Mendime
Afrim Krasniqi: Shqipëria dhe rezolutat europiane
E diele, 13.03.2011, 10:44 AM
Shqipëria dhe rezolutat europiane
Nga Afrim Krasniqi*
GSH, 10.3.2011
Ditë më parë grupimi i Partive Popullore Europiane miratoi një deklaratë mbi situatën në Shqipëri. Teksti i deklaratës ishte i njëjtë me qëndrimin zyrtar që mban Partia Demokratike, anëtare e këtij grupimi. Pak ditë më parë edhe grupimi i Partive Socialiste Europiane miratoi një deklaratë mbi situatën në Shqipëri. Teksti i deklaratës ishte i njëjtë me qëndrimin zyrtar që mban Partia Socialiste, anëtare e këtij grupimi. EPP dhe PES janë grupimet e djathta dhe të majta në parlamentin europian. PD dhe PS janë partia kryesore e djathtë dhe e majtë në Shqipëri. EPP dhe PES kanë në gjirin e tyre parti nga të gjitha vendet europiane, spektri politik i tyre aktualisht drejton në disa vende europiane (EPP në Gjermani, Itali, Francë, Bullgari, Rumani...PES në Belgjikë, Portugali, Spanjë, Norvegji, Greqi, Slloveni, etj). Dy palët EPP dhe PES janë mbështetëse politike të PD-PS në Shqipëri, dhë së fundi edhe në zgjedhjet e vitit 2009 Martens (President i EPP) dhe Papandreu (President i PES) u investuan direkt në fushatë në favor të palëve respektive. Dy palët bashkëdrejtuan mision vëzhgues të AP të OSBE dhe dy palët, patën qëndrime krejt të kundërta për standardin e zgjedhjeve.
Me këtë ndarje të qartë ideologjike dhe rivalitet politik dy krahët e politikës europiane vijojnë të prezantojnë në Shqipëri dy standarde, dy pikëpamje, dy sjellje dhe dy opsione të kundërta për krizën politike dhe leximin e problematikës shqiptare. Të duket se ato flasin për dy botë të ndryshme, jo për të njëjtin vend, të njëjtat ngjarje. E njëjta gjë ndodh kur Tirana vizitohet nga politikanë të CDU, FI, OVP, ND, etj (pro PD-së) apo SPD, DS, SPO, PASOK, PSOE, etj (pro PS). E njëjta situatë përsëritet kur në Tiranë intervistohet eurodeputetet Pack (EPP) apo Svoboda (PES), kur flasin krerët e grupeve parlamentare Daul (EPP) apo Schulz (PES). Paradoksalisht deklaratat e secilës palë përkthehen në Tiranën politike si qëndrime të Europës dhe BE pro PD apo PS, kundër PD apo PS, kur në fakt ato në tërësinë e tyre janë produkt i njëanshëm partiak pa ndikim e domethënie racionale për interesin publik të shoqërisë shqiptare. Me parimin “mbështetje pa kushte për partitë anëtare e partnere” EPP dhe PES janë të detyruara nga statusi i tyre të jenë në anën e palëve politike në Shqipëri, pavarësisht kostos lokale të kësaj mbështetjeje.
Për shkak të kësaj sjelljeje politike imazhi dhe produkti politik i asaj që shqiptarët përfytyrojnë me “Europë” vjen i cunguar, dual dhe me dy standarde. Një shqetësim të tillë bënë prezent në BE dhe Parlamentin Europian ditë më parë edhe komisioneri Fyle apo negociatori Lajcak. Ata apeluan se për gjendjen në Shqipëri palët politike në PE duhet të kenë konsensus dhe mesazhi në Bruksel duhet të jetë në unison të plotë. Aryeja është e thjeshtë: për qytetarin tonë politika etiketuese, denigruese dhe përjashtuese midis dy palëve politike shihet si pengesa kryesore e funksionimit të demokracisë. Kur ky fenoment përsëritet tashmë në emër të grupimeve politike europiane, qytetari shqiptar ndjehet konfuz dhe i zhgënjyer. Për të mesazhi europian është niveli më i lartë institucional i vlerësimit demokratik, por kur nga ky burim prodhohen skenarë të njëjtë akuzash ndaj palëve politike në Shqipëri njësoj si gjuha militante në RD apo ZP, kushdo ka të drejtë të mendojë se kriza shqiptare ka “shqiptarizuar” dhe Brukselin dypartiak. Sa herë ngrihet ky shqetësim politikanët europianë kanë të njëjtën përgjigje: detyrimin statutor për të mbështetur familjen politike. Ky argument nuk ka sens, madje i bën këto grupimeve politike pjesë e përgjegjësisë për krizën në Shqipëri, i shndërron në oksigjen për ngërcin politik dhe kështu, ofron një produkt politik gjysmak, mekanik dhe propagandistik, larg modelit të vlerave e parimeve politike që proklamon e mbron Bashkimi Europian dhe institucionet e tij.
Kriza shqiptare nuk meriton një lexim “bardh e zi”, leximi e konflikti bipolar brenda nesh është shkaktar i vetë krizës. Ajo që ndodh në Tiranë prej javësh dhe muajsh është e dukshme, produkt i një politike të gabuar dhe përgjegjësie të dukshme të klasës politike. Një mazhorancë që nuk ka potencial për qeverisje demokratike, një opozitë që nuk ka potencial konstruktiv e alternativ, një personalizim ekstrem i pushtetit dhe i institucioneve, një bllokim tërësor i reformave dhe programeve të zhvillimit, një politikë parademokratike - e aftë të prodhojë konflikte dhe e paaftë të ofrojë zgjidhje. Kemi dy palë politike anëtare në EPP apo PES, që në vend të shansit për dialog dhe sjellje europiane, e kanë ngujuar veten e tyre pas kangjellave të luftës, të gatshëm për të denigruar palën tjetër, për ta nxirë atë, për të kërkuar zgjidhje përmes forcës dhe kështu, për të mbajtur më këmbë një krizë me pasoja të jashtëzakonshme politike, ekonomike, sociale dhe diplomatike për vendin dhe interesat qytetare.
Kjo klime kritike për demokracinë funksionale dhe axhendën politike shqiptare meriton njohje, reflektim dhe përballje të qartë e të plotë edhe nga politikanët e ndryshëm europianë që duan më shumë Shqipërinë sesa miqtë e tyre personalë apo ideologjitë politike në Tiranë. Me siguri qytetarët dhe vetë shoqëria shqiptare nuk kanë nevoja për rezoluta komisare të djathta apo të majta, por për partneritet real e integral me vlerat europiane. Krizat në Shqipëri kanë treguar gjithnjë vlerën e madhe të institucioneve kushtetuese mbipartiake mbi pushtetin pengues ekstrakushtetues e miliant të partive. Shqipëria ka nevojë për demokraci funksionale dhe institucione të forta, larg modelit të gjykimit të njëanshëm dhe emrave - kryetarë të fortë partiakë, të cilët mbështeten nominalisht nga rezolutat EPP-PES. Sic shprehet zyrtarisht edhe BE, integrimi ynë europian nuk lidhet dhe as pritet të vijë nga rezolutat permanente kundërshtuese EPP-PES alias PD-PS, por direkt e vetëm nga aftësia dhe përgjegjësia e Shqipërisë për të përmbushur 12 kriteret e Kopenhagenit. EPP dhe PES kanë shumë në dorë në zgjidhjen e krizës: - të deklarohen pa ekuivok në mbështetje të këtyre institucioneve; të paralajmërojnë palët për ngrirje të anëtarësisë nëse nuk reflektojnë ndaj kërkesave të BE-së, dhe në plan më afatgjatë, të nxisin e mbështesin të dërguarin Lajcak, komisionerin Fyle apo misionet diplomatike amerikane për bashkëpunim me këto institucione dhe ofrimin e një plani konkret afatgjatë për zgjidhjen e krizës. Përsa kohë kjo nuk ndodh dhe mesazhet perëndimore vijnë në Tiranë herë gri, herë blu, herë rozë, këta tanët me siguri nuk reflektojnë, madje e shohin atë si dritare për aplikimin e mësimit romak, sundim përmes përcarjes.
* Pikëpamjet e shprehura janë personale, dhe nuk përfaqësojnë zyrtarisht institucionin ku autori punon.