Mendime
Artur Zheji: Antishqiptarizmi shqiptar
E hene, 14.03.2011, 07:58 PM
Antishqiptarizmi shqiptar
Nga Artur Zheji
Dilema nëse jemi apo nuk jemi një racë shqiptare, duket se nuk është zgjidhur ende. Është kjo një dilemë etnike apo ekonomike?
Është kjo një dilemë kulturore? Ku me kulturë, nënkuptojmë mjerisht një joplatformë kombëtare, një rrumpallëhane, që ndryshon formë dhe trupëzim, simbas erërave që fryjnë apo çfryjnë majtas djathtas, lart e poshtë?
Është kjo një dilemë shpirtërore? Ku me “shpirtërore”, nënkuptojmë triumfin e rrumpallëhanës tonë nacionale, me kulm të vetin, kur shqiptari është ndjerë kaq pak shqiptar, saqë ka kthyer e ndërruar llagap për 30 aspra, që i ka marrë si mjeran nën banak.
I kujt është faji? I atij që lyp një kombësi tjetër, për një copë bukë më shumë për familjen, për pak shkollë më shumë për fëmijët, apo i pushteteve tona të paafta dhe shpesh hajdute, që i kanë lënë shqiptarët pa perspektivë si shqiptarë? Ky “kompllot” dhe ky “konspiracion” antishqiptar i shqiptarëve, veproi gjatë diktaturës dehumanizuese që përjetuam për shumë vite dhe shtrihet deri në ditët tona. Njeriu i Ri, që prodhoi komunizmi shqiptar, nuk ishte dhe nuk mund të ishte atdhedashës, sepse u formëzua si një “Bir” i Revolucionit Proletar me kryeqytet Moskën, një bir i Partisë, pra pa Etnos. Pa tokë, se tokën ja mori kooperativa e dhunshme e kuqe. Pa Atdhe, se Atdheu ishte shteti komunist. Pa shtëpi, se shtëpia ishte pronë e Komitetit Ekzekutiv.
Mbas viteve ‘90, shteti dhe Partia Komuniste ra. Por Njeriu i Ri, pa Atdhe, mbeti. Mbeti jetim nga shtrati dhe humusi që e krijoi. Por, ndonëse tashmë jetim, Ai, Njeriu i Ri, i stërvitur nga 45 vjet makiavelizëm, ku dredhia, mohimi dhe mashtrimi, i familjes dhe ideve vetjake në emër apo nën dhunën e Partisë së Punës ish rrëfyer një palestër e përkryer për sistemin e ri kapitalist që po vinte, mbijetoi vital dhe i “suksesshëm“. Ky “Njeri” u bë pushtetar dhe ushtar i pushteteve të reja, me emra dhe me etiketa të reja, por në thelb, të mbështetura tek zgjebja e vjetër e motos: “mashtro dhe tradhto çdokënd dhe çdo gjë dhe ec përpara!” Kjo ecje përpara, prodhoi disa filiale të reja të “Njeriut të Ri”, prodhoi “njeriun e ri të pasur” shqiptar, prodhoi “njeriun e ri të pushtetshëm shqiptar”, prodhoi “Njeriun e Ri, që ndërron lëkurë dhe identitet, sa herë i lypset“.
Pak a shumë, shoqëria shqiptare dominohet ku më shumë e ku më pak, nga kjo specie, e cila ka, këtë origjinë dhe këtë “shkollë” kulturore në themelin e vet. Duke qenë se “Qëllimi” parësor i kësaj Fryme, është përfitimi vetjak, “Bashkësia” apo “Atdheu” nuk ekzistojnë kulturalisht për ta. Për këtë “specie” pra, që ka akoma sot, një rol dominues kulturor dhe pushtetar në Shqipëri, “Vetvetja” dhe “Uni”, “e Imja” dhe jo “e Jona”, është Tempulli i vetëm, ku duhet të falemi të gjithë.
Jo vetëm kaq, por në këto kohë globaliste që jetojmë, janë hapur edhe shumë “supermarkete idesh”, ku për pak cent, mund të blesh ide, doktrina dhe citate të përshtatshme për këtë frymë. Këto ide, të lira në çmim dhe aspak të freskëta, riciklojnë nihilizmin e vjetër, antiAtdhe, ushqim ky, i rekomanduar për dietën e intelektualëve dhe mediatikëve të Vendeve të vogla, që në projektin global, duhet të shndërrohen në një shprehje gjeografike dhe vetëm kaq.
E kam lexuar prej kohësh romanin e famshëm të Turgenievit, “Etër dhe bij” dhe në moshën time të aso kohe, figura nihiliste e Jevgeni Bazarovit, më mrekullonte. Mohimi dhe rrëzimi i hipokrizisë dhe kotësisë, të veshur me pëlhurën e “tabusë”, denoncimi i shenjtërisë së rreme të ca palo idealeve, që ishin në të vërtetë fasada ideologjike të pushteteve të Perandorisë cariste, tingëllonte shumë aktuale në Shqipërinë e carizmit Stalinist. Dhe sa herë ka pushtete apo regjime okulte, që fshihen përtej fasadës së pseudo-moralit të pastër, të ideve nacionaliste të bërtitura më shumë sesa të ndjera, Bazarovi dhe rizgjimi i ironisë të tij refuzonjëse, është i mirëpritur dhe progresiv, në debatin intelektual të një Vendi.
Në “supermarketet” që përmenda më sipër, Turgenievi dhe doktrina e tij mrekulluese 200-vjeçare nihiliste, janë riprodhuar në ca kuzhina të reja, me etiketa shumëngjyrëshe dhe me ca studiues me emra tingëllues, si një muhalebi bebesh, për intelektualët dhe mediatikët e Vendeve pa kërbisht. Këto Vende pa kërbisht, për thjeshtim hesapi, të frymës dhe superpushtetit globalist, u intereson të thjeshtohen edhe më, deri në mosekzistencën e tyre, si identitet kombëtar bezdisës në konjukturat e sotshme.
Këto dy palë, Njeriu i Ri, që përshkruam përciptas më lart dhe intelektuali që ushqehet me produktet e supermarketeve globaliste të ideve, të fabrikuara për Vendet e vogla dhe pa kërbisht, takohen sot në një pikë dhe përbëjnë një shqetësim për “Shqiptarizmin” dhe Interesat e sotshme Kombëtare Shqiptare.
Mos duket vallë ky, një parashtrim paradoksal? Ndoshta po, ndoshta jo. Në këtë dhjetëvjeçar, Shqipëria, për shumë arsye të cilat nuk janë objekt i këtij shkrimi, ka pasur shumë përparime gjeopolitike mrekulluese. Shqipëria sot gëzon ekzistencën e një Kosove të pamvarur, në kufirin e vet Verior. Shqipëria sot, ka në kufirin e vet Lindor një Maqedoni shumëetnike, ku shqiptarët janë një forcë reale dhe në një proces emancipimi të pandalshëm europianist dhe kombëtar. Shqipëria ka sot në kufijtë e vet Perëndimor, një Vend si Italia, “protektive” deri në “xhelozi”, për integritetin territorial dhe zhvillimor të Shqipërisë. Shqipëria sot është anëtare e NATO-s dhe SHBA është hapur dhe pa komplekse e interesuar që Shqipëria të mbetet Shqipëri, lexuar kjo në një interpretim të ri historik, për rolin e shqiptarëve në Ballkan dhe Europë.
Problemi i vetëm gjeopolitik që ka mbetur në vend ose ka ecur mbrapsht, është roli i Greqisë në raport me Shqipërinë. Ndoshta një kompleks i vjetër, ndoshta një keqkuptim i madh, ndoshta një miopi, ndoshta një zakon i vjetër shndërruar në rutinë që Shqipëria dhe shqiptarët të trajtohen si të kategorisë B, ka bërë që në strategjinë e vet gjeopolitike, Greqia të aplikojë gati në mënyre diletante, një strategji të vjetër neokolonialiste dhe arrogante. Të dhënat e shumta që Greqia disponon mbi jopatriotizmin e Njeriut të Ri shqiptar, i kudondodhur në sferat drejtuese të Shqipërisë, e bën atë më të guximshme, por njëkohësisht më të pavëmendshme dhe shpesh fare pa takt në ndërhyrjet e veta.
Mirëpo teprimi, sjell më në fund reagimin. Teprimi deklarativ për Vorio Epirin, intoleranca ekstreme për “Çështjen Came”, qoftë edhe si një çështje ekonomike dhe çështje pronash, fushata aspak elegante helenizuese me para në dorë, intoleranca administrative ndaj emigrantëve të shumtë shqiptarë, ortodoksizmi radikal dhe së fundmi fushata e hapur interferuese për regjistrimin e popullsisë shqiptare, nën modelin që ata parapëlqejnë dhe po përpiqen të imponojnë, duket se e ka derdhur jopak “kupën e durimit”.
Reagimi i përgjumur intelektual shqiptar, po del jashtë fshikëzës së krimbit dhe po bëhet flutur.
Greqia, sigurisht ka hapësirat e duhura reflektive dhe korrektuese. Çështja nuk është tek Greqia, e cila në fund të fundit, e ka në doktrinë dhe si prioritet të vetin, të bëjë çmos për Interesat e veta Kombëtare, kuptohet nga këndvështrimi i saj. Pikëpyetja jonë, pikëpyetja jonë shqiptare është, çdo të bëjë “Njeriu i Ri”, klasa politike shqiptare dhe intelektuali shqiptar, blerës i rregullt i supermarketeve të sipërpërmendura në këtë udhëkryq? A ka vallë një pikë takimi, ku përtej Vetes dhe Vetjakes, ka një “diçka” më shumë, nuk ka rëndësi nëse thirret Komb apo Flamur, Atdhe apo Shqiptari, Interes Kombëtar apo Atdhedashuri? Se sot, po kuptohet pra, se Interesat Kombëtare dhe mbrojtja e tyre, nuk janë një nocion retorik, por një akt, që ose e bën ose nuk e bën. Dhe ka shumë arsye të brendshme interesash vetjake, edhe kur e bën edhe kur, refuzon dhe nuk e bën realisht këtë akt.
Në këtë Udhëkryq pra, në këtë Udhëkryq europianizues, ku Shqipëria ka nevojë të drejtojë trupin dhe të rrisë dinjitetin, nuk ndihet boshllëku i një Platforme të Përbashkët, të një Kushtetute të Mbrojtjes së Interesave Kombëtare?
A nuk duhet lënë më në fund në një cep, fryma Antishqiptare shqiptare, që përbën thelbin e Antishqiptarizmit Shqiptar? Këtë përçarje ekstreme të Opinionit Publik Shqiptar? Këtë përçarje ekstreme të Klasës Politike Shqiptare, e verbuar mbas pushtetit dhe xhepit dhe e pavëmendshme ndaj Integritetit Kombëtar? Jemi apo s’jemi udhëtarë të së njëjtës anije që nëse mbytet, na mbyt të gjithëve? Mendoj se përgjigja e këtyre Pyetjeve, do të përcaktojnë frymën dhe moralin e pritshëm të Dekadës së Re Shqiptare.