E premte, 06.12.2024, 09:50 AM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Strategjia e Ina Ramës për ta nxjerrë të pafajshëm Ilir Metën

E enjte, 24.02.2011, 07:57 PM


Strategjia e Ina Ramës për ta nxjerrë të pafajshëm Ilir Metën

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Tashmë ka kaluar mbi një javë qëkurse Kuvendi pranoi kërkesën e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama për heqjen e imunitetit parlamentar të Ilir Metës, e megjithëse ky i fundit akuzohet për tre veprat më të rënda penale për të cilat mund të akuzohet një zyrtar i lartë në kohë paqeje, gjatë ushtrimit të detyrës, Prokuroria e Përgjithshme ende nuk e ka thirrur Ilir Metën për ta marrë në pyetje, jo më që të vendosë ta marrë të pandehur, apo të firmosë urdhër-arrestin për të.

Specifika e kësaj çështjeje është e tillë që Prokuroria e Përgjithshme nuk mund të thotë se ishte e nevojshme që të hiqej imuniteti i Metës për të kryer hetime ndaj tij, se praktikisht Prokuroria e Përgjithshme i ka kryer hetimet edhe pa ju hequr imuniteti parlamentar Metës, përderisa ka marrë videoregjistrimin e Priftit, mjetet e kryerjes së tij, si dhe ka kryer një ekspertizë me asistencë të huaj. Për këtë arsye, kur Prokuroria e Përgjithshme kërkoi heqjen e imunitetit të Metës, duhej pritur që ajo të kishte arritur në përfundimin se ai duhej marrë i pandehur dhe arrestuar. Nëse Prokuroria ka koherencë logjiko-juridike në veprimet e saj, atëherë nuk mund të mohojë se çfardo hetim tjetër që të kryejë Prokuroria e Përgjithshme, në lidhje me elementët e çështjes, si për marrëdhëniet e Metës me kompaninë që kërkonte koncesionin energjitik, mund të qenë kryer fare mirë edhe pa hequr imunitetin e Metës.

Veprimet e tjera hetimore që mund të kryhen në këtë rast janë të tilla që duhet të ishin bërë para se të kryhej ekspertiza e videoregjistrimit. Se çka mbetet tjetër për t’ u bërë përveçse që të shikohet nëse ekzistojnë elementët e fabulës së bisedës së regjistruar, pra nëse ekziston kompania, personat, koncesioni për të cilin bëhet fjalë. Por këto verifikime Prokuroria e Përgjithshme duhet që t’ i kishte bërë që para se të bënte ekspertizën e videoregjistrimit. Pra, supozohet që Prokuroria e Përgjithshme të kishte verifikuar elementët e fabulës së bisedës dhe tashmë që kërkoi dhe arriti heqjen e imunitetit të Metës, nuk i mbetej veçse që ta arrestonte atë.

Veprat penale për të cilat Prokuroria e Përgjithshme e ka filluar procedimin penal janë të tilla që e bëjnë imediat arrestimin e Metës se nëse ai është jashtë atëherë mund të influencojë në vazhdimësinë e hetimeve. Ilir Meta që është i lirë mund të kontaktojë me personat që përmenden në videoregjistrim, dhe natyrisht se kontakton, si dhe me të tjerë që nuk përmenden, por që mund të dalin gjatë hetimeve. Me këta njerëz Ilir Meta i lirë mund të bëjë pakte, të japë premtime, të blejë, kërcënojë bashkëfajtorët dhe dëshmitarët. Prandaj me Ilir Metën të lirë, ky procedim penal ka hyrë në rrugën e kompromentimit.

Përderisa Ilir Meta nuk u arrestua fill pasi u përmbush kërkesa për heqjen e imunitetit të tij, madje nuk është arrestuar ende, kjo të jep të kuptosh se heqja e imunitetit të tij u kërkua nga Prokuroria thjesht si një manovër për të dhënë përshtypjen në publik se Prokuroria është duke vepruar në këtë çështje. Për më tepër, mënyra se si u krye ekspertiza e videoregjistrimit, të jep të kuptosh se ka një strategji të Ina Ramës për ta nxjerrë Ilir Metën të pafajshëm, e cila strategji është përpunuar në bashkëpunim me këtë të fundit dhe me juristët e tij. Çdo jurist, qoftë edhe mediokër si ata që janë në lidershipin e LSI dhe LRI, e ka të qartë se kur Prokuroria kërkon që dikush të dalë i pafajshëm, atëherë i degjeneron provat, siç shprehet në zhargon ndonjë prokuror rrotull Ina Ramës, dhe pastaj e çon çështjen penale në Gjykatë, ku kjo e fundit nuk ka ç’ të bëjë tjetër veçse ta nxjerrë të pafajshëm të pandehurin. Kështu, Prokuroria është në rregull edhe me opinionin publik, edhe me të pandehurin, kuptohet duke pasur mirënjohjen e shprehur financiarisht të këtij të fundit.

Një praktikë e tillë duket se po ndiqet nga Prokuroria edhe në rastin e hetimit të videoregjistrimit për Ilir Metën. Prokuroria shpalli me bujë se ftoi një ekspert amerikan për të bërë ekspertizën, por nuk bëri të ditur nëse me të ishte bërë një kontratë në terma të qarta juridike ku të përcaktoheshin saktë detyrimet e tij. Në përfundim të punës eksperti amerikan tha se me pajisjet që dispononte ai, nuk mund ta qartësonte audioregjistrimin. Kjo ngjan absurde. Nëse eksperti nuk i ka pasur pajisjet e duhura, atëherë puna nuk quhet e përfunduar, atëherë le të marrë ai pajisjet e tjera të nevojshme dhe të kryejë pjesën e mbetur të punës. Ne kërkuam një ekspert amerikan se SHBA-të janë vendi që kanë pajisjet më moderne në këtë fushë. Përderisa eksperti u kërkua dhe erdhi me ndërmjetësinë e ambasadës amerikane, do të thotë të shtetit amerikan, atëherë autoritetet amerikane duhet të jenë garantë që ekspertiza të kryhet me pajisjet më moderne.

Nëse ekspertiza do të mbetet në pikën që regjistrimi audio nuk mund të qartësohet më tej, për shkak se eksperti nuk i disponon pajisjet e duhura, atëherë kjo nuk është gjë tjetër veçse një ekspedient i strategjisë për ta nxjerrë të pafajshëm Ilir Metën në gjykatë, nëse Prokuroria do ta çojë atje si të pandehur praktikisht fiktiv. Nëse Prokuroria e Përgjithshme nuk e ribën ekspertizën në mënyrë serioze, atëherë heqja e imunitetit të Metës, dhe marrja e tij si i pandehur, nuk do të jenë gjë tjetër veçse një bluff, ose një seri bluff-esh. Megjithatë, edhe me aq përfundime sa ka dhënë ekspertiza që disponon Prokuroria, Ilir Meta duhet që të arrestohet pa vonesë.

Në rastin e çështjes “Meta”, e cila nuk ekziston ende juridikisht, pasiqë ai nuk është marrë i pandehur zyrtarisht, Prokuroria e Përgjithshme nuk mund të justifikohet me asgjë për mungesën e veprimeve konsistente, dhe para së gjithash nuk mund të justifikohet për mosarrestimin e Ilir Metës. E njëjta Prokurori, në raste të ngjashme, kur është fjala për zyrtarë të nivelit të ulët, ka proceduar pa hezitim për arrestimin e tyre. Ajo çka e bën diferencën vërtet mes tyre dhe Ilir Metës, nuk është aq diferenca në hierarkinë shtetërore, se sa diferenca në paratë që ata janë në gjendje të ofrojnë si mitë, për të blerë pafajësinë e tyre.

Një tjetër veprim i pakuptueshëm i Prokurorisë është se megjithëse Dritan Prifti ka thënë se ka edhe një videoregjistrim tjetër, përveç atij që u shfaq në “Fiks fare” dhe në “Top Story”, Prokuroria nuk ia ka kërkuar atë. Këtu fjala nuk është për videregjistrimin ku Prifti kishte përgjuar aksidentalisht vetveten, por për një videoregjistrim, ku Dritan Prifti bisedon me një zonjë politikane nga familja “mbretërore” e ish-formacionit të tij politik. Përderisa Dritan Prifti i kërkoi Prokurorisë dhe siguroi prej saj statusin e të mbrojturit në mënyrë të posaçme, duke ofruar bashkëpunim të plotë, atëherë ishte dashur që atij t’ i kërkohej edhe dorëzimi i videoregjistrimit të dytë. Me videoregjistrimin e dytë, Ilir Meta hyn në burg familjarisht. Prandaj, Ilir Meta ka thënë se po doli videoregjistrimi i dytë, atëherë do të marrë kallashnikovin me dorën e tij dhe do ta kërkojë Priftin ku të jetë.

A mos duhet të presim që edhe videoregjistrimin e dytë ta shohim në “Fiks fare” dhe pastaj të bëhet sharada tashmë bajate, që Prokuroria konfiskon atë që është shfaqur në “Fiks fare” dhe Prifti shkon në Prokurori? Por a nuk është bërë edhe videoregjistrimi i dytë me të njëjtët mjete si i pari, pra me të njëjtën orë dhe të njëjtin laptop? Sigurisht që po. Atëherë përse në ekspertizën e ekspertit amerikan nuk thuhet gjë për videoregjistrimin e dytë ku Prifti bisedon me zonjën politikane? Natyrisht se eksperti e ka evidentuar edhe këtë videoregjistrim, por dikush i ka sugjeruar që ta përjashtojë nga akt-ekspertimi. Të gjitha këto duhet t’ i shpjegojë Ina Rama.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora