Mendime
Drilon F. Komonaci: Disa preokupime të sotshme
E premte, 11.03.2011, 08:58 PM
DISA PREOKUPIME TË SOTSHME
Dalëngadalë, figura e tyre nisi të marrë ngjyrë tjetër. Lakmia u bë më e madhe se ideali për atdheun. U korruptuan. U kontrolluan nga EULEXi. U vodh zyra e sigurimit me lëndë narkotike, para e tjera. Shfrytëzuan mjete financiare pa një masë të duhur, qoftë për zgjedhjet, qoftë edhe për konforin e tyre (zyre, telefona, automjete, darka e dreka, etj.).
Nga Drilon F. Komonaci
Shqetësimet nga shtresëzimi social me diferenca të mëdha sociale, janë evidente në të gjitha fushat e jetës te ne. Gjendja jo e mirë ekonomike është në pjesën më të madhe të qytetarëve të rëndomtë, duke përjashtuar një grup të vogël nëpër institucione shtetërore. Për këtë duhet të mendohet mirë se si duhet të provohet dhe të bëhet një dalje nga kjo krizë, e cila vërtet është thelluar kohëve të fundit me rritjen e çmimeve të të gjithë artikujt e veçanërisht, atyre ushqimorë. Kur ia shtojmë edhe nepotizmin dhe burokracinë e gjithë pushtetit në komunat me status “decentralizimi”, në disa prej tyre jeta është bërë shumë e vështirë. Kërkesat për komunalit janë shumë këmbëngulëse, por përfitimet janë shumë minimale nga ana e qytetarëve, për mos me thënë fare.
Deri në këto kohë me koalicionet tona
Menduam se u hoqën prej një koalicioni përtacët e nepotist, klanistët e besa edhe plaçkatarët e mëdhenj. Dhe kur fitoi zgjedhjet PDK, në dhjetor 2007, shpallën Pavarësinë e Kosovës, në shkurt 2008, menduam se do të marrim fund të gjitha të këqijat e se do të merrnim frymë pak më lirë e më mirë. Ky entuziazëm nuk zgjati shumë edhe pas formimit të qeverisë me njerëz të rinj, shumë ambiciozë, të arsimuar e të kulturuar, atdhetarë, të moralshëm e të drejtë. Po të mos vepronin shumë në kundërshtim me të gjitha normat morale njerëzore, e madje edhe në kundërshtim me ligjet, edhe atëherë kur nuk i kanë pasur, por nga ideali i “pakufishëm” për atdhe e për popullin, menduam se do të vijë në shprehje një rregull dhe përparim i vendit më i mirë, te kush tjetër pos te këta njerëz, disa edhe luftëtarë të luftës që aq shumë flasin në emër të saj e për heronj e heroizma të ndryshme. Kështu edhe është pritur që në emër të asaj lufte e të rënëve të veprohet shumë më ndryshe e në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët tanë.
Mirëpo, dalëngadalë, figura e tyre nisi të marrë ngjyrë tjetër. Lakmia u bë më e madhe se ideali për atdheun. U korruptuan. U kontrolluan nga EULEXi. U vodh zyra e sigurimit me lëndë narkotike, para e tjera. Shfrytëzuan mjete financiare pa një masë të duhur, qoftë për zgjedhjet, qoftë edhe për konforin e tyre (zyre, telefona, automjete, darka e dreka, etj.).
Në zgjedhjet lokale nuk dolën sa e si duhet. Në ato nacionale shumë më keq. Vodhën ku mundën vota, blenë dhe kërcënuan njerëzit. Koalicioni dhe zgjedhja e kryetarit kësaj radhe ndodhi pak si artificiale e pa pranueshme prej shumicës dhe si e dhunshme. Edhe bisedimet me Serbinë, jo që nuk do të duhej të bëhen, por mënyra se si është vendosur është e vrazhdët. Këtë e ka thënë opozita mirë dhe nuk duhet ta zgjati në këtë letër.
Si lulet e 8 Marsit
Dita e grave, por edhe festat e të tjerëve nuk do të duhej të bëhen klishe të kohës. Në mungesë të një projekti të nevojshëm edhe për gra, por edhe meshkuj e për nivelet e ndryshme sociale, bëhen shumë fjalë se na kemi përparuar dhe do të përparojmë. Këto janë refrene të përditshmërisë. Si Lulet e 8 Marsit ndodh edhe me lulet e një dite më parë, Lulet e 7 Marsit, për ditën e mësuesit. Nuk duhet të lejojmë që të jemi të papërgatitur për cilën do çështje politike, ekonomike e kulturore. Do të ishte mirë që të mos tregohemi shumë naiv me disa cikërrima e reklama që nuk janë për kohën si luks e as si të domosdoshme. Madje, nuk do të ishte mirë që gjërat që nuk çojnë shumë peshë të bëhen aq të domosdoshme. Me disa fleta “mirënjohje”, “certifikata”, etj. pa kurrfarë mbulese financiare të përpiqemi të tregohemi se ne kemi arritur diçka të vlershme për shoqërinë. Bile edhe këto fleta që u jepen ndonjërit a ndonjërës nuk janë aq legjitime. Por, si zgjedhje klanore e simpatike të politikës te ne. Sikur po e imitojmë të kaluarën jo shumë të largët të atij ish regjimit. S’ka ndryshime as në praktikë e as në teorinë e këtyre institucioneve te ne. Dhe do të duhej që të freskohen gjërat me një origjinalitet. Edhe gratë tona nuk duhet të lëshohen aq poshtë me disa takime të rastit, duke iu shtruar ndonjë drekë a darkë për festën e tyre gjëja. Dashuria për gruan nuk blihet me para e mall. Dhe ajo nuk është lëndë për t’u kompensuar me mjete tjera. Ajo çmohet në atë masë të natyrshme e të gjithmonshme ose nuk vlerësohet kurrë. Kurrfarë feste! Lulet e 8 Marsit janë një lojë asfare dhe punë e ndotur, kur e dimë se kemi aq shumë probleme sociale në meset tona. Kur e dimë të gjithë se një pjesë e nënave, motrave dhe grave nuk kanë mundësi të gjejnë një satisfaksion as për së afërmi, meqë nuk e dinë ku u kanë mbetur eshtrat e atyre më të dashurve të tyre. Prandaj, reagimet do të duhej të bëhen më fuqishëm nga vetë gratë. Ato lule tash për tash janë veç lule të vdekura. Që të mos mbeten të tilla gjithmonë është mirë të qelin sytë të gjithë, por më shumë Shoqata e Gruas, e cila do të inkuadronte edhe më shumë gra të tjera për ta vërtetuar edhe aftësinë dhe zgjuarsinë se, vërtet është e ngritur dhe mund të bëhet faktor i nevojshëm me zërin e vet.