Mendime
Faik Krasniqi: A është Greqia një shtet ku respektohet liria e besimit?
E hene, 28.02.2011, 08:57 PM
A është Greqia një shtet ku respektohet liria e besimit?
Nga Faik Krasniqi
Liria e besimit (dhe jo vetëm ajo por dhe liria e pronës e liritë e tjera) është një tregues kyç i emancipimit të një shteti dhe të një kombi e si e tillë do të ishte më e vlefshme të shihej nga vetë burimet greke dhe ato ndërkombëtare se në çfarë niveli qëndron Greqia në këtë aspekt. Greqia është vendi ku nuk njihet fe tjetër veç fesë ortodokse, dhe në qoftese vihesh kundër kësaj feje, përbuzesh shumë rëndë, sidomos shqiptarët përbuzen tej mase dhe na njohin madje dhe për turq. Greqia i ka humbur ato vlera që ka pasur dikur në lashtësi, ndaj dhe nuk po dëgjohet më të dalë asnjë shkencëtar apo dijetar ashtu si në kohët më parë. Personalisht e shoh besimin ortodoks si pjesë përbërëse të trashëgimisë sonë kombëtare dhe me të është e lidhur një pjesë shumë e madhe e historisë sonë kombëtare. Qëllimi im nuk është që të baltoset ky besim, kurrsesi, por qëllimi i shkrimit tim është te nxirret një opinion i qëndrueshëm se a respektohet liria e besimit në Greqi?
Nga sa kam lexuar, përherë më ka munduar një fakt se pse Greqia dhe në veçanti Kisha Ortodokse greke ka prirjen ta identifikojë përkatësinë kombëtare së bashku me atë fetare?
"Sipas mentalitetit grek-ortodoks, që të jesh një qytetar grek do të thotë që duhet të jesh ortodoks. Ata të cilët nuk i përkasin Kishës Ortodokse, cilësohen si pjesëtar të një besimi të huaj, sepse vetëm Kisha Ortodokse është konsideruar me të vërtetë greke."
Pra sipas tyre që të jesh grek, duhet të jesh ortodoks dhe se kudo që ka ortodoks, atëherë ata janë grekë. Është një nonsens i një lloji të veçantë, që flet për një qëndrim dogmatik dhe që bëhet shkak për keqkuptime apo qëndrime ekstreme. Nga ky qëndrim dogmatik, pas të cilit fshihet nacional-shovinizmi, janë krijuar trauma të mëdha në hapësirën ballkanike. Trauma historike që kanë nisur që në fillimet e shekullit të 19-të dhe që për fat të keq vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Është ky nacional-shovinizëm i shfrenuar që çoi në spastrime etnike në Greqinë e krijuar pas pavarësisë, në luftëra e qëndrime ekstremiste ndaj popujve fqinje si: Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, Turqia etj.
Pse kisha ortodokse greke e kaq të vështirë të pranojë diversitetin e besimit?
Pse shteti dhe politika greke e kanë kaq të vështirë të çlirohen nga prangat e kishës?
(Autori është publicist i pavarur nga Prishtina)