E shtune, 27.04.2024, 06:48 PM (GMT+1)

Mendime

Sekretet e 'rënda plumb' të kontrabandës shqiptaro-serbe të armëve

E premte, 04.03.2011, 09:59 PM


Nga Gjergj Thanasi

 

EKSKLUZIVE - EMRA DHE DOKUMENTE: Qeveria e Tiranës, e zhytur në kontrabandë armësh. Partnerët kryesorë, serbët. Mes tyre, edhe ish-militarë të dekoruar nga Milosheviçi për \"trimëri në Kosovë\". Në listën e partnerëve, edhe iranianët, islamikët etj. Deri edhe transportet e armëve shqiptare kryhen me shoferë serbë. Ja shkresat e Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë që kërkon pajisjen e tyre me viza në Rinas e Han të Hotit

 

04.03.2011

Nga goja e ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë mësuam se Salehu (30 vjet në pushtet) i Jemenit na qënka aleat në luftën anti-terror (!). Një xhevahir të tillë mund ta dëgjonim vetëm nga goja e deputetit të "Vela Lukës" së vitit 1992.

 

Për këdo që ka dëgjuar dje debatet për armët në Kuvendin e Shqipërisë, po japim disa përgjigje mbi "këta partnerë dhe aleatë".

 

Këta partnerë ndahen në tre grupe: Së pari serbët, së dyti përfaqësues të asaj që quhet "boshti i së keqes", (iranianë dhe koreanoveriorë), së treti, fondamentalistë islamikë, që i kontrabandojnë armatimet shqiptare dhe ato serbo-sllave të tranzituara nëpër Shqipëri, drejt organizatave terroriste të çertifikuara ndërkombëtarisht.

 

SERBËT

Një nga aleatët serbë të ministrit aktual të Mbrojtjes, pra të qeverisë së Republikës së Shqipërisë (të trashëguar vite më parë nga paraardhësit e tij) është: Sllobodan Tesiç, (shih dokumentin) njeriu, që ndër të tjera është në listat e zeza të OKB-së për shkeljen e embargos së armëve ndaj Liberisë së kasapit Charles Taylor, në bashkëpunim me famëkeqin "zot të luftës", Viktor Bout.

 

*****

 

Dhe jo vetëm. Një tjetër serb (emri dhe dokumentat përkatës ndodhen në redaksinë e Shekullit) ka ardhur në Shqipëri të paktën deri në maj 2009. Ky "aleat dhe partner" i qeverisë së Tiranës është shquar ndër të tjera në veprimet e spastrimit etnik në zonën e Prijedorit të Bosnjës lindore dhe dyshohet se ka marrë pjesë në persekutimin e mjekut të shquar boshnjak Osman Mahmulin. Ai është një ish-paraushtarak që në bashkëpunim me trupat e brigadës së motorizuar 343 ka kryer vrasje civilësh boshnjakë përfshirë gra dhe fëmijë në vendin e quajtur Pyjet e Kurevos në prill-maj 1992.

 

*****

 

Një serb i tretë është në këtë listë. Ai është ish-bashkëpunëtor i famëkeqit Diveroli në vitet 2007-2008 dhe në verën e vitit 2010 u vu nën hetimin e doganave amerikane për trafik armësh dhe municionesh luftarake. Firma e tij Pinacle Corporation e inkorporuar në Majami Florida po ashtu po investigohet aktivisht për trafik armësh në drejtim të Grupit terrorist somalez Shabaab Militia (bëhet fjalë për pushkë sulmi të prodhimit jugosllav të Fabrikës Cervena Zastava). Këto armë serbe do të tranzitoheshin nga porti i Durrësit drejt Somalisë. Fatmirësisht ndërhyrja e doganave amerikane njëlloj si në rastin e n/kolonelit në pension Otoole bëri që të dështojë ky trafik. Theksojmë se ky shtetas serb ka vizituar Shqipërinë edhe pas tragjedisë së Gërdecit, për këtë mjafton të kontrollohen të dhënat e pikave të kontroll-kalimit kufitar.

 

*****

 

Një ndër partnerët e Ministrisë së Mbrojtjes së qeverisë së Republikës së Shqipërisë (partner i së paku dy ministrave të Mbrojtjes) është edhe ish -komandanti i batalionit të ish-policisë ushtarake të Millosheviçit, i cili në fshatin Gornij Bitesh ka vrarë së paku dy civilë të pafajshëm shqiptarë të Kosovës në prill të vitit 1999.

 

Bashkëpunimi serbo- shqiptar ka vijuar së paku deri në fundin e vitit 2010, ose direkt ose i maskuar pas firmave private të lincesuara për tregtinë e armatimeve. Edhe ky bashkëpunim serbo-shqiptar është kryer në kuadrin e koalicionit anti-terror apo ndoshta në suazën e "fqinjësisë së mirë"?

 

*****

 

Në këtë simbiozë thuajse çdo veprim importi, eksporti apo tranzitimi i armatimeve shqiptare dhe jo vetëm, është kryer duke pasur të përfshirë individë serbë. Madje edhe për banalitete të tilla si eksportim armësh trofe për në Gjermani transporti është bërë me kamionë serbë dhe me shoferë serbë, si në rastin e kamionëve me targa të Nishit NS228-333/43-77NS dhe NS 228-602/58-03NS me shoferë Beljin Jovan dhe Radasonoviç Milan. (shih dokumentin)

 

Eksporti i barutit shqiptar për Clermont BP në Belgjikë bëhej me shoferë dhe kamionë serbë, jo se nuk ka shoferë dhe kamionë belgë apo shqiptarë por, sepse serbët janë më të besuar për transportin e ngarkesave speciale. Serbët përdorin territorin shqiptar dhe aerodromet shqiptare për tranzitimin e qindra ton armatimeve.

 

Edhe kur duhet të importohen lëndë plasëse luftarake si psh. C4 nga Irani transporti bëhet me avionë e pilotë serbë si psh avionët e një tjetër personi problematik, i cili veç të tjerash, është dekoruar nga Milosheviçi në janar të vitit 2000 për "trimëri të treguar në luftë kundër shqiptarëve në betejën e Llozhës gusht 1998".

 

IRAN DHE KORE E VERIUT

Kontaktet me boshtin e së keqes Iran dhe Kore të Veriut përfshinin një gamë të larmishme artikujsh, që nga porositë për parti 100 000 kallashnikovësh e deri tek avionët pa pilot, pajisjet anti GPS apo granatahedhësit modernë RPG 29, të aftë të dëmtojnë dhe tanket më moderne si Challenger, Abrahams etj të pajisur me blind reactive shumështresësh (multi layer reactive armour), që patën një eficencë vdekjeprurëse kundër tankeve izraelite Merkava 3 në gusht të vitit 2006 në jug të Libanit.

 

Për të furnizuar me bomba aviacioni aeroplanët e mplakur Fantom të Iranit partnerët shqiptarë të ajatollahëve të Teheranit i blenë në Afrikë të Jugut dhe i transportuan nga magazinat doganore hollandeze (si zakonisht nëpërmjet serbëve) deri në Rinas.

 

Pasojat e këtij bashkëpunimi u panë dhe në verën e vitit të shkuar kur eksplozivi RDX shqiptar i eksportuar në Iran u kap në Xhoja Tauro të Kalabrisë, ndërsa po bënte xhiron e botës për të mos u interceptuar para se të arrinte në duart e Hezbullahut, që me ndëmjetësinë siriane e priste në portin sirian të Tartousit.

 

Shitja e dështuar e armëve serbe Jemenit dhe eksportimi i suksesshëm i armatimeve shqiptare drejt aleatit Saleh të Jemenit janë disa nga bëmat e epokës pas-Gërdec të trafikantëve shqiptarë të armëve. Natyrisht Ministria jonë e Mbrojtjes nuk mund t'i linte pa i shitur armë edhe aleatit anti terror kolonelit Gadaf, i cili ka dhënë kontribut të veçantë anti-terror duke hedhur në erë diskoteka plot me marinsa amerikanë apo avionë civilë plot me pasagjerë të pafajshëm.

 

ISLAMIKËT

Përsa i përket marëdhënies së trafikantëve shqiptarë të armëve dhe ekstremistëve islamikë mund të themi, që rezultojnë të përzjerë personazhe të errët dhe shumë problematikë, mes të cilëve njeriu që preu në besë myslymanët e mjerë të Serbrenicës. Nëse kampionëve në mashtrim të qeverisë shqiptare u duhen emrat, i kemi dhe ato.

 

Si konkluzion mund të themi, që nëse shqiptarët nuk do t'ua ndalojnë dorën këtyre trafikantëve dhe qeveritarëve të papërgjegjshëm, atëhere zoti i ruajtë shqiptarët! Opozita e luleve dhe qirinjve duhet ta kuptojë se ndalja e dorës së kontrabandistëve të armëve nuk është thjesht luftë politike, por akt patriotik, në të kundërtën, kur djajtë dalin nga shishja ndodhin Gërdecë!

 



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora