E enjte, 01.05.2025, 01:55 PM (GMT+1)

Mendime

Emin Azemi: Monopolet që flasin maqedonisht

E marte, 01.03.2011, 08:57 PM


Monopolet që flasin maqedonisht

 

Më të penguarit janë biznesmenët shqiptarë, sepse vetëm ata i nxjerr nga loja, jo tregu dhe konkurrenca lojale, por dora përjashtuese e shtetit. Kjo dorë din të bëjë selektim preciz duke i goditur bizneset më të suksesshme të shqiptarëve dhe duke i zhvendosur ato në oborret e oligarkëve të posaformuar maqedonas

 

Nga Emin AZEMI

 

Biznesmenët shqiptarë ngadalë, por sigurt po e humbin tregun dhe klientelën. Po dëgjojmë se ata po shantazhohen nga njerëz të lidhur me segmente të caktuara të shtetit për të hequr dorë nga bizneset e tyre. Nuk është vetëm një rast i vetëm, por një dukuri që po merr përmasa shqetësuese. Nëse në pushtetet e kaluara ishte në modë reketi, tash është diçka tjetër. Vjen kërcënimi “nga lartë” dhe jepet afati deri kur filan biznesmeni shqiptar mund të jetë përfaqësues i ndonjë kompanie prestigjioze botërore. Ai, saora, zëvendësohet me një biznesmen maqedonas, i veshur me imunitetin e pathyeshëm të politikës, madje edhe afër kupolës së pushtetit aktual. Kjo po ndodhë në kohën kur deklarativisht mbrohet me ligj konkurrenca e lirë dhe luftohet monopoli. Por, kur janë në pyetje biznesmenët shqiptarë, këto ligje nuk vlejnë. Për ta vlejnë vetëm ligjet e xhunglës, që i shpikin kapadaijtë e politikës maqedonase. Që ta luftosh këtë kapadaillëk maqedonas nuk është as e lehtë, as e preferueshme, sepse siç thonë njohësit e rrethanave nëntokësore mafioze në Maqedoni, mund të ngelësh edhe pa pjesën tjetër të jetës që iu ka ngelë.

 

Gjithkund në botë shteti është njëfarë servisi, që ua lehtëson procedurat administrative e burokratike biznesmenëve. Për këtë punë organizohen edhe konferenca e simpoziume të përbashkëta të qeveritarëve e përfaqësuesve të odave ekonomike, në të cilat inventarizohen të gjitha pengesat e mundshme, që ndikojnë në klimën e biznesit.

 

Kështu është në botën e qytetëruar ku ministri, apo cilido zyrtar shtetëror është i obliguar të detektojë ndërhyrjet e strukturave qeveritare në mbarëvajtjen e bizneseve. Por, kjo nuk ndodhë edhe në Maqedoni. Zyrtarët shtetëror këtu rregullojnë “komunikacionin” se kah duhet të lëvizin bizneset, kush duhet të jetë përfaqësues i X kompanisë botërore, cili biznesmen duhet të importojë X produktin nga jashtë. Me fjalë të tjera, shteti këtu te ne, nuk e ndihmon biznesin të zhvillohet normalisht, por krijon kushte plotësuese për ta penguar atë. Më të penguarit janë biznesmenët shqiptarë, sepse vetëm ata i nxjerr nga loja, jo tregu dhe konkurrenca lojale, por dora përjashtuese e shtetit. Kjo dorë din të bëjë selektim preciz duke i goditur bizneset më të suksesshme të shqiptarëve dhe duke i zhvendosur ato në oborret e oligarkëve të posaformuar maqedonas. Këta janë oligark me licencë shtetërore, të cilëve nuk u nevojiten rregulla të reja të konsumit dhe tregut, sepse këto rregulla ua kanë përgatitë me shumë mund biznesmenët shqiptarë. Ata tani vinë në një terren të shkelur, në një treg të përpunuar, por me një përjashtim se tash e tutje nuk janë të obliguar të paguajnë tatime, dogana, akciza e bakshishe të ndryshme, si biznesmenët shqiptarë. Fundja, ky është fitimi. Ata që fitojnë nuk janë të obliguar të bazohen në matematikat e tregut, por në dallaverat përfituese të të qenit afër pushtetit. Ky privilegj u takon vetëm oligarkëve që e vjelin shtetitn në kurriz të taksapaguesve të ndershëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx