Mendime
Lavdrim Lita: Marrëdhënie të rrezikshme
E diele, 27.02.2011, 08:58 PM
Marrëdhënie të rrezikshme
Nga Lavdrim Lita
“Marrëdhënie të rrezikshme” quhet romani epistolar i shkrimtarit të njohur francez Choderlos de Laclos, dhe është përkufizuar nga kritika si një nga kryeveprat e letërsisë. Nga epistolari në mendje të mbetet veç një aforizëm “koha e bie gjithmonë të vërtetën. Dhe është mëkat që s’e bie në kohën e duhur”. Ky roman epistolar është pjesë e aktualitetit të jetës sonë të përditshme, për shkak të një epistolari tjetër, të Edi Ramës dhe Bamir Topit, të cilët kanë një marrëdhënie të rrezikshme kundër republikës. Mjafton veç korrespondenca e tyre e fundit, Topi i drejtohet Ramës si kryetar i partisë, kurse Edi Rama i kthen përgjigje presidenti të tij, Bamir Topi, për të konfirmuar sinkronizimin e rrahjeve të zemrës me sahatin e bashkisë Tiranë. Me një frymëmarrje të njëjtë, të thellë, nga pasimet e njëpasnjëshme që i bëjnë njëri-tjetrit në publik, që s’janë vetëm shkelje syri, por se janë sponda për të goditur shefin e qeverisë me armën e akuzës, të cilën e mbizotërojnë psikologjikisht dhe fizikisht. Në romanin epistolar protagonist Viskonti Valmont u thotë të dashurave që mashtron se ka ca gjëra që tejkalojnë kontrollin, që tejkalojnë popullin.
Mirëpo ky “tejkalim” të ngjan fiks me Ramën që një ditë para “ngjarjeve në bulevard” të 21 janarit, thoshte se mund të tejkalohej populli. Është e vërtetë, “populli” i përzgjedhur dhe i organizuar nga Edi Rama, tejkaloi protestën paqësore duke e kthyer atë të dhunshme dhe kundër institucioneve. Me tejkalimin e kompetencave u mor prokuroria, e cila tejkaloi kompetencat e veta për të shuar me një frymë hierarkinë e Gardës së Republikës dhe jo organizatorët sikur turma ishte pa kokë, si dhe tejkaloi kompetencat duke mos mbajtur sekretin hetimor të ngjarjeve në bulevard, ku u vranë 4 vetë dhe u plagosën qindra të tjerë. Tejkalimi i masës drejtësisë së pilotuar erdhi nga marrëdhënia e rrezikshme ndërmjet dy të “fejuarve” rishtas, që shkëmbejnë dashurinë e lidhjes së re për një zgjidhje të re, atë të letrave me vrimë.
Është një marrëdhënie e rrezikshme, okulte, që fsheh dëshirën e ethshme për pushtet të dy njerëzve, që s’kanë asgjë për të humbur, përveçse postet e përkohshme që sundojnë. Nga shtysa për të qenë të përhershme në sundim sajdisin njëri-tjetrin me letra të hapura, jo për të komunikuar mes tyre sepse kanë forma e rituale të tjera për të punë, por për të dhënë mesazhe përfaqësisë së huaj. E majta përdor dy uzina për të’u dhënë mesazhe ndërkombëtarëve, njëra është uzina e zhvlerësimit, me të cilën u mor kryesisht Gramoz Ruçi dhe Genc Gjonçaj, ekspert i PS-së për çështjet zgjedhore, për t’i dhënë një dru të mirë ambasadorit të OSBE-së, kurse uzina tjetër është më e sofistikuar, me letra të ndërsjellta, në ditën kur vinte Zv/sekretari i Shtetit amerikan, për të cilën kishin përgatitur terrenin me gatishmërinë për dialog konstruktiv.
Shenjat paralajmëruese të një marrëdhënieje të rrezikshme janë të dukshme për të gjithë njerëzit që kanë sy dhe veshë për të parë përtej asaj fasadës së rolit, detyrave dhe angazhimeve. Ka disa përkufizime të një marrëdhënie të rrezikshme. Disa njerëz mund të mendojnë për një person, i cili me zë dhe figurë ushtron presion të përditshëm për të marrë pushtetin dhe kontrollin duke nxjerrë jetën parlamentare jashtë kornizave kushtetutës dhe rregullores, për arsyen e thjeshtë se demokracia parlamentare i duket e tepërt.