Mendime
Shefik Shkodra: Pse të mos mësohet Gjuha Latine
E marte, 15.03.2011, 08:58 PM
PSE TË MOS MËSOHET GJUHA LATINE
Nga SHEFIK SHKODRA
Reforma dhe Plan-programet që u ofrohen shkollave tona
Është pak si gjatë kohë kur po e shkruaj këtë letër lidhur me këtë çështje. Megjithatë, nuk më kalohet në heshtje e pa u thënë disa fjalë edhe pse këtë kam pritur që ta thotë dikush tjetër, qoftë nga ata që u thonë më ekspert, qoftë edhe prej atyre më të rinjve, studentëve, prindërve etj. Nuk dua të bëj analiza të përgjithshme, gjerë e gjatë. Nuk jam i thirrur për të gjitha lëndët e as që kam interes. Për shumë gjëra si kuadër përkatës, ndoshta nuk jemi aktiv sa duhet publikisht, apo nuk është e mundur, përkatësisht, nuk kërkohet kurrfarë mendimi prej askujt nga shoqëria më e gjerë. Dhe heshtim, veç atëherë kur jemi ngushtë për vete.
Flitej se me reformën në arsim do të pësojnë ndryshime edhe plan-programet. Do të shtohen lëndë të reja dhe do të hiqen lëndë të “vjetra”. Dhe herë kështu e herë ashtu, fjalë të pa definuara. Shpërngulej kuadri prej një shkolle në tjetrën, prej një shkalle në shkallën tjetër. Dikush edhe pa punë e pa përgjigje prej askujt. Plan-programet nuk kanë qenë edhe me përmbajtje e cilësi gjithherë të përgatitura si duhet, por as nuk kanë qenë në një diskutim prej këshillave profesionale nga vetë mësimdhënësit. Kështu sa kam mundur ta vërej në ato shkolla ku i kam njohur edhe kolegët çdo gjë ka qenë në heshtje. Kemi hasur ndonjëherë edhe deri te ato plan-programe që nuk është plotësuar norma javore. Është hasur te një vit me një orë më pak apo më shumë. Nuk është ditur në disa sosh se çka shkruan dhe për çka flitet fare. Janë përkthyer prej njerëzve që nuk e kanë njohur gjuhën shqipe si duhet për të mos thënë fare. Janë futur e janë mbajtur ndonjëherë lëndë që nuk kanë fare të bëjnë me atë shkollë e profesion. Njëherë, kur ishin thirrur drejtorët e shkollave të komunave në Prishtinë, për konsultë e për propozime më të reja në plan-programe, njëri prej atyre drejtorëve rrëfente, se si dikush kishte thënë që të fshihet ajo Ed. Qytetare, e ndonjë drejtor tjetër thoshte, jo, ngase e kishte kandidatin nga familja që duhej të mbante punën me këtë lëndë. Një tjetër thoshte se, Gjuha Latine në Shkollën e mjekësisë duhet të fshihet fare, përkundër të tjerëve që e llogarisnin si materie e domosdoshme për këtë shkollë profesionale. Kështu, asnjëherë as ata që ftoheshin në këto takime nuk kanë ditur të na thonë atë që duhet. Në shkollën e mesme të mjekësisë pjesa më e madhe e drejtimeve mësojnë lëndën e Ekonomisë për katër vite, ndërsa jo më shumë se njëzet metra prej kësaj është shkolla e mesme e ekonomisë. E në ndonjë drejtim të kësaj shkolle profesionale ka pasur herë-herë edhe nga tri orë në javë nga lënda e ekonomisë. Dhe kjo do të ishte me vend, që një vit a dy të informohen nxënësit me të përgjithshmet e tregut dhe ekonomisë në përgjithësi e jo më shumë. Po në shkollën e mjekësisë nuk figuron më asnjë orë e historisë dhe e gjeografisë. Sa i përket ekspertëve për planifikim Kosova ka kuadro, veç nuk dihet kush dhe për çfarë arsye bën këto lloj ndryshimesh. Thjesht, njeriu dyshohet kujt t’i drejtohet e ta pyes lidhur me këtë.
Pa Gjuhën Latine mangësi e të mësuarit efikas në disa shkolla
Ky vit shkollor, 2010/11, filloi me një plan-program në të cilin thuhet se nuk figuron më Gjuha Latin si gjuhë shkencore në shkollat e mesme të mjekësisë. Mirëpo, nuk ishte e qartë dhe nuk e pamë atë plan-program, nuk është ofruar ta shohim. Kështu edhe kuadri i cili ishte i preokupuar për këtë gjuhë mbeti rrugëve. Tash, e lëmë atë që mbeti kush ku mbeti, po ajo që është më me interes po e përmend, pse nuk është diskutuar sa e si duhet për këto plane. Pse nuk është ditur se nga kush po vjen ky ndryshim i menjëhershëm dhe befasues. A është ndryshimi nga qeverisja lokale, sipas dikujt në atë mënyrën “decentralizuese”, apo nga qendra është vendosur nga ekspertët e zgjedhur për këtë çështje, do të thotë, që të mos mësohet më kjo materie me arsyetime...bindëse shkencore. Ekziston bindja e thellë se, disa shkolla profesionale, si ajo e mjekësisë pa Gj. Latine të mësuarit e lëndëve profesionale do të ishte i mangët e jo efikas. E gjithë terminologjia e tyre është me prejardhje latine, pjesërisht greke të latinizuara. Shumësia e terminologjisë nga kjo gjuhë e mos sqarimi si duhet bën që të mos mund ta përvetësojnë materien si duhet nga lëndët e profesionit. Ka mësimdhënës (ata disa që i kemi njohur e parë) që nuk dinë t’ua bëjnë të njohura në shqip të gjitha ato terma që nuk janë të paktë. Të mësuarit e materieve del krejt përmendësh, ose kurrfare. Pse të mënjanohet pra, sot nga këto shkolla?
Rëndësia e të mësuarit të Gjuhës Latine
Pak sqarime për lexuesin që nuk është i njoftuar për këtë gjuhë, pse duhet të mësohet. Në shkollën e mjekësisë është teksti i përgatitur nga vitet e ’90-ta prej Prof. dr. E. Sedajt mjaft shkurt e qartë për profesionet në shëndetësi. Është gjuhë e vdekur, që nuk komunikohet me të, por gjuhë e shkencave, dhe shumë komunikuese në shkencat e ndryshme. E nevojshme për Gjimnazet filologjike, ngase Gjuha shqipe dhe gjuhët romane kanë një përzierje dhe terma të ndryshëm edhe nga Gjuhë Latine. Pra, të gjitha gjuhët neolatine janë të prejardhura nga kjo gjuhë e vjetër. Edhe Gjuha shqipe ka mjaft huazime, ku nga shumë terma janë të njësojta ose të përafërta, me bazë nga njëra apo tjetra(?). Kjo gjuhë është e nevojshme edhe në letërsi të shqipes, duke pasur parasysh se një numër i konsiderueshëm i veprave është shkruar në këtë gjuhë në Mesjetë, por edhe jurisprudencë, në ato shkolla ku figuron drejtimi i juridik. Është edhe për shkencat tjera shoqërore si, në histori, filozofi, etj.
Po është mjaft e domosdoshme edhe në shkollat bujqësore, për florën dhe faunën e shkencat tjera biologjike. E shumë më e nevojshme është në shkencat mjekësisë, si në Anatomi, infektivë, farmaceutikë, stomatologji recetën e mjekut, teknikut, termat për sëmundjet, etj. Kjo materie ka bërë ndihmesën për përgatitjen e nxënësve për të ardhmen e tyre në studime më me lehtësi dhe me njohuri të nevojshme. Do të thotë, nuk është diç që ngarkohen pa nevojë nxënësit e këtyre shkollave profesionale, në krahasim me ndonjë tjetër që mund të thuhet me përpikëri se, nuk do t’i hyjë kurrë në profesion as në jetën praktike.