te Gjermanisë , qe dëshmon se ekstremi ka lëshuar rrënjë ne familjen shqiptare. Ekstremizmi, i çfarëdo lloji qoftë, ne na dëmton rëndë si popull e si shtet”, thuhet mes tjerash në peticionin e nënshkruar nga një grup intelektualësh nga diaspora. 

  

Jo shumë kohë pas këtij reagimi të këtij grupi,  nëpër internet nëpër disa uebsajde dhe nëpër gazeta (gazeta Express, data 15.3.2011),  është publikuar edhe një peticion tjetër i panënshkruar, siç thuhet në këto mediume, që bie ndesh me atë të parin dhe të një natyre krejtësisht tjetër, në të cilin kërkohet largimi i fotografisë së Gonxhe Bojaxhiut - Nënë Terezës, po ashtu edhe të dr. I. Rugovës,  nga Zyra e MKRS-së, si dhe nga institucionet tjera shtetërore e publike të vendit. Që do të thotë, ky peticion vjen pikërisht si reaksion i atij të parit dhe bie ndesh me përmbajtjen dhe mesazhin që kanë. Po ashtu, që të dy këto peticione i janë drejtuar institucioneve më të larta shtetërore me ultimatume dhe kërkesa  që bien ndesh njëra me tjetrën.  Në komunikatën e bashkangjitur përkrahet ideja jo vetëm e largimit të fotografisë së Nënës Terezë nga MKRS-ja por të çdo figure fetare nëpër institucione publike. Sipas tyre, vazhda e tolerimit të metodave të tilla po sfidon laicitetin edhe të qeverisë së re.  Ndër të tjera, në komunikatë thuhet: “Duke e ditur se Kushtetuta e Kosovës, në Nenin 8, Pika 1, e definon Kosovën si shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare, atëherë nuk shohim arsye të shkeljes së Kushtetutës, nëpërmjet përdorimit publik e institucional të një figure krejtësisht fetare, pa ndërlidhmëni me shtetin e Kosovës”. Po ashtu, në komunikatë  thuhet se një imponim i tillë, me vendosjen e figurave fetare në këto institucione, përpos që dhunon laicitetin institucional, përbën po ashtu një imponim religjioz e kulturor nacional-katolicist, në një shoqëri me shumicë myslimane. “Nuk jemi aspak kundër fesë katolike, por kundër përdorimit politik e kulturor dhe imponimit të figurave katolike”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

 

Pa e justifikuar veprimin e nxituar dhe shumë euforik të ministrit, zyrtarë të lartë e kësaj ministrie këtyre reagimeve iu kundërpërgjigjen me maturi dhe  me sensin racional, krejt me pretendimin e neutralizimit të këtyre tendencave që nuk shpijnë në një kah të mirë, por  që nxisin reakcione të tjera edhe më të ndjeshme dhe shumë të dëmshme. Pasi që  si “mollë sherri”, siç shprehet populli i këtyre  reagimeve ishte MKRS, zyrtarë të lartë të kësaj ministrie theksuan që  kjo ministri  “është kundër çfarëdo tendence për ta problematizuar apo për të ndërtuar konspiracione të ndryshme”. Po ashtu, nga kjo ministri nga një zyrtar i lartë i saj (H.  Mulliqi), pason deklarata se  “ka figura të cilat vinë prej proveniencave të ndryshme, qoftë kulturore, qoftë historike, qoftë edhe fetare, të cilat kanë luajtur rol të caktuar dhe domethënës në zhvillimin e kombit tonë dhe në këtë rrafsh secili njeri, fotografia e të cilit është ndodhur, apo mund të gjendet në ambientet e ministrisë, apo edhe institucioneve tjera publike, është praktikë në gjithë botën dhe shkon konform të një biografie të cilën e ka ky person. Sipas këtij zyrtari, “figurat si Nënë Tereza, Shtjefën Gjeçovi, Hoxhë Tahsini dhe figura të tjera kombëtare, përpos që vijnë prej proveniencës së caktuar, ato kanë dhënë kontribut shumë të madh në krijimin e shtresave të caktuara, të mbamendjes sonë historike dhe kulturore dhe nuk do të duhej të jetë kjo një pjesë e debatit për apo kundër. Dhe për të ndërtuar probleme lidhur me figurat për të cilat ekziston një konsensus i përgjithshëm i pajtueshmërisë së përgjithshme nacionale mbi vlerat që i kanë afruar ato në historinë e kombit tonë. Në këtë sens çfarëdo tentative, çfarëdo që veprohet ndryshe do të jetë e dëmshme edhe do të jetë një lloj donkishotizmi i kohërave moderne që krijojnë ndasi brenda vetë qytetarëve të Kosovës. Për secilin individ veç e veç më së miri flet vepra, kontributi dhe biografia e tij. Thjesht, sipas tij, këto gjëra nuk duhet politizuar aspak”, vlerëson zyrtari i ministrisë. Pra, ky është një mesazh shumë kuptimplotë dhe shumë udhërrëfyes, duke lënë për të kuptuar se çdo tendencë tjetër  shpien kah mjerimi shpirtëror dhe intelektual dhe krah krijimi i një vije të demarkacionit që kurrë nuk ka ekzistuar në brendinë e  qenies së këtij kombi.  

 

“Unitar in diversitate, ose bashkimi krijohet  mes dallimeve”

 

Ekziston një fakt historik: Historia jonë kombëtare gjatë  gjithë rrugës sonë historike nuk ka shënuar  ndonjëherë ndonjë konflikt të karakterit thjesht konfesional. Nga njëri aspekt është se shqiptarët, edhe pse kombi i tyre është i krijuar nga një mozaik, apo diversitet konfesional, ndasia, as krijimi i një vije të demarkacionit nuk ka ekzistuar asnjëherë.  Ata vetë u përcaktuan që të mos ndahen, mirëpo ndasitë ndodhën si pasojë e zhvillimeve të kontesteve kohore, pra si rrjedhojë e realiteteve historike, të cilat patën ndikim tek ky komb.   Gjatë gjithë kësaj rruge historike të popullit shqiptar, ndjenja e përkatësisë së  përbashkët të  kauzës, të çështjes së gjuhës, të traditës, kulturës e të fatit, gjithë asaj që formëson bazamentin dhe domethënien kulturore, ka qenë e fuqishme dhe, për asnjë moment, apo rrethanë të krijuar, nuk kanë lejuar që brenda etnitetit dhe identitetit nacional të krijohen rrethana të  ndjeshme, që e prekin atë “thalbin e ashtit Arbënor”.  Ky realitet (që nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh tek popujt tjerë), i ndodhur dhe i kultivuar  në të kaluarën historike (duhet kultivuar edhe  në ditët e sotme),  është një virtyt që përcjell mesazhin më të bukur dhe autentik, i cili do të shërbejë si argument i fuqishëm për  kauzën. Mirëpo, tani nuk mjafton vetëm kjo. Duhet të shkojmë edhe një hap më tutje. Pushtuesit, edhe ky i fundit, gjithmonë kanë bërë përpjekje që brenda  kombit tonë të  tëhollojnë  substancën e unitetit, mirëpo asnjëherë nuk ia kanë arritur., sepse populli shqiptar, pa marrë parasysh  konfesionet mbeti i palëkundur dhe u mbeti besnik frymës së trashëguar nga e kaluara e thellësishme historike.

 

Prandaj, sot është më se e rrugës që ta njohim të kaluarën tonë historike. Dhe, pikërisht duke e njohur këtë të kaluar të ndërtohet e ardhmja. Pikërisht,  kjo ndjenjë të na shërbejë si  udhërrëfim  në ndërtimin e së ardhmes  sonë. Të pranojmë se jemi një popull të një trungu: një gjaku, një gjuhe, një flamuri, tradite e fati... Mirëpo, tiparet e nëntëdhjetenëntë fijeve që bashkojnë, vetëm një  ndanë”, pra të respektohen edhe këto pak tipare  dalluese, sepse, siç shprehet  një nga humanistët tanë të shquar, se “dallimet nuk kryhen në kundërshtime, por krijojnë afrime  dhe bashkime, apo, shprehet ai, siç thotë  një fjalë latine “unitar in diversitete”, që do të thotë bashkimi krijohet  pikërisht mes dallimeve”.

Për ta ndërtuar një realitet mbi këto parime na duhet ndërtimi i një shpirti autentik ekologjik.   


Këto tendenca, për fat të mirë, nuk hasën  dhe shpresojmë që as nuk do të hasin  në mbështetjen e forcave intelektuale.  Mendojmë që ky realitet i krijuar ekziston si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike që mbizotëron në Kosovë, ndërsa na mban shpresa që  në të ardhmen me një  zhvillim më të ekonomik dhe me një cilësi më të avancuar të mirëqenies së njerëzve këto defekte që po prezantohen sot në shoqërinë tonë do të flaken. 

Nënshkruesit e peticionit të parë që vjen nga diaspora dhe me emra të nënshkruar, në komunikatën e tyre shprehin edhe indinjatën e tyre për  vrasjen e dy ushtareve  amerikane ne Frankfurt. Por, duhet kuptuar se ai akt i shëmtuar është kryer nga një person i ndikuar ne emocionet e tij te mjerimit shpirtëror. Mirëpo, akti i një individi “me gjak shqiptari”, nuk mund të përgjithësohet  dhe të identifikohet me gjithë  popullatën shqiptare (kuptohet myslimane). Sepse, individët asnjëherë nuk identifikohen më  kolektivitetin. Këtë akt e dëshmon fakti se  janë po ata shqiptarët (myslimanë), të cilët në mënyrën më të ashpër e kanë gjykuar veprimin e asaj dore mizore. Islamët shqiptarë të  Kosovës, Shqipërisë dhe të  hapësirave të tjera  ishin ata që  gjykuan rastin dhe në nderim për shpirtrat e këtyre viktimave ndezën qirinj. Po ashtu, ashtu, edhe me këtë rast, edhe politika dhe populli amerikan e kuptuan se dora e zezë e Harid Ukës nuk është dorë e gjithë shqiptarëve. Ky rast, edhe pse i rëndë dhe makabër, dëshmoi palëkundshmërinë  e miqësisë së popullit amerikan dhe atij shqiptar. Prandaj, çdo individ ka si obligim brenda qenies së tij ta ndërtojë  unin e tij dhe se gjithmonë në të gjitha momentet të solidarizohet me  shpirtin racional, duke mos llogaritur shifrën.

 

Shpirti racional të triumfojë

Mendojmë, se edhe pse nuk kemi njohuri rreth ideatorëve dhe  përkrahësve  të këtyre iniciativave, pa marrë parasysh, shpreh bindjen se me një maturi dhe vigjilencë do t’i tejkalojmë disa defekte që po na ndodhin në shoqërinë tonë, ashtu qysh i kemi tejkaluar historikisht. Këtë edhe duhet ta bëjmë për hir të kauzës sonë, që duhet të ekzistojë mbi të gjitha. Këtë duhet të bëjmë edhe për hir të realitetit të sotëm, edhe pse në realitetin e lirisë, po na paraqiten shumë vështirësi dhe disa sjellje  që po shkojnë në dëm   të çështjes kombëtare dhe po dëmtojnë  proceset tona, po ashtu dhe po e zvetënojnë imazhin e Kosovës, bile në këtë  moment shumë, shumë të ndjeshme.

Megjithatë, shpresojmë që shpirti racional do të triumfojë.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora