E hene, 11.11.2024, 10:50 PM (GMT)

Mendime

Enver Bytyçi: Reforma gjyqësore peng në duart e Presidentit?!

E enjte, 17.03.2011, 07:59 PM


Reforma gjyqësore peng në duart e Presidentit?!

 

Nga Enver Bytyçi

eb_shqip@hotmail.com

 

Pardje ishte 3 vjetori i ngjarjes së Gërdecit. Opozita e shfrytëzoi këtë ngjarje për fushatë elektorale dhe krahas akuzave kundër qeverisë, u shpreh se “Drejtësia ka dështuar në gjykimin e Gërdecit”. Të njëjtën gjë theksoi në reagimin e tij edhe Kryeministri i Shqipërisë, duke vënë në dukje se opozita kishte harruar vitin e kaluar që të "përkujtonte" Gërdecin, pasi një vit më parë nuk kishim zgjedhje elektorale. Si kreu i opozitës, edhe kreu i mazhorancës mund  të justifikohen në qëndrimet e tyre. Edi Rama ka të drejtë de jure të kërkojë drejtësi nga drejtësia. Edhe pse de facto prokuroria e vendit është në duart e tij, kreu i socialistëve mund ta shfrytëzojë Gërdecin e gjithçka tjetër që të bëjë politikën e vet. U takon qytetarëve që të zgjedhin midis demagogjisë së tij dhe realitetit konkret. Sali Berisha ka gjithashtu të drejtë që de facto të kërkojë drejtësi nga drejtësia, pasi ajo ka dëshmuar se anon politikisht nga opozita, ndërkohë që de jure duhej të ishte në duart e mazhorancës, përkatësisht të Kuvendit të Shqipërisë.

Ndërkaq pardje qyetarët shqiptarë panë në ekran edhe presidentin e Republikës tek kërkonte drejtësi për Gërdecin. Kjo ishte vërtet befasia dhe çudia e radhës alla-shqiptarçe. Ndërkohë njerëzit normalë do të pyesnin me habi: Kujt ia kërkon Bamir Topi drejtësinë për Gërdecin dhe për të gjitha çeshtjet e tjera të pahetuara e të pagjykuara, përveç vetvetes? A nuk është ai Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë? A nuk janë gjyqtarët dhe prokurorët në kompetencën dhe kontrollin e këtij Këshilli?! A nuk ka presidenti një administratë sa të një ministrie për të hetuar, kontrolluar dhe balancuar punët e gjyqtarëve dhe prokurorëve?! Sigurisht që kreu i shtetit i ka të gjithë instrumentet e nevojshëm për të bërë detyrën e tij në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por atij i mungon diçka thelbësore: Vullneti politik dhe përgjegjësia shtetërore si kryetar i shtetit. Prandaj bën bën trukun e radhës dhe hiqet si parimor, duke lëshuar akuza pa adresë se “Gërdeci kërkon drejtësi”. Këtë e dinë të gjithë. Gërdeci kërkon drejtësi dhe drejtësia ka nevojë të vihet në vend si për Gërdecin, ashtu edhe për ngjarje të tjera të rënda në këtë vend, përfshirë ngjarjet e 21 janarit. Po kush do ta bëjë këtë drejtësi? Nëse kryetari i mazhorancës ankohet për mungesën e drejtësisë në këtë vend, nëse kreu i opozitës bën të njëjtën gjë dhe nëse kreu i shtetit në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë kërkon gjithashtu drejtësi, atëherë kush do të duhet ta realizojë atë?!

Mazhoranca ankohet për mungesën e drejtësisë dhe ka kërkuar zyrtarisht bashkëpunimin e opozitës për të miratuar ligje me konsensus në dobi të reformimit të saj. Ndonëse duhen 84 vota që të miratojë ligjin për Gjykatën Administrative, por edhe për të bërë ndryshime në Kodin Penal dhe në Kodin e Proçedurës Penale të Republikës, opozita nuk pranon të bëhet pjesë e forcimit të ligjit. Pra kreut të opozitës praktikisht i mungon dëshira që në këtë vend të ketë drejtësi, me qëllim që të ketë mundësi të ankohet se qytetarëve shqiptarë u "mungon e drejta themelore njerëzore". Në konceptin e opozitës sonë nuk është evolucioni metoda demokratike e zhvillimit, për pasojë ajo e ka ndërtuar politikën mbi bazën e anarkisë. OOpozita e sheh si të favorshëm objeksionin për të patur një drejtësi të nënshtruar nga politika. Por mund të ketë dhe opcione të tjera, opcione që mund të sjellin skenarë më të këqinj për fatet e Shqipërisë, skenarë që kanë të bëjnë me rrënimin e përpjekjeve të vendit për integrim dhe zhvillim harmonik në rrugën e demokracisë. Megjithatë opozita vijon të justifikohet me formulën, sipas së cilës, “Opozita atë punë ka, ta rrënojë punën që bën mazhoranca”. Që opozita të mos pajtohet me vendimet dhe ligjet që mazhoranca i bën pa konsensus, është krejt normale, por që opozita të mos bëhet pjesë e hartimit të ligjeve për të bërë drejtësi, atëherë, kjo nuk është normale për asnjë vend normal. Nëse opozita dëshiron vërtet drejtësi, ka të gjithë mekanzmat të dërgojë draftin e ligjeve përkatëse në parlament dhe të kërkojë votën e mazhorancës, me qëllim ushtrimin e të drejtës për ta ndryshuar situatën kaotike në gjykata dhe në prokurori. Megjithatë ajo nuk e bën këtë e as i bindet vullnetit të shumicës për t’iu bashkëngjit këtij procesi. Opozita nuk dëshiron që të ndryshojë Kodi i Proçedurës Penale për të parandaluar zvarritjet në gjykim, të cilat i shkaktojnë qëllimisht avokatët dhe të pandehurit, me qëllim që të përfitojnë nga afatet e gjykimit e të dalin padrejtësisht nga qelia. Ndryshe nuk ka pse të mos i përgjigjet kërkesës së mazhorancës për të bërë ndryshimet e nevojshme.

Ndërkaq presidenti i Republikës, Bamir Topi, në vend që të kërkojë prej opozitës hapur e shkoqur pjesmarrjen në bërjen e ligjeve për të bërë drejtësi, u shet qytetarëve të këtij vendi moralin e priftit. Në vend që të thotë qoftë dhe një fjalë për përgjegjësitë e tij, pse drejtësia shqiptare është katandisur në ditë të hallit, zoti Topi vazhdon të bëjë deklarata me insinuata politike kundër mazhorancës e pro kundërshtarëve të saj. Mesazhet e tij janë jo vetëm mesazhe politike, por edhe të dëmshme si dhe një demagogji e pastër. Ai në vend që t’u thotë shqiptarëve se ka një program, një platformë, qoftë dhe një ide për ta reformuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri, merret me moralizime, të cilat e rëndojnë vetë pozitën e tij. Në vend që të bëjë moralistin, presidenti Topi ka për detyrë të hartojë një paketë të plotë të reformës në gjykata e prokurori, ta bëjë atë objekt të debatit publik dhe profesional e më në fund të kërkojë me insistim nga faktorët politikë vendimmarrës për ta shndërruar në ligj. Moralizimet e tij tashmë nuk kanë asnjë formë tjetër, përveçse demagogjisë, për të luajtur akte të tjera të dramës që luhet në këtë vend e ku rolin kryesor e ka ai vetë në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Nëse do të duhej vërtet të kishte drejtësi për Gërdecin, atëherë kjo drejtësi fillon me hetimin e personit të zjarrvënies, vijon me pronarin dhe administratorin e punëve në Gërdec, pra me Mihal Delijorgjin dhe përfundon te hetimi i marrëdhënieve të institucioneve zyrtare me firmën përgjegjëse për demontimin e armëve. Drejtësia jonë e ka filluar hetimin nga bishti. Delijorgjin, përgjegjësin direkt të ngjarjes e ka lënë të lirë, zjarrvënësit ende nuk ia ka gjetur emrin konkret, ndërkohë që dërgon në gjykatë në kohë fushate vetëm dosjet politike për politikanët e mazhorancës, me qëllim që t’i shërbejë politikës dhe ta largojë pistën e hetimit nga e vërteta. Sa herë që vihet në plan të parë politika në hetim, aq herë nuk ka pasur e nuk ka për të pasur drejtësi në këtë vend. Deri te politika shkohet duke hetuar konkreten, realen, pra autorin konkret dhe përgjegjësin direkt të një ngjarjeje e të një krimi. Prokurorët tanë para se të hetojnë zjarrvënësin, hetojnë ministrin. Kjo mënyrë e “të bërit drejtësi” është thjesht lojë politike, në të cilën duket se është përfshirë vetë garanti i drejtësisë, kreu i shtetit shqiptar. Kështu ndodhi gjithashtu në rastin e 21 janarit. Në vend që të gjendej personi që qëlloi mbi demonstruesit e prej këtej të shkohej deri te zingjiri komandues, prokuroria jonë profesionale në politikë e filloi me komandantin e Gardës dhe të gjithë rrjetin komandues të saj, "për të shkuar" te personit konkret", duke bërë punën e hetuesit prokuror. Në vend që të nisej hetimi nga shkaqet e vrasjes së atyre demonstruesve, shkaqe që lidhen me përpjekje të dukshme për dhunimin e institucioneve të shtetit, prokuroria jonë e nisi me politikën dhe politizimin e saj në favor të një pale e në kundërvënie ndaj një pale tjetër.

 

Të tilla ngjajnë dhe deklaratat e 15 marsit të këtij viti, sidomos deklarata e zotit Bamir Topi, kur kërkonte drejtësi në një kohë kur drejtësinë ka për detyrë t’ua japë vetë shqiptarëve. Në katër vite ai nuk bëri as minimumin e përpjekjeve për të reformuar drejtësinë shqiptare, përkundrazi e ndihëmoi atë në aksionet politike të njëanshme, duke dhënë shembullin më të keq të mundshëm për fatet e drejtësisë e për pasojë të vetë Shqipërisë. Kur Çurçillit i kishin thënë në fillimin e viteve 1940 se në adminstratë ka korrupsion, ai kishte pyetur nëse kishte korrupsion edhe në gjykata. Kur i kishin thënë se gjykatat nuk janë të korruptuara, atëherë kryeministri i famshëm britanik kishte thënë “Megjithatë demokracia funksionon”. Në Shqipëri nuk funksionon demokracia, sepse nuk funksionon drejtësia. E për këtë përgjegjësinë kryesore e mban vetë kreu i shtetit shqiptar, njëkohësisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora