Mendime
Kastriot Myftaraj: Jugosllaviarabia dhe loja e Perëndimit...
E hene, 28.02.2011, 08:58 PM
Jugosllaviarabia dhe loja e Perëndimit: “Fiqtë e Kartagjenës” në këmbim të Gurit të Zi
Nga Kastriot MYFTARAJ
Në pamje të parë duket se Perëndimi, në raport me atë që po ndodh në vendet arabe të Afrikës Veriore, do të thotë për të ashtuquajturit revolucione demokratike atje, po përsërit në trajtë karikature gabimin tragjik të qëndrimit ndaj ngjarjeve në Jugosllavi, në prag të shpërbërjes së saj. Në vitin 1988 dhe në fillim të vitit 1989 në Jugosllavi ndodhën të ashtuquajturat revolucione antiburokratike, me ç’ rast nacionalistët serbë dhe kolaboracionistët e tyre, përmbysën elitën sunduese në Malin e Zi, si dhe suprimuan autonominë e Vojvodinës dhe Kosovës. Në Perëndim këto lëvizje, me përjashtim të asaj të Kosovës, u perceptuan si pjesë e procesit të përmbysjes së komunizmit që kishte filluar të jepte shenja në vendet satelite të Bashkimit Sovjetik. Madje këto të ashtuquajtura revolucione burokratike, bënë që për një kohë Perëndimi të thoshte se Jugosllavia po i paraprinte edhe procesit të shpërbërjes së regjimeve komuniste.
Por të ashtuquajturat revolucione burokratike në Jugosllavi qenë diçka krejt tjetër, ato qenë pikënisja e luftrave etnike në Jugosllavi. Revolucionet antiburokratike, të cilat në fakt filluan në Serbi, me ardhjen e Millosheviçit në pushtet, sollën në fuqi elitën e nacionalizmit agresiv serb, e cila inicoi luftrat dhe genocidin në hapësirën jugosllave. Revolucionet antiburokratike përmbysën elita komuniste të kalcifikuara, por të cilat, në një masë apo në një tjetër, përpiqeshin që të moderonin nacionalizmat, dhe në rradhë të parë atë serb, si dhe ruanin deri në njëfarë mase bashkëjetesën paqësore ndëretnike. Natyrisht se Perëndimi e dinte të vërtetën e asaj që po ndodhte në Jugosllavi, por duke qenë se interesi i tij kryesor ishte rënia e komunizmit, i kqyrte si të favorshme këto zhvillime, me gjithë rrezikun që ato paraqesnin për Perëndimin, duke filluar që prej dyndjes së refugjatëve, me fillimin e luftës në Jugosllavi.
Edhe në rastin e zhvillimeve të tashme në Afrikën Veriore, Perëndimi e di mirë se çfarë kursi do të marrin ngjarjet. Të ashtuquajturat revolucione demokratike të cilët janë duke ndodhur në vendet arabe të Afrikës Veriore përmbysën regjime autokratike relativisht laike, të cilat kishin siguruar frenimin e forcave kaotike që lëvrijnë në këto shoqëri të konstituuara artificialisht, duke garantuar kështu stabilitetin në këtë hapësirë. Të ashtuquajturat revolucione demokratike që po ndodhin tash në Afrikën Veriore janë ekuivalenti i revolucioneve antiburokratike në Jugosllavinë e fundviteve tetëdhjetë. Ato kanë një profil të qartë islamik, derisa në Tunizi, Egjipt, Libi, Algjeri, dita e protestave të mëdha ka qenë dita e premte, kur njerëzit dalin në sheshe pasiqë janë tubuar në xhamia, për faljen e madhe të xhumasë.
Ky është një tregues i pagabueshëm se ajo çka do të pasojë në vakuumin e pushtetit të krijuar nga largimi i autokratëve, nuk do të jetë demokracia, këtë pak a shumë e kanë të qartë të gjithë. Por skenari më i keq nuk janë as regjimet fundamentaliste islamike, luftrat tribalo-religjioze, ku shtetformimi do të ekzistojë në trajtën e Islamit shtetëror, ashtu sikur paraqitet i thyer në prizmin tribal të Afrikës Veriore, ku si në krejt botën Islame, pas sekteve dhe rrymave islamike, si dhe pas dekorit të identitetit arab, shpesh fshihen dasitë dhe interesat tribale. Krejt Afrika Veriore arabe mund të kalojë në një epokë të feudalizmit, ku nga shpërbërja e shteteve ekzistuese, që prej Marokut deri në Egjipt, do të krijohen me dhjetëra principata, ndryshe emirate. Ky proces do të jetë i përgjakshëm, me luftra tribale, për të cilat regjioni ka një traditë të gjatë.
Shkurt, krejt Afrika Veriore do të shndërrohet në një Jugosllaviarabia. Për Europën këto zhvillime do të jenë edhe më të këqija se shpërbërja e Jugosllavisë, se Afrika Veriore jo vetëm që është në një afërsi të rrezikshme me Europën, por ka një popullsi shtatë-tetë herë më të madhe se ish-Jugosllavia. Në përpjestim me popullsinë do të jetë dhe numri i refugjatëve që do të dyndet në Europë. Europa është e vetëdijshme për rrezikun. Por ashtu si në rastin e rënies së komunizmit, rreziku merret parasysh, se diçka më e madhe është në lojë. Kjo diçka më e madhe, ekuivalenti i rënies së komunizmit, është shpërbërja e Islamit, si religjion, fundi i tij. Islami ka një veçori, në krahasim me Krishterimin dhe religjionet e tjera të mëdha. Islami është një religjion, e cila e ka të lidhur ngushtë ekzistencën e vet me shtetin, do të thotë ekzistenca e Islamit kërkon qënien e tij në statusin e religjionit zyrtar, shtetëror.
Krishterimi, qëkurse filloi profetësia e Krishtit, një deri në tre vite para kryqëzimit të tij, kaloi një periudhë të gjatë kohe në të cilën ky religjion shihej prej shtetit si armik dhe ushtruesit e këtij religjioni persekutoheshin prej shtetit, domethënë Imperisë Romane. Vetëm kur kaluan 314 deri 316 vite pasiqë Krishti filloi të predikojë religjionin e ri, në 313 pas Kr., doli Edikti i Milanos, i Imperorit Konstantin i Madh, me të cilin iu dha fund përndjekjes së të krishterëve. Por Krishterimi u bë religjioni zyrtar shtetëror i Perandorisë Romane vetëm në vitin 380 me Ediktin e Perandorit Teodos I, pra 381 deri 383 vite pasiqë Krishti filloi profetësinë e tij dhe predikimin e religjionit të ri.
Në rastin e Islamit gjërat shkuan krejt ndryshe. Vetëm 12 vite pasiqë Muhameti shpalli profetësinë e tij dhe filloi që të predikonte religjionin e tij, ai dhe pasuesit e tij u larguan nga Meka në Medinë, ku e imponuan Islamin si religjion zyrtar, shtetëror, të një qytet-shteti. Prej andej u nisën pas tetë vitesh për të pushtuar Mekën duke e imponuar Islamin edhe atje si religjion shtetëror, me forcën e armëve. Islami ka qenë në vazhdimësi religjion zyrtar në shtetet ku ka ekzistuar. Madje Islami është religjion zyrtar edhe në vendet laike islamike, deri edhe në Turqi, se atje flamuri është me një simbol islamik, gjysmëhënën, e cila gjendet edhe në kulmin e xhamive turke. Në Tunizi në kohën kur në pushtet ishte Ben Ali, tashmë i rrëzuar, Islami ishte me ligj religjion zyrtar. Në Egjiptin e Mubarak, Islami ishte religjion zyrtar dhe mbetet i tillë. Libia e Qaddafi është vendi më pak laik arab, nga ato që kanë regjime republikane. Ato të cilat janë konsideruar regjime laike në Afrikën Veriore, në fakt kanë qenë regjime të moderuara islamike, se nuk mund të quhet laik një vend ku ka një religjion zyrtar, për të cilin ligjet kushtetuese përcaktojnë se përbën bazën e legjislacionit në vend. Të ashtuquajturat regjime laike në Afrikën Veriore në fakt kanë evituar vetëm ekstravagancat e fundamentalistëve islamikë, dhe kaq duket se ka qenë e mjaftueshme për Perëndimin.
Ata që do të kundërshtojnë tezën se ekzistenca e Islamit është e pandarë nga ajo e shtetit që e ka atë religjion zyrtar, duke treguar muslimanët në Europën Perëndimore dhe Amerikë duhet ta dinë se bashkësitë muslimane në Europë dhe Amerikë janë njëjtë si partitë komuniste në këto vende. Ato ekzistonin dhe kishin mbështetje popullore sa kohë që ekzistonte Bashkimi Sovjetik dhe blloku i shteteve komuniste. Por, pavarësisht ekzistencës së komunistëve në vendet Perëndimore, komunizmi, duke qenë një ideologji diktatoriale, totalitare, nuk mund të ekzistonte gjatë pa shtetin. Dhe vërtet, komunizmi nuk do të kishte mbijetuar në Perëndim, që prej përpunimit të doktrinës komuniste prej Marksit dhe Engelsit në gjysmën e dytë të shekullit XIX, do të kishte kaluar një kohë tepër e gjatë derisa komunizmi të vinte në pushtet në një vend të madh, çka ndodhi me Rusinë, në fillim të shekullit XX.
Nëse konfiguracioni i tashëm shtetëror i botës islame shpërbëhet, duke u njësuar shtetformimi në botën islame me ndarjet tribale, atëherë Islami si religjion vetiu që do të marrë fund. Ky proces tashmë ka filluar dhe do të zgjerohet edhe në vende të tjera. Siria, e cila duket si e paprekur nga kjo valë protestash është më e brishta nga të gjitha vendet arabe, se atje një diktaturë e një minorance religjioze islamike, asaj alevite, sundon shumicën e popullsisë, ku ndarjet sektare islame, reflektojnë ato tribale. Njëjtë është bota islame, prej Atlantikut në Paqësor.
Kur krahasohet ajo që po ndodh sot në botën arabe me rënien e komunizmit, nuk duhet harruar, se ekuivalenti i Bashkimit Sovjetik në botën islamike është Arabia Saudite, e cila ka vendet e shenjta të Islamit, ashtu si Bashkimi Sovjetik kishte Leningradin, vendin e Revolucionit të Tetorit, dhe Moskën me Kremlinin, Mekën e komunizmit. Madje në botën islamike ka dy ekuivalentë të Bashkimit Sovjetik, se i tillë është edhe Irani, për Islamin Shiah. Në Arabinë Saudite, pas dekorit të monarkisë teokratike ekziston një realitet tribal, ku ka një traditë historike konfliktesh të përgjakshme. Njëjtë ndodh edhe në Iran i cili është një “Jugosllavi” në llojin e vet, me azerë, kurdë, turkmenë, baluçë etj, të cilët të gjithë kërkojnë të bashkohen me bashkënacionalët e tyre në shtete etnike. Pjesa joarabe e botës islame ka veçorinë se atje ndarjet etnike ngrihen mbi nivelin fisnor, për shkak të ekzistencës së bashkësive gjuhësore, të cilat mund të quhen afërsisht nacione, siç është rasti me kurdët, azerët, baluçët, pashtunët etj.
Ashtu si rënia e komunizmit në vendet satelite të Europës Lindore pati impakt në Bashkimin Sovjetik, duke influencuar në shpërbërjen e tij, edhe rënia e regjimit dhe shpërbërja e shteteve në Afrikën Veriore, Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore, do të çojë në përhapjen e kësaj dinamike në Arabinë Saudite dhe Iran, duke çuar në shpërbërjen e këtyre vendeve. Në 1500 vjetorin e lindjes së Muhametit, në 2070, Islami nuk do të ekzistojë më. Ne shqiptarët, në dy anët e kufirit, duhet të kemi kujdes që Islami të mos na marrë me vete në varrin e historisë.
Kur unë botova shkrimin tim “Ylli i Kuq i Moskës dhe Guri i Zi i Mekës” në fund të majit 2010 (për të cilin kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë bëri kallzim penal ndaj meje), i cili shkrim u pasua nga një seri e gjatë shkrimesh të tilla, shumë njerëz më pyetën se përse fillova befasisht këtë mësymje në stil të gjerë. E pra, kur në fund të vitit 2010, filluan revolucionet në botën islame, besoj se të gjithë ata që më pyesnin e patën të qartë arsyet. Tashmë nuk e fsheh, unë isha në dijeni për tërmetin historik që do të fillonte në botën islame pak kohë më pas. Ajo që do të ndodhë në fund të këtij procesi do të jetë se Guri i Zi i Mekës, do të ndjekë Yllin e Kuq të Mekës në varrezën e historisë.
Europa e ka të qartë se në këtë lojë mund të pësojë dëme të mëdha, deri edhe atje sa të mashtrohet nga SHBA-të, të cilat në tryezat sekrete janë dakorduar me europianoperëndimorët që të punojnë së bashku për zhdukjen e Islamit. Por mund të ndodhë që SHBA-të të veprojnë në atë mënyrë që ky proces të ketë kosto të madhe për Europën. Tekefundit Europa dhe jo Amerika është në afërsi të rrezikshme me botën islame, posaçërisht me Afrikën Veriore. Por Europa e di, se “Carthaginem esse delendam”, siç thoshte shtetari i Romës së Vjetër, Cato Censori, i cili një herë për të treguar sa imminent ishte për Romën rreziku kartagjenas, solli në Senat disa fiq të ardhur prej Kartagjenës, e cila gjendej në bregun e Afrikës Veriore, në ato që sot janë Tunizia dhe Libia. Fakti që fiqtë ishin ende të freskët duhet t’ i bënte të kuptonin romanët për iminencën e rrezikut kartagjenas. Njëjtë është edhe me rrezikun islamik për Europën e sotme. Europa e di se historia e fiqve të Kartagjenës vlen edhe sot, në raportin e saj me Afrikën Veriore arabe dhe botën islame në përgjithësi. Europa e di se të ashtuquajturat revolucione demokratike në botën arabe, do të bëjnë që të mbijnë “fiqtë e Kartagjenës”, ashtu që mund të vijnë në brigjet europiane,valë gjigande refugjatësh, por Europa pranon që t’ i hajë “fiqtë e Kartagjenës”, nëse ky është çmimi për të marrë si trofe Gurin e Zi të Mekës.
Ne shqiptarët duhet ta kuptojmë se “fiqtë e Kartagjenës” për ne janë “hurmat arabike” të helmuara, në trajtën e religjionit islam, i cili është toleruar që t’ u japë një profil arab trojeve shqiptare në dy anët e kufirit me xhamitë dhe minaret e shumta, ku megafonët shpërndajnë ezanin në arabisht. Dilema e shqiptarëve në dy anët e kufirit është nëse ne do të zhdukemi si nacion bashkë me Islamin, apo do të deislamizohemi për të mbijetuar. Për shkak të profilit arab që na kanë veshur me djallëzi, duke keqpërdorur tolerancën religjioze, ne shqiptarët, në dy anët e kufirit, do të jemi pjesë e Jugosllaviarabia. Shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi, mbijetuan shpërbërjen e Jugosllavisë, por nuk do të mbijetojnë shpërbërjen e Jugosllaviarabisë. Historia nuk tregohet dy herë bujare, aq më tepër që derisa gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë shqiptarët kishin Perëndimin dhe NATO-n në anën e tyre, në shpërbërjen e Jugosllaviarabisë do t’ i kenë kundër Perëndimin dhe NATO-n.
Derisa në shpërbërjen e Jugosllavisë shqiptarët qenë të bashkuar përballë sllavëve, në shpërbërjen e Jugosllaviarabisë, ne i kemi armiqtë midis shqiptarëve, tek ata që mund të quhen albarabë. Kështu, unë e ndjeja veten në anën e shqiptares nga Kosova, Alkena, kur ajo në Big Brother 4 ballafaqohej me armenin me shtetësi shqiptare Toros, i cili artikulonte me arrogancë antishqiptarizmin e tij. Për këtë unë bëra dy shkrime të cilat shumë veta i pëlqyen “Alkena e Big Brother, ose kur Vajza e Valëve vjen në Tiranë nga Peja” dhe “Ballafaqimi i dy nacionalizmave në Big Brother 4: nacionalizmi shqiptar i Alkenës dhe nacionalizmi armen, proserb i Toros”.Për këto shkrime mora e-maile falenderuese në adresën që vendos në fund të çdo shkrimi që botoj. Nuk u habita që nuk mora një falenderim nga vetë Alkena. Qëkurse pashë profilin e saj në facebook e kuptova se nuk do të merrja falenderim prej saj. Në profilin e saj kishte shumë faqe islamike, ndër të tjera ajo ku shprehet krenaria e të qenit musliman. Këtu nuk mund të mos mendoja me pezm se nga kjo vashë shqiptare prej Kosove, me të cilën jemi bashkë përballë antishqiptarit Toros, na ndan Guri i Zi i Mekës, një meteorit i rëndomtë, i rënë nga kushedi se pjesë e errët e universit, si mallkim.
Kur Alkena hoqi yllin e shkijeve nga torta në Big Brother, mua m’ u kujtua se si pasiqë unë botova në majin e vitit 2010 shkrimit tim “Ylli i Kuq i Moskës dhe Guri i Zi i Mekës”, ku ndër të tjera thosha se Kur në tetor 2009 Presidenti turk Abdullah Gul vizitoi Serbinë ai bëri deklaratën e bujshme “Serbia është vendi kyç në Ballkan”.,(Kuptimi i këtyre fjalëve është se Serbia është vendi-kyç për politikën turke në Ballkan.), me ç’ rast unë jepja dhe linkun nga website zyrtar i Presidentit të Turqisë, ndodhi një gjë e çuditshme. Nuk përgjigjej më linku (http://209.85.229.132/search?q=cache:W0/kIG5x6SsJ:www.tccb.gov.tr/common/ iframes/ Haberler/HaberArsiv/HaberDetay. aspx%3Fid%3D921) Shumë nga muslimanët praktikues që komunikuan me mua pas këtij shkrimi, ma bënë me dije këtë duke më quajtur mashtrues. Por deklarimi është atje, veçse është fshehur pak. Tashmë për të gjetur deklaratën në website zyrtar të Presidentit të Turqisë, duhet të hyni atje, të shkruani “Serbia”, si key word, dhe të hapni dokumentin “Turkish-Serbian reconciliation extremely important for stability and peace in the Balkans”, ku do të gjeni deklaratën e mësipërme. Kjo është epitoma e marrëdhënieve shqiptaro turke. Tekefundit edhe Turqia është një pjesë e Jugosllaviarabisë, e cila duke ndjerë rrezikun nga Perëndimi, i cili synon që ta shpërbëjë, kërkon që të mbijetojë duke bërë aleancë deri edhe me sllavët. Në këtë marrëzi kërkon që të na marrë me vete edhe ne shqiptarët.
Fill pas shkrimit tim “Ylli i Kuq i Moskës dhe Guri i Zi i Mekës” koincidoi që pata një komunikim të gjatë, për shumë tema, me një person me origjinë nga Kosova, që më tha se ndjehej mirë me religjionin islam. Problemi ishte se religjioni islam nuk ndjehej mirë me krejt mendimet që kishte për jetën ky person, çka ishte evidente. Njëjtë është edhe me nacionin shqiptar në dy anët e kufirit. Islami është krejt jokompatibël me gjithçka të nacionit shqiptar, konstitucionin shpirtëror, pozitën gjeografike (nacioni shqiptar është i rrethuar nga vende të krishterë ortodokse që e ndajnë nga bota islame), ardhmërinë në Europë dhe NATO.