Mendime
Nazmi Demishau: Marrëveshja e hiçit
E marte, 08.03.2011, 07:39 PM
MARRËVESHJA E OHRIT
Cila është formula e
"Marrëveshjes së Ohrit”?
“Me O” = me O?
Marrëveshja Zerro?
apo
MARRËVESHJA E HIÇIT
Shkruan: Nazmi Demishau
K ështu pra, kaq i gjatë dhe pokaq i koklavitur duhej të dukej dhe, jo
vetëm të dukej por, duhej që të ishte titulli i kësaj të ashtuquajture
“Marrëveshja e Ohrit”. Atëherë, por edhe sot e tërë ditën, ajo ngeli
vetëm në letër, si një leckë çerepi e varur afër magjes. Jo! Më falni
se sikur bëra gabim që e krahasova atë me leckën e çerepit sepse,
lecka e çerepit, edhepse duket si e fëlliqur, me njolla, ajo sadopak,
shërben për të mos i djegur duart nga çerepi i nxehtë kurse kjo
paçavurë, e cila shkurtimisht, për “Marrëveshja e Ohrit” shkruhet M.O.
që, në realitet do të thotë: M e O, barazi me zero. Kjo, e quajtur
poashtu edhe “kornizë”, nuk vlen as për t’i kryer një shërbim
higjienik prapanicës. Kujt i shërben ajo veç: Natos (ndërkombëtarëve),
pushtetarëve sllavë të cilët, si thotë një fjalë popullore, atyre në
Maqedoninë e Aleksandrit të Madh, të cilët këndojnë dhe hidhen si
gjeli në pleh të huaj, dhe të ashtuquajturve liderë shqiptarë.
Secili nga këto tre subjekte, për interesa të tyre, shkuan e hartuan
(me siguri e hartuan ndërkombëtarët bashkë me sllavët) të cilën
pastaj, edhe shqiptarët, si viça të palëpirë (për interesa kolltuqesh
kuptohet), shkuan dhe e nënshkruajtën këtë gjoja “Marrëveshje” sa për
ta ndaluar konfliktin, që, pa asnjë kallaus, dukej se fitorja ishte në
anën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare pra të shqiptarëve. Pa asnjë
dyshim, kjo i lëvërdiste pushtetmbajtësve sllavë, të cilët, të ardhur
aty, nga Karpatet, në trojet tona etnike ku, me ndihmën e Titos, u bë
një nga republikat e Jugosllavisë kurse, Kosova që ishte afër gjysma e
Shqipërisë, mbeti vetëm Krahinë (gjoja) Autonome. Pushteti Jugosllav
pastaj, sërish për interesa veta, popullin sllav, që jetonte në
Maqedoni, e quajti “komb maqedonas” dhe këto të fundit e vazhduan
sundimin mbi shqiptarët autokton edhe pas theqafjes së Jugosllavisë të
Titos dhe komunizmit në tërësi. Të ashtuquajturët liderë shqiptarë po,
si atëherë, domethënë pas Luftës Së Dytë Botërore, luftë kjo të cilën
unë kurrë nuk e kam quajtur dhe as që e kam konsideruar ashtu si që e
kanë quajtur dhe e kanë konsideruar shumë të tjerë si: “Lufta Nacional
Çlirimtare” sepse, për popullin shqiptar ajo, në asnjë aspekt, nuk
ishte “çlirimtare” por, nga një okupator gjermano-nazist e
italiano-fashist, të gjitha trojet etnike shqiptare u robëruan dhe iu
nënshtruan një sistemi stalinisto-komunist, në të cilin u gllabëruan
të gjithë shqiptarët dhe, ku më shumë e ku më pak, e hoqën të zitë e
ullirit. Ky sistem, kjo farë e fëlliqur ruse, u desh që të mbinte edhe
në trojet etnike shqiptare.Po, nejse. Le t’i kthehemi sërish temës.
Pra, liderët shqiptarë ose udhëheqësit e luftës, të U.Ç.K.-së, për
interesa personale kuptohet, domethënë, për të zënë ndonjë kolltuk, si
që zunë pas armëpushimit kur, si qyqarë i dorëzuan armët, na u bënë
kryetarë partiash, deputetë e çnuk na u bënë. Pra, u gjunjëzuan, jo
vetëm përpara ndërkombëtarëve por ata bënë “sezhde” edhe tek këmbët e
udhëheqësve sllavë: Boris Trajkovskit, Lubço Georgievskit, Branko
Cërvenkovskit etj., etj., që ata pastaj të tregohen të mëshirshëm që
t’u sigurojnë ndonjë kolltuk në pushtet. Ç’është e vërteta,
pushtetmbajtësit sllavë e mbajtën fjalën, e çuan në vend premtimin dhe
pas të gjitha gjoja “zgjedheve” që bëjnë për pushtet, gjithmonë ata
(sllavët) i fitojnë zgjedhjet dhe, në shenjë “mirnjohjeje” pastaj,
njërën, ciladoqoftë nga partitë shqiptare, e marrin nën sqetull, që
në gjuhën moderne i thonë “koalicion” dhe kryetarit të asaj partie dhe
cave përkrah tij, për t’i hedhur pluhur syve si Bashkësisë Evropiane
ashtu edhe popullsisë shqiptare që jeton në trijet e veta stërgjyshore
në Maqedoni, i japin atyre nga një post kukull në kabinet apo në
institucionet tjera shtetërore ku ata nuk kanë asnjëfarë mandati por
vetëm veprojnë si robotë, ashtu si i komandojnë ata nga lartë, nga
kryeqyteti, nga Shkupi. Dhe populli, sërish për interesa vetiake,
krenohen me këto kukulla dhe orvaten që ta “justifikojnë armëpushimin
e nënshkruajtur më 13 Gusht, 2001 se gjoja edhe ne shqiptarët kemi
njerëz në pushtet si: ministra, kryetarë komunash etj.
Për ta vërtetuar këtë, shembull konkret po e sjellim Kryetarin e
Komunës së Strugës, z. R. Merko. Ky, pasi u “zgjodh”, për t’u treguar
se gjoja ka ndonjë mandate dhe gjoja në shenjë mirënjohjeje ndaj
bashkatdhetarëve shqiptarë që e votuan, solli urdhërin (dekretin) që
mu në skaj të urës që lidh “Shtëpinë e Mallrave- Coma Moll” me
“Sheshin e Përmandores Nënë Tereza” (shesh ky që, për turp e faqe të
zezë, është shndërruar në vend parkimi për vetura dhe mjete të tjera
komunikacioni), të vendoset busti i luftëtarit të UÇK-së, Nuri Mazari,
i njoftur me nofkën “Komandant Struga”, të cilin pabesisht e vrau dora
tradhtare e bashkëfshatarve të tij (thuhet se në vrasjen e tij ka
patur gisht pushteti por kjo tezë, edhepse gjojase u bënë nja dy
ekspertiza, ajo nuk është ndriçuar dhe, druaj, bile bile, nuk besoj
se do të ndriçohet ndonjëherë).
Platforma ku do të duhej të vendoset busti u ndërtua por, me gjasë nga
lart ka ardhur urdhër i prerë që një gjë e tillë kursesi të mos
lejohet. Dhe ja, sot e sot, platforma qëndron dhe mbrëmjeve, deri
natën vonë atë e përdorin të vetëm ose në grupe, çifte të rinjësh ose
të moshuarish, të cilët, të lodhur duke bërë xhiron, ulen për të
pushuar. Thonë se të gjithë ata, të cilët ulen që të pushojnë mbi atë
Platformë, është e pamundur që të mos e zënë bisedën e Komandant
Strugës, si ka luftuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (U.Ç.K) dhe
në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Njëherit ata magjepsen
duke shikuar dritat dhe zbukurimet e lloj-llojshme që kanë bërë
pronarët e bizneseve në dy anë të Drinit.
Orëve të herëshme të mëngjezit, atypari i bëjnë “ecejaket” e tyre edhe
qentë. Kope pas kopeje shkojnë e vijnë, ndiqen duke u cingëruar, duke
u grindur e duke kafshuar njëri-tjetrin. A thua se edhe qentë
disedojnë dhe grinden me këto që po ndodhin mes shqiptarëve? A nuk
është ky një argument i gjallë që e vërteton nocionin se këta
funksionarë shqiptarë nuk janë veçse kukulla të padronave të shtetit?
Në ato vende, ku demokracia është thuaja e realtë dhese (poqese diku,
në ndonjë shtet të botës ekziston demokraci e vërtetë, ajo mund të
gjendet vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e askund tjetër),
ç’farë do ofiqar qoftë; kryetar shtetit, i komunës etj., vepron sipas
rregullores që është rregulluar nga institucioni më i lartë
legjislativ i atij shteti. Në Amerikë për shembull ato i rregullon
Kongresi kurse, në shtete tjera Parlamenti, Kuvendi apo sido që quhet
trupi legjislativ i shtetit përkatës. Ofiqari i di kompetencat e veta
dhe nuk vepron jashtë tyre, me përjashtim të atyre që angazhohen në
korrupcion. Por, në qoftëse e hetojnë, e akuzojnë dhe poqese e gjejnë
fajtor, se ka vepruar ndryshe nga ato që i ka të lejuara me ligj, i
ofrohet, thënë më mirë, detyrohet të bëjë dorëheqje, për të mos thënë
se shkarkohet nga posti. Pastaj, poqese e ka thyer ligjin, ndaj atij
ofiqari mund të fillojë edhe procedura penale.
Edhe z. Merko, me iniciativën që mori, provoi dhe bëri sikur deshte që
ta kalojë hendekun. Ai bëri “hop” por kur e pa hendekun, menjëherë
ndaloi.
Busti i heroit tonë kombëtar Nuri Mazari, i njohur me nofkën
“Komandant Struga”, kush e di se ku, më ç’rrëzë është përplasur mbi të
cilin, shtresë pas shtrese akumulohet pluhuri?!
Këto janë frutat e “M së O-së që është baraz me O.
Kjo pra është formula e “ Marrëveshjes Zerro ”, e “ Marrëveshjes
Hiçgjë ” ose formula e “Marrëveshjes së Hiçit”
Në internet, na vizitoni në: www.nazmidemishau.coolpage.biz
Adresa e e- mail-it: nazmidemishau@gmail.com