E enjte, 10.10.2024, 08:32 AM (GMT+1)

Mendime

Arben Idrizi: Liderizmi-autoritarizmi dhe shteti laik

E hene, 28.02.2011, 08:31 PM


Liderizmi-autoritarizmi dhe shteti laik

 

A është qëndrimi politik i Thaçit totalitarizëm, apo është thjesht një liderizëm? Diskursi fetar i urrejtjes brenda Qeverisë...

 

Nga Arben Idrizi

 

A është qëndrimi politik i Thaçit, siç e ka cilësuar Jakup Krasniqi, totalitarizëm? Apo është, siç e ka cilësuar Bajram Rexhepi, thjesht një liderizëm?

Fillimisht, do të doja të them se vlerësimet e bëra nga këto dy personalitete, përndryshe eksponentë të fuqishëm të vetë partisë, PDK, që drejtohet nga Thaçi, janë vlerësime të një natyre krejtësisht subjektive dhe s’kanë të bëjnë me ndonjë vlerësim objektiv.

Qëndrimet politike të Thaçit nuk i përkasin, ose nuk kanë çuar ende, drejt një regjimi totalitar (i cili mobilizon një popullatë të tërë në emër të një ideologjie ose kombi). PDK nuk është bartëse e ndonjë sistemi politik, ideologjik, që do të kurorëzohej me totalitarizëm. Sigurisht, ka elemente që e përafrojnë, por në rrethanat e sotme politike, është larg një caku të tillë. Qëndrimet e PDK-së dhe Thaçit konkretisht, janë shumë më afër një autoritarizmi (ku megjithatë ekziston, i limituar, një pluralizëm socio-kulturor e ndoshta edhe politik), do të thotë një sistemi që, nëse mund të themi kështu, frymon mes totalitarizmit dhe demokracisë. Përndryshe, z.Krasniqi s’do të kishte guxim, ose do ta pësonte guximin, të deklarojë publikisht se shefi i tij është totalitar; nga ana tjetër, në një sistem totalitar, as nuk do të gjente hapësirë alternative, një medium të pavarur (nëse ka diçka të tillë në kuptimin e plotë të fjalës në vend), për ta thënë atë që mendon personalisht, ngase s’do të ekzistonte ai medium i pavarur.

Për konceptin e Liderizmit (që konsiston në interaksionin e atyre që në një strukturë shtetërore zënë vendin më të lartë, të quajtur liderë) ekzistojnë definicione të ndryshme teorike. Kategoria e parë e definicioneve u kushton vëmendje tipareve dhe aftësive karakteristike të liderit. E dyta: kontrollit, shtytjes, drejtimit dhe qëndrimeve që një subjekt arrin t’i imponojë mbi të tjerët, subjektet apo grupet. E treta: veprimit të ndikimit që përcakton një ndryshim të dobishëm për të arritur objektivat e grupit.

Përndryshe ekziston edhe një doracak prej disa kategorish të shënjuesve që i atribuohen lidershipit. Ndër to: lidershipi si fokus i dinamikës së grupit; si personalitet dhe pasojat e tij; si art i imponimit të konsensit; si ushtrim i influencës; si sjellje; si formë e bindjes; si relacion i pushtetit; si instrument për ta arritur objektivin, etj.

Në kontekstin e zgjedhjes së Presidentit, Thaçit ndoshta mund t’i atribuohen shumica e këtyre tipareve të liderit dhe politikës lideriste. Mund të thuhet se e pati në fokus dinamikën e grupit, u imponua si personalitet, ushtroi influencën e tij, i bindi shumicën të vendosnin sipas mendimit të tij, e përdori pushtetin, e arriti objektivin.

Politika e Thaçit ka këtë kombinim liderizëm-autoritarizëm, pasojat e të cilit do të mund t’i shohim në vijim. Duke qenë se politika e Thaçit nuk bazohet në një ideologji ekskluzivisht partiake, manovrimet që bën për të qenë gjithsesi në pushtet, bartin fenomene frikësuese. Një ndër to është rrezikimi i shtetit laik.

 

***

Çka i është kushtuar pak vëmendje, e çka mua më duket vërtet frikësuese, është se Presidenti i vendit është përkrahur publikisht nga eksponentë fetarë shumë kontrovers në vend. Duke qenë se me Kushtetutë jemi vend laik, një president që e pranon hapur mbështetjen (ose thjesht nuk deklarohet në lidhje me këtë) nga një figurë fundamentaliste, është për t’u trembur. Çfarë qëndrimi do të mbajë në vijim Presidenti? Çfarë shpresohet të arrihet nga një mbështetje e tillë? Ndërhyrja dhe ndikimi i fesë në shtet?

Ndërkohë kësaj problematike i shtohen edhe dy raste të tjera, të lidhura drejtpërdrejt me Qeverinë. Dy nga ministrat e rinj, ai i Shëndetësisë dhe ai i Kulturës, deri më tani, në shumë raste, kanë manifestuar hapur urrejtje fetare ndaj të tjerëve, e bile edhe nacionaliste. Skandali i fundit, i Ministrit të Kulturës, në ditën e parë të punës, është ai i heqjes së fotove nga muret e institucionit që do ta drejtojë. Deklarata e tij, pas kthimit të fotove në vendin e tyre, ishte aq fëmijërore dhe demagogjike sa të fut frikën. Përndryshe, dëgjojini këngët e tij sa ishte lider i grupit rap dhe vërejeni çfarë diskursi urrejtjeje, përçmues, jonjerëzor përdor ndaj Tjetrit.

A do të mund ta përmbajnë animin fetar, privat, në jetën institucionale laike?

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora