E hene, 29.04.2024, 11:50 AM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: Vaktet e rebelizmave

E merkure, 02.03.2011, 08:59 PM


VAKTET E REBELIZMAVE

 

Nga Fadil LUSHI

 

Sot e gjithë ditën rebelimet janë bërë, si duket, domosdoshmëri e përditshmërisë, si politike, njashtu edhe ekonomike. Janë do rebelime që filluan në Tunizi, kurse vazhduan në Egjipt, Libi dhe s’dihet se në ç’vend të botës do të përfundojnë. Duke dashur të mos “akuzohem” për tarafllëk, nuk do t’i përmendi rebelimet e 21 janarit të motit shqiptar (jo) të  mbarë të 2011, pastaj edhe ca rebelime të kahershme dhe aktuale në Kuvendin e Maqedonisë, rebelimet e shqiptarëve të Çairit lidhur me kishën e sajuar në Kalanë e Shkupit, mandej rebelimi i drejtë dhe human i anëtarëve shqiptarë të Komisionit shtetëror të regjistrimit të popullatës, po edhe rebelime të tjera.

            Thonë se ndonjëherë disa njerëz rebelohen nga qejfi, disa të tjerë këtë  e bëjnë nga shtrëngimi, kurse ca të tjerë nga nihilizmi e bajraktarizmi , ose madje disa të tjerë toptan për shkak të mungesës së mendjes së shëndoshë. Dhe kur jemi te “mendja” (jo) e shëndoshë, mua do më duhet t’i referohem një mendimi të burrështetasit të Amerikës, Woodrow Wilson, një mik i hershëm i shqiptarëve dhe  i Shqipërisë së viteve të njëzeta. Ky president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me një rast, pos tjerash, kishte thënë: “Mua më duhet mendja e dikujt që mendon ndryshe nga unë. Për ata që mendojnë si unë kam mendjen time”! Për këtë dhe për shkaqe të tjera Willsoni, jo rastësisht “...kishte zgjedhur këshilltarë dy kritikuesit më të ashpër të mendimit të tij”. Këtë e kishte bërë me qëllim që qeverisja e tij, të mos jetë viktimë e “dijes së tij të kufizuar”. Dhe, sot me një rebelim dhe viktimizim të tillë ballafaqohen disa institucione kosovare, në veçanti institucioni i Qeverisë, ai i Kuvendit dhe institucioni i Presidencës a Presidentit të shtetit. Ky viktimizim fillet i ka në Kushtetutën e sajuar dhe të kontrabanduar të Kosovës, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në politikën e gabuar si dhe gjatë formimit të qeverisë dhe votimit për president të shtetit të Kosovës.

            Në seancën e parë të kuvendit të Kosovës, shumë deputetë shqiptarë, duke e rebeluar mendjen, sikur deshën të përcjellin porositë e votuesve, mesazhe kombëtare, disa të tjerë mesazhe politike, ca të tjerë përcollën mesazhe të kurdisura, të porositura dhe të imponuara. Ndërkaq mesazhi më karakteristik që u hetua në seancën e “Kuvendit Ekzemplar të Prishtinës” ishte ajo fjalia shoviniste e zonjës deputete jo naive, Rada Trajkoviq, e cila nocionin Republika e Kosovës e “përmbysi” duke e riformuluar në KOSOVO i METOHIJA! Thonë se është një serbe me personalitet intrigues, një deputete nga Lista e Përbashkët Serbe gjegjësisht nga Srpska Demokratska Stranka KOSOVO i METOHIJE, një parti që u certifikua po me atë emër, nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës para 12 dhjetorit të vitit 2010!?? Pavarësisht se fjala e saj nuk ishte e gdhendur, asaj ajo fjalë i “shërbeu” për të  rebeluar dufin e sojit të saj të akumuluar shekuj me radhë. Ndoshta fjala e saj ishte një detaj i vockël dhe i “pahetueshëm për disa deputetë shqiptarë mendërisht të korruptuar”, por gjithsesi ishte një provokim për opinionin publik politik kosovar dhe përtej saj, një fjali që, ashtu siç u shqiptua, të krijon ndjesinë se ishte poshtëruese, antikushtetuese dhe e jashtëligjshme. Inatosja e saj nuk ishte kurrgjë tjetër pos një rebelim qejfi, guximi e krenarie, aq më tepër kur krenaria e saj gjeti shprehje po në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës, ku vazhdimisht provokonte me tre gishta nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, ishte një fyerje e rëndë që i bëhej Kushtetutës së Kosovës, asaj kushtetute të kontestuar nga VETËVENDOSJA dhe ashtu të shtrembëruar dhe të kontrabanduar nga ana e ideatorit të saj, Ahtisarit.

Në Kushtetutën e Kosovës në asnjë nen nuk figuron nocioni “Kosovo i Metohija”. Deputetja Radë këtë gjë e di fare mirë. Çuditërisht ndaj këtij “poshtërimi total” dhe ndaj denigrimit të  këtij “mexhlisi” kushtetues (përjashto joshqiptarët) nuk u “hetua” asnjë reagim. Atë kundërshtim nuk e bëri as titullari i institucionit të kryeparlamentarit (Jakup Krasniqi), as titullari i kryeministrit (Hashim Thaçi), as ndonjë deputet, nuk u dëgjua as edhe një fishkëllimë e ndonjë  gazetari nga Prishtina a Drenica!? Një reagim të tillë mbase do ta kishte bërë deputeti i Luginës, Riza Halimi, edhe atë mes Kuvendit të Serbisë e jo më në Prishtinë. Ky reagim “objektivisht mungoi” pasi që njerëzit që ishin prezent në atë hapësirë, aq shumë ishin të dalldisur  “me numërimin e deputetëve”, saqë “harruan” konstruktivitetin dhe pozitivitetin e rrjedhës së seancës së Kuvendit. Sikur të ishin atypari (më duket se ishin) deputetët e Vetëvendosjes dhe ata dy axhami, që e “ngjyrosën” me të kuqe rektorin e nderuar të Universitetit të Prishtinës, ndoshta do t’i kundërshtonin  pisllëqet e teta Radës!??? Në këtë cirk u hetua një fatkeqësi politike e radhës apo edhe ai “korrupsion mental i deputetëve shqiptarë” që nuk e kundërshtuan zonjën deputete, së cilës si duket i është prishur “zembereku” i sahatit, atij sahati që i punuaka bythëpraps. Hajde mendje, hajde! E gjithë kjo të bën të dyshosh se ajo seancë e parë e Kuvendit të Kosovës, kinse drejtohej nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kristofer Dell, nga këshilltari i Behgjet Pacollit, Essad Puskari, nga “ i pagrishuri” Sami Lushtaku e të tjerë të paftuar si ai, nga  zëvendëskryeministri Hayrettin Kuçi dhe shumë më pak nga ana e titullarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, ai i cili, dorën në zemër, bëri çmos që të mos i mungojë ndërgjegjja kombëtare, kritike dhe përgjegjësia morale dhe zyrtare! Nëse krejt kjo që ndodhi në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës është e vërtetë, atëherë të krijon përshtypjen se PDK-së i “luhatet” uniteti i mendimit dhe veprimit të brendshëm politik.

            Fjalëve poshtëruese të Rada Trajkoviqit u mungoi një përgjigje “meritore” dhe një shpjegim racional. Mosreagimi i deputetëve shqiptarë ndaj fjalës së Radës, mos vallë është produkt i një politikëbërje kozmopolite, të kurdisur, të porositur ose edhe të imponuar nga Ahtisari dhe të tjerë evropianë. Në instancë të fundit asnjë politikan shqiptar nuk ka të drejtë ta nëpërkëmbë ndërgjegjen dhe ndjenjat kombëtare për hir dhe për hesap të ndonjë farë kozmopolitizmi.

            Ti, lexues i nderuar, a di pse nuk e bënë një reagim të tillë! Nuk e bënë sepse kokë e këmbë ishin dalldisur që t’ia vënë kleçkën Jakup Krasniqit dhe të tjerëve që nuk mendo/-nin/-jnë si kryeministri Hashim Thaçi lidhur me dhënien së votave pretendentit për president (jo) të sajdisur të shtetit, zotit Behgjet Pacolli. Gojëkëqijtë dhe kundërshtarët do të thurin lloj-lloj meselesh nga retrospektiva e tij, disa do të thonë se atij nuk i takon vendi i të parit të Kosovës, disa do të thonë se “ky katundar” nga Marevci i Prishtinës kinse paskësh korruptuar Boris Jelcinin me një maunë “Wodka Gorbatschow”me rastin e restaurimit të “kështjellës” së Kremlinit, kinse këtë seancë të Kuvendit të Kosovës e paskësh kurdisur dhe e paskësh “sponsorizuar” me paratë personale, ca të tjerë do të thonë se një njeri i veshur me kostum biznesmeni dhe një njeri që për grua ka një zonjë me origjinë sllave, nuk meriton një post kushtetues!? Toptan kundërshtarët politikë, po edhe qytetarët e rëndomtë, do të pandehin të merren me origjinën e tij shqiptare. Tekefundit, njohësit e mirë të shoqërisë së korruptuar do të thonë: “Kosovës  i duhet më mirë një president i ngopur (materialisht), sesa një tjetër president i uritur që e ka mendjen pas shpine e pas tenderësh”!?.., siç i duhet një Kuvend me politikanë vërtet seriozë.

            Duke e përfunduar këtë shkrim, mua më duhet ta përsëris se seanca e parë e Kuvendit të Kosovës u rebelua nga gjithsecili politikan, qoftë nga pozita a opozita, qoftë nga ata që ishin brenda, a nga ata që frekuentonin kuzhinën e Kuvendit!? Ajo seancë u dhunua dhe u rebelua nga vetë protokolli i saj i gjymtuar, nga fjala, guximi dhe krenaria e tetka Radës dhe nga shqiptarët që nuk duhej ta heshtnin të vërtetën e shkeljes flagrante të kodit të procedurës së votimit. Së fundi, askush askujt nuk mund t’ia kontestojë të drejtën e heshtjes, ose t’ia “shkelë” të drejtën e (mos) rebelimit, por ama edhe nuk mund të lejojnë që njerëz të fjetur të merren me politikë!..,siç unë nuk kam të drejtë t’ia kontestojë dygjuhësinë, Erzenit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora