E diele, 16.02.2025, 07:38 AM (GMT)

Mendime

Salvator Gjeçi: Atje ku u dergj Skënderbeu në prag të vdekjes, do të ndërtohet një thertore

E diele, 20.03.2011, 07:57 PM


Letër e hapur drejtuar: z. Ferdinand Xhaferaj ministër i 

 TKRS. 

Për dijeni : z. Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë, 

Institutit të Monumenteve të Kulturës .

Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik .

Institutit të Arkeologjisë dhe Këshillit Bashkiak Lezhë. 

 

Qindra milionë lekë investime po bëhen për të fshirë memorien historike të shqiptarëve. Armiku i vërtetë i monumenteve të kulturës është vetë Instituti i Monumenteve të Kulturës. Mbi rrënojat e Akropolit Antik të Lissit do të ndërtohet një fshat turistik malor. Trojet historike të mbretërive ilire, Sarajet e Dukagjinëve SHITEN për gjellëtore e për hotele. Odat ku janë mbledhur prijësit shqiptarë për të bërë Besëlidhjen, do të kthehen në restorant për mish dhie. Atje ku ushtrohej Kanuni i Dukagjinëve, do të ngrihet një motel. Atje ku u dergj Skënderbeu në prag të vdekjes, do të ndërtohet një thertore. Atje ku mund të ishte një muze etnografik, do të ndërtohen nevojtoret publike. Mbi rrënojat e kishës së shekullit 13-të do të ndërtohet një diskotekë nate. Bujtina e miqve të princërve Dukagjinas (e kthyer në Xhami pas pushtimit turk) do të kthehet në restorantin e produkteve të mishit të derrit. Vendin ku arkeologët parashikonin të bëhej muzeu arkeologjik, do të bëhet restorant peshku. Cisterna antike do të kthehet në depo për ruajtjen e turshive, ndërsa varrezat mesjetare do të kthehen në vend parkimi për automjetet. Fletëpalosjet me historinë mijëravjeçare, zëvendësohen me menynë e pijeve alkoolike e të çorbave “vendore”. Kështu do të harrohen burrat e dheut, por do të flitet për tavat e dheut, e ndërkaq në vendin e emblemave të perëndive klasike që themeluan qytetin antik, në vendin e emblemave të Dukagjinëve e të Balshajve, do të vendosen reklamat e hotelerisë e të dhomave të qejfit. Në këtë kuadër, muret rrethuese të kalasë do të mbeten si gardh mbrojtës të kësaj fëlliqtoreje të trashëgimisë së kulturës sonë kombëtare. Numri i mishngrënësve dhe maniakëve të seksit do të numërohen për vizitorë të turizmit kulturor. Administrata e Parkut Arkeologjik do të zëvendësohet nga kamerierët. E gjitha kjo quhet “VIZIONI I RI” për jetëzimin e hapësirave të trashëgimisë kulturore. Kompleksi i restoranteve e hoteleve në pikën më kulmore gjeografike, historike, monumentale, arkeologjike e kulturore të Parkut Arkeologjik është kurorëzimi i shkatërrimit përfundimtar të këtyre vlerave unikale e të pazëvendësueshme të këtij qyteti të vogël e të pambrojtur nga askush. Ajo që thirrej HISTORI, do të thirret HISTERI. 

 

 ÇFARE PO NDODH ME PARKUN ARKEOLOGJIK TE LEZHES? 

Kjo pasuri e madhe e trashëgimisë sonë kombëtare çdo ditë po shkon drejt shkatërrimit total. Janë evidentuar rreth 130 ndërtime pa leje. Poshtë ndërtesave pa leje tani gjenden dhjetëra metra linearë mure antike, të restauruara nga shteti shqiptar deri në vitet 1990. S’ka parkime për autobusët me vizitorë; ndërtimet shumëkatëshe bllokojnë pamjen e monumenteve; s’ka rrugë këmbësore për të vajtur tek monumentet; s’ka qoftë edhe një tabelë orientimi brenda parkut dhe s’ka qoftë edhe një tabelë informimi për monumentet. Përveç këtyre, Lezha nuk ka muze historik, dikur kishte; nuk ka muze etnografik – dikur ishte, më i pasuri në Shqipëri; nuk ka muze arkeologjik- kush mund ta dijë, pse?; Lezha duhet të ketë muzeun e Dukagjinëve dhe të kanunit e mbi të gjitha Lezha nuk duhet të humbë këtë pasuri që ka mbetur. ...Dhe flasim e flasim për turizëm kulturor... Ky duhej të ishte shqetësimi dhe meraku që duhet t’i hajë drejtuesit e Institutit të Monumenteve të Kulturës, e jo meraku për hotele. 

 

PSE PO SAKRIFIKOHET EDHE KESHTJELLA E LEZHES? 

Përgjigja e kësaj pyetjeje është shumë e thjeshtë; vetëm për interesa personale të pushtetarëve të lartë. Dihet tashmë varianti i parë i tentativës për kthimin e kalasë së Lezhës në kompleks restorantesh, hotelesh dhe terrene sportive. Sponsorizimi mafioz i projektit të parë u rrëzua nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve si i paligjshëm dhe i pamoralshëm që në vitin 2007. Por, rikthimi i Baçes riktheu edhe një herë projektin e rrëzuar, nën pretekstin e JETËZIMIT të monumenteve të kulturës po u merret jeta edhe atyre rrënojave që kanë mbetur. Ky është presion i personave me pushtet për qëllime përvetësimi të pasurive më të lakmueshme kombëtare. Mundet t’i them me emra në një moment tjetër. 

Pyetje pa përgjigje 

Realizimi i atij projekti kërkon më parë disa përgjigje. 

Kush e merr përsipër shkeljen e ligjit për mos rekjen e strukturave të monumenteve dhe mos ndryshim të destinacionit dhe autenticitetit? 

Cili ligj i administrimit të monumenteve lejon ndërtim me konstruksion të njëjtë me monumentin për qëllime jashtë identitetit historik? 

Cili institucion e monitoroi nevojën që në kalanë e Lezhës të ndërtohen gjithë ato hotele, bare e restorante? 

Pse u mbajt e fshehtë për Zyrën e Menaxhimit të parkut arkeologjik procedura e inicimit, projektimit dhe e miratimit të gjithë këtyre ndërtimeve të pamotivuara ligjërisht? Pse nuk u mor opinioni i kësaj strukture që e menaxhon ligjërisht këtë territor?Si mund të lejohet që monumente me dëshmi historike të sakrifikohen për qëllime biznesi? 

Si mund të bëhen ndërtime jashtë funksionit të origjinës së monumentit? 

Si mund të merret vendim për të bërë gjithë ato ndërtime, pa kryer më parë studimin me hollësi të shtresave kulturore? 

A ka projekte për gërmime arkeologjike në atë vend para nisjes së punimeve? 

A ka një akt konstatimi nga Instituti i Arkeologjisë, ku deklarohet se Akrolisi është zonë sterile pa shtresa kulturore e i lirë për shesh ndërtimi? 

Kush ka të drejtë të kthejë në sheshe ndërtimi dhe të japë me qira apo të shesë për troje e qëllime biznesi, prona të patjetërsueshme ligjërisht, që janë brenda një juridiksioni të shumëfishtë? 

A ka ndonjë vendim të këshillit të Bashkisë Lezhë që shpreh dakordësinë për këtë leje ndërtimi brenda juridiksionit të saj? 

A është njoftuar komuniteti apo pleqësia e lagjes “VAROSH” ku ndodhet kalaja, për të favorizuar një biznes që do të shkelë në mënyrë të pashmangshme nëpër varrezat e të parëve të tyre? 

A është marrë në shqyrtim arsyeja e mosmiratimit të këtij projekti në vitin 2007? 

A është llogaritur se gjithë ai investim kërkon një sipërfaqe të madhe parkimi automjetesh? 

A i është thënë investitorit se i vetmi shesh në qafë kala dhe çdo cep përreth kalasë është i mbushur me varreza deri i të ditëve të sotme dhe nuk mund të kthehet në shesh parkimi apo rrugëkalim për automjete? 

Kush është paracaktuar të jetë pronari i këtij fshati turistik ne zemër të kalasë pa procedura prokurimi? 

Pengesa 

Por ka edhe një pengesë që IMK nuk e kapërcen dot: Nëse një monument kulture konsiderohet se nuk ka më vlerat për të cilat është shpallur i tillë dhe mund të tjetërsohet, atëherë ai duhet të hiqet nga lista e monumenteve të kulturës. Por nëse hiqet nga lista e monumenteve, pronësia mbi atë objekt kthehet tek ish-pronari. Por edhe nëse kthehet tek ish-pronari, në këtë rast, si kisha, si xhamia, si dhe rrënojat e Dukagjinëve nuk mund të kthehen në shesh ndërtimi për hotele kaq pranë monumenteve të tjera, të cilat vazhdojnë të mbeten në listën e monumenteve. Pra ndodhemi në një rreth vicioz e nuk mund të dalim dot prej andej dhe shumë mirë që nuk dalim dot. 

ÇUDIA! 

Pse synohet me çdo kusht të shkatërrohen ato monumente kulture aq të rëndësishëm dhe të bëhen ato hotele e restorante aq ordinere e të përfolura, pikërisht atje ku ligjërisht është e papranueshme dhe absolutisht e panevojshme, kur fare pranë gjenden qindra hotele e restorante si në Lezhë ashtu edhe në Shëngjin. Fare ngjitur ndodhet i famshmi ish-”HOTELI I GJUETISE” një monument kulture i pashpallur, por unikal për nga stili i ndërtimit, mahnitës për nga flora dhe fauna që e rrethon, krenaria e turizmit kulturor të vendit për 70 vite rresht. Sot lënë që të degradohet dita-ditës pa funksion, pa shërbime, pa zot...çudi! Merreni në mbrojtje si monument atë perlë të turizmit shqiptar dhe kthejeni siç ka qenë Hotel Restorant në identitet. Kjo do të ishte një punë e mire edhe pse e vonuar. Por ne ndodhemi në një vend që çdo gjë mund të ndodhë. Por po ndodhi kjo, do të hapet precedenti më i rrezikshëm për monumentet e tjera, që do të bien një nga një në dorë abuzuesish. 

Zoti Ministër ... AI NDËRTIM NUK DUHET TË BËHET. Qytetarët e Lezhës nuk kanë për ta lejuar. NGJARJET NË KALANË SHQIPTARE TË SHKUPIT DUHEJ TË ISHIN NJË LEKSION PËR INSTITUCIONET SHQIPTARE. 

Zoti Ministër, tani vetëm firma juaj pritet. Desha t’ju informoj me këtë letër në mënyrë që të keni dijeni se ekziston edhe ky opinion në Lezhë tek shumë njerëz që duan të kontribuojnë që të ruhet kjo pasuri e njëherësh krenari e qytetit tonë. 

Ju nesër nuk do të jeni ministër, prandaj mos merrni përsipër për hir të interesave të askujt të firmosni asgjësimin e kësaj pasurie të trashëgimisë së kulturës sonë kombëtare dhe të bëni asgjësimin tuaj moral dhe politik duke i hapur rrugë një krimi të pariparueshëm. Veprime të tilla tjetërsimi të vlerave unike kombëtare i bëjnë të papërgjegjshmit dhe falsifikatorët e historisë. 

Është çasti të mbeteni dinjitoz dhe i papërlyer. 

 

SALVATOR GJEÇI! 

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora